Tradhtia, poezia, shteti dhe poeti

Visar Zhiti, është një nga ata poetë që me poezinë e vet ngadhënjyen mbi diktaturën dhe kohën e servilitetit kolektiv shqiptar ndaj sistemit. „Mbjellja e vetëtimave“ në kokë të injorancës dje dhe sot, është edhe një dëshmi që, ky poet vazhdon të jetë një ndër krijuesit e rëndësishëm të letërsisë pasmoderne shqiptare.

visar_zhiti_itali1_390526748Poeti Visar Zhiti ka një ëndërr, një vizion të shqetësuar dhe dëshirë që nuk bie në ujdi me kohën. Ajo ec ngadalë për të, shumë ngadalë për qëllimet e tij. Ritmi i jetës së universit njerëzor duhet ndryshuar. Ai ka krijuar modelin e ardhshëm se si do të funksionojë vetëdija humane. Në çdo varg të poezisë së tij ka shpallur konditat dhe parakushtet nëpër të cilat duhet të kalojnë keqkuptuesit e idealitetit-njerëzit e shekullit. Thirrja e tij nuk është thjeshtë një sugjerim zemërmirë ndaj viktimës, por një urdhër i prerë që vjen nga një qenie, e cila është kundër çdo nënshtrimi dhe poshtërimi të ndjenjës dhe shpirtit. Nga ai nuk kërkohet mirëkuptim por kthjellim, ikje nga turbullimi i përjetshëm dhe ngjitje në shkallët e para të ardhmërisë superiore, ku do të sundojë ndjenja me dinjitetin e saj të pathyeshëm. Përpjekja e tij për të arritur këtë kthesë të domosdoshme në vetëdijen e copëzuar njerëzore, shkrihet e tëra në poezi dhe nga poezia në vetëtime që djeg, ngacmon trurin human në nervin parazit. E shtyn atë të mendoje mbi veten, mbi kërkesat e kohës dhe arsyen e mbijetimit. „Mbjellja e vetëtimave“ në trurin e shtangur dhe të pashfrytëzuar të qenies që ka harruar veten diku, atje larg, disa shekuj pas.

RËNDËSIA E PËRBASHKIMIT
Fuqia sugjeruese në poezinë e këtij autori është një sintezë që kërkon një kujdes të konsiderueshëm gjatë interpretimit. Lehtë mund të pushtohemi nga ana magjike e saj dhe pavetëdijshëm të ngushtojmë tërë spektrin tonë vetëm në një pikë të caktuar, gjë që do të përjashtonte mundësinë e përjetimit të veprës si tërësi. Mënyra se si poeti komunikon me universin që atë e rrethon, na jep një fizionomi të qartë të fenomeneve, të cilat pengojnë atë për të parë botën, natyrën, gjithësinë ashtu siç dëshiron. Sidomos gjuha e tij e rrjedhshme pa asnjë dozë megalomanie e stërngarkimi (ves shumë prezent tek krijuesit narcistë të kohës) na ndihmon edhe më shumë për t`iu afruar kuptimit të metaforës dhe simbolikës së tij poetike.
Në ciklin e parë „Fantazmë për një republikë të re“ Zhiti i drejtohet origjinës së problemit «shqiptar». Identifikon pengesat dhe shkëputjet. Na vetëdijëson për rrezikun e djegies së gjuhës dhe përgjakimin e borës nga indiferenca jonë, nga lëshimet, që qenia jonë kombëtare është duke i bërë vazhdimisht nëpër histori. Shqetësimi shpirtëror i poetit për humbjen e dheut dhe gjakut është më se i arsyeshëm dhe përcakton një disponim rrëqethës, i cili zhvesh dhe bën të dukshme injorancën tonë, e cila na pengon për të parakuptuar rëndësinë e unjësimit të trupit tonë: Të copëtuar, të ndarë e të lënë rreth drunjve për zjarr. Objekti i këtij cikli është kërkesa autentike dhe historike e një të vërtetë, të cilën poeti e shpreh në mënyrë shumë komplete dhe artistikisht të arrirë. Me një faktologji plotë peshë ndërlidh gjenezën me ekzistencën fizike, varësinë intelektuale të çdonjërës pjesë trupi nga tjetra. Bën të dukshëm faktin se; çdonjëra pjesë e këtij trupi, për arsye etnike, gjenetike, dhe më shumë etiko-historike nuk mund të jetojë pa tjetrën. Kjo strukturë, ky organizim i vargut dhe ciklit nxjerr në sipërfaqe pjekurinë krijuese dhe aftësinë artistike të autorit. Mjeshtërisht ndërton tek lexuesi bindjen për domosdoshmërinë e përbashkimit të universit krijues ndërshqipëtar si proces më të ngutshëm që kërkon imperativi i kohës.

