Fantomi

Nina sërish kishte nxjerë kokën jashtë dritares duke bërë gjueti pas ndonjë bukuroshi që priste autobusin, në stacionin ngjitas shtëpisë së saj. Ajo kishte përshtypjen se do të mbetet e pamartuar. Ashtu siç ngjet me të gjitha vajzat në fazën e pubërtetit. E krehur, me buzë të lyera dhe sy të çakërdisur vështronte me plot kujdes çdonjërin prej të rinjve, që asaj ia merrte mendja se mund të ishte burri i saj i ardhshëm.

Përndryshe atmosfera e mëngjeseve në qytetin V ishte e gjithmonë e njejtë. Monotoni e gjallë. Nganjëherë ulesha në karigen gjysmë të thyer të stacionit të autobusit, jo për të udhëtuar diku, por me dëshirën e çuditshme që të shohë ndonjë qytetar duke u sjellur ndryshe, ndonjë lëvizje që nuk i përngjante ritmit të mërzitshëm të jetës së programuar të vendlindjes sime.

Pa sukses. Para se të flakja ëndrrën time për ndonjë ndryshim, sado i vogël që të ishte, në thellësitë e brendisë sime, më vijnte të lëshoi një piskamë histerike që t`ia prishi rregullat, qoftë edhe për një sekondë, heshtjes që kishte vënë pushtetin e saj absolut mbi jetën e qytetit V. Qëllimi i pazakonshëm që bluante vazhdimisht truri im ngucakeq, për çdo mëngjes, zëvendësohej me një kafe në restorantin e vetëm të qytetit që mbante emrin e njërit nga luftëtarët e shumtë të njëfarë revolucioni, që s`kishte ndodhur kurrë. Kjo as që ishte e mundshme në qytetin V, ku as kënga nuk ishte e mirëseardhur.
Në tavolinën pranë meje, një plak tundte kokën, kafshonte buzët e kohë pas kohë çonte plotë nervozitet nga një gotë raki. Fillimisht mendova që edhe ai është njëri nga ato viktimat që nuk e durrojnë më dot heshtjen. Duke kuptuar kurreshtjen time erdhi dhe u ul pranë meje duke më rënë disa herë me dorën e tij të fryrë nga bishti i kazmës.
«E di përse qyteti ynë mban emrin V» – më tha pa harruar të tund kokën dhe shtrrnguar buzët.
«Për shkak të dy kodrave që ndajnë gjysmën e qytetit nga gjysma tjetër»!
Kisha të drejtë. Ndër banorët, ky mendim ishte më logjiku, për arsye se vërtet qytetin e ndanin dy kodra të larta në formë të shkronjës «V», që në bazën e saj, te trekëndshi, kishte një rrugicë të ngushtë ku mund të kalonte përnjëherësh vetëm një automjet. Mirëpo, plakut nuk i pëlqente ky shpjegim dhe këmbungultasi donte që të imponoj mendimin e tij:
«Qyteti ynë ka marrë këtë emër nga Vdekja. Këtu vetëm vdekja bën ligjin, më kuptove. Ajo tash ka sjellë këtu të dërguarin e vetë për t`i dhënë fund kësaj jete mizore», shtatëdhjetvjeçari kishte konsumuar tepër alkool dhe fantazia e tij se në Departamentin e të Vdekurve Anonimë të varrezave të qytetit ka parë një qenie të mbuluar me përlhurë të bardhë si bora, vijat e jashtme të së cilës kanë dhënë formën e një njeriu, duke kërcyer, gjatë natës së kaluar, ishte një halucinacion i natyrshëm – siç do të thoshte psikiatri i vetëm i qytetit.
«Këtu as fantomët nuk ndjehen të kënqur» – fola pa zë duke u larguar nga kafeneja në drejtim të perfekturës, ku duhej t`i përgjigjem një thirrjeje pa shpjegim, të dërguar nga komisari i policisë.

*

Godina pa kulm e administratës i përngjante një kulle holivudiane ku zhvillohen filmat horror; një portë gjigante, me pamje të ftohtë, ngjyrëhyrtë, dritare të katrortë dhe me dhoma fare të vogla; shkallë që kërcëllitnin sa herë që mbi to të ecte ndonjë qytetar që peshonte më shumë se 60 kilogramë dhe njerëz fare të imët të veshur me kostume të kaltra, pothuaj të njejta me ato të policëve të komesariatit. Një nga ato pallatet që kishin lënë pushtuesit e fundit, duke ia mbathur andej nga kishin ardhur, me frikën në stomak, që mos infektohen nga mënyra e jetës së qytetit V. Nuk kishte asnjë arsye përse komisari i Policisë mos të dukej si godina; gojëmadh, fytyregër dhe i ashpër.
«Dje në orët e vonta erdhën dy të rinj dhe paraqitën një rast të tmerrshëm. Ata kishin vërjetur një njeri të mbuluar me pëlhurë të bardhë duke u futur në Shpellën e Shtrigave duke vallëzuar. Ne kemi parasyshë biografinë tënde, sidomos kohën kur t`i ke studiuar psikologjinë në kryeqytet, prandaj fol dhe mos na nxjerr nga takti…», Komisari ishte i bindur se unë jam ai fantomi me pëlhurë të bardhë. Ai më shumë i besonte asaj lavires, Ninës, që për çdo natë vënte në provë nga një të ri të qytetit se sa mua.
Sa i përket biografisë ai kishte të drejtë, sepse para do vitesh më kishin përzënë nga studimet për shkak se një hokatar ia futi frikën gjithë Univerzitetit duke vënë për çdo mëngjes nga një kafshë apo shpend me kokë të prerë nëpër kabinete. Përkundër insistimit tim se unë nuk jam fajtor për veprime të tilla ata më shkelmuan. Ndërkaq hokatarin kurrë nuk e vrau ndërgjegja që të dalë duke treguar të vërtetën. Të njejtën metodë çfajësimi e përdora edhe para komisarit të qytetit V.
«Merreni dhe futeni në qelinë numër 3», urdhëroi komisari duke lëshuar pika pështyme nga dhëmbët e tij të rralluar. Ishte shpëtimi im i vetëm për të bindur kokëtrashët e pushtetit se unë nuk jam fantomi. Po nuk doli fantomi më duke kërcyer?

*
Gurgullima e ujit të lumit që kalonte pranë dritares së qelisë krijonte një muzikë qetësuese për nervat, sa që gjumi mezi priste mbylljen e parë të kapakëve të syve. Qëllimi i xhandarëve të komesariatit ishte përdhunimi i nervave të të burgosurve. Çdo të pestën minutë ata futnin çelësin në vrimën e derës dhe nuk e hapnin atë, ose hapnin e mbyllnin „spiunin“ (kutinë katrore në pjesën e epërme të derës) sa herë që të kalonin aty pranë. E vetmja kohë për të menduar në qetësi mbetej periudha kur këmbët e dremitura të xhandarëve nuk mbanin më trupin e rënduar plotë çelësa, revole, shufra dhe rrypa të rëndë.
Rreth mesantës, drita e hënës reflektoi në murrin e qelisë një kokë njeriu. Ishte ai plaku që kisha takuar në mëngjes në kafenenë e qytetit. «Hë, a beson se tani vdekja ka mbrritur në qytetin tone».
«Ky është një komplot nga ata që dijnë biografinë time», i thashë duke kërkuar nga ai që të heq atë fytyrën e tij të zgërdhëllyer, në formë triumfi, nga dritarja.
«Ti do të dalësh nga këtu, të jesh i sigurtë, unë nuk njoh boigrafinë tënde…para komesariatit është rradhitur një turmë qytetarësh të frikësuar nga të dërguarit e vdekjes. Ata janë shumë, jo vetëm një. Para një ore është parë një hije njeriu gjigant duke ecur mbi Pallatin e Kulturës që gjendet, në nën tjetër të qytetit. Ti do të shpëtosh…», hija e plakut iku bashkë me zhurmën neveritëse që shkaktonte qeshja e tij e përmbysur.

