Korrupsioni dhe letrarët

Në komunizëm, për tu rekrutuar në sistem me ndonjë post duhej të ishe servil ndaj ideologjisë në pushtet. Sot duhet ose të kesh para ose ta kesh axhën a tezen shef/e të ndonjë institucioni ose klani. Faciti mbetet i njejtë: jo pak institucione të rëndësishme shoqërore e kulturore mbeten edhe sot në duart e diletantëve.


Procesi i rekrutimit të «assistentëve», «akademikëve», «gazetarëve» dhe «intelektualëve» të rinj nëpër institucionet kulturore është një temë vërtet për t`u diskutuar. Ata që kanë qenë pjesmarrës apo spektatorë (të rastit) të momenteve të tilla mund të flasin edhe më shumë për këtë gjë. Ndoshta edhe e kanë për borxh. Kështu së paku do t`i shpëtonin pasionistët e vërtetë të këtij drejtimi nga politika egocentrike e saloneve të shpifura «kulturore e intelektuale» dhe do të kontribonin në përmirësimin e mediumeve, katedrave, instituteve apo thjeshtë thënë; dalëngadalë do t`i mundësonin kulturës autoritetin e merituar. Pa ato kushtëzimet ordinere që imponojnë tariqet.

Më herët, në kohën kur veprat letrare artistike ende vlerësoheshin në bazë të «sensit» ideologjik, ishte lehtë të gjesh autorin për kë duhet të flasish publikisht duke qenë i sigurtë se kundër teje nuk do të hartohej ndonjë dosie e veçantë nga policia letrare që përbëhej nga (re)cenzorët. Përkundër rrezikut të kthesës së «komiteteve» ndaj njërit apo tjetrit autor, megjithatë ishte lehtë, sepse formulat se si duhej shkruar diheshin përmendsh dhe mjaftonte të gjeje listën e autorëve të privilegjuar nga SHB-të shtetërore për të mos i marrë telat nëpër këmbë.
Ekzistonin variante të ndryshme se si mund t`i takoje njerëzit e «mëdhenj», pra ata të listave, nëse doje të bëhesh anëtar i ndonjë «klani» që do të të mundësonte ngjitjen shkallëve të afirmimit. Rruga më e mirë ishte që të ecje nëpër kafenetë që shërbenin si salone diskutimesh propoetike e t`i takoje personalisht. Natyrisht para hyrjes në këto salone duhej të plotësoje një kusht të pashmangshëm; duhet të kishe xhepat e fryera me para, fjalorin e zgjedhur ideologjik dhe gatishmërinë e servilzmit të paskajshëm në shpirt! Përndryshe, në vend të përshëndetjes, të paralajmëronin inkuadrimin në listën e njerzve që e kishin të ndaluar përshpëritjen.

Ç`ka bisedohej nëpër këto salone? Dikush do të mendojë se aty janë bërë diskutime mbi poetikën e Aristotelit, alergjinë e Brehtit ndaj Rilkes apo sharrjet e Gëtes drejtuar Shlegelit. Jo! Është e vërtetë se ato biseda kishin diçka poetike në vete, p.shembull; «konjaku më kënaq shpirtin …sa trup të bukur që ka kjo zanë … oh!! jetë moj sa e bukur je» e të ngjajshme.
Në ato „takime poetiko-salonike“ kryesisht bisedohej për kandidatin e ardhshëm të klikës së tarikut të tyre. Nëse kandidati i ri i plotësonte kushtet atëherë ai pranohej njëzëshëm nga të gjithë dhe në emër të tij shkruheshin ca reportazhe e recensione sipas konditave që pëlqente pushteti dhe tariku.
Kushtet themelore që konkuruesi duhej të plotësojë ishin: 1. të jetë diletant i papërmirësueshëm me qëllim që mos ketë pretendime «fronesh», 2. të ketë dëshmuar dëgjueshmëri kolektive, kjo do të thotë të shkojë msit tek shoqet (besoj: dhe shokët) për ndonjë qejfli të tarikut dhe
3. të bëjë një libër me vjersha, sidoqofshin ato.
Kaq sa për pranimin e kandidatëve.

