Kultura dhe biznesi


Mbreti Gilgamesh- Shqiptar?!
Ligjet e Hammurabit; që njihen si dokumenti i parë njerzor (në kohën e mbretit Gilgamesh), Mahabarata; përmbledhje e 18 librave, Ramajana e deri tek „Iliada Odysea“ përcaktojnë rrjedhën e mëtutjeshme kulturologjike të njeriut. Tomas Akuini, këto perla i quajti “ dygjuhësia e shpirtit dhe zemrës“. Kurse mahnitja e Dantes do të interpretojë këto si; “ yjet e universit“. Mbi këta vargje historike do të ngritet edhe „Don Kishoti“ i Servantesit, Shekspiri, Gëteja etj, etj. Dhe të gjitha këto vepra të famshme i gjeta në një stacion autobusi, të hudhura sikur të ishin „toalet-papier“. Mu në mes të kryeqitetit të Zvicrës. Në qendër të Evropës postmoderne. Afër pushimoreve të Russoit, Niçes, Segantinit etj. Shqetësimi për këtë më detyroi të bëjë një artikull për një gazetë kulturore zvicerane, për të cilën kisha shkruajtur edhe më herët. Redaktori posa kishte lexuar artikullin më thirri në redaksi: „ky artikull nuk do të botohet, është qesharak… s`dua të t`i ulë poshtë punimet e mëhershme… kjo është krejt e natyrshme për ne që dikush t`i hudhë librat pas studimit të tyre…“ . „Pas studimit të tyre ?!? Kush është ajo qenie që studion këto vepra e guxon pastaj që t`i hudh“. Redaktori duke përqeshur nervozitetin tim; “ Ti je çmendur…“. Kishte mundësi që të dukem si i çmendur, as vetë nuk isha në gjendje të kuptojë reagimin tim aq të ashpër në atë artikull: „mirë ndoshta kam gabuar, kthema artikullin“. Në të dalur, kishte pregatitur një paketëz për mua, e kishte sokulluar mirë, në formë dhurate; „Ksemo! pse je shqetësuar kaq shumë për këtë gjë? Unë kam menduar se ty nuk je nacionalist? „. „Nacionalist, ç`don të thuash me këte…?!“ C`kishte të bëjë nacionalizmi me hudhjen e atyre librave në stacion të autobusit. „Po ja, vetëm se ata autorë, ndoshta janë shqipëtarë, ti ke luajtur mendsh…“. Gilgameshi, Azia, Greqia, Babylonia shqiptare? Më lindi dyshimi, mos vallë redaktori është me origjinë nga Jupiteri. „Gjermanisti“, redaktori, as që kishte dëgjuar për ato libra. E falenderova në të qeshur dhe dola. Kur çpaketova paketzën e marrë gjeta dy broshura që titulloheshin njëra; „Si të mbrohemi nga të huajt“ dhe e dyta; “ Komercializimi kulturor si proces i domosdoshëm“. Ah! sikur t`i kisha parë më herët këta broshura…!

Shkrimtari dhe Sponzori
Një poet, që e kisha njohur gjatë udhëtimit për në Tirane, vraponte nga një agjenci në tjetrën. Ishte lodhur duke kërkuar një sponzor. Më pa të veshur mirë dhe më pyeti; „Mos je edhe ti nga ata që shesin bileta?!“, „Jo“ iu përgjigja në të njejtin ton. Gjaktrazimi i dukej nëpër rrudhat e fytyrës së tij të përvuajtur. „Pse më pyetët ashtu?“. Ai mu përgjigj: „ma kanë sjellë deri tek hunda këta kravatxhinjtë e agjensive, edhe nuk sponzorojnë edhe më tërheqin zvarrë, me muaj, me vite… E sheh ku kemi rënë ne të shkretët, ne që ushqyem gjeneratat me fjalën e ëmbël, ne që i mësuam të llogarisin se sa bëjnë dy bileta, ne që…..“ vazhdonte duke sharrë e përlarë çdo emër, çdo sistem, çdo shtëpi botuese. Kishte të drejtë. Sot, askujt nuk i intereson për shkarravinat kulturore, për botën e të munduarit. „Paraja sundon botën…“ i thashë sa për të ngushëlluar ambientin e mbingarkuar të çastit. Mënyra se si ai shjtellonte gjërat më dukej konfuze, , por e drejtë. Më herët njeriu botonte sipas vlerës kurse sot sipas servilitetit ndaj atyre që kanë monopolin e të hollave. Në ç`nivel ka rënë intelektuali! Sa absurde. Shikoja shkrimtarin e raskapitur dhe prekja kravatën time plotë lule „alla frënga“. Pas një pushimi të shkurtër filloi përsëri duke shajtur jetën, botën, paranë, etj. Kur përmendi përsëri agjensitë u afrua njëri me kravatë dhe plotë unaza ari: “ të gjithë më kanë thënë se ju shkrimtarët jeni të çmendur por nuk kam besuar…“ Ia përplasi tre mijë marka hundës shkrimtarit. Ky u zvogëlua edhe një herë sa ishte. U çua në këmbë dhe kërkoi prej meje shkrepsë. Ua vuri flakën parave, bashkë me ta edhe dorëshkrimit. „Unë e kam një dinjitet njerzor dhe ate nuk e shes as për një milion marka…“ filloi të qesh dhe iku duke fishëlluar një këngë. U çlirua nga përdhunimi. Fillova të pyes veten: Prej kujt paska qenë më i përdhunuar ky shkrimtar; prej sponzorëve apo prej vetë veprës së tij . Bota u bë edhe më absurde se sa dukej në fillim të takimit tim me shkrimtarin e përvuajtur. Ex nihilo-nihil ( prej hiçit-hiç) thonë latinët e vjetër.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.