Mirela

I.

Natë e tmerrshme. Pafundësisht natë. Copëza ëndrrash kalonin përreth vetëdijes sime me një shpejtësi marramendëse, pa krijuar mundësi regjistrimi në arkivin e memories. Qëllimi i tyre ishte i tejdukshëm; atë natë unë nuk kisha të drejtë të bëjë gjumë të qetë.
Ah, sa nevojë kisha për gjum të gjatë, ndoshta edhe të përjetshëm! Sikur nata e dhomës sime të çrregulluar të kishte bërë ndonjë marrëveshje me qiellin që çante me vetëtimat e tij kulmin e ndërtesës. Shigjetat e padrejta të vetëtimës së asaj nate njihnin një adresë të vetme; atë të Evig Antit. Ecja lart poshtë dhomës nuk ndihmonte për të ndier veten të lodhur, të gatshëm për atë copë gjumi të dëshiruar. Për t`i ikur zhurmës së bubullimës veshvrarëse që dridhte murret e vargut të të gjitha ndërtesave, lëshova televizorin, pa përcaktuar kanalin. Dhe ja, një prej atyre fytyrave që Zoti i ka sajuar të shpallin vetëm lajme kobzeza; filani ka vdekur…ai ka dhunuar…shteti X ka nisur luftën kundër popullit Y…kaq mijë njerëz kanë vdekur nga epidemia…Ndoshta ai moderatori mendon se është i vetmi burrim i kësaj bote për t`i bërë njerëzit depresiv dhe nuk di gjë tjetër, përveç se t`iu jap tableta të dërrmimit shpirtëror miliona shikuesve budallenj që shikojnë facën e tij të mbuluar nga makiazhi dhe vazelinat e shumta. Përpjekja për të zëvendësuar zërin e moderatorit me operën „Nabuko“ të Verdit, që gjendej rastësisht në kutinë e kasetofonit, dështoi pas një intervali fare të shkurtë. Dëgjimi deri në fund i Verdit do të kurrorëzonte gjithë dëshprimin tim me jetën në një vetvrasje të pashpjegueshme. Vetvrasje! Po në atë moment, në të gjitha qelitë e trurit tim të bakterizuar filloi një pastrim kimik, njejtë sikur në mes të një zjarri të lëshosh një kovë me ujë për ta shuar atë. Që nga ai moment nuk dëgjova më bubullimë. As vetëtimat nuk shiheshin përtej dritareve të mëdha të banesës sime nën kulm. Një lumë yjesh kishin nxjerë kokën në mes mjegullave të dendura sikur i çanin ato me zor. Nuk më bëhej aq vonë për mungesën e Hënës, ajo kurrë nuk më ka bërë dritë gjatë netëve të vuajtjes sime të madhe njerzore. Një planetëz tradhtare që s`di të mbajë trupin të plotë para syve të mi.
Vetvrasje! Po. Tekefundit ç`më sjell jeta; vuajtje, ndërskamca, pagjumësi, nënshtrim, poshtërim. Me dashje apo pa të, në çastin kur mua ndoshta më së shumti do të më duhet jeta, vdekja do të trokasë në derë dhe do të më sjell në mbretërinë e saj të pakthimtë. E njejtë është pra. Sot a nesër, krejtë e njejtë është…Ëhë vetvrasja është zgjedhja më e …Po vetvrasja do të më shpëtonte nga…

II.
Akrepi kishte kaluar për disa vija territorin e numrit 12 dhe zhytej ngadalë në atë të 13-ës. Sytë m`u ballafaquan me një shishe, gjysmë të shprazur në etiketën e së cilës shkruante „Ballantines“. Shishja qëndronte në një pozitë të tillë sikur të bënte apel për përkdhelje të buzëve të mia të thara gjatë natës. Jo! Në ora dy kisha lënë takim me disa miq të mi, të cilët nuk merrja guximin t`i lë duke pritur. Me një gotë nuk do të prishet sistemi planetar. Dakord, vetëm një. E thënë dhe e bërë. As e dyta nuk prish punë. E treta le të jetë e fundit. Duke i rënë gjoksit me shpatullën e dorës, për përparimin që bëja në përforcimin e karakterit (më herët nuk kisha vërjetur se mund t`i rezistojë në atë mënyrë „ballantines“-it), u nisa drejt dushit, ku pasi u laga mirë, vërejta se mungonte shamponi. Për saponin as që duhet të bëjmë fjalë.
Për çdo të dielë, unë, Mirela Judin, Bernard Baribar, Vinçenc Krah dhe Leonora Berner, që të gjithë studentë të Univerzitetit të Bernës mblidheshim në kafenenë „Artepovera“dhe diksutonim deri në orët e vonta të mbrëmjes rreth një teme, që propozonte shumica. Edhe në mesin tonë nuk mungonte sensi demokratik i rregullimit të gjërave. Kafenenë e sipërpërmendur e kishim zgjedhur për shkak se të dielave ajo ishte e mbyllur dhe nuk na pengonte kush. As pronarja, e cila ishte një mikeshë e jona dhe sillej „par exellance“. Drekën, darkën dhe gjithçka tjetër që na duhej nga dera e vogël e kuzhinës i sillte biondina trupvogël Leonora që studionte arkitekturën.
Para se t`i hyjnim punës më pëlqente që të këmbej disa fjalë kot, pa ndonjë rëndësi të veçantë, me Mirelën. Sepse vetëm kështu më krijohej mundësia të kënaq sytë me bukurinë e saj; sy të zgjeruar me bebëza fare të zeza që notonin mbi një sfond të kristaltë e të bardhë pa fije pike apo vene të skuqur gjaku, flokë të zinj kaçurelë të ndara në mes në mënyrë të pavërejtjeshme, fytyrë ngjyrëmulate e të këndshme, buzë, o Perëndi më ndihmo, buzët janë aq shëruese, aq të këndshme, me një fuqi që tërheqin me vijat pothuaj të padukshme magnetike të tyre në mënyrë magjike tërrë vëmendjen e qenies së dobët për nga morali, atë me konstrukt të ngjajshëm si unë.
Gjatë qëndrimit me Mirelën disa herë kundërshtoja atë thënien e pasaktë; „Zoti nuk t`i jep të gjitha të mirat“. Mirela ishte një antagoni e gjallë e atij konstatimi. Jo rrallë filozofi pa diplomë, Bernardi më binte në qafë duke më lutur që t`ia shpallë asaj dashurinë që kam për të. Atij i dukej qesharak arsyetimi; se dashuria ime ndaj saj nuk i ngjan asaj të një mashkulli para eksplodimit të epsheve, që si zakonisht akumulohen kur një njeri është i fiksuar në studimin e vijave të jashtme fizike të një femre. „Dashuria për të është si ndaj një hyjneshe të paprekshme. Ndaj një bukurie që prekja jonë do t`ia shëmtonte një pjesë të trupit, më kupton?“. Bernardi plaste nga zgërdhirja dhe mbante barkun me dorë; „mjaftë, mjaftë se më shkoqe, idiot!“. Ai vërtet, edhe pse kishte njohuri në lidhje me ndikimin e mitologjisë në formimin tim, nuk e merrte si të mundshme një gjë të tillë.