*
Përplasja e dyerve dhe dritareve të pallatit politik nga era e fortë dhe zërat që vinin duke u shtuar sa më zhurmshëm nëpër korridore, më shtynë të kapem për grilave të dritares së imët të qelisë. Ishte një ditë me qiell të kristaltë. Dy kodrinat famoze të qytetit, përreth e mbi të cilat zhvillohej i gjithë teatri i fantomëve, u rrezistonin ende depërtimit të rrezeve të para të diellit, i cili sipas gjitha parashikimeve, kësaj dite shtatori, patjetër se do të ishte i fortë. Filluan të hapen e mbyllen dyert e qelive 1 dhe 2. Mëngjes. U hap edhe dera e rëndë e qelisë numër tre. Komisari fytyrëtërbuar, të cilit leshrat e gjoksit gati i mbrinin deri në majë të hundës, ma ngjiti për krahu dhe më hoqi zvarrë deri në zyrën e tij të thatë, ku gjendej vetëm një tavolinë e hekurt dhe një karrige prej druri.
«Ti nuk je i vetëm, kësaj radhe ke organizuar bandë për ta çmendur qytetin tonë të qetë». Pa mbrritur t`i përgjigjem në derë u shfaq shefi numër një politik i qytetit, Perfekti, i cili për nga pamja dukej pak më i kultuaruar se sa ekzekutori i pushtetit të tij. Me një fjalë të vetme më shpëtoi nga torturat e pështymës së komisarit. Në sallën e pritjes së perfekturës pashë një ish-profesor timin bashkë me psikiatrin e qytetit, të cilët, siç u pa më prtinin mua.
«E dij që ti nuk je „pëlhura“, pra fantomi, por me siguri e di se kush mund të jetë. Ai të ndjek ti dhe do që të të prishë jetën, kudo që t`i të shkosh, prandaj do të ishte mirë të mendohesh dhe ta shpëtosh veten», më këshilloi profesori, fjalët e të cilit i shoqëronte konfirmimi me kokë i psikiatrit. Për të braktisur sa më shpejtë atë smogun frymëzënës të sallës, që vijnte nga gazrat e qindra gojëve për herë të parë të hapura të banorëve të qytetit V, pranova se do të mendoj për të zbuluar fantomin.

*
Gjatë studimeve të mia kisha mësuar diçka për paraqitjet misterioze, halucinacionet dhe ekzistencën e magjisë së zezë. Në bibliotekën time kisha teori të ndryshme për probleme të tilla e sidomos atë të Frojdit. Mund të jepeshin qindra shpejgime për shfaqjen e fantomit, por paraqitja e tij pikërisht në qytetin V, ku nuk ekzistonte asnjë traditë, as orale në lidhje me ekzistencën e misterieve të tilla, ishte paksa kokëçarëse. Në një fletore të shkarravitur me skica e projekte që më dukeshin pa ndonjë vlerë zhvillimi, që e mbaja ndër maqinën e shkrimit, kisha bërë kalkulime për të zbuluar atë idiotin e fakultetit që masakronte shtazët, loja e të cilit më kushtoi me ndërprerjen e studimeve. Kërkoja të gjej atë kuptimin e fjalëve të profesorit që dikush mua më ndjek për të më bërë sherr. Numri i atyre që kishin studiuar në të njejtën kohë me mua në Univerzitetin e kryeqytetit nuk ishte i pakët, mirëpo asnjërit prej tyre nuk merrja guximin t`ia mvesh një marifet të tillë. Më dukeshin disi të paaftë për një komplot të tillë, kur kisha parasyshë se me edukatën e çfarë sistemi ishin rritur. Thjeshtë një zotësi e tillë nuk përputhej me karakterin moral të qytetit të kërrusur përballë ligjeve të rrepta të heshtjes. Në fund të shënimeve gjeta një emër. Të shkruar me ngjyrë të zezë dhe shkronja të mëdha; Feliks Sentiani.

mër që nuk më thonte diçka, krejtësisht i panjohur. Më kot përpjekja për të hulumtuar nëpër shiritin e memories. Asnjë shenjë shpresëdhënëse. Hudha fletoren drejt për një kutie ku kisha librat, të cilave nuk ua gjeja dot përkatësinë disciplinare apo shkencore në bibliotekën time. Si pa dashje më shkuan sytë në një libër me kopretina të zeza që mbante titullin »E kaluara ynë fantastike» e një autori gjerman, të cilit nuk ia mbajë mend emrin. Në kapitullin e tij të dytë, ai bënte fjalë për ekzistencën e njerëzve fluturues në Zimbabve si dhe për një numër të madh misterishë që ndodhin në pjesën e pazhvilluar të kontintetit të Afrikës. Si përfundim ai konstatonte se manifestime të tilla, të pazakonshme për mendjen e njeriut, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë gjithmonë. Më së shumti më la përshtypje bindja e tij se, qeniet e tilla, kryesisht nuk janë të dëmshme.
As fantomët e qytetit tim nuk ishin fare të dëmshëm, ata përkundrazi i sollën kuptim jetës së vdekur të qytetit V. Mbi të gjitha po të mos ishte parqitur fantomi; a do të kishte kaq zhurmë nëpër qytet, sirena veturash policie që ngarrendin herë në njërën anë e herë në anën tjetër të qytetit; muzikë dhe dritë deri në orët e hershme të mëngjesit (kjo bëhej sepse prijësit fetarë të qytetit kishin thënë se vetëm në atë mënyrë mund të evitojnë afrimin e fantomit në shtëpitë e V-ëve); reflektorë të vënë në kulmin e pallatit të kulturës në drejtim të Shpellës së Shtrigave dhe varrezave; njerëz të dehur në shesh që ishin bindur nga fjalët e plakut në lidhje me ardhjen e delegatëve të vdekjes. Gjithçka i përngjante në kaosi të këndshëm e përplotë gjallëri.

Një dhimbje e lehtë në njërin nga dhëmballët e lëvizshëm më sinjalizoi se stilografi im shpejtë do të përfundojë nëse vazhdojë edhe mëtutje ta shtrnngojë me dhëmbë. Ishin bërë disa orë prejse iu kisha përkushtuar ardhjes së fantomit në jetën e qytetit.

*
Shtrrngata e natës kishte lënë gjurmët e saja nëpër rrugët e asfaltuara dobët të qytetit. Frika e qytetarëve shihej në ngjyrën e stërkuqur të syve që u ngjasonin prushit të vulkanit të saposhpërthyer. Është hera e parë që Nina ka dalur flokëpakrehur në dritare. Ajri i freskët, pas shiut, më shponte deri në thembrat e zbathura mbi betonin e balkonit. Qyteti kishte marrë një pamje të tejdukshme, bile qartazi shiheshin edhe shtëpitë si dhe puntorët që hynin në portën e fabrikës së leshit, që gjendej në pjesën tjetër të qytetit, në atë pjesën pas dy kodrave.
Njëri nga varrësit e komisarit që kishte bërë kujdestari tërrë natën para Pallatit të Kulturës, luante me revolen e tij sikur të imitonte aktorin e filmave uestern Xhon Uejn, duke ua drejtuar kohë pas kohe tytën e pistoletës së tij TT qytetarëve që kalonin pranë tij në shenjë talljeje. Në hyrje të oborrit të shtëpisë sime (shtëpi që e kisha trashëguar nga një hallë e pamartuar, e cila shpërbleu veten në ditën e pesdhjetvjetorin të saj, duke luajtur mendsh dhe duke shkuar në një Azil për të çmendurit) hyjnë dy zyrtarë të perfekturës. Gorki, qeni im, të cilin poashtu e kisha treshëguar nga halla ime dhe që emrin ia kishte vënë nga dashuria që kishte pasur për një shkrimtar rus, me gjithë mend donte që t`ua heq kostumet dy zotërinjve të Pallatit politik. Ata më morrën me vete me arsyetimin se dikush nga shefat e tyre do të bisedojë me mua për një problem tejet të rëndësishëm.
Ende nuk kisha dhënë shpjegimin për ardhjen e fantomit. Atë as që e dija. Në shkuarje e sipër, të gjithë njerëzit e qytetit më shikonin sikur unë jam shpëtimi i tyre, duke mu përulur e përshëndetur plotë respekt. Edhe Nina, për të cilën mendoja se sa herë që më sheh i humb oreksi për mashkull, atij mëngjesi me një lëvizje të lehtë të dorës më përshëndeti.
«Jeni bërë njeri i njohur në qytet»- ma hudhi në mënyrë ironike njëri nga zyrtarët që belbëzonte.
Në hyrje të ndërtesës së administratës kishte dalur perfekti bashkë me komisarin dhe ish-profesori im. Fizionomitë e shtrembëruara, të shëndruara në një formë trekëndshi në defromim e sipër, të ngjajshme me ato pikturat kubiste të Pikasos, tradhëtonin detyrimin për të treguar respekt karshi një njeriu, të cilin ata gjithmonë e kishin konisderuar si kundërshtar të moralit dhe besimeve të tyre. Veçanarisht fytyra e zbehur e perfektit përshkruante falimentimin e moralit të politikës që udhëhiqte aparati i tij.
«Hë si ecin punët. I keni rënë në gjurmë se kush mund të jetë fantomi».
Pa ditur arsyen pse fillova të flasë;
«Ky fantom nuk është i njejtë me atë të Univerzitetit që masakronte kafshë. Ky është i butë dhe nuk ka për qëllim t`i bëjë dëm qytetit tonë. Po të donte do ta kishte bërë deri tani një gjë të tillë. Është një prej atyre që mendon se dikush në këtë qytet i ka borxh diçka, dhe është kthyer që ta marrë sendin e vetë…»
«Çka mund të jetë ajo», më ndërpreu ngutazi Perfekti, të cilit ia kishin vënë thikën në fyt disa nga qytetarët me ndikim.
«Ende nuk e dij se çka mund të jetë. Jam duke punuar për të zbuluar edhe më tutje hollësitë. Po ju çka mendoni?», iu drejtova ish-profesorit tim duke ndier se gjithë situatën në zyrë e kam nën kontroll.
«Unë nuk iu besoj gjepurave të tilla, mirëpo përderisa atë e ka parë edhe perfekti (natën e kaluar, përderisa shtrrngata ka bërë kërdinë, koka e fantomit është paraqitur në dritaren e banjos së perfektit, i cili zhveshur ka ikur jashtë shtëpisë duke bërë namin) nuk kam pse të mos besoj. Ai ekziston. Dhe nëse ekziston ai nuk mund të luftohet duke e zënë atë rob, një gjë e tillë është e pamundshme. Tash mbetet çështje e hapur se si mund të trembet ai, duke e përzënë jashtë V-së».
«Pra në ndonjë qytet tjetër?», pyeta duke shikuar në sy perfektin, i cili kishte hall shpëtimin e prapanicës së tij egoiste e që nuk kishte aq interesim për fatin e qytetit fqinj.
«Prijësit fetarë të qytetit thonë se ai ka frikë nga drita dhe muzika», shtoi Perfekti.
Unë duke qenë përjetësisht kundërshtar i dogmave të matrapazëve që hiqinin veten nëpër qytet me dollamat e tyre sikur të ishin vetë profetët e kohës së re reagova papërtuar.
«Poqëse fantomi ka frikë dritën dhe zhurmën, atëherë ai nuk do të ishte paraqitur mbrëmë kur qielli çahej nga vetëtimat dhe bubullima që dridhte dy kodrat tona».
Perfekti u bind dhe duke më shtrrnguar dorën m`u lutë që të intensifikoja mendimet e mia për t`i dhënë fund tragjedisë që kishte kapluar territorin e tij politik.
Duke dalur; «edhe diçka…», më ndali komisari «po deshte sonte mund të vijsh në pallat, do të vijë një i dërguar i Presidencës së Republikës për të vizituar qytetin tonë. Ndoshta keni dëgjuar ai quhet Feliks Sentiani».
«Kush është ai?». Reagimi im i hovshëm ktheu disa centimetra prapatas komisarin. As të pranishmit tjerë nuk mbetën pa vërjetur sjelljen time.
«Është i dërguar i presidentit, shef i departamentit për zhvillimin e qyteteve, mos gabosh t`i tregosh diçka për fantomin tone». Për herë të parë dëgjova nga goja e një zyrtari të përcaktojë pronësinë e fantomit nga qyteti V. Ata, aq sa unë, nuk dijnin fare për biografinë apo identitetin Sentianit misterioz. Gjithë pasditën, i mbuluar nga djersët, pritja orën kur do të shkojë në pallat për të takuar emrin e shkruajtur trashë në fund të fletores time. Ai patjetër që të kishte diçka të përbashkët me kokat e prera të kafshëve në Univerzitet. Ngadalë po krijohej një lidhje në mes gjithë historisë së fantomit që shëtiste nga kryeqyteti në qytetin V.

