Në kulmin e lirikës hermetike

Poezia e Shaip Beqirit është një konfirmim fuqiplotë i forcës së fjalës artistike shqipe, fjalë dhe gjuhë e cila nga vetë natyra e saj është lirike, vetëm se është dashur të lindin mjeshtrit që dinë t`ua japin në mënyrë kompetente vlerave të saj vendin që u ka dhënë poeti Shaip Beqiri.

Poeti është qenie që pamëshirshëm ndjek, stërmundon e përlan ndjenjat e veta nëpër thellësitë e shpirtit. Ai vetëdijshëm shndërron brendinë e vet në stadium masakrash që therin e shkaktojnë dhembjen shpesh të padurueshme për çdo nerv në anatominë e çrregulluar dhe të pasigurt të ndërgjegjes së pashpirt njerëzore. A nuk është ky krimi më i madh që një njeri mund t`ia bëjë vetvetes?! Është kjo një sakrificë e çmendur, absurde dhe vetëvrasëse apo natyra e zakontë e një shtrese njerëzish të zgjedhur e të “privilegjuar” enkas për një vetëviktimizim të tillë? 

Këto janë mendimet e para, të cilat m`u paraqitën posa lexova dy vargjet e para nga libri i poezisë “Flatrat e gjymta” i Shaip Beqirit. Dyluftimi i këtij poeti me Unin e vet është një përleshje pa kompromis, e ashpër dhe plot zjarr. Asnjëherë më parë tek asnjë poet tjetër lirik i kohës në gjuhën shqipe nuk kisha mundur të përjetoja dhe përcaktoja më pastër dhe pa turbullirë fuqinë e artit poetik të lirikës shqipe se sa te poezia e këtij autori, ose më saktë: për herë të parë, pa dilema e ekzagjerime, me sinqeritetin më të madh jam detyruar të flas me vetveten duke thënë: ky është kulmi i lirikës moderne shqipe! Pas kësaj, një kohë të gjatë kam qenë spektator-viktimë i luftës që u zhvillua në mes të mendjemadhësisë, egoizmit dhe inferioritetit të intelektit tim me sinqeritetin e shpirtit: a duhet të pranoj një gjë të tillë edhe publikisht? Sa kohë mund ta mbaj të burgosur këtë të vërtetë për hir të ruajtjes së miqësisë me kolegët e mi të epokës fëmijërore dhe injorante? Asnjë sekondë! Edhe po të mbetem vetëm për shkak të shqiptimit publik të kësaj të vërtete, e kam poezinë si shëruese kundër të gjitha sëmundjeve e plagëve të çdo lloj vetmie.

