Kunati më detyroi të bëhem prostitute

Ora 21.15. Bundesgasse quhet rruga e Bernës ku gjendet parlamenti zviceran. Para pallatit shtatë femra defilojnë për të siguruar ndonjë klient, duke provokuar njerëzit që kalojnë atypari. Në mesin e tyre edhe shqiptarja Venera B. (19) nga Berati i Shqipërisë. Ajo dallonte nga të tjerat, qoftë për nga bukuria e qoftë për nga mosha. Një shqiptare e re dhe e bukur që shitet në mes të kryeqendrës zvicerane. Sa herë që ndonjë veturë redukton shpejtësinë ajo e krijon një buzëqeshje të ngrirë, artificiale, të dhunshme. Vendosëm që t`i kalojmë pranë për ta parë më mirë. „Dueçento franki“ – bëri ajo një metër para se t`i afroheshim.

Pasi që nuk ishte ftohtë, kuptuam se dridhja që e përshkonte trupin e saj të gjatë e të drejtë, shkaktohej nga takat e gjata të këpucëve që mbante në këmbë. I ishte bërë shprehi që në çdo dy a tre sekonda të zgjasë minifundin e saj fare të shkurtë me duar për të mbuluar sa më shumë vend që të ishte e mundur. Pa sukses. Gjoksi gjysmë i hapur dhe flokët e bardha deri në kurriz, përkundër përpejekjeve të saja që të zgjojë sa më pakë vëmendje tek kalimtarët seriozë, i shpalonin misionin e saj. Gjendje, që siç shihej nga lëvizjet e saja, ishte e turpshme për të, e padurueshme- menduam ne!

Para këmbëve iu ndal një pontiak i kuq. Pas disa shushuritjeve, nga largësia kuptuam se nuk u morrën vesh. Vetura u largua me një shpejtësi neveritëse dhe pas veti la linjat e zeza të gomës si shenjë.  Ka mundësi që Venera, kur ka parë pontiakun e bukur ka menduar se ka të bëjë me një pasanik dhe e ka ritur çmimin në noveçento franki, apo ku ta dijmë ne se sa!

Një orë katërqind franka

Ne: Hallo! Ajo: Si. Ne: Quanto? Ajo: Quattrocento! Dyqind më shumë. Bene – bëri kolegu im që njihte më mirë se unë italishten dhe u morrëm vesh që ta sjellim në Hotelin „National“ të Bernës. Venera s`kishte asgjë kundër, përveç vërejtjes që na tërhoqi për kohën: solo uno ora! Daccordo, per que no? I thamë në italishten tonë të shëmtuar. Ajo buzëqeshi, prapë ngrirë, dhe u futë në veturën tonë. Gjatë udhëtimit na sqaroi se çmimi është vetëm për njërin, mirëpo ajo nuk ka asgjë kundër nëse tjetri shikon.

Edhe pse kishim rezervuar dy dhoma, ne që të gjithë u futëm në njërën. Ajo bëri një dush të shpejtë dhe doli gjysëm e xhveshur. Tashmë kishin kaluar 15 minuta. Një çast hulumtoi me sy dhe pastaj pyeti se kush prej nesh do të jetë ai që do të ketë inicijativën. Atëherë e lutëm që të veshet sërish dhe të ulet, sepse qëllimi ynë është vetëm që të folim me të. E shtangur veshi rrobat e saja dhe u ulë në tavolinën para televizorit.

„Ne jemi gazetarë të një reviste shqiptare. Nëse ti nuk do, ke të drejtë të mos flasish. Të qëndrosh këtu deri sa të të kalojë ajo „uno ora“ dhe të shkosh“! Ajo filloi të qajë dhe në pika e stacione fare të qarta e të shkurtëra na e rrëfeu historinë se përse ishte shndrruar nga një nxënëse e shkëlqyeshme e gjimnazit në një prostitute dyqindfrankëshe.

Nga Berati në Bernë

Shkurt i vitit 1999. Venera ka veshur dy pallto për shkak të ftohtit që mbizotëron në shtëpinë e saj me dritare të thyera. Prindët nuk kanë të holla as për dru. Në vizitë për disa ditë ka ardhur burri i motrës. Ai i propozon Venerës që të shkojë për tre muaj në Zvicër si turiste. Atje ku ai bashkë me të shoqen e tij jetojnë qe disa vite. „Eja, provoje, po gjete diçka do të shpëtosh edhe familjen“- citon Venera fjalët e kunatit, të cilat fjalë e kanë shtyrë atë të ëndrrojë për një jetë më të mirë. Në fillim të prillit ajo mbrrin në Bernë. „Dita -ditës ai bëhej i padurueshëm. Fliste se si ai harxhon shumë para duke na ushqyer ne debileve që s`jemi të zota për të punuar diçka e të ngjajshme…- Venera pushon për t`u mbushur me frymë  dhe vazhdon – kur erdhi koha që të largohem nga Zvicra ai më lajmëroi se më ka gjetur një vend pune dhe se duhej të takohesha bashkë me një zviceran, që u prezentua si pronar firme. Në fytyrën e tij shihja shpëtimin tim nga skamja e mbitëgjitha nga torturat e burrit të motrës sime. Në bisedë e sipër kuptova se për ç`pune bëhej fjalë“. Që nga momenti kur Venera kupton qëllimin e kunatit të saj nuk fol më. Me ditë të tërra ajo qanë në shtëpi. E motra në vend që ta mbrojë ia numëron të mirat që do t`i fitojë nga një tregëtim i tillë i trupit.

„Dikur gjithçka mu bë e njejtë. Në Shqipëri nuk doja të kthehem me asnjë kusht, tjetër alternativë, përveç se t`i përveshem këtij zanati që bëjë tani, nuk më kishte mbetur“ – thotë Venera me sy të skuqur. Në momentet kur ne flisnim me të ishin bërë gati tre muaj që nga dita e parë kur ajo kishte dalur në Bundesgassen e Bernës për të shitur veten.

„Në fillim mendoja se sa të fitojë disa mijë franka do të ikë në Shqipëri dhe do të vazhdojë shkollën, mirëpo tani, kështu siç jam, me këtë gjendje shpirtërore nuk mund t`iu dalë më prindëve të mi parasyshë (ata mendojnë se vajza e tyre punon në një hotel si kamariere), kështu e …“!

„Uno ora“ – s i erdhi fundi. Ajo duhej të dalë shpejtë sërish në rrugë. Po të vonohej më shumë „shefi i saj“ do t`i kërkonte më shumë të holla saqë duhej dhe – sipas saj- konfliktet ishin tepër të rrezikshme.

Venera u zhduk në natën e Bernës për t`iu bashkuar shumë Venerave të tjera që sa më shumë të errësohe aq më shumë bëheshin!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.