*
Vetëm një karrige kishte mbetur shprazët rrath tavolinës së madhe e të rrumbullakët ku ishin ulur zyrtarët dhe dëgjonin me vëmendje një trashaluq fytyrëskuqur, i cili lexonte nga një mapë me vulën e shtetit. Po, ai ishte Sentiani i famshëm i fletores sime me shënime të parëndësishme. Një njeri që kurrë në jetë nuk e kisha parë. Një qenie inconù për qytetin V me një post të lartë në Presidencë. I zhytur në letrat që lexonte me një zë kërcënues as që vërejti ardhjen time.
«…Ne jemi tepër të dëshpëruar shkelqësia Juaj që instancat më të larta nuk ndërmarrin kurrgjë për të zhdukur fantomin nga jeta jonë. Të rrinjtë kanë filluar të konsumojnë alkoolin bashkë me pleqtë dhe s`ia varrin fare edukimit e shkollës. Vajzat kapen me kë të mbrrijnë. Muzika ulurinë njëzet e katër orë. Askush nuk respekton më Perfektin. Policët luajnë me revole si ato aktorët e filmave kaubojë. Prijësit e fesë ngucin gratë nëpër rrugë, duke u ofruar „terapi shpirtërore“ nëpër hamamet e tyre. Respektohen dekadentët ( është ndonjëri nga ata që s`më do gjithaq, mendova) e poshtërohen qytetarët lojalë. Turma budallenjsh predikojnë dogma duke thënë se qytetit tona i ka rënë e epidemia e vdekjes (mendohet në plakun). Shkëlqesia Juaj duhet të na besojë se këtu është shndrruar dita në natë, e nata në ditë. Këtu kanë humbur bile edhe rregullat normale të natyrës, prandaj ndërmerrni diçka para se e njejta epidemi të mbrrijë edhe në Selinë e Shejntë të kryeqytetit…».
Se letra nuk ishte e shkruar prej Perfektit shihej në ballin e tij që kishte marrë pamjen trengjyrëshe të Ylberit. Atë e ka dërguar sigurishtë ndonjëri nga ata qytetarët me ndikim që i shërbejnë pushtetit qendror për të mbikqyrur Perfektin dhe administratën e tij.
Një qytetar i përdhosur nga frika, që vraponte rreth pallatit të perfekturës, e ndërpreu leximin e Sentianit.
Fantomi! E pashë fantomin duke hyrë në oxhakun e shtëpisë së Ninës! Që të gjithë bashkë me Sentianin u vërsulën drejt shtëpisë së saj për të zënë fantomin. Nuk them që isha më i zgjuar se të tjerët, mirëpo ma merrte mendja se për çfarë fantomi bëhej fjalë. Kjo u vërtetua pas disa minutave kur njerëzit hapën derën e Ninës dhe panë atë nën trupin e një mashkulli muskuloz të qytetit, në aksion e sipër. Ngjashmëria e tij me fantomin qëndronte tek teshat e tij të bardha, të cilat prej asaj dite u ndaluan me një dekret special të Perfektit.
Gjatë kthimit, Feliks Sentiani, mu drejtua duke ma bërë me dije se në mbledhje mund të marrin pjesë vetëm zyrtarët, natyrisht duke mos harruar të bëjë fytyrën sikur kërkon ndjesë, siç bëjnë zakonisht politikanët.
«Jo, le të vijë edhe ai brenda është i ftuar», foli perfekti me gjysmë zëri.
„Në çfa
ë cilësie“- donte të dijë Sentiani.
«Është njëfarë, eksperti për fantomët, ka përvojë me ta..», komisari më quajti ekspert duke vënë buzën në gaz.
«Tash më kujtohet. Ju jeni dekadenti Filo. Fantomi i famshëm i Univerzitetit të kryeqytetit. Arrestojeni!», Feliks Sentiani kishte qenë ai njeri që kishte dhënë urdhërin me shkrim në emër të qeverisë për të më larguar mua nga fakulteti. Vetëm pas shqiptimit të masës së arrestit më përkujtoi zërin që kisha dëgjuar në receptorin e telefonit të rektorit të Univerzitetit, zë që dha urdhërin e largimit tim. Arsyetimet Perfektit dhe komisarit se nuk ka mundësi që unë të jem fantomi nuk ndihmuan gjë. Kështu unë iu ktheva qelisë time numër 3, e cila ngadalë më dukej si banesa e dytë e imja në qytetin e turbullt V. Së paku xhandarët e komisarit nuk silleshin më ashtu arrogantë si herën e parrë.

*
Prapë mesnatë. Prapë fytyra e zgërdhyer e plakut, që shkronjën e parë të emrit e kishte V, si shumica e banorëve të qytetit V.
«Unë jam…unë Vëmorti! Dëgjo, kam marrë kontakt me fantomin dhe më ka thënë se do të ndodhë diçka e tmerrshme…!». Ende pa përfunduar lajmin deri në fund, komisari hapi derën duke më lënë të lirë.
«Ne nuk besojmë se ti je fantomi, shko dhe mendo edhe më tej se si t`ia bëjmë». Iu ngjita pas plakut Vëmorti, trupi i të cilit nuk kishte fare baraspeshë.
«Çka do të ndodhë e tmerrshme?».
Nga goja i doli një erë e tmerrshme rakije V-ëiste.
«Fantomi më tha që sonte do të vritet i deleguari i Presidentit Feliks Sentiani, i cili detyrën e shefit të departamentit të zhvillimit të qyteteve e ka vetëm sa për të maskuar pozicionin e tij të vërtetë të shefit të policisë sekrete të Republikës. Ai më tha se ky është shkaktar i shumë komploteve të përgjakshme që ndodhin nëpër pjesë të ndryshme të Republikës. Kështu ka thënë dhe kështu do të bëhet. Dhe pastaj do të largohet që këtej».
Ec e beso një njeri të dehur. Mirëpo fakti se Sentiani mund të ishte shef i policisë sekrete ndoshta qëndronte. Ç`djallin kishte një zyrtar i zhvillimit të qyteteve të bëjë me një student që agjitonte kundër normave morale të politikës së një shteti tiranik? Në mes të rrugës ktheva përsëri tek komisari, me qëllim për të pasur një alibi. Po ndodhi ashtu siç tha plaku Vëmorti, përgjegjësia për vdekjen e Sentianit mund të më vishej mua.
Komisari i gëzuar që unë i bëja shoqëri rrëfente për meritat e tij në epokën e qetë të qytetit V. Papritmas një cingërimë telefoni e trishtoi atë dhe u çua nga karrigeja.
„Alo…çka…nuk është e mundur… O Zot“. Dy shërbetorë të tij kishin gjetur veturën e bërë copë dhe trupin e vdekur të Feliks Sentianit në dalje të qytetit. Të nesërmen, nga një dëshmitar në distancë, u morr vesh se atij i kishte dalur para fantomi dhe ai nga frika ishte rrotulluar me veturën e tij në Gropën e Qenve (ka marrë emrin kështu, për shkak se gjatë dimrit aty mblidhen qentë e pazot të qytetit për t`i ikur acarrit).

