FATI I DASHURISË NË TREGUN E ZI

Ka plotë njerëz që standardin e vetë jetësor në perendim përpiqen ta rregullojnë nëpërmjet një martese fiktive. Shumë të rinj e të reja të hipnotizuar nga qëllimi i pasurimit dhe sigurimit të qëndrimit në perendim u nënshtrohen diktateve të ndryshme për vite me rradhë. Diktate këto, që kanë të bëjnë me poshtërimin  e tyre si: skllav seksual, pastrues, shëtitës qensh e macesh etj. Ata pranojnë gjithçka vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e ngulitur në kokë, kështu duke varfëruar e poshtëruar dinjitetin  dhe karakterin e tyre si njerëz.

Po të qëndrosh një kohë të caktuar në mesin e një familje të përzier do të vëresh se ke të bësh me një urë jashtëzakonisht të qëndrueshme dy kulturash dhe mentalitetesh që komunikojnë në mënyrë të mrekullueshme në mes veti. Është dashuria e sinqertë ajo që ka mundësuar bashkimin e dy gjuhëve, dy traditave, kulturave dhe dy njerzve me identitete të ndryshme kombëtare. Cdo martesë , e cila ka rezultuar nga dashuria e vërtetë është e suksesshme dhe e përjetshme. Ato martesa që janë bërë nga arsye të të tjera si: mëshira, sigurimi i vizës „B“, apo diçka tjetër dështojnë. Dhe jo vetëm kaq, ky dështim në të shumtën e rasteve sjell pasoja vërtet serioze, tejet të ngatrruara.

Anekënd rruzullit tokësor, veçanarisht nëpër shtetet e varfëra janë krijuar agjenci speciale për martesa. Çdo femër apo mashkull që do të kalojë jetën në perendim ka mundësi të paguajë një shumë të caktuar të hollash që t`i sigurohet burri. Ndërsa mashkullit që do të martohet dhe ka porositur femrën sipas shijes së vetë, i merr të hollat agjencia tjetër ku ai është paraqitur. Kontrabanda me martesa, tash më është bërë me traditë. Shumë të rinj e të reja bëjnë udhëtime të gjata duke qenë të frymëzuar nga ky akt, për të siguruar jetën e tyre. Ata martohen dhe presin katër vjet apo më shumë (varret nga ligjet e shtetit ku jetojnë) për të qenë plotësisht të lirë për të kontrolluar fatin e jetën. Mirëpo ëndrra e tyre thehet përgjysmë kur ata ballafaqohen me pasojat që lindin pas kësaj periudhe kohore, gjatë së cilës vuajtja dhe çrregullimet janë pikat kryesore të rendit të ditës.

 PASOJAT E NJË ËNDRRE UDHËTUESE

Familja Lokaj nga Ferizaji shet një hektar tokë për të siguruar të hollat e udhëtimit për të birin e tyre Florimin, të cilit ia mbushur mendja të udhëtojë jashtë vendit. Qysh në kohën e paraqitjes së kësaj ideje, ai ka ditur për stacionin e tij të fundit- Zvicrën. Sipas informatave që ai ka tubuar nga vendësit e tij me qëndrim të rregulluar në këtë shtet; ky vend ofron mundësi të pakufizuara për çdo njeri që do të rregullojë standardin e jetës. Për Florimin dhe çdo të ri në botë, kjo është ëndrra më frekuentuese dhe normale, që përdoret për të zbutur forcën e frikës nga detyrat e koklavitura të jetës. Florimi, në mënyrë të vet, e gatuan mirë këtë plan në kokë. Për të është shumë me rëndësi që mos i zhgënjejë prindërit: „Ata sakrifikuan pjesën më të mirë të tokës për të më hapur mua udhët e jetës“ -thotë ai sot, pas katër viteve.

Në shtator të vitit 1992, me ndihmën e një agjencie turistike, udhëton Florimi për në Zvicër. Në fillim Florimi paraqitet si azilkërkues. Pas katër muajve merr përgjigjen negative dhe i caktohet një afat prej një muaji që të lëshojë Zvicrën. „Ku të shkoja? Me çfarë fytyre do t`iu dilja para syve prindërve të mi…“ dhe një varg pyetjesh tjera që ky i ri, pa përvojë dhe i ngarkuar me plotë detyrime, i bën vetes. Ky i ka premtuar familjes së tij; „nuk do të vuani gjatë kohë, së shpejti do të fillojë të ju dërgojë të holla“. Këto janë fjalët e përziera me lotë gjatë kohës kur nëntëmbëdhjet vjeçari përqafon të jëmën para nisjes. Për shqiptarët e Kosovës ky është një premtim i rëndë. Një premtim që duhet patjetër realizuar, ashtu siç është zakoni, me besa-besë. E vetmja alternativë, që i mundëson Florimit qëndrimin në Zvicër është martesa. Me kë? Për këtë do të kujdeset një kushëri i tij, i cili me vite të tëra është duke jetuar në Lucern. Ai njeh një njeri që merret me këto punë. I riu mendjevirgjër nga Ferizaji habitet kur dëgjon se edhe për kësisoj çeshtjes paska njerëz të angazhuar „profesionalisht“.

