Kolonia e shkrimtarëve në ekzil

Letërsia që krijohet në diasporë nuk është ndonjë letërsi e veçantë brenda letërsisë shqipe, por pjesë e pandashme e saj. Si e tillë ajo është pjesë integrale dhe njëkohësisht përbërese e jetës së letrave të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Çdo tendencë, për ta shpallur atë si një letërsi minore ose të paqenë dhe atë vetëm për shkak të pozitës sociale e gjeo-fizike të bartësve të saj, do të ishte një aventurë joshkencore dhe mund të cilësohet si një hakmarrje naive karshi biografive individuale të krijuesve që jetojnë jashtë vendit, pra një përpjekje e tillë do të kishte karakter jashtëletrar.

I. Harta sociale e Letërsisë Shqipe
Si tek të gjitha letërsitë tjera ashtu edhe në përbërjen e Letërsisë së sotme Shqipe ekziston një hartë sociale e saj. Hartë sociale, e cila është imponuar nga faktorë të ndryshëm politikë, ekonomikë e demografikë dhe që “ndanë” letërsinë shqipe në disa pjesë dhe atë në: Letërsi Shqipe të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë dhe të Diasporës (ku përfshihen edhe arbëreshët e famshëm me tipicitetin e tyre krijues të lashtë), pra një ndarje e krijuar nën diktatin e kushteve gjeografike, politike e sociale. Me këtë “problem socio-gjeofizik” nuk është e përballur vetëm Letërsia Shqipe, por pothuaj një pjesë e konsiderueshme e letërsive të popujve të ndryshëm të botës. Përderisa shqiptarët përpiqen nga ky fenomen të krijojnë një “çështje delikate”, për shkaqe krejtësisht joletrare e të konkurrencës, popujt tjerë e konsiderojnë këtë element si një pasuri, që sjell intensitet dhe shumëngjyrshmëri në letërsitë e tyre.
Në kokën e disa teorikëve, kritikëve dhe letrarëve shqiptarë ende nuk mund të depërtojë fakti se sido që të shkruajë Milan Kundera, frengjisht, çekisht apo kinezisht ai mbetet një individ, një shkrimtar çek dhe pavarësisht nga domicili i tij parisien ai mbetet një shkrimtar që i takon letërsisë çeke, pra është një çek që shkruan në gjuhë të ndryshme. Të vetmet pyetje që mund të parashtrohen në këtë drejtim janë; a mendon Kundera si një çek që jeton në Pragë, a e preokupojnë Kunderën të njejtat probleme siç e preokupojnë një koleg të tij që jeton në një fshat të zhytur të Çekisë, e të ngjajshme?
Shekuj me rradhë krijuesit e botës kanë shkruar vetëm në latinisht dhe kanë qenë të gjithë, pothuaj të grumbulluar në një qendër, siç ka ndodhur në kohën e Perandorive të mëdha, mirëpo ata kanë mbetur shkrimtarë të popujve që u kanë takuar.
Elementet dalluese në mes kolonive të ndryshme krijuese të një kulture, në esencë dhe parim kanë të njejtën strukturë me ato elemente që përcaktojnë dallueshmërinë në mes të individëve krijues, ndërsa në groplan shfaqen edhe karakteristika tjera fine që kanë të bëjnë me ndikimin e kulturës dhe problemeve që mbizotërojnë jetën e krijuesit në hapësirën ku jeton. Karakteristika të njejta që i has kur bën krahasimin në mes të një shkrimtari tiranas dhe atij nga Vlora. Çkado që t’i dallojë ata për nga tematika, stili, dhe gjithçka tjetër, identiteti i tyre nacional, gjuhësor, kulturor etj. i përbashkon në një qendër, në atë të Letërsisë Shqipe.
Nga kjo pikë, me këtë parakusht, me këtë bindje dhe vetëdijësim mbi ekzistencën e një harte sociale e jo letrare shqipe mund të flasim për njërën nga pjesët (prapë:socio-gjeofizike) e Letërsisë Shqipe, siç është rasti kësaj radhe; për krijuesit që jetojnë jashtë atdheut, për letërsinë që krijohet në diasporë!

