Forca e intrigës

Makiaveli donte të edukojë princin për atdhedashuri me vargjet e Petrarkës. Cvajgu lakuriqëson Zhozef Fushenë për të vetëdijësuar njeriun se sa i shkathët në intrigë mund të jetë njeriu politik. Kurse Tolstoji përfundon duke konstatuar se Atë Sergi nuk ikte nga uniforma e vetë ushtarake apo nga ajo e priftit për arsye të padrejtësive që duheshte patjetër t`i bëj ndaj ushtarëve dhe besimtarëve të vet por nga paaftësia e vetë njerzore për t`i mbizotëruar epshet e tij. Atë Sergi ikte nga vetvetja në kërkim të një uniforme të re, ku stili dhe paraqitja nuk do të vareshin nga vetë e kaluara e tij aq e çuditshme.

Lufta e Niçes për të gjetë Mbinjeriun. Krishti antikrisht dhe Zaratustra e syrgjinosur padrejtësisht nga hipokrizia e kohës më lanë përshtypjen e një procesi të pambaruar. Ose fare të stagnuar. Askush më nuk kërkon „princin e përsosur“, çdo kush është vetëdijësuar për natyrën e turbulluar njerzore. E vetmja shpresë ngushëlluese ka mbetur injorimi. I thashë vetvetes; „Më le të qetë“, ik prej meje! nuk e kam ndërmend të çmendem si Niçeja duke kërkuar mbinjeriun që ende nuk ka qenë njeri. As „princin atdhedashës“ që ende nuk e dijn se ku shtrihet atdheu i tij në të vërtetë. Ik vetvete prej meje e shko përkëdhel“princin e rrejshëm“, ai do të udhëheq deri sa të profilizohesh si një Zhozef Fushe i paturpshëm. Ik!! s`të durroj më dot. U përçava me vetveten. Tipike shqiptarçe apo jo..?

Stërgjishi i Adamit
Një miku im Zviceran Bernardi kërkoi nga unë t`ia përkthej poezinë „Sa qava për ëndrën moj“ të Fatos Arapit. Pasi ia bëra këte nder, pas një dite më thirrë në telefon dhe më pyet se ç`don të thotë poeti me këtë poezi. Në tavolinën e punës më ishin mbledhur plotë dosie, që duheshte brenda ditës t`i përfundojë dhe t`ia dorëzojë drejtorit. Ashtu i shqetësuar, në stres, iu drejtova: „Poeti donë të thotë se njeriu i parë kuranoro-biblik Adami ka pasë një stërgjysh që ka pasë emrin e njejtë po si ai: Adam“ dhe pas kësaj ia tërhoqa vërejtjen për moskompetencën time për të interpretuar poezinë e një poeti të mirënjohur si poeti Arapi. Mirëpo si duket ai ishte shumë i irrituar dhe nuk donte të mbyll telefonin. „Po kjo është alogjike, si mundet që njeriu i parë i planetit të ket stërgjysh“? E pra- i thashë- alogjikja dhe logjikja për dallim në mes veti kanë vetëm formimin tënd dhe të poetit në këtë rast. Ty pranon të thënat fetare mbi njeriun e parë kurse poeti me botën e vete nuk don të pranojë një hipotezë të tillë dhe injoron faktin me mjetin e vet. A u kuptuam? „Jo, jo nuk u kuptuam..“ Për të përfunduar bisedën me te e pyeta; Si mendon ty a është Adami njeriu i parë?. „Të tregoj drejtë, është hera e parë që bie në konfrontim me një pyetje të tillë!“. Pasi mbylla telefonin i bëra një analizë biografisë së mikut tim. Zbulova profesionin e tij prej fizicienti dhe fillova të parafytyroj kopertinën e përmbledhjes së F.Arapit me titull „Ku shkoni Ju, statuja“.