„Cila është tema jonë sot?“-pyetje tipike à là Vinçnenc. Gjithmonë ishte ai i pari që startonte diskutimin. Unë, me një mimikë tallëse, të cilën besoj se të gjithë e kuptuan, ngutshëm lëshova nga goja; „Për vetvrasjen“. Heshtja disasekondëshe u shoqërua me një këmbim automatik të shikimeve në kahje të ndryshme. Që të gjithë shikuam nga një herë njëri-tjetrin në sy. Të gjitha ato lëvizje të shurdhëra që ndodhën në një hapësirë aq të shkurtë kohore nuk thonin asgjë tjetër përveç se; që të gjithë të pranishmit, pa përjashtim kishin menduar në aktin që mbante emrin: Vetekzekutim. Pa ndihmën e ëngjëllit Xhebrail apo si do që të quhet ai. Bernardi si filozof, Vinçenci, Mirela dhe unë si studentë të psikologjisë kishim një bazë sado modeste për t`u zhytur në portën e kuptimësisë misterioze të vetvrasjes. Po ç`na thotë arkitektura e Leonorës, e cila kishte mbetur e shtangur dhe ndrronte shikimin e saj agnostik dhe të trembshëm nga njëra kokë te tjetra. Shikimi më i gjatë i saj u vërejt i stopuar në kokën e bukur të Mirelës. „Është një çështje që prek të gjithë ne, prandaj është mirë që ta trajtojmë“.
Më duket se këto ishin fjalët e vetme që Leonora i tha gjatë tërrë atij diskutimi të gjatë që ne bëmë rreth vetvrasjes atë ditë gushti të vaptë.
Ne të psikologjisë ishim të pajisur me teori të ndryshme parapsikologjike dhe ato nga Frojdi, Frommi, Junge, Cvajgu, letrarë, monograf e shumë mendjevrarës të këtij problemi. As Bernardi, siç u pa gjatë diskutimit nuk i ishte i varfër në këtë drejtim. Pasi që unë propozova temën, ashtu siç ishte rendi duhej që i pari ta hapë atë. Një natë më parë më kishte zënë gjumi duke arsyetuar vetëshuarjen si akt madhështor, ndërsa të nesërmen, po si Kamysë, edhe mua më dukej një absurditet pa pardon, përderisa përballë meje qëndronte një bukuri në jetë si Mirela.
„Shkaqet që shtyjnë një njeri për të vrarë janë të shumta. Ato kryesisht kanë të bëjnë me; humbjen e kuptimësisë për të jetuar, ikjen nga kryerja e një akti të turpshëm dhe të mërzitshëm që dhunshëm e imponon jeta, dorrëzimi para vuajtjeve të jetës, mungesa e ndonjë lumturie në horizont që ngjall skepticizmin e ekzagjeruar në anatominë e shpirtit duke eliminuar mekanizmat rezistues të tij, …Pyetjet e para që personat e tillë, para se të vendosin në kryerjen aktit janë; përse jetoj; a mund t`i shmanget vdekjes; ç`më sjell jeta tjetër gjë vetëm se sa një luftë të madhe për t`iu përmbajtur zakoneve të të tjerëve; si do t`ia dalë këtij apo atij halli …“-kështu më duket ta kem nisur bisedën rreth vetvrasjes asaj dite. Pas meje, në mënyrë fare të thjeshtë dhe të rrjedhshme foli edhe Vinçenci, i cili për dallim nga të gjithë ne zotëronte mjeshtërisht oratorinë. Edhe ai fliste, si Bernardi dhe unë, nga prizimi i dënimit të aktit të vetvrasjes. Ajo që na habiti dhe na bëri të polemizojmë, duke rritur në çdo çast temepraturën e fizikut tonë, ishte interpretimi krahasues që ia bëri Mirela vetvrasjes.
„Kur një gjeneral sheh se po të vazhdojë betejën do t`i marrë në qafë qindra shpirtëra ushtarësh, atëherë ai duhet të jetë i ndërgjegjeshëm dhe të çojë flamurin e bardhë në shenjë dorrëzimi. Me këtë ai do t`i shpetojë terrorizimit të vetvetes gjatë tërrë jetës nga ndërgjegja që kurrë nuk do ta lë të qetë si shkaktar i vdekjes së qindra njerzve për shkak të rregullave ushtarake që i ka shkruar dikush në ndonjë atelie të ngrohtë e noble të ndonjë vile princërore. Kështu është edhe me njeriun; në çastin kur ai vërren se vuan dhe se me vuajtjen e vetë ua prish bashkëqenieve të tij harmoninë në jetë duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe të ikë, së paku për të mos u shkaktuar edhe të tjerëve dëm“.
Përveç meje, gjithë të tjerët, edhe pse u shprehën kundër vetvrasjes, bënin me kokë ashtu sikur të arsyetonin qëndrimin e tmerrshëm të Mirellës. Qëndrim që mua nga frika më bëri edhe më konkret.
„I ka shkuar ndonjërit prej jush mendja që të bëjë vetvrasje“- Leonora lëvizi kokën aq shpejtë në drejtim të Mirellës sa që mua më shërbeu si shenjë për të kuptuar se dy femrat, ndër veti, këtë temë e kanë trajtuar qëmoti. Një „Jo“ e vendosur e Mirellës më hoqi gurrin e rënde që vijnte duke u rritur sa më shumë dhe duke mbyllur të gjitha kanalet e frymëmarjes. Jo-ja e të tjerëve ishte e pritur, prandaj edhe kurreshtja ime për të dëgjuar atë nga goja e tyre ishte më e vogël.
A ka ndonjë vend në botë ku mund t`i iki natës? Kësaj rradhe vetëtimat vijnin nga perëndimi. Hëna lavire përsëri në formë të përgjysmuar luante kash e lash me sytë e mi, herë duke u futur pas një mjegulle të madhe e herë duke nxjerë sqepin e saj të epërm. Kur do të vijë dimri, së paku mos ia shohë sytë as hënës e as diellit? Për fat „Ballantines“-i besnik ishte në të njejtin vend. Poashtu edhe gota e palarë.
Gëzuar natë e ndyrë!

III.