II. Romantikët e postmodernës
Nuk janë të rrallë ata autorë mendjelehtë (të stimuluar nga ca kuazi njohës të huaj të letërsisë shqipe në Kosovë) që jetojnë në diasporë dhe që konsiderojnë veten si shkrimtarët romantikë shqiptarë, pra e krahasojnë “misionin” e tyre me atë të Frashërve, Çajupit, Konicës etj, natyrisht duke u thirrur në statusin e tyre prej të emigruari. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që tek qarqet e brendshme (në vend) letrare ka shkaktuar një alergji apo xhelozi deri në atë nivel saqë të kalohet në injorimin absolut të gjithë atyre krijuesve që jetojnë jashtë.
Gjatë një interviste me revistën e njohur letrare zvicerane “Feuxcroisés”, njëri nga shkrimtarët më të proklamuar shqiptarë në Zvicër, Shaip Beqiri, konstatimit të redaktorit të gazetës se “Shqipëria dhe Kosova kanë një traditë të madhe në krijimin e letërsisë në ekzil, i përgjigjet në këtë mënyrë: “Është e vërtetë. Mirëpo kësaj rradhe nuk është ashtu. Gjithçka duhet bërë; institucionet, kritikën, mirëpo atje, në vend. Mbitëgjitha unë jam individualist. Unë nuk e ndjej veten ashtu sikur të kem një mision për të krijuar një evulim të letërsisë shqipe”. Ky nuk është vetëm qëndrimi korrekt i një poeti, por një realitet që ngatrron ndjenjat e ca ëndrrimtarëve të diasporës, kur konfrontohen me faktin se ka perënduar koha e “letërsisë kolektive”, pra fshehja pas turmës, ka kaluar koha e ekzilit romantik shqiptar. Tash gjendemi në epokën e një individualizmi të ashpër ku çdonjëri duhet të dëshmojë veten me vlerat që ka.

Ashtu si në atdhe edhe jashtë kemi të bëjmë me letrarë të dëshmuar, asish që gjenden në luftën për krijimin e identitetit, autorë pa asnjë perspektivë, bukolikë etj. Që do të thotë se për nga struktura e vlerave dhe kategorizimi i individëve krijues sipas stilit kemi të bëjmë me një situatë të reflektuar nga atdheu prej nga vijnë autorët. Dallimi dominant dhe pothuaj i vetëm në plan më të gjërë, në mes atyre që gjenden në atdhe dhe këtyre jashtë, mbetet ai i preokupimit, pra i tematikës, e cila është specifike, pra pozita e të krijuarit nga mërgimi.

Po kush janë autorët që jetojnë në diasporë? Cili është ndikimi dhe roli i tyre në jetën letrare, kulturore e prezentuese të kolonisë së shkrimtarëve shqiptarë në diasporë?

III. Prezentimi i dobët
Kolonia e shkrimtarëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut, duke u bazuar në numrin e autorëve, qendrën e saj aktulisht e ka në Zvicër. Në këtë vend jetojnë më se 40 autorë librash, kryesisht me poezi. Ndër ta gjenden edhe një numër fare i vogël prozatorësh. Në Gjermani, ku numri i mërgimtarëve shqiptarë është pak më i madh se sa ai në Zvicër numri i autorëve është më i vogël e mos të flasim më për vendet tjera.
Si shkrimtarë që vetvetiu, d.m.th. për shkak të interesit të vendit ku jetojnë, janë shndrruar në përfaqësues të kolonisë letrare në botën gjermanofone llogariten Shaip Beqiri si poet dhe Beqë Cufaj si publicist (edhepse edhe ky është poet), njëri me banim në Zvicër e tjetri në Gjermani. Përderisa për të dytin assesi nuk mund të flitet se ka ndonjë rol dhe ndikim në qarqet letrare e as në ato kulturore të diasporës shqiptare, Shaip Beqiri, përveç se është njëri nga krijuesit më të ftuar në lexime para opinionit zviceran si dhe më të prezentuarit në shtypin e vendit, ai, merr pjesë aktive edhe në organizimin e jetës së autorëve shqiptarë në diasporë, gjë që e vuri atë në krye të asociacionit të vetëm letrar (dhe vetëm letrar) në këtë hapësirë, Klubit “Faik Konica” me seli në Zürich.
Vetë fakti i interesimit dhe prezentimit të këtij autori në mediat kryesore të kësaj hapësire – pa insistimin e tij –është një kallëzues plus për vlerat e poezisë së këtij autori, të cilat për ne shqiptarët janë të njohura, para se atë ta zbulojë skena letrare gjermanofone.
(Qëllimisht vë theksin në konstatimin »pa insistimin e tij«, për arsye se në mesin e autorëve shqiptarë qarkullon edhe ky spekulim për njërin prej tyre. X, për të depërtuar në mediat zvicerane sajon një histori të largimit të tij nga ky vend me qëllim për tu kthyer më vonë prapë si i përndjekur. Kësaj rradhe me një manuskript të përkthyer ndër sjetull, me dy sponzorë (natyrisht prej atyre që kanë agjenci udhëtimi) të siguruar, arrin që të fusë në botim poezitë e tij në një shtëpi botuese të Zürichut. Deficiti: Ai mund të lavdërohet vetëm para shqiptarëve se ka një libër me poezi në gjermanishte, për arsye se interesimi letrar zviceran ndaj poezisë së tij është i barabartë me zero. Pra një onani që për letërsinë shqipe nuk ka asnjë peshë dhe madje dëmton atë prezentimin e denjë, për të cilin folëm më lartë. Një aksion (nëse qëndron) që nuk duhej të ishte, sepse autori i apostrofuar nuk është pa vlera, prandaj edhe rradhitet si një krijues me vlera serioze, të diasporës letrare!)