 DHJETË MIJË FRANKA SI PARADHËNIE

Shkurt 1993. Para Entit Civil të qendrës së qytetit të Lucernit, një shqiptar dhe një zvicerane presin kohën e caktuar për t`u futur brenda. Pa krushq, pa shoqërues, pa asnjë dëshmitarë. Florim Lokaj, nëntëmbëdhjet vjeç dhe Sabina. Sabina Wyser para një muaji ka mbushur vitin e tredhjet e gjashtë të jetës së saj. Kjo gjë nuk i pengon Florimit. Ai dhe ajo e dijnë se kjo është një martesë e montuar vetëm sa për të fituar të drejtën e qëndrimit në këtë vend. Këto të dy, para aktit të kurrorizimit nuk janë parë kurrë më herët. As që ka qenë e nevojshme. Dhjetë mijë frankat (burrimi i të cilave është nga toka e shitur e prindërve) që Florimi i ka paguar kësaj zonje, me një peshë prej njëqind e dhjetë kilogramësh, i ka bartur „ndërmjetësuesi“, poashtu shqiptar nga Gjilani i Kosovës. „Më erdhi shumë turp në çastin kur gjendesha para nëpunësit të Entit Civil. Kisha përshtypjen sikur ai e dijnte krejt këtë gjë. Distanca dhe sjellja e tij arrogante ndaj Sabinës më shkaktoi një frikë të ftohtë në shpirt“, kujtohet Florimi duke përshkruar me saktësi ceremoninë e rrejshme të martesës së tij të parë.

TRYSNITË E PËRDITSHME TË GRUAS ME KURORË TË SHUMËFISHTË

Në mes Florimit dhe Sabinës (kupto: ndërmjetësuesit)  ekziston një kontratë; dhjetë mijë në fillim, dhe për çdo muaj nga katërqind franka. Afati; katër vite. Fatmirësisht, një muaj pas martesës Florimi gjen punë në një restorant të mirë, ku paguhet tremijë e pasqind franka në muaj. Kur Sabina vëren këtë gjë kërkon ndryshimin e kondicionit të kontratës nga katërqind në pesqind franka në muaj. Florimi është i detyruar të pranojë. Arsyeja: ajo ka edhe një fëmijë shtatëvjeçar, për të cilin Florimi deri pas martesës nuk ka ditur gjë. Senzacionalja: fëmiun Sabina e ka me „ndërmjetësuesin“, që i ka „ndihmuar“ Florimit për të rregulluar qëndrimin në Zvicër. Ndërkohë, i riu nga Ferizaji zbulon gjithashtu se ky është burri i shtatë me radhë i kësaj gruaje të palodhur për të vënë kurrorën me kë dhe sa herë t`i ofrohet mundësia e përfitimit. Përveç trysnisë financiare që Florimi detyrohet të durrojë gjatë gjithë kësaj kohe, atij i bëhet presion edhe në shumë sfera të tjera. P.sh; sa herë që dehet „shoqja“ shkon ne vëndin e punës së tij dhe kërkon të holla apo pije. E thirr në telefon dhe kërkon nga ai që t`ia ruajë fëmiun deri sa të kthehet nga ndonjë miniaventurë, etj.etj.

Mars 1996. I lodhur nga kjo gjendje Florimi bën veprimin e domosdoshëm: padit Sabinën dhe shitësin e saj. Për gjithë këtë kohë Sabina & Co. kanë marrë, sipas llogarive të palës dëmtuese, 32 mijë franka zvicerane. Gjatë deklarimit në organet përkatëse kupton se policia njeh mirë problemin në fjalë. Ata dijnë bukur për aktivitetin e kompanisë së Sabine Wyserit. Ajo nuk është vetë. Me të janë edhe shtatë femra të tjera që jetojnë nga kjo lloj tregëtie. Viktimat e tyre i sigurojnë nëpërmjet ish-burrit të saj nga Gjilani. Kontrabandë me martesa. Shitje kurrorash!