Pas ndërtesave kryesore qeveritare (them kryesore për shkak se në të gjitha rrugët e kryeqytetit zviceran, edhe aty ku nuk ta merr mendja, ka godina qeveritare. Bile edhe në nëntokë) të Bernës zyrtare gjendet një park karakteristik për nga gjallesat dhe bota që përmban në vete; njerëz të droguar të shtrirë në banka; mijëra shiringa të zverdhura; pula kokëvarrura që ecin si të dehura; mjekë të policisë që hulumtojnë trupin e një të vdekuri nga doza e tepruar e kokainës; gazetarë me fotoaparatët varrur të dëshpruar për mungesën e ndonjë noviteti dhe unë Evig Anti, mysafiri i paftuar që për çdo mëngjes ngjitej në shkallët e parlamentit për të pasur gjithë jetën e parkut në sy. Ndonjë skenë e përshpejtuar seksi nuk i bën më askujt përshtypje. Përditshmëri shoqërore zvicerane! Nëse dikush më pyeste; ç`farë shikimi të bukur gjen në atë park, sa për ta vizituar çdo ditë? Unë nuk i përgjigjesha. Jo për arsye se nuk e dija përgjigjen, por më shumë për t`i ikur keqkuptimit. Atëkohë, parku i Bernës, më dukej piktura më reale që mund t`i bëhej shekullit, kohës, njerzve dhe politikave. A nuk i kemi helmuar ne njerëzit të gjitha qeniet tjera të gjalla të planetit me gazrat që dalin nga teknika dhe teknologjia jonë superiore duke i bërë ato që para vdekjes të ecin si ato pulat e dehura? Po kush e ka prodhuar atë kokainën me të cilën ka gjetur vdekjen ai riu mbi bankën e parkut? Me ç`ka ushqehen mediat dhe ato gazetarët shëtitës në park, përveç se me skandale mbi skandale, shpifje, tekste të kriminalizuara dhe „zbulime“ që nxisin bile edhe luftëra të përgjakshme? E atë seksin e pakontrolluar dhe kafshëror në mes atyre dy konstrukteve të thyera e bithpalarë a nuk e shohin fëmijët që kalojnë aty pranë për të shkuar në shkollë? Prej nga përhapja e epidemisë së keqpërdorimit seksual të foshnjeve që ende nuk kuptojnë botën? Degjenerim total. Pikturë vrasëse që më kthente të mendoj përsëri për vetvr…
Dikush ma thirri emrin nga pas. Ishte Mirela. Kontrast agresiv që shkatoi një djegie syshë: Kontrast që rezultonte nga krahasimi në mes botës së parkut dhe bukuria madhështore e mikeshës sime Mirela Judin. Nuk e dija më se a ekziston ndonjë piktor gjenial në botë si Mikelanxhelo, Da Vinçi, Gogu që do të mundej të bënte një skulpturë apo pikturë aq të bukur që do të mund t`i ngjante bukurisë së Mirelës, e cila duke buzëqeshur freskët i afrohej trupit të debilit skeptik, akuzuesit më të madh të të gjitha vlerave njerzore Evig Anti. Puthjen e lehtë që ajo e bëri me buzët e saja në sipërfaqen e gjysëmfytyrës sime të paruar, ishte kundër të gjitha ligjeve ekzistuese të estetikës elementare.
„Takim i qëlluar. Kam diçka për të biseduar“- bëri ajo. U morrëm vesh që do të bëjmë një xhiro rreth lumit, Aares së turbullt të një polisi që egërsisht kërkonte shpëtimin nga zhytja në degradimin moral. Nuk e merrja si ndonjë kuriozitet shikimin e ngulshëm të njerzve që na kalonin pranë. Sipas të gjitha gjasave ato nuk mund të kuptonin se si mundet një femër si Mirela, që shëmbëllen nga bukuria të bëjë rrugë me një qenie të shëmtuar siç isha unë; me flokë gjysmë të rëna, ball të ngjajshëm me ato të shimpanzave, copë teshash që nuk hyjnin në kombinim asnjëra me tjetrën dhe me një palë syzash të formatit rus. Fustani i lehtë ngjyrëroze e i tejdukshëm, këpucët pa taka, perlat e bardha improviziese rreth qafës dhe flokët e derdhura që mbulonin shpatullat e shndrronin shtatin e saj në një ëngjëll që lëviz në atë mënyrë sa që të le përshtypjen se në çdo moment do t`ia mësyjë qiellit, do të fluturojë. Dita ende numëronte orët e saja të para. Qartë shihej përpjekja e mundimshme e diellit që të mbrrijë në mesin e qiellit të Bernës sa më parë për të vënë plotësisht pushtetin e tij mbi kokat e krijesave të kryeqytetit zviceran. Ne ecnim që të dy me të njejtin ritëm. Vëzhgoja me sy se si gishtat e këmbëve vazhdimisht mbërrinin të njejtën vijë në rrugicën e pluhurtë të pyllit rreth lumit. Asnjëri prej nesh, për disa minuta të tërra nuk lëshoi asnjë fjalë. Unë mendoja me plotë frikës se çka do që të flasë Mirela me mua? Ndoshta, ai kopuku leshverdhë, Bernardi ka llapur diçka për dashurinë time ndaj saj ose…Sa më lartë që të zhyteshim në pyll aq më të mëdhenj bëheshin sytë e Mirelës. Frymëmarrja e saj nuk vërehej fare. Ashtu qetas ajo ngjitej në kulmet e mendimeve të saja si gjithmonë kur donte të shpërthej ndonjë hall të mbledhur për një kohë të gjatë në zemër. „Ekziston mundësia që ajo të jetë penduar me idenë për të biseduar me mua“- mendova heshtas përderisa vërejta se nikotina më kishte mbrrirë në majë të hundës e më dobësonte trupin qëllimisht që të mos vazhdojë rrugën.
„Më ka ardhur deri në majë të hundës që njerëzit të më dashurojnë sikur të isha ndonjë princeshë e ëndrrave të tyre“- shpërtheu Mirela duke mbuluar rrugën përpara me një shikim të zymtë. Që nga gishtat e këmbës e përpjetë ndjeja se si një acarr përlante trupin tim. Një acar që nuk përputhej fare me temperaturën skuqëse të lëkurës sime. Paragjikimi im që Bernardi të ketë folur u transformua në argument. Fakt që më neveriste pa masë. „Mirela, unë nuk kam …“
„Më premton që deri sa të mbaroj unë fjalën që kam për ta thënë nuk më ndërpret“- kërkoi Mirela e vendosur duke më lëshuar krahun pas shpinës sime. Atë moment ndieva nevojën e saj të madhe për të shtrrnguar dikë për vetes. Ajo banonte bashkë me Leonorën, në një studio, që gjendej në Zolikofen, tetë minuta me tren nga Stacioni kryesor Hekurudhor i Bernës. Prindët e saj jetonin në kantonin Graubynden. Nuk kuptoja përse Mirela fliste aq rrallë dhe pothuaj njëherë në vit shkonte tek prindët. Siç kuptova nga shpalimi i biografisë që ajo e bëri atë ditë; para se të ikte nga vendlindja, për të ardhur të studiuojë në Bernë, ajo kishte pasur një dashnor me emrin Peter, i cili disa ditë pas ndarjes me Mirelën (me kërkesën e kësaj) ishte gjetur i varrur me një kabël elektrik në dhomën e internatit. Ajo e kishte lënë atë me insistimin detyrues të prindëve të saj. Ky ishte shkaku përse ajo nuk donte gjithaq të dëgjojë për prindët e saj. Ngushëllimin tim se ai, Peteri, ndoshta ka vrarë veten për diçka tjetër nuk ndihmoi asgjë që ajo të ndërpresë lotët, të cilat nuk kishin se ku të ndalen në fytyrën e saj pas asnjë vijë apo thyerje të vetme.