1. UNI
Mënyra e të komunikuarit poetik e Beqirit me të gjitha pjesët e botës së tij të brendshme është konfliktuoze, përplot pakënaqësi dhe shpërthime. Qëndrimi i këtij poeti ndaj dhembjes, dashurisë, urrejtjes, origjinës, të bukurës dhe jetës nuk është spontan e as i menduar mirë, por rezulton si një gjurmë e pashlyeshme e dhunës së tij shpirtërore në vetëdijen e kohës. Në krye të herës ai thotë: “Ky libër nuk është i imi/ As i dhimbjeve të huaja” (Zhapëllima). Poeti është i vetëdijshëm se librin të cilin ai e ka krijuar nuk mund të jetë kurrë pronë e tij personale, një ditar dhembjesh vetëm për të, por ai është ditar i fiziologjisë së frymëmarrjes reale të kohës. Pronë e poetit është vetëm dhiata e dhembjeve që nuk shkruhet dot. As shkurt e as kulluar. Ajo mbetet e farkëtuar dhe gërryen ngadalë si një përbindësh nëpër skutat më të thella të shpirtit të Shaip Beqirit. Ai ndien lëvizjet e thikës që pret papushuar damarët e tij dhe shpëtimin e gjen përsëri tek klithma shpërthyese, duke u përpjekur ta trembë përbindëshin: “Veten s`do ta shohësh kurrë/ Në pasqyrën time diellore” (Zemra në shkëmb). Përkundër kësaj rezistence, duke kundërshtuar në çdo çast ekzistencën e armikut të muzikës shpirtërore poetike, ai e di, ai është i vetëdijshëm se vetëm në një moment, në një gjysmësekondë, kur do të arrijë të ndahet nga shkaktari i dhembjeve të tij, do të këndohet në refren kënga e dytëshorit: “Shtatë shekuj pasi zbardhi drita/ Për të parën herë u ndamë…/ Diku larg ra tërmeti” (Dytëshori). Tërmeti në këtë rast identifikon shuarjen, shkatërrimin, përhumbjen e dhembjes që strehohet tek shpirti i poetit. Po a zhduket dhembja e poezisë? Aq sa mund të zhduket dashuria bashkë me poetin. Kurrë! Këtë gjë poeti, kundër vullnetit të vet, e pranon në një poezi tjetër: “Në këtë lojë pa fund/ Askush s`fiton/ Besomë” (Ninulla e gurtë). Nuk ka ndarje: njeriu poet është poet njeri dhe pikë. Përballë këtij fakti poeti pranon ceremoninë sakrifikuese të vetësyrgjynosjes: “Erdhi koha të hyjmë/ Në lëkurën e njëri tjetrit” (Ritmi e asgjë).
Edhe kur ky poet flet për veten e dytë ka të bëjë me unitetin e universit të tij. Dytëshori i tij është pjesa tjetër e padukshme e vetes, e fshehur thellë në humnerën plot kurthe të shpirtit të tij. Cili është parimi themelor që jep përcaktueshmërinë e një poezie si lirike? Uni. Kush e ka Unin më të kompletuar, më autonom, me një integritet të pacenueshëm dhe të koncentruar, pa rrëshqitjen më të vogël në territorin e një objekti tjetër, sa ky poet?

2. MUZIKALITETI
Duke u rikthyer qëllimisht tek poezia “Ritmi e asgjë” ndeshemi me një karakteristikë të veçantë që përshkon në mënyrë të pakëputshme tërë poezinë e Shaip Beqirit: muzikaliteti. Poezia e lartpërmendur nuk merret si objekt vështrimi vetëm se në të mund të gjejmë muzikalitetin, por se edhe si temë e trajtuar i përket demonstrimit më të thjeshtë të asaj që tentojmë ta materializojmë. Harmonia e zërit të notave të brendshme krijon një sistem efikas të vënies në lëvizje të ndjenjave të çdo lexuesi, pavarësisht nga përvoja e tij kontaktuese me artin poetik. “Muzika e pagjumësisë” është “fryerja e fshehtë” që poetit pandalur i del si produkt megjepesës në çdo varg. Në këtë poezi Shaip Beqiri ndërton skeletin e lidhjes së dashurisë humane me universin. Loja e yllit nëpër pyllin e fshehtë për të ndezur dëshirën e shikimit sy më sy ndërmjet dy qenieve me të njëjtën zemër, pjell ritmin e kërkimit të shoqëruar me vaj gazmor. Po të ndjekim mirë tingujt e kësaj loje ndërmjet objekteve në fjalë do të konstatojmë një rrahje të brendshme muzikore që vë në lëvizje jo vetëm shpirtin tonë, por edhe mendjen, me një fjalë shndërron tërë qenien tonë në një instrument funksional sipas melodisë që imponon poezia. Pikërisht në kulmin e këtij gazmendi të kërkuar përjetësisht, tragjikja vjen e paftuar: “Ah koha është të vdesim moj/ Ende pa jetuar” (Ritmi e asgjë). Si në çdo operë, sonatë e formë tjetër muzikore, edhe në këtë varg ndiejmë atë të vërtetën e përjetshme mbi qenien njerëzore, e cila edhe në vaj, me muzikë, pranon se nuk ka përjetuar asgjë, sepse jeta është e shkurtër, tejet e shkurtër për të realizuar gjithë atë oqean dëshirash njerëzore.
Sa e gjatë duhet të jetë jeta që krijuesi i këtyre poezive të librit “Flatrat e gjymta” të riparojë botën e dërrmuar mendore të qenies njeri, që qëndron symbyllur para dashurisë si akt final i shpirtit të çiltër. Edhe sa therje dhembjeprurëse mund të bartë shpirti rebelues i këtij poeti që koha të kuptojë sinqeritetin e klithmave të tij, dashurinë që është duke predikuar para çdo “pikëpyetjeje” dhe “pikëçuditjeje” të vargut të tij.

