KUSH PËRDHUNON IMAZHIN E OAZËS HELVETIKE !!?

POLITIKA E „TRE RRATHËVE“ DHE SEZONIERËT SHQIPTARË (1) – Këshilli i Ministrave, më në fund pranoi se politika e „tre rrathëve“ është në kundërshtim me ligjin kundër racizmit. Sa kohë i duhet këtij Këshilli për të marrë vendimin e kundërt? Në dhjetor, sezonierëve të dëmtuar nga ky ligj u kalon afati i kontratës së punës. A do të ketë garancione të reja? Apo fenomeni i papunësisë, do të zëvendësojë politikën e „tre rrathëve“ për ndërprerjen totale të dhënies së garancioneve të reja.

Para ca ditësh, organizata të ndryshme punëmarrësish përsëritën kërkesën e tyre për rishqyrtim të ligjit për të huajt, respektivisht kapitullin e tij që ka të bëjë me ndalimin e rekrutimit të puntorëve të huaj si sezonierë. Sipas disa profesorëve universitarë zviceranë e të huaj ky ligj është në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me të gjitha normat e Kartave ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Politika e „tre rrathëve“ u kualifikua si akt i diskriminimit institucional të të huajve nga administrata shtetërore e Zvicrës. Këtë konstatim, përveç disa grupeve tash më të njohura për ekstremitetin dhe urrejtjen e tyre ndaj të huajve, nuk e kundërshtoi asnjë asociacion me rëndësi në jetën shoqërore e publike të vendit. Këshilli i Ministrave premtoi se do të filloi shqyrtimin e këtij ligji sipas mundësive dhe rrethanave që do t`i imponojë jeta politike në të ardhmen. Cdo të thotë kjo? Këshillit të ministrave u nevojitet kohë për të manipuluar. Në dhjetor, pjesës dërmuese të sezonierëve u mbaron kontrata e punës. Ata duhet të largohen nga territori zviceran. Atëherë do të lehtësohen parakushtet për miratimin definitiv të ligjit. Faktori qëndror i çështjes, sezonieri, nuk do të jetë më prezent në Zvicër. Pritja e garancioneve për vitin 97, nëpër sportelet e postave, do të jetë e kotë. Qeveria do të bëjë lojën e paraplanifikuar : do të relaizojë ndryshimet e domosdoshme në politikën e „tre rrathëve“ dhe njëkohësisht do të intensifikojë aktualizimin e çështjes së papunësisë. Politikë, kjo që në esencë do të luajë të njejtin rol si ajo e tre rrathëve në raport me sezonierët. Pra lënia jashtë e sezonierëve, në këtë kontekst, për Qeverinë do të ketë më pak kokëçarje. Arsyetmi; “ Zvicra nuk mund të pranojë puntorë të „rinj“ përderisa numri i të papunësuarve është në ritje e sipër“  do t`i ndihmojë administratës për të dalë nga situata e komplikuar. Pra, qëllimi është, që sezonierët e „botës së tretë“ me çdo kusht të largohen përgjithmonë.

HISTORIA E POLITIKËS SË „TRE RRATHËVE“

Sigurisht se është e drejtë e pakontestueshme e një vendi për të pranuar e larguar të huaj kur dhe sa të dojë nga territori i tij. Nuk ka instancë juridike apo politike ndërkombëtare që mund t`ia mohojë këtë të drejtë një shteti. Ashtu siç nuk ka shtet që mund të justifikojë legalizimin e nëpërkëmbjes së të drejtave dhe lirive elementare të njeriut duke nënçmuar e shfrytëzuar ate skllavërisht. Nxjerja dhe aprovimi i ligjit për (kundër) të huajt, nuk është një hap spontan dhe pa histori për administratën Zviceranë. Që do të thotë se një politikë e tillë është zhvilluar edhe më herët. Aktet e para dhe masive të vetëdiskriminimit ligjor, kanë filluar të evidentohen qysh në fillim të vitit 1989. Në këtë kohë kur asnjë zviceran nuk ka mundur të profetizojë për moshyrjen e Zvicrës në Odën Ekonomike të BE-së si dhe numrin e papunësisë në vitin 1996.

ARSYETIMET POETIKE TË POLICISË

Në fund të oborit të shtëpisë së bujkut Roland Kiener gjenden tre kasolla të mëdha. Prona e tij kap pothuaj gjysmën e rafshnaltës së malit të Burgdorfit. Në njërën prej atyre kasollave është sistemuar një „dhomë“. Aty ka vend vetëm sa për një shtrat, dollap të vogël dhe një lavabo gjysëm të thyer. Në këtë „suitë“ bën jetë sezonieri shqiptar Fekri Bujupi (45) nga Vushtria e  Kosovës. Puna e tij fillon në ora 5 të mëngjesit dhe mbaron në 22 të natës. Gjatë verës punon shtatë ditë në javë.  Rroga e tij prej 1200 frankave në muaj i ndihmon për të finansuar familjen nëntë anëtarëshe në vendlindje. „Kam dy prindër të moshuar, shoqen dhe gjashtë fëmijë…Se ç`do të bëj vitin e ardhshëm nuk e dij…“. Kushtet e këqija, për të cilat ky sezonier nuk është ankuar kurrë, siç pohon edhe vetë pronari i tij Roland Kiener, nuk paraqesin ndonjë problem për të të. Problemi kryesor qëndron tek halli, se si do të ushqejë familjen pas përzënies nga Zvicra. Kosovari nga Vushtria në Zvicër ka ardhur në prill të vitit 1984. Pra dymbëdhjetë sezona të plota nëntëmuejashe. Sipas ligjit zviceran për punëtorë të huaj që ishte në fuqi der në janar të këtij viti, çdo i huaj që nga momenti i marrjes së garancionit të pestë, kishte të drejtë në qëndrim të përkohshëm (vizën „B“). „Kërkësën e parë për një leje të tillë e kam bërë në vitin 1989, në policinë kantonale të Burgdorfit, e cila është refuzuar me një arsyetim pothuaj qesharak…Këtë kërkesë e kam përsëritur për çdo vit, mirëpo pa sukses!“ deklaron pronari i Fekri Bujupit duke dëshmuar rrëfimin e tij me vendimet e policisë që mbajnë datat sipas radhës: prej gushtit të vitit 1989 e deri më vitin 1995. Gjashtë vite. Policia ka shkelur ligjin. Edhe përgjigjet e ankesave të bëra organeve federale janë të mbushura përplot arsyetime të pabazuara në ligj. Arsyetime që tingëllojnë pothuaj poetikisht, që s`kanë të bëjnë fare me fjalorin juridik.