HUMANITETI SI MASKË

Në pjesën industriale të qytetit të Lucernit gjejmë banesën e Sabinës. Dielli i mëngjesit i bën mirë fytyrës së saj të bardhë. Është shtrirë në një shezlongë dhe nevrikoset me çdo qenie që për një apo dy sekonda i vjedh ngrohtësinë e rrezeve. Fëmiu është duke luftuar me ca mbeturina të një veturë të shkatrruar para shtëpisë ku banon ajo. Në fillim mendoi se jemi nga „Betraibungsamti“ (Ent, ky për probleme financiare): „Neii, wieder fo betribigsamt, jedi tag, virkllëh ish c`koce…“ (dial: Joo, përsëri nga …çdo ditë, vërtetë është për të vjellur). Kur i treguam se nuk jemi prej atje nga pandeh, ajo u lehtësua. I thamë se jemi të interesuar për procesin gjyqësor që ka me Florim Lokajn. „Nuk është e vërtetë se i kam marrë dhjetëmijë franka. Ndërsa nga treqind franka në muaj më ka dhënë në formë ndihme. Më besoni ai mund të improvizoj tani gjithçka, por nuk është e vërtetë…“. Deklarata e Sabinës është totalisht në kundërshtim me ate të Florimit. Ajo pranon se me Florimin është njohtuar nëpërmjet ish-burrit të saj, mirëpo jo në ate mënyrë si e paraqet „burri“ i saj në ndarje e sipër. „Mua më erdhi keq sepse më fliste për situatën e rëndë në Kosovë, se gjoja e kërkojnë ushtarë dhe unë pranova propozimin e tij. Këtë nuk e kam bërë vetëm për të, para tij kam ndihmuar edhe të tjerë“, pranon Sabina, duke qenë e bindur se ne jemi duke e besuar. Për ndonjë dënim që mund të pasojë nga akuza e Florimit ajo shprehet kështu: „kështu janë shqiptarët, u bënë mirë, pastaj të kërkojnë llogari për këtë!“. Ndoshta edhe do ta besonim Sabinën, sikur të mos kishim biseduar edhe me palët e tjera, të involvuara në këtë teatër sa komik aq edhe rrëqethës.

PERVERSITETI I NJË FENOMENI

Ky fenomen  është edhe një fakt se në ç`shkallë perverziteti dhe kontrabandimi të shpirtit dhe të fatit mund të të sjellë karakteri i dobët, i cili është në gjendje të shfrytëzojë fatin dhe dashurinë e të tjerëve me qëllim për t`i krijuar vetes komoditet në jetë

Diku afër stacionit hekurudhor me zor zbulojmë zyrën e avokatit të Florim Lokajt. Z. Jozef K.është i qartë në qëllimin e vet; „Do të fitojmë procesin. Kam të dhëna për gjithë veprimtarinë e kësaj bande. Më vjen mirë që gazeta juaj i ka hyrë në gjurmë kësaj kontrabande perverse. Të huajt duhet të kuptojnë se martesat artificiale nuk mund t`u ndihmojnë atyre për të gjetur vendin në një shoqëri të panjohur, por përkundrazi i shkatrrojnë ata“. Avokati i Florimit ka të drejtë. E gjithë kjo aventurë viktimëzuese F. Lokajt i ka kushtuar rreth dyzet mijë franka. Kështu që në fund ka mbetur me shumën e marrë në fillim, nga familja. Koha e humbur deri tani, duke pastruar banesën e Sabinës, duke ruajtur fëmijën e saj dhe të gjitha problemet që ajo i ka sjellur për çdo ditë, është komponenti kryesor që tërbon nga dita në ditë sa më shumë shpirtin e tij, tani njëzet e trevjeçar.