„Prej asaj kohe asnjë njeri më nuk do të ketë punë me mua. Asnjë mashkull nuk më shpall dashurinë. Të gjithë ushqejnë sytë e tyre me bukurinë time, e asnjëri nuk merr guximin të rrezikojë. Ata e ndjejnë fatkeqësinë që sjell bukuria e ime. O Zot sa e urrej trupin tim. E dij ti që unë ende nuk kam fjetur me mashkull?!“-kokëçarje tipike e femrave të metrpolove. Ato e ndjejnë si marrëzi mungesën e një përvojë të tillë kur jeta hyjnë në fazën e njëzet e pestës. Njëkohësisht kuptova kahjen e interpretimit të Mirelës që i bëri vetvrasjes gjatë diskutimit të së dielës së kaluar. Ajo kishte më shumë se çdokush ne, që bluanim atë natë mbi vetvrasjen, përvojë me të. Nuke besoi që ndonjëri nga pjesmarrësit e asaj nate të ishte djegur më shumë nga vetvrasja se sa Mirela jonë e bukur. Asaj i kishte bërë vetvrasje para syve, vetë dashuria, e cila është edhe mekanizimi qëndror rezistues që ruan njeriun nga aktet e rrëzimit shkallëve drejt ferrit. E dija që meshkujt e auditoriumit ku studionim me Mirelën për çdo mëngjes rrëfenin ëndrrat dhe fantazitë e tyre se si kishin pasur një aferë seksuale me të. Asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje t`i shpall asaj dashurinë, jo nga frika prej ndonjë mallkimi siç pandehte ajo, por nga ndenja e inferioritetit dhe bindja se ajo ishte tepër e bukur për të pranuar që të ketë punë me ndonjë zhirafë apo miki maus, siç ishin psikologët e ardhshëm të fakultetit tonë. Ishte një keqkuptim i madh që Mirela nuk donte ta pranojë.
„A do të kishe pasur punë me mua“? – më zuri ngushtë ajo duke më detyruar që të skuqem edhe njëherë më shumë. Më dukej e padrejtë të gënjeja dhe siç u pa Bernardi megjithatë kishte llomotitur diçka, sigurisht duke mos i shpjeguar asaj deri në fund realcionin tim shpirtëror që unë e kisha ndërtuar me kohë me bukurinë e hyjneshës sime. Në anën tjetër, duke shikuar drejt në sy Mirelën, që në atë moment kuptova se po t`i them: „megjithë kënaqësi do të kisha pasur punë me ty“- do të humbja atë kënaqësinë shpirtërore që e përjetoja përderisa qëndroja pranë saj. Ajo do të pushojë më së qenuri hyjnesha ime dhe do të shndrrohet në një grua dashnore, me të cilën unë do të isha i detyruar të përshëndes çdo mëngjes të jetës së Bernës. Po t`i tregoja të vërtetën ajo do të thellohej edhe më shumë në paragjykimet e saja vetdërrmuese të personit të mallkuar me vetmi, gjë që bartte me vete atë rrezikun e përqafimit të aktit aq të urryer të vetvrasjes. Mbi të gjitha isha i vetëdijshëm se Mirela më shumë do që unë t`i shpall dashurinë me qëllim që t`i ikë kompleksit të vet që kishte të bëjë me „vajza me bukuri të mallkuar“ se sa që është e dashuruar në mua. „Po kush dashurohet në mua, o perëndi e fshehur pas mjegullave të natës. Kush ka mundësi të sakrfikojë aq shumë sa të dashurojë të gjymtuarin Evig Anti!
„E sheh, as ti, që fascinohesh aq shumë me bukurinë time, nuk i hyjnë dot një rreziku të tillë. Po, sepse unë jam Mirela që njerzve u shkaktoj vetëm vuajtje dhe me vuajtjen time i detyroj ata të nisen drejt rrugëtimit nëpër shkallët e Komedisë së Dantes“. Loja me fjalët e njejta si ato të interpretimit të vetvrasjes të dielën e shkuar ndërprenë mundimin e botës sime të brendshme dhe sinjalizuan se është koha e fundit kur unë duhet të them diçka. I thashë, me një zë krejt të ndryshkët, se unë i urrej të martat dhe se në këtë ditë si zakonisht nuk bëj asnjë lëvizje të rëndësishme të jetës. Prandaj do të ishte mirë që ajo të takohej me mua, të nesërmen për ta bërë të njejtën shëtitje. Ky ishte një justifikim, nëpërmjet të të cilit unë doja që të fitojë kohë.
Një rreze dielli më ndjeki deri në derën e drunjtë të banesës. Postjeri kishte vënë një letër të verdhë ku shkruante; „z. Evig Anti shkruajeni emrin në kuti, Ju lutemi!“. Një injorant apo tallës. Emri im ishte tre herë i shkruar; në kutinë postare, në derë dhe tek zilja. „C`emri kërkon ai kafshë“- bëra me vete para se të futesha në dhomën time, të cilës i vinte era mykët. Përsëri kisha harruar të blejë shampon. Uiski më nuk kishte.

IV.
Pas një gjumi të rëndë, fytyra më ishte fryrë posi një ballon nga ato që i lëshojnë në ajër gjatë ditës kombëtare të Zvicrës, me një gusht. Dielli nuk e kishte ndërmend ta fusë atë facën e vet të zjarrtë pas kodrave. Edhe një dush pa shampon ishte i tepërt. Librat e derdhura mbi tavolinë më dukeshin si teprica më alergjike e atmosferës së dhomës. Ika nga dhoma. Rrugët e lagjes ku jetoja, për nga rregulli, dallonin shumë nga dhoma ime. Dikur m`u lodh koka duke përshëndetur gratë plaka që vëzhgonin çdo lëvizje në rrugë dhe çova atë larg duke fishkëlluar sikur të ndodhesha mbi shtatë katë qiell, pa probleme dhe fare i lehtë, gjë që nuk ishte fare e vërtetë.
Në terracën e një klubi në sheshin e qytetit, prej së largu, arrijta të vërejë trupin e vogël me flokë të gjata dhe të bardha të Leonorës duke kuvenduar me një mashkull trupmadh, të vërdhe e të thyer në formë të gjysëmhënës që dukej sikur do të ha krijësn e vogël që gjendej përballë tij. Të gjitha indikacionet flitnin se s`ka kush të jetë tjetër përveç filozofit Bernard Baribar. Filozofit të dashuruar. Më se një vit, ai kërkonte mundësinë që t`i thotë Leonorës se është i dashuruar. Edhe pse në kokë më fluturoi mundësia që ky të jetë ai momenti, qëllimisht u afrova. Së paku për t`iu hakmarrë për spiunimin që ma kishte bërë tek Mirela, duke i kallëzuar asaj për ndjenjat e mia.
„Ç`i kishe bërë Mirelës sot që dukej aq e gëzuar?-as Leonora nuk ishte më pak ngucakeqe- ajo sot erdhi në banesë aq e gëzuar, më tregoi se ka qenë me ty dhe iku sërish në qytet. Vërtet ke bërë mirë“. Në mënyrë mospërfillëse, pyeta Leonorën fytyrëqumshti se përse kisha bërë mirë dhe ajo rrëfeu atë që unë e pritja. Ajo, kishte kohë që nuk kishte parë Mirelën duke qeshur, por vazhdimisht duke i folur asaj për vetvrasjen, për jetën pa kuptim, për mangësitë e botës dhe mosekzistencën e ndonjë përmirësimi, për…“Vërtet, deri sot kam vuajtur nga frika se ajo ndonjë ditë do të vrasë veten“- kjo fjali ishte epilogu i portretizimit që Leonora i bëri bashkëbanueses së saj.