Pas pranimit kanditatët botonin librin. Libër, patjetër me poezi. Redaktorët dhe (re)cenzorët bënin nga një minivështrim lavdërues për poetin dhe referimet e nevojshme për të nxjerrë anëtarin e ri të «elitës letrare» nga thonjtë e anonimitetit. Askush nuk bënte kërkime të njëmendta kritike për të shpjeguar vendin ku gjenden vlerat e veprës. Pa problem; kush guxonte të kundërshtojë vështrimin ( qoftë edhe i thatë, siç ishin dheishin dhe janë recensionet e tyre) e ndonjë poeti «emërmadh» (edhe të sotëm)? Askush. Libri-pasportë i shërbente autorit si vizë për të shitur mend publikisht tek të tjerët, te lexuesit, dhe më e keqja: plakej duke mashtruar veten se ka bërë diç. Ndërgjegjësimi vjen gjithmonë i vonuar. Dëshira e tyre për të zbuluar diçka të re nuk mund të plotësohej, për një gjë të tillë mungonte kapaciteti intelektual. Ca prej tyre madje u «çmendën» kur morrën vesh se tariku i ka gënjyer kur u ka thënë se ata janë inkrearnim i ndonjë mendje të madhe të epokave të kaluara.

Ka të tillë, prej kandidatëve, të cilët pandërprerë tentojnë të ikin nga një jetë e tillë. Jetë të fituar vullnetarisht e me zor. Siç thamë edhe më lartë: depërtimi nuk ishte i lehtë. I ngopur me servilizëm, pa dinjitet duke qenë «xhoker» i përjetshëm i kryetarit të tarikut, viktima kërkon shpëtimin, lirinë. Pa sukses. Që nga dita e ikjes së tij, tariku do të del me komunikatë për mënyrën e ngjitjes së tij në rradhët e shkronjësve profesionalë dhe ai aq e pati. Biografia e meritave bëhet fluskër pa pritë e kujtuar.

Salonet përkohësisht, për shkaqe të ndryshme, u dezorganizuan. Ca prej tyre ikën jashtë. Deklarativisht: për shkaqe politiko- kombëtare. Realisht – sot shihet efekti: «ku është paraja, është edhe sevdaja». Mirëpo, menjëherë pas luftës nuk munguan as kandidatët që iu rikthyen saloneve. Ashtu të dëgjueshëm, koshient dhe të disciplinuar ndaj urdhërave të kryetarikëve të tyre vazhdojnë të mbeten hije. Dikush tha se çështja do të ndryshojë për arsye të ambientit dhe rrethanave që sundojnë jetën postkomuniste, kështu që këto njerëz do të kuptojnë pozitën e tyre dhe do t`iu nënshtrohen leksioneve edukuese për të flakur servilizmin, të qenurit hije rakitike e dikujt. As kështu nuk e ha. Ky farë karakteri tariqesk duket se është një sëmundje e pashërueshme. Së paku njërëzit që njohim nuk e lëshojnë dot këtë pozitë. Mbi të gjitha, sa për ngushëllim, edhe ata janë pjesë e jetës sonë kulturore dhe shpresën duhet ta ruajmë deri në fund.

Sot – si në atë periudhën e kaluar – nuk ka lëvizur, s’ka ndryshuar diçka. Përveç se ideologjia është zëvendësuar tani me «lekun» ose «axhën e plotpushtetshëm». Dhe të flasësh kundër fenomeneve të tilla, qoftë në Tiranë apo Prishtinë nuk është aq lehtë. Tre motorët kryesorë që janë vendimtare për sigurimin e kuadrove të institucioneve kulturore; korrupsioni, klanet dhe lidhjet private e familjare. Jo kualiteti i individëve dhe përgatitja që mund të kontribonte në zhvillimin e kulturës janë interesante; por i cilit fis, klan, biri kujt është ose sa të fryer i ka xhepat pretendenti për ndonjë post.
Gjatë një krahasimi të ndonjë rekrutimi para njëzet viteve me ndonjë aktual nuk has në dallime eseneciale: të njejtat skena, të njejti njerëz, gjithçka e njejtë.
Fenomen që vërtet ngushton frymëmarrjen dhe mekanizmat e shporjes së të cilit s’duken në horizont. Si duket duhet t’i çojmë duart e të presim si në kohët e vjetra, duke pritur që kësaj rradhe të pasojë një tërmet dhe atë jo në Rumani se është afër, por pak më larg, diku në Alaskë. Larg nesh!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.