ZVICRA NË RREZIK NGA BOTA E TRETË DHE AJO E TRE RRATHËVE

DËBIMI I SHQIPTARËVE NGA ZVICRA (2) -„Bota e tretë“, në fjalorin e politikës zvicrane do të thotë: Kategorizim i popujve dhe vendeve sipas gradës së varfërisë dhe urrisë. Vende, keto me nevojë urgjente për ndihmë humanitare. „Tre rrathët“: Politikë e cila parandalon depërtimin e pjestarëve të po këtyre shteteve në këtë vend, duke kyçur këtu edhe një pjesë të Evropës Lindore (Bota e dytë). Konkretisht kjo ka vetëm një përkufizim: Zvicra është duke zhvilluar një politikë, e cila bie ndesh me vetveten. Ose ajo ndihmon të varfërit që mos tërbohen nga urria e t`ia mësyjnë Zvicrës. Shqiptarët e rritur dhe edukuar këtu nuk mund t`u takojnë këtyre kategorizimeve, nëse po, atëherë Zvicra paska „botën e tretë“ mu në zemër të saj

Musafer Sejfuli tani më ka mbërritur në Tetovë. Ai nuk ka të drejtë hyrjeje në Zvicër. Kush do të kërkojë llogari për të hollat që shefi i tij ende nuk ia ka dhënë, për arkat, kontributet nëpër sigurime, shtesat e padhëna gati një vit etj. „Ai (mendohet në shefin) në bashkëpunim me policinë ka organizuar këtë gjë..“ thotë Musaferi. Logjikisht duhet të jetë kështu, sepse ai arrestohet nga policia pikërisht pas ndarjes me shefin e tij. Parashtrohet pyetja sa të drejtë ka Musaferi. A thua mund të jetë e vërtetë akuza e tij; „Policia bashkëpunon me pronarët borxhlinj që s`duan t`ua japin borxhin!“Sa duhet të besojmë në korrektësinë e policisë?!. Ndër mërgimtarët shqiptarë më herë ka mbizotëruar përshtypja se policia Zvicerane nuk bën gabime të tilla! Dakord. Komenti ynë rreth kësaj çeshtje do të ishte paksa i tepruar.

Një jurist nga shoqata e avokatëve të Bernit i përgjigjet kësaj pyetje në këtë mënyrë: „Kur i marr parasyshë aferat si ajo e: falsifikimit të pasaportave nga Enti Federativ për Refugjatë vetëm për të përzënë një turk nga Zvicra, hajninë e Gjeneralit Nyfeneger, shefat e policisë së Cyrihut që kishin shfrytëzuar buxhetin e policisë për të hapur kasino dhe video-klube, mendoj se gjithçka është e mundshme. Shoqërinë tonë e kanë kapur ca sëmundje shumë dëmprurëse. I gjithë dëshprimi, nervoziteti i krijuar nga këto situata, shpesh më le përshtypjen sikur të shprazet në shpinë të të pafajshmive. Të huajt, fatkeqësisht, janë aktualisht „dhija e zezë“ në këtë drejtim…“.

NËNSHKRIMI PA AUTORË 

„Ju keni pranuar, që të shkoni në shtëpi dhe atje të merrni pensionin që ju takon.“ Ky është arsyetimi i shkruar në vendimin lëshuar Beqir Bajramit për të braktisur Zvicrën. Ndërkaq, ai betohet se nuk ka lidhje me një deklarim të tillë. Ai thotë se nuk ka nëshkruar asgjë. Kujt t`i besojmë. Policia nxjerr deklaratën ku ky ka nënshkruar një letër të tillë. Avokati i familjes, z. Klivaç gjendet në udhëkryq: „Asnjëherë nuk më ka ndodhur një gjë e tillë. Njëra prej dy palëve është duke djallëzuar diçka, mirëpo unë nuk kam të drejtë të akuzojë asnjërën, mungojnë faktet…“. Po mungojnë faktet. Për shqiptarin Beqir Bajrami nuk mungon asgjë: „Këta kanë filluar të veprojnë si Sigurimi serb. Nënshkruajnë vetë e pastaj të nxjerrin në gjyq e të dënojnë sikur të kesh pranuar gjithçka“. Krahasimi i policisë zvicerane me atë serbe nuk është fare i drejtë. Ashtu siç nuk është i drejtë akti i largimit të këtij puntori të ardhur që nga viti 1971 në Zvicër. Edhe Beqiri nga Vitia e Kosovës, është njëri ndër ata puntorët e vjetër, që kanë kaluar jetën tuneleve dhe kanaleve zvicerane. Para një viti është sëmurë rëndë nga astma dhe kurrizi. SUVA e ka nxjerrë ate njëqind për qind invalid. Sipas të gjitha normave, ai meriton pensionin dhe shërimin nëpër spitalet e Zvicrës. Ne na tregon letrat dhe dokumentacionin nëpërmjet të cilit dëshmohet rregullsia e pagesave të bëra ndaj çdo obligimi që ka pasur ndaj sigurimeve dhe shtetit. As kjo rregullsi dhe mirësjellje nuk i ndihmon këtij njeriu për t`i bindur organet policore, se pikërisht tani, në moshën e tij pesëdhjetë e tetë vjeçare ka nevojë për një asistencë të mirëfilltë mjekësore.