Dy pjesë të fjalëve të Vëmortit u plotësuan. A do të shporet vërtet Fantomi nga jeta e qytetit V. A thua përsëri heshtja dhe monotonia do të përdhunojnë jetën e qytetit, si ashtu të shëmtuar e të prerë përgjysmë? Vëmorti ishte shtrirë në shtratin e tij duke rrënkuar nga dhimbjet që ia shkaktonte alkooli dhe nuk donte që të flasë më.
Shtëpia e mbuluar me kashtë e plakut ishte i vetmi dallim karakteristik nga arkitektura e ngurtë dhe pallatet syvrarëse të vendit ku unë isha i detyruar të kaloja një pjesë të jetës sime, që më shumë i ngjante një dënimi me masën e monotonisë dhe nënçmimit. E vetmja mundësi që jeta të mbetej e gjallërishme ishte ekzistenca e mëtejshme e fantomit.

*
«E dijmë kush është fantomi», ishte përmbledhur komisari që priste që unë t`ia konfirmojë dyshimin. Njëri nga policët e tij, pas shtëpisë së Vëmortit kishte gjetur një thes me pëlhura të bardha dhe sipas kësaj gjetjeje, gjithçka ishte bërë e qartë për të.
«Do ta nxjerrim nesër para gjyqit», tha i gëzuar komisari dhe u largua në drejtim të shtëpisë formëkasolle të plakut Vëmorti. Ata kishin shfletuar edhe biografinë e plakut, për të cilën unë nuk dija gjë, në disa faqe të së cilës shkruante:
«V. Vëmorti pasi ka mbaruar fakultetin e filozofisë në Vjenë, është kthyer në atdhe dhe deri në moshën pesdhjetëvjeçare ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si inspektor i lartë. I përjashtuar nga puna sepse ka djegur arkivin ku janë ruajtur dosjet e kundërshtarëve të shtetit…». Vëmorti nuk kishte një plak i thjeshtë, alkoolik, që jetonte në kasollën gjysmë të hapur të tij, siç kisha pandehur unë. Me gjithë ato aftësi të tij, unë përsëri nuk besoja se ai është fantomi që në mënyrë aq të përkryer çrregulloi ligjet e heshtjes dhe monotonisë. Për një gjë të tillë atij i mungonte edhe shkathtësia fizike. Ai dukej vërtet i dërmuar.

*
Teshat e zeza që kisha veshur në trup më bënin të ngjajshëm me errësirën rreth lumit Vum. E dija që të gjithë njerëzit që kishin të bëjnë me fantomin futeshin në qelinë numër 3. Përvoja është e artë – thonë të diturit. Sa më shumë që i afrohesha dritares së qelisë aq më shumë dëgjoja rrënkimet e plakut të zhytur në njërin nga qoshet e qelisë. Veç në thirrjen e katërt më dëgjoi dhe u afrua afër dritares.
«Po pranove se ti je fantomi, qyteti do të kthehet përsëri në ritmin e jetës së mëparshme. Më fal nuk e kam ditur se ti je ai. As nuk e kam ditur se ti je një intelektual vjenas që nuk jeton dot me moralin e kodifikuar të qytetit V…»
«Hesht, hesht. Nuk jam unë fantomi. Kam menduar se ti, së paku, për dallim nga gjithë këta trukalburit do të kuptosh se ç`loje është zhvilluar; pushteti qëndror gjithmonë kur do që të menjanojë ndonjë perfekt nga skena lëshon Feliksin, tash më të ndjerë, që të sajojë misterie të tilla. Edhe ti ke qenë viktimë e një komploti të tillë. E dij për shkak se unë e kam pranuar Feliksin në punë dhe ai më detyroi ta lëshoi vendin e punës. Atë e kam parë dy ditë para se të parqitej fantomi, në mes të natës duke u futur në shtëpinë e priftit të qytetit, i cili punon për policinë sekrete. Që atë natë e kam ditur që në qytetin tonë do të ndryshojë diçka dhe fillova t`ia përgatisë fundin Feliksit duke u paraqitur edhe unë si fantom dy herë».
«Domethëne ti i ke dalur para veturës fantomit», e ndërpreave unë duke mos pritur që ai vetë të thotë epilogun e gjithë kaosit.
«Po unë. Mirëpo natyrisht që unë nuk do të pranoj. Nesër eja në gjykim, e unë do të kërkoj nga presidenti i gjyqit që vetëm ti të më mbrosh. Ti e ke mbaruar atë fakultet muti të drejtësisë, që e ke nisë qe sa kohë apo…», çelësat e komisarit u dëgjuan deri jashtë grilave.

*
T`i tregoja perfektit për komplotin e pushtetit qendror nuk do të më besonte. Të pranoja veprimin e Vëmortit si krim? Cilido nga këto dy variante do të rezultonte zhdukjen e përjetshme të fantomit dhe do të kthente pushtetin e mërzitshëm të gjumit idiotesk të V-së. Feliksi, edhe ai kishte bërë vazhdimisht krime, duke futur frikë në çdo kënd të Republikës. Më në fund vendosa që të mbrojë Vëmortin, vetëm nëse ai më garanton se nuk do ta shpall të ikur fantomin. Para se të fillojë seanca bisedova më Vëmortin gjoja për konstruksionet që më duheshin për të ndërtuar mbrojtjen e tij. «Fantomin mund ta mbajmë gjallë vetëm nëse t`i bëhesh fantom për një minutë..».
Vëmorti kërkoi shumë prej meje. Po të më zënë do të mbarojë përjetësisht pas grilave- mendova duke vërjetur se si djersët arrjtën deri te stacioni i epërm i vetullave.
«Vëmorti ka biseduar me fantomin dhe ai i ka thënë se pas vdekjes së Feliksit më nuk do të paraqitet në V, derisa në drejtim të këtij qyteti nuk niset ndonjë njeri si ai. Vëmorti nuk është vetë fantomi, ju e dijni se ai është i moshuar aq sa të mos mundet që të ngjitet mbi kulmet e shtëpive», përpiqesha që të bindë trupin pesë antarësh, në mesin e të cilëve gjendej edhe prifti, në fytyrën e të cilit shihej dilema. Ai e dijnte gjysmën e historisë, pra punën e Feliksit, mirëpo prej vrasjes së tij e këtej kishte filluar edhe të besojë në ekzistencën e një fantomi.
E gjithë seanca kaloi në thënie e kundërthënie. Shqiptimi i dënimit u la për ditën e nesërme.

*
Mungesa e hënës ma bënte më të lehtë rrugëtimin deri në shtëpinë e presidentit të gjykatës, i cili për nga natyra ishte një frikacak i ekzagjeruar. Nga dritarja pashë atë duke mbajtur një libër të trashë në duar, që sa munda unë të kap disa nga shkronjat, si duket ishte ai mozaiku i ligjeve të kanunit moral të qytetit V, të shkruar nga një njeri injorant i pasionuar pas gjumit, nga shekulli i kaluar. I rashë dy herë xhamit dhe aq e pati: pas një piskame të tmerrshme, që ishte më e zëshme sa të gjithë telallët e Riadit të Arabisë Saudite të shekullit nëntë, u përplas për dyshemeje si i vdekur. Shtëpitë përreth ndezën dritat. Shpejtë u futa në dhomën time dhe rregullave çarçafin që kisha përdorur për të imituar fantomin. Hapa një libër dhe bëja sikur lexoj afër dritares. Komisari ulurinte nëpër shesh duke urdhëruar që të lëshohej muzikë.
«Zoti komisar çka u bë?»
«Dreqi u bë, fantomi përsëri u kthye. Nuk qenka Vëmorti»- i kënaqur me atë kosntatim fillova me gjithë mend të lexojë një tregim të dobët, nga një shkrimtar minor i Republikës.

*
Perfekti kërkoi nga Vëmorti që të kontaktoi me fantomin për të bërë një lloj armëpushimi me të, një marrëveshje. Vëmorti kërkoi që në komitetin e tij kontaktues, për «shkaqe juridike e trashëgimie», siç e formuloi ai të jem edhe unë. Dhe kështu u bë marrëveshja me fantomin e nënshkruar me një bagël të thatë të lopës së Vëmortit qe kishte mbetur asht e lëkurë.