„Hë, mor spiuin – iu drejtova Bernardit që qeshej pa takt- përse nuk i thua që e dashuron?“. Që të dy u bënë sy flamuri zviceran pa kryqin në mes. Duke ndier nevojën për një qeshje histerike i përshëndeta duke u larguar me shpejtësi nga tavolina.
Kësaj radhe nuk kishte më kush të më pengojë që të blejë shampon dhe alimente të tjera që më duheshin për në shtëpi. Natyrisht pa harruar që të blejë dy shishe „Ballantines“.

V.
Cingërrima e telefonit dëgjohej qysh te shkallët. Shtëpia e vjetër i jepte edhe zhurmës më të vogël një eho gërryese. Disa herë më ranë nga qesja shmponat, fatmirësisht, jo uiski, që do të kishte dehur menjëherë dyshemenë. Zëri i deformuar i Bernardit fillimisht ma futi frikës se mos e kanë gjetur Mirelën të vetvrarë diku, mirëpo jo. Ishte Bernardi ai, për të cilin në ato momente duhej të kem frikës se mund të bëjë diçka. „Ajo më tha jo… a e kupton… Leonora është e dashuruar në një femër a kupton ti…më tha se për meshkujt nuk ndjen asgjë…kuçka!“. Bernardi kishte të drejtë që ishte shqetësuar aq shumë. Merreni me mend, kur dikush që ti e dashuron, me një fjalë ti përdhos të gjitha ëndrrat. Prapëseprapë Bernardi ishte tepër egoist për të bërë një akt të tillë. Jo, ai kurrë nuk ia privon vetes kënaqësitë e fantazisë për jetën. Ndërkaq Leonora nuk është njeriu i vetëm që ndjen dashuri për gjininë e njejtë dhe kjo nuk më trazonte asgjë për të ndryshuar dashurinë time ndaj saj. Asnjëherë, për asgjë në botë nuk do ta kisha humbur simpatine për fytyrën e rrumbullakët, sytë e bardhë, flokët ngjyrëartë dhe buzëqeshjen e ëmbël të Leonorës. Ajo ishte një shoqe e jona e ngushtë. Leonora e jonë, pra.

VI.
Hoqa të gjitha tavolinat nga mesi i dhomës (ashtu bëja gjithmonë kur duhej të luftoj me veten për diçka të rëndësishme) për të pasur vend të lirë për shëtitjet e mija lartë-poshtë dhomës. Në anën e djathtë ku qëndronte tavolina vura duhan të mjaftueshëm dhe që të dyja shishet e uiskit me një gotë në mes. Uiski më intensifikonte qarkullimin e gjakut dhe mendoja se ashtu i fusë në rotacion më lehtë mendimet e mia. Dalëngadalë para syve më formohej e plotë fizionomia e bukur e Mirelës; gjestet e saja, lëvizjet, grimasat, mimika, mbyllja dhe hapja e syve, qeshja, buzët, vetullat duke manifestuar kurreshtjen, fytyra e plotë e saj në çastet kur fliste për vetvrasjen, lotët për dashnorin e vetvrarë, mllefi ndaj prindërve, fustani ngjyrërozë dhe duart pa zhul, aroma e trëndafiltë e flokëve, beli i saj i hollë duke u shtrembëruar për t`u bërë naze djemve kokëtrashë të fakultetit, dhe ja; ajo e tërra qëndron para meje si një hyjneshë që ec disa centimetra mbi dysheme duke u ngjitur për trupit tim. Pason zhveshja, që të dy si të çmendur lidhim gjuhët, kërcëllojmë dhëmbët, shkoqim teshat nga trupi dhe përplasemi në shtrat duke u ligavitur me pështymë, ashtu pa fije turpi në të gjitha pjesët e trupit. Bëhemi një. Ofkamat e saja bëhen të shpeshta. Unë gjendem në trans duke përdredhur fizikun tim si një ujk para se të fusë përfundimisht gjahun në gojë. Ajo kap kokën me duar e unë derdhi trupin tim tim mbi trupin e saj të bukur. Rezultati: ASGJË ose mbeturinat e një kontenjeri u shprazën në furën e djegies! Vdiq hyjnesha dhe lindi gruaja e zakonshme me detyra për mirëmbajtjen e rregullit në shtëpi. Lindi fabrika e shumimit të njerzve në planetin e tokës. Jo. Njëmijë herë jo! Bërtita pasi që shkunda kokën mirë për të shporur mendimin që e solli gota e parë e ballantajnsit. Poshtërsi! Le të vetvritet! Ndarja nga dëshira e madhe për ta parë atë ashtu të paprekshme ngadhnjente mbi çdo epsh, pavarësisht se sa vullkanik të ishte ai. Posterë pornografikë ka aq shumë në Bernë sa që të zëvendësojnë fasadat e të gjitha ndërtesave të qytetit, sado të larta që të jenë ato. Ja po të vetvritet ajo, çka do të ndodhë? Nuk është patjetër t`i shkojë në varrim. Do të mbyllem në dhomën time të pistë dhe do të shkruaj një elegji për hyjneshën jetëshkurtër. Ndoshta do t`ia nis punës e do të bëjë një dramë duke involvuar aty të gjithë emrat e filozofëve a shkrimtarëve që kam mundur të mbajë mend gjatë arratisjes sime nëpër botët e gjenive pa fije ndërgjegjeje. Mendimi për ta parë Mirelën të zhveshur, të shtrirë para meje si një paciente për operim që pret kirurgun më neveriste ekzistencën e zejes më të vjetër në botë. Atë nuk e ka krijuar Zoti për në mision të tillë. Jo, ajo është ndryshe nga gjithë ne, qeniet e tjera. E sata gotë është?- kalkulova dozën e alkoolit që kishte filluar të hollojë gjakun nëpër venët e krahëve, të cilët tashmë kishin marrë ngjyrë tuberkulozi. Marrja me uiskin zgjati vetëm për disa sekonda, para se trupi i Mirelës të më zë udhën në mes të dhomës. Do ta refuzoj! Cka do të ndodhë pastaj? Ajo do të shtrihet në krevatin e saj të vogël, do të marr një helm dhe do t`i thotë përgjithmonë lamtumirë jetës ose do të gjej një thikë të mprehtë dhe do t`a ngul në aortën e zemrës së saj. Ka mundësi që të ndjek rrugën e dashnorit të saj; do të ngjitet mbi një karrige dhe do të varr veten për poçit elektrik, që ishte i lidhur me një kabël të fortë. Metoda më e zgjedhur është helmi; vetëm në këtë mënyrë ne do të ndaheshim përjetësisht nga ajo duke na mbetur para syve bukuria e paprekur, ashtu siç kishim dëshirë që të gjithë ta shihnim për çdo ditë kur hyjnim në dyert e auditoriumit. Një puthje në ballë, para se ta digjnin në zjarrin e ndonjë fure të krematoriumit dhe aq e pati. As kjo nuk është zgjidhje. Parafytyrimi për të përjetuar çastet e ndarjes me të më gjunjëzoi para një fotografie ku kishim dalur të gjithë studentët e vitit. Në stomak ndieja një zierje paraeksploduese të gazrave që donin të më dalin nga hundët e goja. Kisha nevojë për të qarë. Me orë të tërra ka qarë si i çmendur, mbështetur për dritares së hapur të banesës. Kurrë nuk isha gjendur në një dilemë aq të tmerrshme. Jashtë dritareve qetësia vrarëse e natës kishte pranguar të gjithë zërat. Në gjithë vargun e ndërtesave përreth nuk gjeje asnjë dritë të ndezur përveç llampës së dobët të dhomës së Evig Antit. Varr i madh, në mes të cilit, vetëm një i çmendur me bateri në duar kërkon kuptimin e humbur të jetës. Për t`i ikur vetvrasjes së bukurisë që ai e pasionon dhe pothuaj është i varrur prej saj, si asnjëherë më parë gjendet vetë buzë aktit të vetvrasjes. Vetvrasje për t`i ikur vetvrasjes. Dy vetvrasje; kush do të jetë i pari ai do të fitojë!