 TË HUAJT- SHTRESA MË PRODUKTIVE E SHOQËRISË 

Në zyrat e Sigurimit Invalidor dhe ato të SUVA-s nuk mohojnë ekzistencën e rasteve të tilla. Ata pa u skuqur fare pyetjes tonë; se a është njerzore një politikë e tille, dhe se a ka ndonjë reagim nga ana këtyre institucioneve? I përgjigjen: „duhet të bëni dallim në mes humanitetit dhe ligjit. Shikuar nga aspekti human një gjë e tillë nuk është mirë, mirëpo vendi ynë, ekonomikisht ka pësuar ca dridhje, të cilat detyrojnë në një veprim të tillë të ligjit…“ thotë njëri nga nëpunësit e këtij institucioni, duke kërkuar nga ne që mos e mërzisim më tepër. Të njetën pyetje ia bëmë një nëpunëseje tjetër të këtij sigurimi, në seksionin e Bernit. Zonja X. (emrin e saj nuk do ta publikojmë, për shkak të lutjes së saj që të mbesë anonime. Ajo ka frikë se mund të ketë pasoja nga shefi, i cili nuk do të kishte pëlqyer, si duket, të vërtetën.) di për rastin e Beqirit dhe shprehet në këtë mënyrë: „Po të studiojmë ligjin dhe t`i krahasojmë ato me rregulloret dhe ligjet tona plotësuese, do të shohim se kemi të bëjmë me kontradikta të thella si me kushtetutën ashtu edhe me ligjet themelore të shtetit. Të gjithë heshtin. Këtu është në pyetje përfitimi që e kanë të gjithë së bashku…“. Përfitim disa milionësh. Vitin e kaluar një matematicien i njohur nga St. Galeni botoi në „Magazin“ (shtojcë e gazetës „BZ“ të Bernës) një studim, nëpërmjet të cilit kishte paraqitur shuma prej pesë-gjashtë milionë frankave në vit, të cilat Zvicra i fiton vetëm nga këto sigurime, të cilat nuk shfyrtëzohen asnjëherë. Po t`i hyjmë anës tjetër të këtij studimi, se sa të huaj shfrytëzojnë këto sigurime dhe kontributin e vet të dhënë në sistemin e tatimit burimor (Quellensteuer), atëherë do të shohim se të huajt janë „qytetarët“ më produktiv të këtij nënqielli, njëkohësisht edhe më të pafatët e shtetit me standardin më superior ekonomik të globit.

 DUART E LIRA TË POLICISË DHE LIGJI I LINJAVE TË PËRGJITHSHME 

Në Departamentin e Drejtësisë dhe Policisë, pas përpjekjeve të shumta për të kontaktuar, më në fund pranojnë të flasin nëpërmjet të telefonit.  Pyetjes tonë ata i përgjigjen: „Nuk ekziston fare një mundësi e tillë. Policia nuk mund të veprojë sipas kokës së saj. Ajo është e detyruar t`u përmbahet linjave të përgjithshme të ligjit bazë…Përzenie të tilla ndodhin më së shumti nga gabimet që të huajt i bëjnë vetë“. Kur ua përmendim rastet e veçanta, atëherë përsërisin arsyetimin „Ju thamë; në linja të përgjithshme. Ka raste komplekse ku policia vendosë vetë“. Ka raste të tilla, kur për arsye të mosinformimit dhe mosnjohjes së ligjit të huajt gabojnë dhe humbin të drejtën e qëndrimit, mirëpo këto raste nuk të identifikohen me ate të Musafer Sejfulit, Beqir Bajramit dhe Januzit. Aty shihet shumë konkretisht se bëhet fjalë për dëbim me qëllim të krijimit të kushteve të paraqitura nga parti të caktuara politike, të cilat priren nga blloku i djathtë i Kristof Blloherit me kompani.

 ANGAZHIMI I KOMISIONEVE SHTETËRORE KUNDËR RACIZMIT 

Në Qendrën Informative për Cështje të të hujave heshtet. Heshtin edhe Komisioni Federal kundër racizmit, Enti Federativ për çështje të të Huajve etj.  Shtypi zviceran shkruan vetëm për projektet integruese, ku marrin pjesë një apo dy shqiptarë. Fjalët e tyre lavdëruese për interesimin e shtetit ndaj të huajve të përkujtojnë propagandën e cila zhvillohet qe njëzet vite në lidhje me „botën e tretë“ (Dritte Welt- Afrika). Në këtë kontest Zvicra njihet si njëra ndër vendet, e cila investon më së shumti atje. Vetë emërtimi i asaj pjese të planetit të shtyen të bëjsh krahasimin në mes „Botës së tretë“ dhe „Tre rrathëve“. „Bota e tretë“, në fjalorin e politikës zviceranë do të thotë: Kategorizim i popujve dhe vendeve sipas gradës së varfërisë dhe urrisë. Vende, keto me nevojë urgjente për ndihmë humanitare. „Tre rrathët“: Politikë e cila parandalon depërtimin e pjestarëve të po këtyre shteteve në këtë vend, duke kyçur këtu edhe një pjesë të Evropës Lindore. Konkretisht kjo ka vetëm një përkufizim: Zvicra është duke zhvilluar një politikë, e cila bie ndesh me vetëveten. Ose ajo ndihmon të varfërit që mos tërbohen nga urria e t`ia mësyjnë Zvicrës. Për të drejtën, në lidhje me kategorizimin e vendeve dhe popujve në botëra të tilla dhe raportin e kësaj të drejte përballe Ligjit kundër racizmit, le të flasin Komisionet përkatëse politike të Konfederatës. Së fundi kjo do të ishte çështja me të cilën duhej ata të preokupohen, e jo të humbin kohën duke ta futur gishtat për çdo javë në çullin e specialiteve të të huajve, me arsyetimin: „Të njohim kulturat e huaja…!“.

 

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.