U bë një kohë e gjatë që fantomi nuk u paraqit më. Ndërkaq qyteti V vazhdonte të mbetej i gjallë, plotë muzikë dhe të dehur. Përfundimisht perëndoi koha e ligjeve të Kanunit të Monotonisë dhe Heshtjes. Dasma për çdo të dielë. Askush nuk dinte në të vërtetë historinë e vërtetë të fantomit. As ne të dy. Ne kishim imituar fantomin për të shpëtuar veten, se a kishte qenë vërtet Santiani apo dikush tjetër, një zot e di. S’ka edhe aq rëndësi, kryesorja është që qytetit V iu dha jeta, gjallëria. E gjithë kjo ndodhi falë Fantomit pëlhurëbardhë. Sa herë që njerëzit të lodheshin e t’i futeshin ngadalë heshtjes, mjaftone njëri t’ia bënte Fa… dhe ia kriste dasma.
Në tavolinën pranë meje, një plak tundte kokën, kafshonte buzët e kohë pas kohë çonte plotë nervozitet nga një gotë raki. Fillimisht mendova që edhe ai është njëri nga ato viktimat që nuk e durrojnë më dot heshtjen. Duke kuptuar kurreshtjen time erdhi dhe u ul pranë meje duke më rënë disa herë me dorën e tij të fryrë nga bishti i kazmës.
«E di përse qyteti ynë mban emrin V» – më tha pa harruar të tund kokën dhe shtrrnguar buzët.
«Për shkak të dy kodrave që ndajnë gjysmën e qytetit nga gjysma tjetër»!
Kisha të drejtë. Ndër banorët, ky mendim ishte më logjiku, për arsye se vërtet qytetin e ndanin dy kodra të larta në formë të shkronjës «V», që në bazën e saj, te trekëndshi, kishte një rrugicë të ngushtë ku mund të kalonte përnjëherësh vetëm një automjet. Mirëpo, plakut nuk i pëlqente ky shpjegim dhe këmbungultasi donte që të imponoj mendimin e tij:
«Qyteti ynë ka marrë këtë emër nga Vdekja. Këtu vetëm vdekja bën ligjin, më kuptove. Ajo tash ka sjellë këtu të dërguarin e vetë për t`i dhënë fund kësaj jete mizore», shtatëdhjetvjeçari kishte konsumuar tepër alkool dhe fantazia e tij se në Departamentin e të Vdekurve Anonimë të varrezave të qytetit ka parë një qenie të mbuluar me përlhurë të bardhë si bora, vijat e jashtme të së cilës kanë dhënë formën e një njeriu, duke kërcyer, gjatë natës së kaluar, ishte një halucinacion i natyrshëm – siç do të thoshte psikiatri i vetëm i qytetit.
«Këtu as fantomët nuk ndjehen të kënqur» – fola pa zë duke u larguar nga kafeneja në drejtim të perfekturës, ku duhej t`i përgjigjem një thirrjeje pa shpjegim, të dërguar nga komisari i policisë.

*
Godina pa kulm e administratës i përngjante një kulle holivudiane ku zhvillohen filmat horror; një portë gjigante, me pamje të ftohtë, ngjyrëhyrtë, dritare të katrortë dhe me dhoma fare të vogla; shkallë që kërcëllitnin sa herë që mbi to të ecte ndonjë qytetar që peshonte më shumë se 60 kilogramë dhe njerëz fare të imët të veshur me kostume të kaltra, pothuaj të njejta me ato të policëve të komesariatit. Një nga ato pallatet që kishin lënë pushtuesit e fundit, duke ia mbathur andej nga kishin ardhur, me frikën në stomak, që mos infektohen nga mënyra e jetës së qytetit V. Nuk kishte asnjë arsye përse komisari i Policisë mos të dukej si godina; gojëmadh, fytyregër dhe i ashpër.
«Dje në orët e vonta erdhën dy të rinj dhe paraqitën një rast të tmerrshëm. Ata kishin vërjetur një njeri të mbuluar me pëlhurë të bardhë duke u futur në Shpellën e Shtrigave duke vallëzuar. Ne kemi parasyshë biografinë tënde, sidomos kohën kur t`i ke studiuar psikologjinë në kryeqytet, prandaj fol dhe mos na nxjerr nga takti…», Komisari ishte i bindur se unë jam ai fantomi me pëlhurë të bardhë. Ai më shumë i besonte asaj lavires, Ninës, që për çdo natë vënte në provë nga një të ri të qytetit se sa mua.
Sa i përket biografisë ai kishte të drejtë, sepse para do vitesh më kishin përzënë nga studimet për shkak se një hokatar ia futi frikën gjithë Univerzitetit duke vënë për çdo mëngjes nga një kafshë apo shpend me kokë të prerë nëpër kabinete. Përkundër insistimit tim se unë nuk jam fajtor për veprime të tilla ata më shkelmuan. Ndërkaq hokatarin kurrë nuk e vrau ndërgjegja që të dalë duke treguar të vërtetën. Të njejtën metodë çfajësimi e përdora edhe para komisarit të qytetit V.
«Merreni dhe futeni në qelinë numër 3», urdhëroi komisari duke lëshuar pika pështyme nga dhëmbët e tij të rralluar. Ishte shpëtimi im i vetëm për të bindur kokëtrashët e pushtetit se unë nuk jam fantomi. Po nuk doli fantomi më duke kërcyer?

*
Gurgullima e ujit të lumit që kalonte pranë dritares së qelisë krijonte një muzikë qetësuese për nervat, sa që gjumi mezi priste mbylljen e parë të kapakëve të syve. Qëllimi i xhandarëve të komesariatit ishte përdhunimi i nervave të të burgosurve. Çdo të pestën minutë ata futnin çelësin në vrimën e derës dhe nuk e hapnin atë, ose hapnin e mbyllnin „spiunin“ (kutinë katrore në pjesën e epërme të derës) sa herë që të kalonin aty pranë. E vetmja kohë për të menduar në qetësi mbetej periudha kur këmbët e dremitura të xhandarëve nuk mbanin më trupin e rënduar plotë çelësa, revole, shufra dhe rrypa të rëndë.
Rreth mesantës, drita e hënës reflektoi në murrin e qelisë një kokë njeriu. Ishte ai plaku që kisha takuar në mëngjes në kafenenë e qytetit. «Hë, a beson se tani vdekja ka mbrritur në qytetin tone».
«Ky është një komplot nga ata që dijnë biografinë time», i thashë duke kërkuar nga ai që të heq atë fytyrën e tij të zgërdhëllyer, në formë triumfi, nga dritarja.
«Ti do të dalësh nga këtu, të jesh i sigurtë, unë nuk njoh boigrafinë tënde…para komesariatit është rradhitur një turmë qytetarësh të frikësuar nga të dërguarit e vdekjes. Ata janë shumë, jo vetëm një. Para një ore është parë një hije njeriu gjigant duke ecur mbi Pallatin e Kulturës që gjendet, në nën tjetër të qytetit. Ti do të shpëtosh…», hija e plakut iku bashkë me zhurmën neveritëse që shkaktonte qeshja e tij e përmbysur.

*
Përplasja e dyerve dhe dritareve të pallatit politik nga era e fortë dhe zërat që vinin duke u shtuar sa më zhurmshëm nëpër korridore, më shtynë të kapem për grilave të dritares së imët të qelisë. Ishte një ditë me qiell të kristaltë. Dy kodrinat famoze të qytetit, përreth e mbi të cilat zhvillohej i gjithë teatri i fantomëve, u rrezistonin ende depërtimit të rrezeve të para të diellit, i cili sipas gjitha parashikimeve, kësaj dite shtatori, patjetër se do të ishte i fortë. Filluan të hapen e mbyllen dyert e qelive 1 dhe 2. Mëngjes. U hap edhe dera e rëndë e qelisë numër tre. Komisari fytyrëtërbuar, të cilit leshrat e gjoksit gati i mbrinin deri në majë të hundës, ma ngjiti për krahu dhe më hoqi zvarrë deri në zyrën e tij të thatë, ku gjendej vetëm një tavolinë e hekurt dhe një karrige prej druri.
«Ti nuk je i vetëm, kësaj radhe ke organizuar bandë për ta çmendur qytetin tonë të qetë». Pa mbrritur t`i përgjigjem në derë u shfaq shefi numër një politik i qytetit, Perfekti, i cili për nga pamja dukej pak më i kultuaruar se sa ekzekutori i pushtetit të tij. Me një fjalë të vetme më shpëtoi nga torturat e pështymës së komisarit. Në sallën e pritjes së perfekturës pashë një ish-profesor timin bashkë me psikiatrin e qytetit, të cilët, siç u pa më prtinin mua.
«E dij që ti nuk je „pëlhura“, pra fantomi, por me siguri e di se kush mund të jetë. Ai të ndjek ti dhe do që të të prishë jetën, kudo që t`i të shkosh, prandaj do të ishte mirë të mendohesh dhe ta shpëtosh veten», më këshilloi profesori, fjalët e të cilit i shoqëronte konfirmimi me kokë i psikiatrit. Për të braktisur sa më shpejtë atë smogun frymëzënës të sallës, që vijnte nga gazrat e qindra gojëve për herë të parë të hapura të banorëve të qytetit V, pranova se do të mendoj për të zbuluar fantomin.