Më dukej se epidemia e vetvrasjes, për herë të parë në Bernë, erdhi atë natë kur unë nuk fleja dot nga çmenduria e natyrës dhe që u zhvillua të nesërmen gjatë diskutimit me miqtë e mi. O Zot përse përmenda një përbindësh kaq të vështirë?! Po ai përbindësh nuk më lëshonte më nga kthetrat e llakosura me gjakun e shpirtit tim. Ai kishte pushtuar kokat e grupit tonë dhe lëpynte buzët duke pritur viktimën.
Pushteti i natës po jepte shpirt. Dritat filluan të zbulojnë lartësinë e ndërtesave përballë shtëpisë së kërrusur, në thellësinë e së cilës jepja e merrja unë duke numëruar orët e fundit para se të dalë në parkun e qytetit. Ende i pa vendosur. I shkallmuar nga pagjumësia dhe uiski që numëronte pikat e fundit. Dita më e tmerrshme e jetës së Evig Antit nuk pengohej dot, ajo në krahasim me ditët tjera, ishte e pajisur me një makinë më të shpejtë, prej atyre me të cilat dilet me gara, që u thonë fomrula 1 a 2, ku ta dija unë antisportisti. Kjo as që kishte rëndësi, ajo kishte vendosur që të më vë në provimin më të rëndë të jetës. Një provim që kishte vetëm një notë në fund; humbjen e përjetshme të bukurisë, pavarësisht nga vendimi im!

VII.
Parku nuk ishte më ai i mëparshmi. Policia kishte hequr të gjithë të sëmurit, bashkë me to shiringat dhe ato pulat e dehura. Ai merrte frymë ndryshe nga ditët tjera. Dy dashnorë që e kishin pasur pak natën të lenin përshtypjen sikur duan t`ia shkoqin rrobat njëri tjetrit. Parku kishte përjetuar një pastrim kimik duke u dezinfektuar me alkool djegës. Kostumi i ri nuk i ngjante fare. Përmbajtja e tij ishte bartur në një park tjetër, në atë të brendisë sime. Pikturë që vetëm ndjehej e nuk shihej dot me sy.
Ajo ecte me hapa të ngadalshëm drejt meje. Për herë të parë më dukej Mirela e shëmtuar. Teshat e saja të bardha më dukeshin të përlyera edhe pse në to nuk figuronte. Një dridhje e pakontrollueshme tundte herë pas herë trupin tim që rezultonte me një shtrembërim të pakuptueshëm koke. Ajo vërtet ishte një femër ideale për seks. Para syve më bëhej sa më e gjallë ajo skena e mbrëmshme kur e shtriva në shtrat duke e puthur në të gjitha pjesët, edhe në ato më të fshehurat. Veç vonë kuptova se në vetëdijen time kishte vdekur bukuria hyjnore dhe në vend të saj kishte ardhur në mënyrë festive epshi kafshëror i mashkullit Evig Anti. Më kurrë nuk do të më fascinojë bukuria, unë e humba atë përjetësisht. Nuk ka medikament që do të mund të më shërrojë nga kjo humbje tragjike që pëson mosha ime e re- mendova përdërisa ia shtriva dorën ftohtë mikeshës sime Mirela Judin. Gjatë natës kisha tentuar që të kuptojë dashurinë tokësore në mes qenieve të gjalla, pa dëmtuar atë dashurinë sekrete që çdo qenie për vete e ka për ndonjë hyjni të veçantë. Mirëpo pa sukses, ato më përziheshin dhe më bëheshin një me bukurinë e asaj femre që ecte pranë meje po me të njejtët hapa, me një fustan po si ai dje, i tejdukshëm dheme një trup, që tek shumë bashkëmocanik të fakultetit tim shërbente si objekt ëndrre për të shfryer epshet.
Ajo nuk fliste fare. S`kishte as çka të flasë. Viktima e vetmohimit me vetë gojën e vet asaj dite isha unë. Unë duhej të plotësojë premtimin e dhënë njëzet e katër orë më parë. Dy banka që ishin të ngulura në tokë, ballëpërballë, në rrugën për te „varri i arinjve“ ishin të lira. Më se një orë shikuam njëri tjetrin në sy pa e thënë asnjë fjalë të vetme. Në disa qime të ndara nga flokët e saja të dendura vërrehej dridhja edhe e trupit të saj. Ajo ishte vërtet e bukur. E pazevëndësueshme. Kishte kryqëzuar këmbët e saja të drejta dhe lëvizte një unazë, e cila besoj se ishte vetëm improvizim i ndonjë metali të shtrjentë dhe priste, dhe vetëm priste…Ndërsa unë kalkuloja pasojat e fjalës sime të parë. Ajo u çua nga karrigja e saj dhe u ul pranë meje duke lëshuar kokën e saj të lehtë mbi shpatullën time. Dridhja u bë edhe me e pakontrolluar. Lumi ende nuk ishte çuar nga gjumi. Në qiell asnjë ré. Mungonin edhe shëtitësit e zakonshëm. Gjethet lëshonin kohë pas kohe ndonjë shushurimë sikur donin të flladisin guximin tim, i cili ishte dehur bashkë me pjesët e tjera të trupit. Në mënyrë automatike u çova nga karrigeja duke marrë atë përdore (gjë që se kisha bërë kurrë më parë) dhe u nisa drejt një udhëtimi të panjohur. Një shkelës jolegjitim i barit të pyllit, i cili qante pa zë dhe mbetej i shkelur, i shtrirë edhe pasi unë fshija ndër shpatullën e këpucës së rëndë viktima të reja, duke u ngjitur diku drejt majës së pyllit, anën tjetër të të cilit nuk e njihja fare. Anë tjetër as që kishte. Ai ishte i prerë dhe hapi i fundit i yni përfundonte para një thellësie njëzet metërshe që të çonte drejt në lumë. Mirela lëvizi në atë mënyrë kokën saqë më la të kuptojë se edhe ajo