120 MUAJ PRITJE PËR NJË VIZË „B“

Afër stacionit hekurudhor gjendet përfaqësia e Policisë Kantonale të Burgdorfit. Shtërngojmë veten për t`u bërë sa më të sjellshëm me qëllim që të marrim ndonjë informatë në lidhje me rastin e Fekri Bujupit. Në fillim mirësjellja e policit kujdestar  na bëri që të dyshojmë në historinë e shqiptarit nga Kosova. Porsa ia treguam rastin, po me atë buzëqeshje mirësjelljeje na tha se një gjë e tillë nuk është e mundur. Ia treguam kopiet e vendimeve që posedonim. Kaq e pat mirësjellja: „ç`doni ju të huajt“. I thamë: asgjë! Vetëm duam një informatë në lidhje me ate se sa sezona i duhet një puntori të huaj tek ju për të marrë vizën „B“. Na u përgjigj shkurt dhe qartë: 120 muaj. Pra dhjetë vite. Pesë më shumë  se sa që parashikon ligji. Nga Departamenti Federal për Cështje të të Huajve në Bernë marrim një përgjigje krejt tjetër: „Me ligjin e kaluar duheshin pesë sezona të plota, me kusht që kërkuesi mos të ketë patur probleme serioze me ligjin. Ndërsa me regulloren e re, të dalë nga Këshilli i Ministrave, një gjë e tillë nuk është e mundur.“ Kur i traguam për historinë e 120 mujave: „Ka qenë ndonjë polic injorantë, që as për vete nuk i ka ditur ligjet“ pranoi duke qeshur nëpunësi i këtij Departamenti. Në dosien e Fekri Bujupit nuk gjejmë asgjë që mund të kishte rënë në kundërshtim me ligjin. Prandaj edhe kërkuam një sqarim më të hollësishëm nga organet federale. Kjo si duket ishte e tepërt, sa që askush nuk donte më të merrej me ne. Për një rehabilitim të këtyre njerzve as që do të dëgjojë dikush. Komisioni Federal kundër Racizmit është në „pritje“ të vendimit të ri të Këshillit të Ministrave për të marrë „hapa të reja“. Organizatat tjera, si Sindikatat, e të ngjajshme, që kanë për detyrë mbrojtjen e interesave të puntorëve vazhdojnë luftën e tyre verbale pa ndonjë efekt objektiv.

TË HUAJT SI FAKTOR ÇRREGULLIMESH SHOQËRORE

Avokati i pronarit Kiener, Walter Hirshi që është duke ndjekur procedurën e Fekri Bujupit bisedën e tij do ta fillojë në këtë mënyrë: „është bërë e mërzitshme për çdo avokat që të merret me mbrojtjen e të drejtave të ndonjë të huaji. Për ne nuk është aq mirë që gjithmonë të dalim humbës, kemi apo nuk kemi të drejtë“. „Kanë apo nuk kanë të drejtë sezonierët nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ata të thejnë qafën sa më herët. Të huajt janë problemi kryesorë për çrregullimet tona shoqërore“- thuhet në një pamflet të organizatës „Zvicra pa të huajt“ (Schweiz ohne Ausländer) lëshuar në fillim të këtij muaji nëpër kutitë postale të të huajve. Me keqardhje duhet të pranojmë se politika që është duke u zhvilluar kundër sezoniereve nga ana e administratës shtetërore nuk dallon shumë nga dëshirat dhe synimet e organizatës së lartëpërmendur. Dita-ditës kjo frikë pushton edhe të huajt me status të rregulluar qëndrimi në Zvicër. Ambienti i konsolodimit ndërmjet të huajve dhe vendësve është tensionuar dukshëm.

Ç`u bë me Zvicrën? Kjo pyetje ngadalë ka filluar të gërryejë ndërgjegjen e çdo qytetari të ndershëm të këtij nënqielli. Pas sezonierëve, kush vjen në radhë? A thua isntitucionet e këtij shteti demokratik kanë rënë në letargji të qëllimtë deri sa të kalojë edhe kjo fazë e qoroskakut politik të Instancës më të lartë shtetërore. Sezonierët që nuk i plotësojnë kushtet për të marrë leje qëndrimin për shkak të ligjit të ri nuk janë në numër më shumë se sa ata sezonierë që me kohë kanë plotësuar kushtet për një leje të tillë. A është i vetëm rasti i Fekri Bujupit?

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.