*
Gjatë studimeve të mia kisha mësuar diçka për paraqitjet misterioze, halucinacionet dhe ekzistencën e magjisë së zezë. Në bibliotekën time kisha teori të ndryshme për probleme të tilla e sidomos atë të Frojdit. Mund të jepeshin qindra shpejgime për shfaqjen e fantomit, por paraqitja e tij pikërisht në qytetin V, ku nuk ekzistonte asnjë traditë, as orale në lidhje me ekzistencën e misterieve të tilla, ishte paksa kokëçarëse. Në një fletore të shkarravitur me skica e projekte që më dukeshin pa ndonjë vlerë zhvillimi, që e mbaja ndër maqinën e shkrimit, kisha bërë kalkulime për të zbuluar atë idiotin e fakultetit që masakronte shtazët, loja e të cilit më kushtoi me ndërprerjen e studimeve. Kërkoja të gjej atë kuptimin e fjalëve të profesorit që dikush mua më ndjek për të më bërë sherr. Numri i atyre që kishin studiuar në të njejtën kohë me mua në Univerzitetin e kryeqytetit nuk ishte i pakët, mirëpo asnjërit prej tyre nuk merrja guximin t`ia mvesh një marifet të tillë. Më dukeshin disi të paaftë për një komplot të tillë, kur kisha parasyshë se me edukatën e çfarë sistemi ishin rritur. Thjeshtë një zotësi e tillë nuk përputhej me karakterin moral të qytetit të kërrusur përballë ligjeve të rrepta të heshtjes. Në fund të shënimeve gjeta një emër. Të shkruar me ngjyrë të zezë dhe shkronja të mëdha; Feliks Sentiani.
Emër që nuk më thonte diçka, krejtësisht i panjohur. Më kot përpjekja për të hulumtuar nëpër shiritin e memories. Asnjë shenjë shpresëdhënëse. Hudha fletoren drejt për një kutie ku kisha librat, të cilave nuk ua gjeja dot përkatësinë disciplinare apo shkencore në bibliotekën time. Si pa dashje më shkuan sytë në një libër me kopretina të zeza që mbante titullin »E kaluara ynë fantastike» e një autori gjerman, të cilit nuk ia mbajë mend emrin. Në kapitullin e tij të dytë, ai bënte fjalë për ekzistencën e njerëzve fluturues në Zimbabve si dhe për një numër të madh misterishë që ndodhin në pjesën e pazhvilluar të kontintetit të Afrikës. Si përfundim ai konstatonte se manifestime të tilla, të pazakonshme për mendjen e njeriut, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë gjithmonë. Më së shumti më la përshtypje bindja e tij se, qeniet e tilla, kryesisht nuk janë të dëmshme.
As fantomët e qytetit tim nuk ishin fare të dëmshëm, ata përkundrazi i sollën kuptim jetës së vdekur të q
tetit V. Mbi të gjitha po të mos ishte parqitur fantomi; a do të kishte kaq zhurmë nëpër qytet, sirena veturash policie që ngarrendin herë në njërën anë e herë në anën tjetër të qytetit; muzikë dhe dritë deri në orët e hershme të mëngjesit (kjo bëhej sepse prijësit fetarë të qytetit kishin thënë se vetëm në atë mënyrë mund të evitojnë afrimin e fantomit në shtëpitë e V-ëve); reflektorë të vënë në kulmin e pallatit të kulturës në drejtim të Shpellës së Shtrigave dhe varrezave; njerëz të dehur në shesh që ishin bindur nga fjalët e plakut në lidhje me ardhjen e delegatëve të vdekjes. Gjithçka i përngjante në kaosi të këndshëm e përplotë gjallëri.

Një dhimbje e lehtë në njërin nga dhëmballët e lëvizshëm më sinjalizoi se stilografi im shpejtë do të përfundojë nëse vazhdojë edhe mëtutje ta shtrnngojë me dhëmbë. Ishin bërë disa orë prejse iu kisha përkushtuar ardhjes së fantomit në jetën e qytetit.

*
Shtrrngata e natës kishte lënë gjurmët e saja nëpër rrugët e asfaltuara dobët të qytetit. Frika e qytetarëve shihej në ngjyrën e stërkuqur të syve që u ngjasonin prushit të vulkanit të saposhpërthyer. Është hera e parë që Nina ka dalur flokëpakrehur në dritare. Ajri i freskët, pas shiut, më shponte deri në thembrat e zbathura mbi betonin e balkonit. Qyteti kishte marrë një pamje të tejdukshme, bile qartazi shiheshin edhe shtëpitë si dhe puntorët që hynin në portën e fabrikës së leshit, që gjendej në pjesën tjetër të qytetit, në atë pjesën pas dy kodrave.
Njëri nga varrësit e komisarit që kishte bërë kujdestari tërrë natën para Pallatit të Kulturës, luante me revolen e tij sikur të imitonte aktorin e filmave uestern Xhon Uejn, duke ua drejtuar kohë pas kohe tytën e pistoletës së tij TT qytetarëve që kalonin pranë tij në shenjë talljeje. Në hyrje të oborrit të shtëpisë sime (shtëpi që e kisha trashëguar nga një hallë e pamartuar, e cila shpërbleu veten në ditën e pesdhjetvjetorin të saj, duke luajtur mendsh dhe duke shkuar në një Azil për të çmendurit) hyjnë dy zyrtarë të perfekturës. Gorki, qeni im, të cilin poashtu e kisha treshëguar nga halla ime dhe që emrin ia kishte vënë nga dashuria që kishte pasur për një shkrimtar rus, me gjithë mend donte që t`ua heq kostumet dy zotërinjve të Pallatit politik. Ata më morrën me vete me arsyetimin se dikush nga shefat e tyre do të bisedojë me mua për një problem tejet të rëndësishëm.
Ende nuk kisha dhënë shpjegimin për ardhjen e fantomit. Atë as që e dija. Në shkuarje e sipër, të gjithë njerëzit e qytetit më shikonin sikur unë jam shpëtimi i tyre, duke mu përulur e përshëndetur plotë respekt. Edhe Nina, për të cilën mendoja se sa herë që më sheh i humb oreksi për mashkull, atij mëngjesi me një lëvizje të lehtë të dorës më përshëndeti.
«Jeni bërë njeri i njohur në qytet»- ma hudhi në mënyrë ironike njëri nga zyrtarët që belbëzonte.
Në hyrje të ndërtesës së administratës kishte dalur perfekti bashkë me komisarin dhe ish-profesori im. Fizionomitë e shtrembëruara, të shëndruara në një formë trekëndshi në defromim e sipër, të ngjajshme me ato pikturat kubiste të Pikasos, tradhëtonin detyrimin për të treguar respekt karshi një njeriu, të cilin ata gjithmonë e kishin konisderuar si kundërshtar të moralit dhe besimeve të tyre. Veçanarisht fytyra e zbehur e perfektit përshkruante falimentimin e moralit të politikës që udhëhiqte aparati i tij.
«Hë si ecin punët. I keni rënë në gjurmë se kush mund të jetë fantomi».
Pa ditur arsyen pse fillova të flasë;
«Ky fantom nuk është i njejtë me atë të Univerzitetit që masakronte kafshë. Ky është i butë dhe nuk ka për qëllim t`i bëjë dëm qytetit tonë. Po të donte do ta kishte bërë deri tani një gjë të tillë. Është një prej atyre që mendon se dikush në këtë qytet i ka borxh diçka, dhe është kthyer që ta marrë sendin e vetë…»
«Çka mund të jetë ajo», më ndërpreu ngutazi Perfekti, të cilit ia kishin vënë thikën në fyt disa nga qytetarët me ndikim.
«Ende nuk e dij se çka mund të jetë. Jam duke punuar për të zbuluar edhe më tutje hollësitë. Po ju çka mendoni?», iu drejtova ish-profesorit tim duke ndier se gjithë situatën në zyrë e kam nën kontroll.
«Unë nuk iu besoj gjepurave të tilla, mirëpo përderisa atë e ka parë edhe perfekti (natën e kaluar, përderisa shtrrngata ka bërë kërdinë, koka e fantomit është paraqitur në dritaren e banjos së perfektit, i cili zhveshur ka ikur jashtë shtëpisë duke bërë namin) nuk kam pse të mos besoj. Ai ekziston. Dhe nëse ekziston ai nuk mund të luftohet duke e zënë atë rob, një gjë e tillë është e pamundshme. Tash mbetet çështje e hapur se si mund të trembet ai, duke e përzënë jashtë V-së».
«Pra në ndonjë qytet tjetër?», pyeta duke shikuar në sy perfektin, i cili kishte hall shpëtimin e prapanicës së tij egoiste e që nuk kishte aq interesim për fatin e qytetit fqinj.
«Prijësit fetarë të qytetit thonë se ai ka frikë nga drita dhe muzika», shtoi Perfekti.
Unë duke qenë përjetësisht kundërshtar i dogmave të matrapazëve që hiqinin veten nëpër qytet me dollamat e tyre sikur të ishin vetë profetët e kohës së re reagova papërtuar.
«Poqëse fantomi ka frikë dritën dhe zhurmën, atëherë ai nuk do të ishte paraqitur mbrëmë kur qielli çahej nga vetëtimat dhe bubullima që dridhte dy kodrat tona».
Perfekti u bind dhe duke më shtrrnguar dorën m`u lutë që të intensifikoja mendimet e mia për t`i dhënë fund tragjedisë që kishte kapluar territorin e tij politik.
Duke dalur; «edhe diçka…», më ndali komisari «po deshte sonte mund të vijsh në pallat, do të vijë një i dërguar i Presidencës së Republikës për të vizituar qytetin tonë. Ndoshta keni dëgjuar ai quhet Feliks Sentiani».
«Kush është ai?». Reagimi im i hovshëm ktheu disa centimetra prapatas komisarin. As të pranishmit tjerë nuk mbetën pa vërjetur sjelljen time.
«Është i dërguar i presidentit, shef i departamentit për zhvillimin e qyteteve, mos gabosh t`i tregosh diçka për fantomin tone». Për herë të parë dëgjova nga goja e një zyrtari të përcaktojë pronësinë e fantomit nga qyteti V. Ata, aq sa unë, nuk dijnin fare për biografinë apo identitetin Sentianit misterioz. Gjithë pasditën, i mbuluar nga djersët, pritja orën kur do të shkojë në pallat për të takuar emrin e shkruajtur trashë në fund të fletores time. Ai patjetër që të kishte diçka të përbashkët me kokat e prera të kafshëve në Univerzitet. Ngadalë po krijohej një lidhje në mes gjithë historisë së fantomit që shëtiste nga kryeqyteti në qytetin V.