3. FONDI
Brum i kujt dhe i çkahes është poeti Beqiri? Kur shkruajmë për stilin e një krijuesi zakonisht mëtojmë të zbulojmë sipas metodës shkencore fondin, bagazhin e pasurisë kulturore a letrare prej nga është frymëzuar autori. Këtë e bëjmë me qëllim që të favorizojmë sistemin e trashëgimisë letrare si dhe zhvillimin e proceseve të letërsisë në një gjuhë të caktuar, në këtë rast të gjuhës shqipe. Pra, cili autor i mëparshëm është inspiratori, nxitësi i shpirtit të këtij poeti për të bërë një art të tillë? Nga niveli artistik që gjejmë në poezinë e Beqirit mund të themi me plot bindje se kultura e tij është e gjerë dhe intelektualisht komplete. Mirëpo a mund të themi se stili, gjuha dhe fenomenet që ai i nxjerr në pikëpyetje kanë të bëjnë me pasurinë dhe përvojën tradicionale të poezisë shqipe? Mbi të gjitha, a ka ndonjë poet shqiptar që ka gdhendur pezinë lirike në këtë mënyrë, me këtë muzikalitet të përkryer si ky? Jo. Për çdo studiues të mirëfilltë, pa xhelozi dhe frikë ndaj vetë gjykimeve të veta, dilemat në këtë drejtim do të ishin faza e parë e dështimit të tij profesional, inkompetencë apo servilitet ndaj kodit tradicional të ecjes në rreth pa guxim dhe shpresë zhvillimi të lirikës shqipe në tërësi. Shaip Beqiri respekton dukshëm të kaluarën, traditën, duke e lënë atë në hapësirën dhe kohën e merituar. Dhe jo vetëm kaq, ai kërkon përgjegjësinë inekzistente të saj për çështje të caktuara: “Ç`të duhet ajo urnë e huaj ashtziu im” (Një asht i mashtruar).

4. IDENTITETI
Poeti, kjo qenie e përjashtuar me të drejtë nga “Shteti” i Platonit, kurrë nuk do të bindet me konditat e konfirmuara filozofike, religjioze e tradicionale mbi jetën, vdekjen, të bukurën, origjinën njerëzore, dashurinë etj. Shpirti i trazuar i poetit Shaip Beqiri vazhdon me ngulm të ndjekë gjurmët e pashpirtshme të sakrificës dhe vetësyrgjynosjes. Aty ku ushtron pushtetin ky poet, paravdes çdo besim në kultet e “shejnta” (primitive) të njerëzimit, në kultet që injoranca e çdo epoke i ka ushqim ekzistence dhe përforcimi të dhunës së saj mbi ndërgjegjen e plasur të vetëdijes apokaliptike. Jo të gjithë krijuesit e poezisë së sotme mund të radhiten në listën e poetëve të këtij lloji përbindësh që nuk njohin sistemin e imponimit të traditës dhe të përvojës në vargun e tyre sintetizues dhe therës. Ky lloj krijuesish është i rrallë, i paktë, ashtu siç është poezia lirike e Beqirit në krijimtarinë e tërësishme poetike moderne shqipe. Pothuaj çdo shekull numëron vetëm disa qenie të tilla, të jashtëzakonshme dhe brutale për “ligjet e adaptuara” psikologjike në fuqi. Dhe ky brutalitet përcillet me një buzëqeshje ironike drejtuar logjikës së përhirtë humane.