PAFUQIA E LIGJIT KARSHI SHEJNTËRISË SË MARTESËS

Inspektori W. T. që na pranoi për të biseduar rreth këtij rasti që në fillim tha: „Shikoni, mund të më pyesni se si zhvillohet e gjithë kjo kontrabandë, mirëpo ju lutem mos më pyetni se si mund të ndalojmë atë. Ne nuk na mjafton vetëm deklarata e një viktime si Florim Lokaj për të bërë diçka, më së shumti kur kemi parasyshë përvojën e gjatë të Sabinës në këtë drejtim…“. Gjatë bisedës me këtë nëpunës të policisë mësuam se përmasat e këtij fenomeni nuk përmblidhen vetëm me problemin e Florim Lokajt. Sipas tij, në Zvicër ky lloj kriminaliteti është në lulëzim e sipër. Viktimat janë të të gjitha anëve. Bile, inspektori na siguroi se edhe në Zvicër ka grupe të caktuara kriminelësh që merren vetëm me këtë lloj tregtimi. Ligji, sa u përket çështjeve të tilla, është shumë i butë, kur kihet parasyshë shejntëria dhe roli i martesës në shoqëri. Sidomos në një vend si Zvicra, ku bashkëshortësia shënon kulmin e deficitit. Rasti i Florimit është një ndër të shumtët, ku shqiptarët luajnë rolin e viktimës, „ndërmjetësuesit“, mashtruesit, etj.

AKTRIMI I MASHTRIMIT KATËRVJEÇAR

Ora 14.15. Salla numër 214 në Gjykatën e Bernës. Gjykatësi lexon vendimin numër 187/96-sb dhe shpall ndarjen ligjore në mes bashkëshortëve Fejziu. Pas katër viteve ndahet Suzana L. nga shoqi i saj Bashkim Fejziu nga Shkupi. Po që se njeriu bazohet nga ambienti që mbizotëronte në ato momente do t`i krijohej përshtypja e një marrëveshje të heshtur në mes palëve në konflikt. Që të dy, qetësisht e në drejtime të kundërta vazhduan rrugën e tyre të jetës, si të mos kishte ndodhur kurrgjë e jashtëzakonshme. Si ka mundësi njeriu të bëhet aq i ftohtë dhe i pandjenjë përballë një të shkuare përplot momente si të lumtura ashtu edhe të zymta, ashtu siç e ka zakon të jetë loja e dashurisë. Apo në mes këtyre dy njerzve shpirt-hekur rolin kryesor e ka luajtur, si në rastet tjera „viza B“. Bashkim Fejziu nuk pranoi të bisedojë me ne për këtë gjë. Bile edhe mu  kërcënua se;  po shkruajta për rastin e tij do të mi „thejë hundët“. Natyrisht që do të bëhem i dëgjueshëm në këtë rast, duke lënë ate jashtë lojës dhe duke vendosur që të bisedojë vetëm me ish – shoqen e tij Suzanën.

Para katër viteve, në një demostratë të të huajve në sheshin e Bernës, Suzana njohton djaloshin simpatik dhe tërheqës nga Shkupi . Ai ka qenë duke ndarë afishe për një parti, të cilës Suzana nuk ia mban emrin mend. Pas dy a tre takimeve ka filluar romanca në mes këtij çifti të një moshe (32). „Ishte dhjetor. Ai ende nuk kishte siguruar garancionin për vitin e ardhshëm. Unë i propozova që të martohemi, pasi këtë e kishim biseduar më herët dhe ishim duke pritur momentin adekuat për një veprim të tillë…“. Suzana udhëton për në Shkup dhe lidhë kurrorë me Bashkimin. Ajo është shumë e gëzuar që njeh familjen e tij. Pas ardhjes në Zvicër ajo angazhohet dhe i gjen një vend punë në një shitore veturash. Për nga profesioni Bashkimi është inxhinjer i automobilistikës. Dy vitet e para, sipas Suzanës, kanë qenë vërtet shumë të mira. Vitin e tretë, Bashkimi ka filluar të bëhet shumë agresiv, bile në raste të veçanta ka përdorur edhe dhunën. Vitin e katër kjo sjellje e tij arrin kulmin. „Tërë kohën kërkoja arsyen e agresivitetit të tij. Nuk dija se ç`të bëja. Isha shumë e dashuruar tek ai dhe kisha frikë që mos e humbi“. Tek gjatë procesit gjyqësor kupton Suzana se familjen, të cilën ajo ka vizituar në Shkup nuk ka qenë e tija. Në Shkup, qysh para njohtimit me Suzanën, ai ka pasur dy fëmijë që tani janë tetë-nëntë vjeçarë dhe një grua shumë të sjellshme (Suazana gjatë procesit udhëton për në Shkup dhe njohton familjen e tij të vërtetë). „Nuk kam parë aktorë më të mirë. Inxhinjeria është profesioni i tij i gabueshëm“ thotë Suazana duke qeshur me zor. Krejt e qartë: Bashkim Fejziu ka shfrytëzuar këtë grua të bukur me një kulturë të gjërë, për të siguruar lejeqëndrimin në Zvicër. Dhe e ka arrirë këtë, falë zemërgjërsisë së Suzanës që mos „çojë shumë pluhur“ gjatë procesit. Suzana nuk është një femër dosido, që mund ta gjesh për çdo natë në barin e ndonjë kafeterie ku kalojnë natën endësit e qyteteve të mëdha. Ajo është mjeke specialiste e pediatrisë, anëtare e kryesisë së organizatës ndërkombëtare „Mjekët pa kufinj“ dhe aktiviste nëpër shoqatat e ndryshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të huajve, të grave, etj. Në moshën njëzet e dy vjeçare ka vizituar Prishtinën dhe ka bërë dy kurse në gjuhën shqipe. Njeh mirë veprën e Ismail Kadaresë, poezinë e Podrimjes, Martin Camajt etj. Frika që mos vallë kjo mike e mirë ka ndryshuar mendimin për shqiptarët na shtyri që ta pyesim me gjysëm zë: „Tani më nuk keni simpati për shqiptarët si më parë apo?“. U qesh në atë mënyrë sa që na erdhi turp për pyetjen që i parashtruam. “ Kultura, morali dhe temeperamenti shqiptar për mua vazhdojnë të mbeten fascinanuese ashtu siç kanë qenë para se të njohtoj Bashkimin. Ai ka kontrabanduar me shpirtin tim për të siguruar ekzistencën e tij. Dhe më besoni se unë do ta kem më lehtë se ai, në qoftë se në karakterin e tij luan ndonjë rol, qoftë edhe një fije, ndërgjegja njerzore“. Suzana është një intelektuale e vërtetë që nuk ka merituar një trajtim të tillë. Po ja që shpesh-herë, dashuria dhe shpirti nuk përfillin trurin dhe veprojnë sipas kriterieve të tyre.