*
Vetëm një karrige kishte mbetur shprazët rrath tavolinës së madhe e të rrumbullakët ku ishin ulur zyrtarët dhe dëgjonin me vëmendje një trashaluq fytyrëskuqur, i cili lexonte nga një mapë me vulën e shtetit. Po, ai ishte Sentiani i famshëm i fletores sime me shënime të parëndësishme. Një njeri që kurrë në jetë nuk e kisha parë. Një qenie inconù për qytetin V me një post të lartë në Presidencë. I zhytur në letrat që lexonte me një zë kërcënues as që vërejti ardhjen time.
«…Ne jemi tepër të dëshpëruar shkelqësia Juaj që instancat më të larta nuk ndërmarrin kurrgjë për të zhdukur fantomin nga jeta jonë. Të rrinjtë kanë filluar të konsumojnë alkoolin bashkë me pleqtë dhe s`ia varrin fare edukimit e shkollës. Vajzat kapen me kë të mbrrijnë. Muzika ulurinë njëzet e katër orë. Askush nuk respekton më Perfektin. Policët luajnë me revole si ato aktorët e filmave kaubojë. Prijësit e fesë ngucin gratë nëpër rrugë, duke u ofruar „terapi shpirtërore“ nëpër hamamet e tyre. Respektohen dekadentët ( është ndonjëri nga ata që s`më do gjithaq, mendova) e poshtërohen qytetarët lojalë. Turma budallenjsh predikojnë dogma duke thënë se qytetit tona i ka rënë e epidemia e vdekjes (mendohet në plakun). Shkëlqesia Juaj duhet të na besojë se këtu është shndrruar dita në natë, e nata në ditë. Këtu kanë humbur bile edhe rregullat normale të natyrës, prandaj ndërmerrni diçka para se e njejta epidemi të mbrrijë edhe në Selinë e Shejntë të kryeqytetit…».
Se letra nuk ishte e shkruar prej Perfektit shihej në ballin e tij që kishte marrë pamjen trengjyrëshe të Ylberit. Atë e ka dërguar sigurishtë ndonjëri nga ata qytetarët me ndikim që i shërbejnë pushtetit qendror për të mbikqyrur Perfektin dhe administratën e tij.
Një qytetar i përdhosur nga frika, që vraponte rreth pallatit të perfekturës, e ndërpreu leximin e Sentianit.
Fantomi! E pashë fantomin duke hyrë në oxhakun e shtëpisë së Ninës! Që të gjithë bashkë me Sentianin u vërsulën drejt shtëpisë së saj për të zënë fantomin. Nuk them që isha më i zgjuar se të tjerët, mirëpo ma merrte mendja se për çfarë fantomi bëhej fjalë. Kjo u vërtetua pas disa minutave kur njerëzit hapën derën e Ninës dhe panë atë nën trupin e një mashkulli muskuloz të qytetit, në aksion e sipër. Ngjashmëria e tij me fantomin qëndronte tek teshat e tij të bardha, të cilat prej asaj dite u ndaluan me një dekret special të Perfektit.
Gjatë kthimit, Feliks Sentiani, mu drejtua duke ma bërë me dije se në mbledhje mund të marrin pjesë vetëm zyrtarët, natyrisht duke mos harruar të bëjë fytyrën sikur kërkon ndjesë, siç bëjnë zakonisht politikanët.
«Jo, le të vijë edhe ai brenda është i ftuar», foli perfekti me gjysmë zëri.
„Në çfarë cilësie“- donte të dijë Sentiani.
«Është njëfarë, eksperti për fantomët, ka përvojë me ta..», komisari më quajti ekspert duke vënë buzën në gaz.
«Tash më kujtohet. Ju jeni dekadenti Filo. Fantomi i famshëm i Univerzitetit të kryeqytetit. Arrestojeni!», Feliks Sentiani kishte qenë ai njeri që kishte dhënë urdhërin me shkrim në emër të qeverisë për të më larguar mua nga fakulteti. Vetëm pas shqiptimit të masës së arrestit më përkujtoi zërin që kisha dëgjuar në receptorin e telefonit të rektorit të Univerzitetit, zë që dha urdhërin e largimit tim. Arsyetimet Perfektit dhe komisarit se nuk ka mundësi që unë të jem fantomi nuk ndihmuan gjë. Kështu unë iu ktheva qelisë time numër 3, e cila ngadalë më dukej si banesa e dytë e imja në qytetin e turbullt V. Së paku xhandarët e komisarit nuk silleshin më ashtu arrogantë si herën e parrë.

*
Prapë mesnatë. Prapë fytyra e zgërdhyer e plakut, që shkronjën e parë të emrit e kishte V, si shumica e banorëve të qytetit V.
«Unë jam…unë Vëmorti! Dëgjo, kam marrë kontakt me fantomin dhe më ka thënë se do të ndodhë diçka e tmerrshme…!». Ende pa përfunduar lajmin deri në fund, komisari hapi derën duke më lënë të lirë.
«Ne nuk besojmë se ti je fantomi, shko dhe mendo edhe më tej se si t`ia bëjmë». Iu ngjita pas plakut Vëmorti, trupi i të cilit nuk kishte fare baraspeshë.
«Çka do të ndodhë e tmerrshme?».
Nga goja i doli një erë e tmerrshme rakije V-ëiste.
«Fantomi më tha që sonte do të vritet i deleguari i Presidentit Feliks Sentiani, i cili detyrën e shefit të departamentit të zhvillimit të qyteteve e ka vetëm sa për të maskuar pozicionin e tij të vërtetë të shefit të policisë sekrete të Republikës. Ai më tha se ky është shkaktar i shumë komploteve të përgjakshme që ndodhin nëpër pjesë të ndryshme të Republikës. Kështu ka thënë dhe kështu do të bëhet. Dhe pastaj do të largohet që këtej».
Ec e beso një njeri të dehur. Mirëpo fakti se Sentiani mund të ishte shef i policisë sekrete ndoshta qëndronte. Ç`djallin kishte një zyrtar i zhvillimit të qyteteve të bëjë me një student që agjitonte kundër normave morale të politikës së një shteti tiranik? Në mes të rrugës ktheva përsëri tek komisari, me qëllim për të pasur një alibi. Po ndodhi ashtu siç tha plaku Vëmorti, përgjegjësia për vdekjen e Sentianit mund të më vishej mua.
Komisari i gëzuar që unë i bëja shoqëri rrëfente për meritat e tij në epokën e qetë të qytetit V. Papritmas një cingërimë telefoni e trishtoi atë dhe u çua nga karrigeja.
„Alo…çka…nuk është e mundur… O Zot“. Dy shërbetorë të tij kishin gjetur veturën e bërë copë dhe trupin e vdekur të Feliks Sentianit në dalje të qytetit. Të nesërmen, nga një dëshmitar në distancë, u morr vesh se atij i kishte dalur para fantomi dhe ai nga frika ishte rrotulluar me veturën e tij në Gropën e Qenve (ka marrë emrin kështu, për shkak se gjatë dimrit aty mblidhen qentë e pazot të qytetit për t`i ikur acarrit).