KRIMI DHE LIRIA INDIVIDUALE
Ekzistenca para vdekjes dhe pas vdekjes tejkalon normat e zakonta të jetës njerëzore. Jetë në një kozmos pa rregulla, pa orar, liri e plotë lëvizjeje dhe shprhjeje. Cikli i dytë „Balada e paravdekjes dhe pasvdekjes“ është kushtetuta dhe ligji që do të duhej të mbizotëroj në planetin poetik të Visar Zhitit
Aspekti më i rrahur— që del edhe si protestë madhështore e zërit dhe fjalës poetike në këtë cikël— është liria. Liria e individit. Ku, me kë do të flasësh për një problematikë të tillë, e cila prek në nervin më të hollë çdo shoqëri të ndërtuar mbi shtyllat e dogmës dhe dhunës. „Fatkeqësisht“, poezia e Zhitit, që nga fillimi nuk ka njohë intrigën aktoreske dhe maskën perfide të fjalës, nëpërmjet të cilave do të fshehte qëllimin dhe ndjenjën e vetë ngucakaqe. Kështu që, ka rënë menjëherë mbi tavolinat e kasapëve të vargut që demaskon krimin. Të zbulosh krimin dhe prapaskenën e tij, në një shoqëri që ushqim të vetëm ekzistence ka krimin në prapaskenë është e njëjtë sikur të sakrifikosh veten në mënyrë të vetëdijshme, ashtu siç është edhe vetë natyra e poetit-vetsakrifikuese. Po të shikohet çdo shpërthim, duke marrë me radhë të gjitha poezitë në këtë cikël, do të zbulojmë një ritëm, një dimension që përshkruan mallkimin e shpirtit drejtuar kohës servile. Rishqyrtim i të palarave të kohës dhe përfaqësuesve të saj që, nuk janë të denjë të njohin të drejtën individuale. Lirinë për të shprehur atë që thotë zemra. Faktori qendror që imponohet në poezitë e këtij cikli është ai i kundërshtimit të një pozite të tillë. Ky cikël është mjaftë i lidhur dhe kronik me ciklin që vjen „Kohë e burgosur“, ku poeti flet qartazi se si pasioni i shtrembër dhe i çmendur i pushtetit do që të zbukurojë plehrat historike. Do që të fsheh gjurmët e krimit dhe të gjitha plumbat, me të cilët vret ardhmërinë e një kombi. Pastaj llomin e vet ta varrë në përkrenaren e lavdisë së tij historike. Në përkrenaren e heroit të tij legjendar, që krijoi kombin, mbi kokën e Gjergj Kastriotit. Kundërshtim që është rezultat i dhimbjes së përmbledhur në fyt e që, një ditë shpërthen porsi vullkani dhe gjakos buzët, duke thënë të vërtetën mbi fizionominë e njeriut me tru të huazuar nga kooperativa kolektive. Jo pa qëllim poeti i këndon karakterit enigmatik të tradhtisë ndër shqiptarë duke e personifikuar me Mojsi Golemin, dhe duke paralelizuar atë me kohën kur shkruhet poezia. Pse u hutua pushteti? Mos vallë, me këtë demaskohej ndonjë tradhti, që ishte duke bërë shteti ndaj dikujt? … Tradhtia ! Poezia! Shteti dhe poeti. Një raport jashtëzakonisht i komplikuar. Ballafaqim në mes aparatit ndëshkues të mendjes njerëzore (shteti) dhe akuzuesit historik të dogmës nëpërmjet fjalës artistike (poeti). Shpesh herë, ndodhë që, shteti mos të kuptojë gjuhën e poetit dhe ai të shpëtojë, mirëpo në këtë rast, kemi të bëjmë me një shtet që dënonte edhe kur nuk kuptonte domethënien e gjuhës së artistit. Cili është konkluzioni, rezultati i përfundimit të kësaj lufte? Kush ngadhënjeu? Padyshim, si gjithmonë, pavarësisht nga faktori kohë, fitoi Poeti. Ai nuk vdes! Kurse shteti, sistemi jo vetëm që vdes, por edhe…
Dashuria ndaj të vërtetës dhe të drejtës së plotë individuale gjatë krijimit, në poetikën e Visar Zhitit merr përmasat e duhura të favorizimit dhe ngadhënjimit mbi historinë e krijuar kundër saj.