e sheh një hap të tillë si më të zgjedhurin. Pra hapin e kërcimit drejt vetvrasjes. Hap, që unë nuk kisha ndërmend ta ndërmarrë atë ditë. Edhe po të vendosnim që të bëjmë vetvrasje, që të dy, atë nuk do ta kisha bërë para saj e as që do të lejoja ta shohë se si mbytet në ujërat e lumit ku derdhej i gjithë kanalizacioni i qytetit, bukuria ime hyjnore. Aty kishte vetëm një shpëtim. Mirela ishte kthyer me fytyrë kah lumi , ndërsa unë i qëndroja pas. Era e lehtë ia hiqte flokët nga fytyra, përreth syve i mblidheshin lotët para se të dalin nga territori i syve. Zgjidhja në mes bukurisë hyjnore të konceptit estetik që unë kisha ushqyer gjatë tërrë jetës sime në kokë dhe vetë Mirelës që posedonte atë bukuri ishte më se e rëndë. Zgjata krahët duke rrethuar belin e saj të hollë dhe e shtrrngova lehtë për trupit tim. Sytë e saj braktisën lumin dhe nisën të udhëtojnë nëpër kaltërsinë e pafund të qiellit të së mërkurës. Hundët më dëgjon nga aroma e këndshme e flokëve të saja. Tashmë bukurinë e kisha zënë me duar dhe e ndjeja më afër se kurrë me parë. Në vend të sakatimit të gjuhëve dhe ligavitjes pa kontrollë, siç kisha paramenduar një natë më parë, një puthje e lehtë duarve të mia nga buzët e saj të lëngta startoi kthimin nga kishim ardhur. Ajo nuk bënte asnjë lëvizje tjetër, përveç buzëqeshjes që shoqëronte shtrirjen e kokës së saj në gjoksin tim si një ëngjëlleshë e virgjër. Kishin kaluar orë të tërra që shpirtërat dhe sytë tanë komunikonin në mënyrë intensive duke ua marrë rolin gojëve tona mememce që kohë pas kohë justifikonin ekzistencën e tyre me ndonjë „uf“ apo shtyrje të buzëve që eskalonin me ndonjë puthje të kontrolluar gjatë rrugës për në…Asnjëri prej nesh nuk kishte uri. Banesën time e gjetëm ashtu siç e kisha braktisur unë në mëngjes para se të dalë për të shndrruar hyjneshën time në një kadavër që priste në rradhë hyrjen në furën mijëra gradëshe.
„Ma ktheve kuptimin e jetës. Tash le të ndodhë gjithçka. E dij që unë nuk jam mallkimi i gjallë i dashurisë dhe bukurisë“- Mirela varrosi teshat e të qenurit shtriga që sjell fatkeqësinë në nënqiellin e Bernës, i cili ishte aq i gjërë, dhe me aq fatkeqë sa që ne dy nuk do të mundeshim t`i regjistrojmë me vite të tërra. „Ti më dashuron mua…“- donte ajo të jetë e sigurtë. „E dashuroj unë Mirelën? Apo e shtrrngova atë vetëm sa për të mos bërë vetvrasje para syve të mi!“- bluaja nëpër kokë pyetjet dhe vetpërgjigjet duke ia tundur kokën asaj në shenjë pohimi. „Po unë e dashuroja atë, më shumë se gjithçka tjetër; si hyjneshë apo si femër?“- përgjigjet shkaktonin pyetje dhe anasjelltas. Alkooli ndihmonte që turbullira të mbante nën kontroll edhe më tej kaosin në mendjen time. Mirela kishte nevojë për ndonjë njeri që ta gjej kuptimin e së bukurës, e jetës. Mbi të gjitha të bindë veten se nuk është lajmtarja e bukurisë që vret. Ikja nga kompleksi i të qenurit lajmatarja e fatkeqësisë, që të e kishte shoqëruar deri në moshën e saj njëzet e pesë vjeçare. „Po ajo a më do mua“? Kjo është e tepërt. Ku e gjeti ajo dashurinë për mua. Tek cila pjesë e shëmtuar e konstruktit tim ende të papërcaktuar biologjikisht. Më mungonte forca për t`i hyrë një rreziku aq të madh. Ajo sikur donte që të më ndihmojë. „Unë kam qenë e dashuruar në ty qëmoti. Jo nga pamja e jashtme ( – së paku ishte më e sinqertë nga ato që flenin me mua rastësisht pas ndonjë feste ku konsumohej me shumicë alkooli. Fjetje që të nesërmen sigurisht se u shkaktonte vjellësira të mëdha- ) por nga ajo që reflekton shpirtin tënd kur flet, mendon, jeton, kur vuan, qesh. Ke një karizëm që tërheq. Sa më shumë të të njohë njeriu aq më shumë fascinohet“- edhe nga njerëz të tjerë kisha dëgjuar mendime të tilla, mirëpo kjo kurajo thehej sapo shihja pasqyrën e parë, që në kryeqytetin zviceran gjendeshin në çdo dy metra, sikur t`i kishin vënë me qëllim për t`i përzënë banorët që urrenin veten.
Nata as kësaj radhe nuk mungon. Edhe ajo do që të luajë rolin e ditës. Ajo, për herë të parë sillej butë me mua. Ndoshta përsëri ekziston një marrëveshje, kësaj radhe në mes ditës dhe natës, që nëpërmjet butësisë së tepruar të egërsojnë edhe më shumë shpirtin tim, duke e futur në pasiguri totale. Po, ajo nata që sa herë të mbulonte qiellin, me gjithë forcën e vetë përpiqej që të më përdhunojë nervat në marrëveshje me shtrrngatat plotë zhurmë. Mirela me qepallat e saja paralajmëronte gjumin dhe nuk e kishte fare ndërmend që të shporej që andej. Sikur pakë të më kishte dërrmuar gjatë tërë ditës. Marrëveshja që ajo të flejë në shtratin tim e unë në kanapenë jashtë nuk doli e suksesshme. Ashtu siç nuk kishte qenë i sukseshëm parafytyrimi i skenës së dashurisë sekondëshe e të egër që unë përjetova një natë më parë.