Dy pjesë të fjalëve të Vëmortit u plotësuan. A do të shporet vërtet Fantomi nga jeta e qytetit V. A thua përsëri heshtja dhe monotonia do të përdhunojnë jetën e qytetit, si ashtu të shëmtuar e të prerë përgjysmë? Vëmorti ishte shtrirë në shtratin e tij duke rrënkuar nga dhimbjet që ia shkaktonte alkooli dhe nuk donte që të flasë më.
Shtëpia e mbuluar me kashtë e plakut ishte i vetmi dallim karakteristik nga arkitektura e ngurtë dhe pallatet syvrarëse të vendit ku unë isha i detyruar të kaloja një pjesë të jetës sime, që më shumë i ngjante një dënimi me masën e monotonisë dhe nënçmimit. E vetmja mundësi që jeta të mbetej e gjallërishme ishte ekzistenca e mëtejshme e fantomit.

*
«E dijmë kush është fantomi», ishte përmbledhur komisari që priste që unë t`ia konfirmojë dyshimin. Njëri nga policët e tij, pas shtëpisë së Vëmortit kishte gjetur një thes me pëlhura të bardha dhe sipas kësaj gjetjeje, gjithçka ishte bërë e qartë për të.
«Do ta nxjerrim nesër para gjyqit», tha i gëzuar komisari dhe u largua në drejtim të shtëpisë formëkasolle të plakut Vëmorti. Ata kishin shfletuar edhe biografinë e plakut, për të cilën unë nuk dija gjë, në disa faqe të së cilës shkruante:
«V. Vëmorti pasi ka mbaruar fakultetin e filozofisë në Vjenë, është kthyer në atdhe dhe deri në moshën pesdhjetëvjeçare ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si inspektor i lartë. I përjashtuar nga puna sepse ka djegur arkivin ku janë ruajtur dosjet e kundërshtarëve të shtetit…». Vëmorti nuk kishte një plak i thjeshtë, alkoolik, që jetonte në kasollën gjysmë të hapur të tij, siç kisha pandehur unë. Me gjithë ato aftësi të tij, unë përsëri nuk besoja se ai është fantomi që në mënyrë aq të përkryer çrregulloi ligjet e heshtjes dhe monotonisë. Për një gjë të tillë atij i mungonte edhe shkathtësia fizike. Ai dukej vërtet i dërmuar.

*
Teshat e zeza që kisha veshur në trup më bënin të ngjajshëm me errësirën rreth lumit Vum. E dija që të gjithë njerëzit që kishin të bëjnë me fantomin futeshin në qelinë numër 3. Përvoja është e artë – thonë të diturit. Sa më shumë që i afrohesha dritares së qelisë aq më shumë dëgjoja rrënkimet e plakut të zhytur në njërin nga qoshet e qelisë. Veç në thirrjen e katërt më dëgjoi dhe u afrua afër dritares.
«Po pranove se ti je fantomi, qyteti do të kthehet përsëri në ritmin e jetës së mëparshme. Më fal nuk e kam ditur se ti je ai. As nuk e kam ditur se ti je një intelektual vjenas që nuk jeton dot me moralin e kodifikuar të qytetit V…»
«Hesht, hesht. Nuk jam unë fantomi. Kam menduar se ti, së paku, për dallim nga gjithë këta trukalburit do të kuptosh se ç`loje është zhvilluar; pushteti qëndror gjithmonë kur do që të menjanojë ndonjë perfekt nga skena lëshon Feliksin, tash më të ndjerë, që të sajojë misterie të tilla. Edhe ti ke qenë viktimë e një komploti të tillë. E dij për shkak se unë e kam pranuar Feliksin në punë dhe ai më detyroi ta lëshoi vendin e punës. Atë e kam parë dy ditë para se të parqitej fantomi, në mes të natës duke u futur në shtëpinë e priftit të qytetit, i cili punon për policinë sekrete. Që atë natë e kam ditur që në qytetin tonë do të ndryshojë diçka dhe fillova t`ia përgatisë fundin Feliksit duke u paraqitur edhe unë si fantom dy herë».
«Domethëne ti i ke dalur para veturës fantomit», e ndërpreave unë duke mos pritur që ai vetë të thotë epilogun e gjithë kaosit.
«Po unë. Mirëpo natyrisht që unë nuk do të pranoj. Nesër eja në gjykim, e unë do të kërkoj nga presidenti i gjyqit që vetëm ti të më mbrosh. Ti e ke mbaruar atë fakultet muti të drejtësisë, që e ke nisë qe sa kohë apo…», çelësat e komisarit u dëgjuan deri jashtë grilave.

*
T`i tregoja perfektit për komplotin e pushtetit qendror nuk do të më besonte. Të pranoja veprimin e Vëmortit si krim? Cilido nga këto dy variante do të rezultonte zhdukjen e përjetshme të fantomit dhe do të kthente pushtetin e mërzitshëm të gjumit idiotesk të V-së. Feliksi, edhe ai kishte bërë vazhdimisht krime, duke futur frikë në çdo kënd të Republikës. Më në fund vendosa që të mbrojë Vëmortin, vetëm nëse ai më garanton se nuk do ta shpall të ikur fantomin. Para se të fillojë seanca bisedova më Vëmortin gjoja për konstruksionet që më duheshin për të ndërtuar mbrojtjen e tij. «Fantomin mund ta mbajmë gjallë vetëm nëse t`i bëhesh fantom për një minutë..».
Vëmorti kërkoi shumë prej meje. Po të më zënë do të mbarojë përjetësisht pas grilave- mendova duke vërjetur se si djersët arrjtën deri te stacioni i epërm i vetullave.
«Vëmorti ka biseduar me fantomin dhe ai i ka thënë se pas vdekjes së Feliksit më nuk do të paraqitet në V, derisa në drejtim të këtij qyteti nuk niset ndonjë njeri si ai. Vëmorti nuk është vetë fantomi, ju e dijni se ai është i moshuar aq sa të mos mundet që të ngjitet mbi kulmet e shtëpive», përpiqesha që të bindë trupin pesë antarësh, në mesin e të cilëve gjendej edhe prifti, në fytyrën e të cilit shihej dilema. Ai e dijnte gjysmën e historisë, pra punën e Feliksit, mirëpo prej vrasjes së tij e këtej kishte filluar edhe të besojë në ekzistencën e një fantomi.
E gjithë seanca kaloi në thënie e kundërthënie. Shqiptimi i dënimit u la për ditën e nesërme.

*
Mungesa e hënës ma bënte më të lehtë rrugëtimin deri në shtëpinë e presidentit të gjykatës, i cili për nga natyra ishte një frikacak i ekzagjeruar. Nga dritarja pashë atë duke mbajtur një libër të trashë në duar, që sa munda unë të kap disa nga shkronjat, si duket ishte ai mozaiku i ligjeve të kanunit moral të qytetit V, të shkruar nga një njeri injorant i pasionuar pas gjumit, nga shekulli i kaluar. I rashë dy herë xhamit dhe aq e pati: pas një piskame të tmerrshme, që ishte më e zëshme sa të gjithë telallët e Riadit të Arabisë Saudite të shekullit nëntë, u përplas për dyshemeje si i vdekur. Shtëpitë përreth ndezën dritat. Shpejtë u futa në dhomën time dhe rregullave çarçafin që kisha përdorur për të imituar fantomin. Hapa një libër dhe bëja sikur lexoj afër dritares. Komisari ulurinte nëpër shesh duke urdhëruar që të lëshohej muzikë.
«Zoti komisar çka u bë?»
«Dreqi u bë, fantomi përsëri u kthye. Nuk qenka Vëmorti»- i kënaqur me atë kosntatim fillova me gjithë mend të lexojë një tregim të dobët, nga një shkrimtar minor i Republikës.

*
Perfekti kërkoi nga Vëmorti që të kontaktoi me fantomin për të bërë një lloj armëpushimi me të, një marrëveshje. Vëmorti kërkoi që në komitetin e tij kontaktues, për «shkaqe juridike e trashëgimie», siç e formuloi ai të jem edhe unë. Dhe kështu u bë marrëveshja me fantomin e nënshkruar me një bagël të thatë të lopës së Vëmortit qe kishte mbetur asht e lëkurë.

U bë një kohë e gjatë që fantomi nuk u paraqit më. Ndërkaq qyteti V vazhdonte të mbetej i gjallë, plotë muzikë dhe të dehur. Përfundimisht perëndoi koha e ligjeve të Kanunit të Monotonisë dhe Heshtjes. Dasma për çdo të dielë. Askush nuk dinte në të vërtetë historinë e vërtetë të fantomit. As ne të dy. Ne kishim imituar fantomin për të shpëtuar veten, se a kishte qenë vërtet Santiani apo dikush tjetër, një zot e di. S’ka edhe aq rëndësi, kryesorja është që qytetit V iu dha jeta, gjallëria. E gjithë kjo ndodhi falë Fantomit pëlhurëbardhë. Sa herë që njerëzit të lodheshin e t’i futeshin ngadalë heshtjes, mjaftone njëri t’ia bënte Fa… dhe ia kriste dasma.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.