Homoseksualiteti i Sigmund Frojdit
Posa përfundova përkthimin e një artikulli për Dr. Frojdin nga Adi Solbergeri për një gazetë Franceze. I telefonova redaktorit L. Christen që më kishte ngarkuar me këte detyrë dhe i thashë; se nuk meriton botimin një artikull kaq shpifës dhe hipotetik siç është ky. Nga ai kuptova gjërësinë e lirisë për të dhënë ndonjë mendim mbi ate që përkthej. Dakord! Ia faksova. Pas dhjetë minutash bie telefoni; Redaktori kërkon falje për sjelljen duke apeluar në miqësinë tonë dyvjetëshe. Përsëri dakord. Është mentalitet tipik redaktorësh. Aty shajnë,qajnë dhe aty për aty fillojnë të këndojnë këngë pa mos pasë fare talentin e muzicientit. Më kërkon një kopie të Librit për Vetëmohim të Demaçit dhe po deshta mund të bëjë një shkrim mbi të njejtin libër. Një shkrim të tillë ia kisha dërguar një gazete shqiptare, para një muaji, botimi i të cilit kishte mbaruar, si zakonisht, në ndonjë shportë hedhurinash të redaksisë. S`ka gjë! ndoshta ende nuk jam mësuar të shkruaj si duhet. „Durimi është flori“ thotë populli jonë që nga viti 1990 e këtej, prej kur profeti „Pacifios“ u bë zoti ynë i vetëm. Nuk e dërgova shkrimin. Artikulli që nuk kishte vlerë për një gazetë shqiptare, s`kishte pse të ketë vlerë për një gazetë të huaj?! Të kthehemi përsëri te z. Christen. Më kërkoi falje edhe për refuzimin e konstatimit tim; se nuk duhet botuar pasi autori apelon në mendimin e Karl Krausit, i cili shpall Psikoanalizën, jo si terapi, por si sëmundje shpirtërore dhe më e keqja ai shpall Frojdin jo vetëm psikopat por edhe homoseksual. Në fund të bisedës më se një orëshe më pyet: “ Unë jam injorant sa i përket Frojdit, po a është Frojdi metëvërtet homeoseksual, si mendoni ju shqiptarët?“. U habita nga provokimi i tij. Nuk është detyrë kombtare e shqiptarëve të konstatojnë se kush është, e kush s`është homoseksual. Iu përgjigja: „Ju francezët duhet ta dini më mirë këte gjë, pasi ai një pjesë të madhe të studimeve i ka bërë në Paris tek Dr. Sharkoi, ka gjasa që ky të ketë pasë ndonjë lidhje të tillë me psikologun tuaj të famshëm..“ „Mon Dieu ..!!“. Si duket e preka në sedër. Mbyllëm bisedën me intonacionin e tij të përzyer me sharrje dhe qeshje.

Gëte dhe politikani shqiptar
Sentenca e Gëtes; „Edhe ajo që është kundra natyrës është pjesë e saj“ më doli si koinçidencë për momentin kur dëgjoja një politikan të Diasporës që fliste për „elementët dëmtues“ të Lëvizjes sonë Kombëtare. Kuptohet aty radhiteshin të gjithë përveç tij: Shtypi, Qeveria, të lindurit e të palindurit, shkrimtarët, poetët, etj. etj. Prita se do të përmend fajtorin më të madh, por kotë ! Ai vazhdoi duke lavdëruar ashtu pa dhëmbë, bindjet e veta si një „nacionalist“ i përbetuar. As vetë nuk e dija se pse qëndroja aty. Ndoshta inati, që mendja ime i kishte shkaktuar qëllimit për të dëgjuar atë; se cili na qenka fajtori më i madh për katandisjen tonë sipas tij, nuk më lëshonte të dalë jashtë. U trusa aty. Vendosa të pres. Ndoshta me muaj, ndoshta me vite. Edhe pse nuk ia vlente, i shtriva këmbët nën karigen e një flokëgjati me një kapelë mbi të cilën kishte vizuatuar një shqiponjë dhe kishte shkruar „Kosova Republikë“.
Pas një kohe fillova të dyshojë në drejtimin e të menduarit tim. Ndoshta nuk kam të drejtë, nuk jam i sinqertë. Ndoshta ky është ai „princi atdhedashës“ e aq i kërkuar i Makiavelit ose Mbinjeriu i Niçes që do të na nxjer nga balta. O Zot! vetëm Fusheja e Atë Sergi jo. Ashtu kemi boll (edhe lopët të kënaqen…). Hudha një shikim përtej dritareve! Ishte nxyrë. Shikova orën; gjashtë orë kisha ndejtur në një vend duke i mbledhur e lëshuar këmbët kohë pas kohe. Prita. Paralajmëruan fundin. Politikani ende të njejtat fjalë, të njejtin fajtorë, të njejtat lavdërime. Më në fund u binda se asgjë nuk i përputhej sentencës së Gëtes me ate tubim. Dhe as përpjekjes sime për ta parafytyruar atë si princ. Pasi politikani nuk kishte bila as natyrë e lere më ndonjë pjesë kundra saj. Më kotë prita, ai as që kishte ndërmend të përmend fajtorët për tragjedinë tonë. Sigurisht, ende nuk kishte arritur të kuptojë e njoh armikun e vet të vertetë ose armiku i tij ishte, thjeshtë, vetë ai. Ia anulova kandidaturën e mundshme për „Princ atdhedashës“ dhe e futa në regjistrin e politkanëve të palindur. Ika duke qortuar vehten për kohën e humbur. (1995)

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.