Mirela kishte futur duart e saj ndër këmishën time dhe lëmonte shpinën duke shtrrnguar kokën për gjoksit tim. Unë kisha futur hundët në flokët e saja, me njërën duar në bel e tjetrën përkëdhelja këmbën e saj gjysëm të zhveshur. Të puthurat e saja të këndshme, shkallë- shkallë, ngjiteshin në drejtim të gojë sime, dhe kështu ndrohej forma dhe pozita e fizikëve tanë përherë sa më shumë duke zbehur kontrollin e vetëdijes sime, e cila vazhdonte të bëhej luftë me arsyet dhe shkaqet se si duhet të jetë dashuria. Në trupin e Meirelës kishin mbetur vetëm dy copë tesha që mbulon pjesët e saja më të ndieshme. Vetëm në atë çast kur hapa sytë e mi për të shikuar trupin e saj të rrëshqitshëm, pashë se si duket në realitet bukuria e plotë, e pafshehur pas lloj-lloj tekstilieve dhe ngjyrave të shumta. Ajo ishte vërtet si një peshk me flatra të padukshme. Deri atë natë, unë, studiuesi i pandalshëm i bukurisë, kisha zbuluar vetëm gjysmën e domëthënies të së Bukurës. Ajo gjysma tjetër kishte qëndruar gjithmonë e fshehur nën teshat e Mirela Judinit. Unë Evig Anti mbaja të mbuluar me trupin tim bukurinë e plotë, ashtu siç ishte në të vërtetë. Jo përgjysmë, por të tërrën. Gjithë ajo që ndodhte në dhomën time ishte provimi më i madh që unë e jepja pas leksioneve të shumta për të kuptuar bukurinë; atë mesnatë kuptova se veç duke pasur bukurinë e tërrë parasyve mund të kuptojë njeriu se me njohjen e saj nuk është fundi i një njoftimi të ndërsjellë, por fillimi i përjetimit të saj në jetë. Fillimi i mbushjes së shpirtit me energji për të dashuruar jetën, për t`u zhytur në të gjitha kuptimësitë e përplasjeve të fateve përtokë dhe ngjitjeve të tyre nëpër majat e malave më të larta të botës.

Hëna kishte dalur e plotë dhe i bënte dritë një miniujëvare të Aares, e cila derdhej mbi sipërfaqen e lumti plotë shkumë. Përveç gurgullimës së ujit ndër shkumë që vijnte duke humbur zërin sa më tepër gjithçka ishte e qetë. Unë dhe Mirela numëronim yjet që kishin rrethuar hënën sikur të kërkonin dorrëzimin e saj.

VIII.
Vetvrasja ishte shporrur me leckat e saja përfundimisht nga jeta ime dhe e Mirelës. Me këtë ajo kishte ikur edhe nga fjalori i grupit tonë, i cili as donte të dëgjojë më për atë përbindëshe. Ishin bërë ca ditë nga lajmi i bashkimit të dy pamjeve antagonike në mes veti. Evig Anti e ka futur në dorë bukuroshen e Univerzitetit Mirela Judin!- dëgjoja duke kaluar pranë grupeve të studentëve që përshpëritnin duke më shikuar syhapur. Ndërsa mua nuk më mungonte asgjë për të çuar hundën lartë e të ndjej veten si çlirimtar i Bernës para shtatqind vjetësh.
Një hall që kishte kapluar grupin tonë, e sidomos Bernardin, ishte mungesa e Leonorës në ligjerata. Për shkak se Mirela, ditët e fundit i kishte kaluar në banesën time, as ajo nuk dinte -siç ishte zakoni – gjë për të diçka më tepër në lidhje me shoqen tonë. Ishte dita e fundit që Bernardi mund të priste pa shkuar për ta parë.
Qetësinë e auditoriumit e prishin ca këmbë të rënda që vraponin rrëmbysehëm shkallëve të ndërtesës të madhe të Univerzitetit. „Do të jetë ndonjë trup bernardin“! – i thashë vetes duke u përpjekur që të konecntrohen në zërin e dobët të profesorit. Nuk kisha gabuar; në derë u paraqit Bernardi me çerre të humbur. Fytyra u përngjante flokëve të tij të verdha. Ma bëri në dorë, në shenjë kërkese, që të çohem e të shkoi tek ai.
„Leonora nuk e hap derën!“
„Dhe çka …“ i thashë unë duke kuptuar veprimin e Leonorës si të natyrshëm kur kisha parasyshë lutjet e tepruara të Bernardit për të bindur atë që të kalojë me te.
„Jo, jo ti nuk më kupton. Unë kam frikë mos t`i ketë ndodhur diçka. Prej asaj dite që ajo ka kuptuar se Mirel dhe ti dashuroheni ajo nuk ka ardhur më në ligjerata. Ka ndejtur mbyllur. sytë e saj të nxirë ma kanë futur frikën. Edhe diçka… më vonë kam kuptuar që ajo…“
„Hë fol, çka?“- mua nuk më pritej që Bernardi t`i zgjasë fjalët si llastik.
„Leonora Berner ishte e dashuruar përvdekje në Mirelën. Përveç meje nuk besoj se e di dikush këtë gjë“. Rrefeu Bernardi duke më lutur që mos e përhap këtë idiotizëm të Leonorës.

IX.
Unë, Mirela Judin, Bernard Baribar dhe Vinçenc Krah qëndronim si të shtangur përballë një trupi të zhveshur. Flokët ishin derdhur asaj mbi përlhurën rozë të shtratit. Dorën e djathtë kishte vënë mbi zemër, e ajo e majta qëndronte e lëshuar përtej shtratit. Sytë hapur dhe me buzë të tharra shikonte drejt një fotografie të madhe ku ishte ajo bashkë me Mirelën gjatë një shëtitje nëpër malet e Lucernit. Një shishe barnash ishte rrokullisur nëpër dysheme dhe ishte ndalur nga aparati i telefonit me receptor të hapur. Leonora Berner kishte mbytur veten. Ajo kishte bërë vetvrasje kur kishte dëgjuar se bukuria në të cilën ajo ishte e dashuruar marrëzisht, kishte përfunduar në duart e një njeriu tjetër. Megjithatë ajo shtriga e tmerrshme…ajo.. vetvrasja, nuk u largua prej grupit tonë pa marrë ndonjë viktimë me vete. Ajo kishte ardhur atë natë tek unë, pasi nuk më pëlqeu, iu vërsul në kokë Mirelës dhe përfundoi tek Leonora Berner. Jo, ajo ka qenë e vendosur që të marrë ndonjërin prej nesh, dhe pa gjahun e vetë nuk ka dashur të largohet assesi. Dhe ja tash, ia ka arritur qëllimit të saj. Leonora nuk jeton më. Ajo gjendet e pashpirtë. Vetvrasja e ka bërë për vete atë, duke e mashtruar që të pijë atë helmin, burimi i të cilit gjendet në epiqendrën e bukurisë së Mirelës. Ajo ka vdekur nga tejkalimi i kufinjve të dashurisë ndaj një bukurie, nga besimi i tepruar se mund ta ketë atë.
„Ndoshta ajo nuk do të kishte vrarë veten, po të dijnim për hallet e saj, i t`i kushtonim rëndësi. Nuk është dashur ta lëmë vetë“- Vinçneci ngulçonte duke bërë me dorë sikur do që ta prek trupin e pafrymë e ngjyartë të Leonorës.
Unë dhe Bernardi pas një vëzhgimi të gjatë, me lotë në sy, të trupit të Leonorës, ndeshëm sytë tanë. Që të dy e dinim përse Leonora kishte helmuar veten. Që të dy, në heshtje e bëmë atë kontratën e përjetshme që s`do ta thuam kurrë shkakun e vërtetë të vdekjes së Leonorës. Ajo ishte viktima e dytë e bukurisë magjike të Mirela Judinit. A është e mundur që Bukuria, pasuria më e shejntë e universit të mos jetë e çliruar nga tipari i krimit apo ndoshta…ndoshta ne me nuk dimë se si të sillemi me të dhe e përdhunojmëaq keq saqë ajo është e detyruar të na vrasë…
„Ku e lashë shishen e Ballnatines –it “!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.