MARTESA NGA HALLI APO DASHURIA

Në Entin Civil takojmë z. Fassbind , një burrë i moshuar me plotë vitalitet për punë dhe për bashkëbisedim. Pas tij qëndron një përvojë njëzet e pesë vjeçare në këtë Ent. Ai që nga shikimi i parë e di se cili i është shkaku i kurrorizimit: „njerzve mund t`ua lexosh në sy arsyen e martesës; se a e kanë nga dashuria apo halli. Ky është një fenomen që akush nuk mund t`ia ndalë turrin. Shpesh vijnë shqiptarë fare të rinj dhe martohen me gra plaka. Apo me femra të tilla që janë manjake seksuale…“. E vërtetë: shumë të rinj e të reja të hipnotizuar nga qëllimi i pasurumit dhe sigurimit të jetës në perendim u nënshtrohen diktateve të ndryshme për vite me rradhë. Diktate këto, që kanë të bëjnë me poshtërimin  e tyre si: skllav seksual, pastrues, shëtitës qensh e macesh etj. Ata pranojnë gjithçka vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e ngulitur në kokë për t`u pasuruar, kështu duke varfëruar e poshtëruar dinjitetin  dhe karakterin e tyre si njerëz.

Sipas një burimi zyrtar, të dalë kohëve të fundit nga Qendra Informative  për Martesa me të Huajt ( Auskunftstelle für Ehen mit Ausländern – Bern)  ka më se njëmijë shqiptarë të rinj që i janë nënshtruar një martese të tillë. Dhe më se pesqind femra, kryesisht të ardhura nga Shqipëria, të martuara me pleq po për të njejtat arsye. Në të shumtën e rasteve, gjë që është e pazakonshme për karakterin e shqiptarëve, familjet janë të informuar dhe dijnë për aktivitetin e fëmijëve të tyre në këtë drejtim. Ky është edhe një fakt se në ç`shkallë perverziteti dhe kontrabandimi të shpirtit dhe të fatit mund të të sjellë karakteri i dobët, i cili është në gjendje të shfrytëzojë fatin dhe dashurinë e të tjerëve me qëllim për t`i krijuar vetes komoditet në jetë.

Këto raste përshkruajnë një fenomen që është në ritje e sipër. Fenomen ku janë të involvuar të gjithë popujt, pavarësisht nga gjendja dhe standardi i tyre. Florim Lokaj, Sabine Wyser, Suzana L. janë vetëm disat nga viktimat e shumta në këtë drejtim. Mirëpo kjo nuk është fotografia e  martesave të përziera, temë kjo, që revista jonë do t`a trajtojë në numrat e ardhshëm të saj.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.