5. VIZIONI
Vizioni artistik i poetit Beqiri nuk korrespondon vetëm me “objektet” e padukshme që natyra e karakterit njerëzor u ka shpallur kontestimin e përjetshëm, por edhe me ata faktorë të dukshëm që truri i sterilizuar i epokës mendon se i ka studiuar dhe i njeh mirë. Pozitën e kësaj gjendjeje të kohës sonë poeti e përshkruan me këto vargje: “Dy sfinksët e verbuar përgjithmonë/ Ende vërtiteshin rreth kullës/ Pa takuar njëri tjetrin” (Qielli në frëngji). Mijëra vjet sillet vetëdija e njeriut rreth e rrotull për të gjetur kuptimësinë e tij në univers, varësinë e tij nga drita, uji, qielli, mjegulla e zjarri dhe përgjithmonë mbetet në epiqendrën e vetëshkatërrimit. Pse? Atij i mungon forca për të luftuar frikën dhe dobësinë e tij të brendshme. Gjithçka e bën me pjesët më sipërfaqësore të intelektualitetit të tij. Hapat e mëdhenj nuk bëhen me gishtërinjtë e dorës: “Me gishtërinj çelnim udhën/ Nën qemerët e përmbysur të ankthit” (Qielli në frëngji) i rrëfen poeti të së ardhmes. Ai i lë dokumentin e dëshmisë ardhmërisë me qëllim të mospërsëritjes së epokës në dështim e sipër. Ky poet don shumëçka, por atij në vend të përgjigjes i jepet vetëm një grusht i hidhur vdekjeprurës nga shoqëria e “intelegjencies” në fuqi, nga intelegjencia që në trupin e saj ka injorancën dhe komplotin ordiner ndaj ardhmërisë së vetvetes.
6. UNIVERSALITETI
Në disa raste, ku Shaip Beqiri është paraqitur me lexime të poezisë së tij në gjuhët e huaja, shpejt është shfaqur interesimi për përkthimin e poezisë dhe publikimin e saj në shtypin e huaj, sidomos në atë që del gjermanisht. Praktika e deritashme e studimit të letërsisë botërore na mëson për pamundësinë e mbylljes së një krijuesi të përmasave të tilla brenda kornizave të gjuhës, kombit dhe hapësirës që ai i takon dhe ku ai vepron. Përkundër pengesave që paraqet procesi teknik i përkthimit të fjalës artistike nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, si dhe disa pengesa të tjera ordinere, vlerat e tilla nëpërkëmbin çdo kufi të mundshëm dhe prekin denjësisht kulmin e artit të përbotshëm poetik. Ja, ky është shkaku i interesimit të rretheve të huaja letrare për poezinë e Shaip Beqirit! Kush e ka lexuar poezinë e Shaip Beqirit në gjuhën gjermane nuk ka mundur të paramendojë se ajo poezi, të cilën ai krijon, nuk është e shkruar nga ndonjë bashkëkombës i tij. (Për këtë një meritë të madhe ka edhe përkthyesi H. J. Lanksh për përkthimin në gjermanisht që i ka bërë kësaj poezie). Pra nuk ka gjuhë ku muzikaliteti dhe forca e këtij poeti nuk do të mund të përvetësonte bindshëm shpirtin e përjetuesit (lexuesit) të poezisë. Ky është një fakt që nxjerr në pah universalitetin e pakontestueshëm të lirikës së Shaip Beqirit, lirikë që nuk mund të konsiderohet si një pasuri vetëm e letërsisë kombëtare, por edhe si perlë në gjirin e artit të përbotshëm poetik.

7. GJUHA
Vëllimi me poezi “Flatrat e gjymta”, i botuar në vitin 1983 në Prishtinë, është një konfirmim fuqiplotë i forcës së fjalës artistike shqipe, fjalë dhe gjuhë e cila nga vetë natyra e saj është lirike, vetëm se është dashur të lindin mjeshtrit që dinë t`ua japin në mënyrë kompetente vlerave të saj vendin që u ka dhënë poeti Shaip Beqiri.
Bernë, 1996

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.