NË MES KOMBËTARES DHE UNIVERSALES
Debati me mesnatën e Kölnit. Nga harmonia e çorientuar shpirtërore, që mbetet varur nëpër telat e kufijve të Ballkanit tek shtëpia e Hajnrih Bëllit. Në këtë pjesë të botës, yjet rrotullohen rreth dritareve si meteorë. Poeti është shtrirë në krevatin e një dhome multinacionale; aty njoftohet ai me një njeri fytyrë përgjakur-kundërrevolucionar kinez, një grua shtatzënë këmbë djegur- boshnjake e emigruar, piktor a poet çek me dy pasaporta-sllovake dhe bullgare. Dhe vetë nobelisti Heinrih Böll i përqafuar me Katarina Blumin, gruan me dinjitet të humbur. Kësaj radhe mustaqet e tij prej satiriku fenomenal nuk janë në lëvizje e sipër. Aq ka trazuar aortën e poetit figura e madhërishme e krijuesit gjerman, sa që frymëzimi vjen duke çarë çdo substancë disharmonie në shpirtin e tij, e bën atë të ecë tërë Evropën, duke mos vërejtur fare kufij ndërnjerëzore.
Me këtë shprehet një rrëmbim tjetër ndiesor: ai i kufijve në krijimtarinë universale. Me këtë poeti i mbyll shtegun çdo keqkuptuesi që të përmbyll poezinë e tij në kufijtë nacional. Kontinuiteti, mesazhi dhe invencioni si elementë evident gjatë formimit të cikleve na demonstron një renditje shumë efikase: piramida e letërsisë universale nuk ndërtohet nga kulmi. Së pari ai merret me problemet e karakterit kombëtar dhe jashtë tij, e mbi të gjitha me problemin e universit intim njerëzor në tërësi.
„Kujtesa e ajrit“, „Hedh një kafkë të këmbët“ dhe „Mbjellja e vetëtimave“ janë libra që dëshmojnë për seriozitetin krijues dhe konstruktiv të poetit. Visar Zhiti është një ndër poetët që më së miri dinë të ndërtojnë dhe rinovojnë shpirtin e dërmuar të njerëzimit ndër shekuj. Poetika e tij sheh qartë të gjitha shkëputjet tona nëpër histori, lëshimet për hir të injorancës në disfavor të zhvillimit dhe unjësimit tonë kombëtar. Fokusi i përshtatshëm me kohën që pritet, metafora funksionale dhe vizioni horizontplotë i poezisë së tij , krijojnë një harmoni shumë të begatshme dhe premtuese për letërsinë moderne shqipe.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.