IV. Poetë dhe …
Siç u përmend më lartë, kolonia e krijuesve shqiptarë të diasporës, përbëhet nga autorë që shkruajnë poezi, përpiqen të shkruajnë vjersha dhe prej dandyve që bëjnë sikur shkruajnë poezi.
Autorë tjerë, përveç Beqirit, që janë të dëshmuar (në vend) dhe pas vete kanë një biografi letrare për respekt e që jetojnë jashtë janë edhe; Ymer Shkreli, Agim Mala, Skënder Buçpapaj dhe Mustafë Xhemaili. Fatkeqësisht dy të parët janë larguar nga jeta letrare dhe si të tillë nuk janë prezentë në jetën letrare të diasporës, ndërkaq i treti madje është bërë skllav i një publicistike jashtë skemave të normalitetit profesional.

a) Sinishtaj, Gecaj, Berisha, Cufaj …
Ndër autorët, të cilët veprën (pjesërisht jo krejtë) e tyre e kanë shkruar gjatë qëndrimit në diasporë dhe që kanë vlera letrare, pra që mund të konsiderohen si poetë me plotë kuptimin e fjalës, dallohen: Valdet N. Berisha; një epigonist i përkryer shkrelian. Beqë Cufaj; tek i cili vërrehet një pasuri e jashtëzakonshme tematike si dhe një aftësi për të krijuar poezinë aktuale që përpinë, me një stil të veçantë shqiptar, por sipas konditave të lirikës së përbotshme moderne. Sabit Gecaj; këtë e bën të veçantë mekanizmi që ka zhvilluar për t’a shndrruar çdo poezi në imazh real. Ndue Sinishtaj; me gjuhën dhe botën e tij origjinale të Malësisë së Madhe si dhe me një stil që të përkujton Camajn, prej të cilit duket se është i frymëzuar, por me një identitet të vetin. Brahim Avdyli i spontanitetit dhe vullkanizimit të vargut deri në përmasat e një himni mbi kohët dhe veten. Raze Smajli; e një strukture të përkryer të komunikimit poetik. Ferdinand Laholli që dallohet nga poezia e sentencës filozofike dhe Vaxhid Xhelili me një simbol (Etleva), stil dhe botë të veçantë tematike, të arrirë artistikisht; me një përpjekje të dukshme për instalimin e një fjalori të modës në gjuhën lirike si dhe dallohet për karakterin universal që i jep mesazhit të tij poetik.

Si autorë me perspektivë që jetojnë në diasporë mund konsiderohet edhe Isuf Sherifi, i cili me përmbledhjen e dytë “Ndarjen nuk e nënshkruaj” ka kultivuar një lirikë të bukur konkrete.

b) Ata të “nënmesatares solide”
Kategorisë më me pak vlera ose siç shprehet një njohës i mirë i letërsisë, e sidomos i skenës letrare të diasporës, atyre që gjenden në shkallën e “një nënemesatareje solide”, i prinë autori maratonë (për nga botimi i librave) Naim Kelmendi, i cili , tashmë ka botuar më se dhjetë libra dhe ende nuk ka pasur sukses që së paku të kthehet në ato vlera minimale që ka pasur në botimin e librit të parë të tij. Fatkeqësia e këtyre autorëve, kryesisht vetëbotues, bëhet edhe më e dukshme kur vërjejmë se në veprimtarinë e tyre krijuese, libër pas libri, nuk mund të flitet për një lëvizje që do të sinjalizonte ndonjë shpresë perspektive e prosperimi drejt korrigjimit të vlerave në drejtim pozitiv. Në këtë grup, edhe pse me më pak vlera se Kelmendi, por që megjithatë, pas një kërkimi të mundimshëm mund të gjejmë diçka, bëjnë pjesë edhe Ganimete Leka, Gëzim Ajgeraj, Avni Dehari e tjerë të këtij kalibri.

c) Bukolikët dhe fenomenë të tjerë
Pjesën më të madhe të autorëve e përbëjnë, pothuaj si në çdo letërsi, atë që janë të dashuruar pas poezisë, mirëpo që u mungon një dhunti e tillë. Autorë që dikur dorrëzohen përballë faktit të pamundësisë për të krijuar poezinë dhe të atillë që nuk dorrëzohen kurrë, e dikur me ndonjë pjesë të “krijimtarisë” së tyre ia arrijnë të zënë ndonjë vend diku. Për arsye se numri i tyre është dominant dhe bezdisshëm i madh nuk ia vlen të humbim kohë duke materializuar mendimin se pse ata, janë jashtë çdo norme të krijimit letrar.
Kemi të bëjmë me përfaqësues (pjesërisht madje edhe të padenjë) këngësh bukolike, thënë popullorçe; me rapsod të odave dhe çobanëve, të cilat ngadalë po u perëndon koha, por që kanë ende podiumin e vetë. Shkronjës anakronik e “elegjistë” të pashije ose të atillë që kanë botuar ndonjë libër që më shumë janë të një natyre qëndrimesh të pakripta politike, të prera me gërshërë për tu dhënë formën e vargut, siç është rasti me librin tim “O ju shqipe” të botuar në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Në këtë listë, përkundër vullnetit të tyre të mirë dhe dashurisë ndaj artit letrar, porse s’kanë arritur të bëjnë diçka, mund të rradhiten edhe Isa Dërmaku, Januz Krasniqi,  Shaqir Ahmeti, Shemsi Makolli e të tjerë.
Autorë, të cilëve, qëndrimi në diasporë u mundëson keqpërdorimin e Shtëpive të varfëra Botuese në atdhe për të botuar manuskriptet e tyre komprometuese për vetë artin letrar. Fenomen dhe huj i keq që ndihmohet, tragjikisht, nga shtëpitë e varfëra botuese në atdhe dhe sidomos nga autorë të mirënjohur që lufta për ekzistencë i ka vënë në një pozitë të mjerrë.

V. Proza – sikur të na ishte!
Prej krijuesve që jetojnë në diasporë (përveç atyre që kanë kultivuar prozën në atdhe e këtu jo, si Ymer Shkreli, Agim Mala dhe Arbër Ahmetaj dhe kanë vlerat e tyre letrare) këtë gjini letrare e kultivojnë shumë pak emra në diasporë dhe atë: Fatmir Brajshori, Elvira Dones dhe Miradie Maliqi. Nga këta autorë, deri më tani një interesim të kënaqshëm në kantonin ku jeton ka arritur Elvira Dones, jo për shkak të vlerave artistike (edhe pse nuk janë absolutisht të mangëta) që kanë librat e saj, por për shkak të përmbajtjes gazetaresko-ekscesive. Tema si prostitucioni, kriminelët shqiptarë në Evropë e të ngajshme, në kohën kur shqiptarët përgojoheshin për të bëma të tilla, për qarqe të caktuara vendëse vepra e Donesit ishte literaturë e mirëpritur për të justifikuar qëndrimet e tyre politike-publike. Në këtë mënyrë ajo depërtoi në sallone të caktuara “letrare”, mirëpo pa jetë të gjatë. Në skenën letrare shqipe të diasporës ajo mban një qëndrim, si ai fatkeqi i Ymer Shkrelit; nënçmues e izolues ndaj krijuesve të tjerë.
Romansieri tjetër Brajshori posedon një arsenal të pasur imagjinativ, por bazor, lokal. Megjithatë thejshtësia e tij në shprehje dhe humor i jep atij një karakteristikë të veçantë për ta quajtur origjinal dhe me perspektivë në kultivimin e prozës, gjë që e dëshmon në tregimin e shkurtër, ku arrin më shumë të demostrojë art se sa në prozën e gjatë.
Gjë që nuk mund të thuhet për Miradie Maliqin, tekstet e së cilës nuk i plotësojnë as kushtet themelore e të qenurit prozë. Me gjithë respektin ndaj përpejekjes së saj të sinqertë e naive për të shkruar si dhe me gjithë mirënjohjen ndaj redaktorëve që janë munduar tepër për të nxjerë një roman prej shkrimeve të saja, nuk ka dalur asnjë shkëndije shprese se ajo një ditë do të arrijë të sajojë një vepër letrare.

VI. Përfundim
Nga vetë problemet e trajtuara më lartë shohim se kemi të bëjmë me probleme a fenomene krejtësisht identike me ato që kanë “letërsitë” e qendrave të tjera shqiptare. Vetëm tematika dhe domicili nuk i japin përparësi apo nuk e pengojnë një autor që ai të jetë i previligjuar apo i mohuar, ajo që përcakton identitetin e tij është vlera e jo dokumentet e identitetit mbi përkatësinë shtetërore. Ata individ që janë të suksesshëm në punën e tyre si krijues, sot a nesër, do të jenë pjestarë të nderuar të Letërsisë Shqipe, pavarrësisht se a jetojnë në xhungël apo në Hënë.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.