Metaforë për dy sfniksa të vërbuar

Si është kjo letërsi e prezentuar në metaphora”? Pjesërisht? E pakompletuar?Ai pa tre qypa që qëndronin në një qosh dhe iu vërsul atyre me qëllimin në kokë se aty do të gjejë; mjaltë, mazë e tëlyen. Mirëpo, i zhgënjyer, ai aty gjeti; lotë, djersë dhe gjak! Kjo është substanca e poezisë së parë në „metaphorà“që për autor ka poetin dhe teologun shqiptar Ndue Sinishtaj me banim në një fshat në afërsi të Lucernës zvicerane. Parmenidike! E njejtë është jeta për artin, me artin! I njejtë është konfrontimi me realitetin për ata që kanë menduar se braktisin atdheun e vetë duke marshuar në drejtim të parajsës, në drejtim të Zvicrës, ku Arti shënohet me shkronja të mëdha. Dhe, ashtu siç është edhe e zakonshme, kjo përzierje e rrezikshme e imagjinatës poetike me realitetin e legjitimacioneve blu të policisë për të huaj rezulton në një sutuatë si kjo: “Dy sfinksët e verbuar përgjithmonë / Ende vërtiteshin rreth kullës / Pa takuar njëri tjetrin”. Së paku deri tani është kështu. Zvicra dhe shqiptarët u përngjajnë dy sfinksave të krijuar nga poeti shqiptar Shaip Beqiri, i cili është duke jetuar në Bernë. Zvicra dhe shqiptarët gjenden shumë larg njëri tjetrit.

Nëse vërtet është ashtu, siç na thotë Bibla; “Në fillim, ende pa u krijuar bota, ishte Ai, që është “Fjala”…nëpërmjet tij u krijua gjithçka” – atëherë le të besojmë e shpresojmë në një takim ndërmjet këtyre dy poleve. Ndërsa „metaphorà“është e mbushur përplotë me fjalë!

Antologji apo revistë
Pas Antologjisë së tre autoreve zvicerane Bürgi, Müller dhe Tresh me titullin “Puthje dhe trëndafila…”, në të cilën ndër të tjerët janë prezentuar edhe dy poetë shqiptarë, „metaphorà“ është e dyta e këtij lloji. Natyrisht, që ndërmjet këtyre dy antologjive ka një dallim të madh dhe esencial. „metaphorà“ është e bërë enkas për poetët shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe shikuar nga aspekti profesional është më konkrete dhe më e realizuar. Përderisa e para ka dështuar në përpjekjen e saj për të prezentuar një letërsi tjetër, deri tani të panjohur zvicerane. Mbitëgjitha antologjia e parë, e trios zvicerane, ka dështuar sidomos për shkak të fabrikimit të saj vetëm në sajë të kriterit gjuhësor – pra ajo është bërë vetëm me arsyen sepse një grup njerëzish shkruajnë ndryshe nga autorët vendës, pa gjykuar fare, se mbitëgjitha a është ajo “që shkruhet ndryshe” poezi apo jo.
Çfarë rëndësie ka „metaphorà“për një autor shqiptar që jeton e krijon në një vend të huaj? Shumë. Aktualisht, „metaphorà“është zëri i vetëm që mund të kuptohet nga gjuha e shoqërisë ku janë duke jetuar autorët shqiptarë. Pikërisht për këtë arsye, autorët shqiptarë duhet të shprehin mirënjohjen e tyre ndaj botuesve gjermanë Michael von Killischhorn dhe Jost Blum.
Edhepse në parathënien e tij, botuesi përpiqet me një modesti fine të na bindë se „metaphorà“ është një revistë e jo antologji, nëse shohim sistemin, mënyrën dhe përmbajtjen se si është bërë ky libër, atëherë nuk na mbetet kurrgjë tjetër përveç se të akseptojmë që të dyja kualifikimet: “Metaphora”, sipas formës së saj është një antologji dhe një revistë për letërsi për shkak se kështu kërkon deklarata e botuesit të saj! Sidomos për shkak të titullit të saj të dytë: “Lirikë dhe prozë shqipe nga Zvicra”, i cili ka një qëllim të caktuar dhe konkret, pra të prezentojë lirikën dhe prozën shqipe, apo atë “letërsinë e pestë” (siç e quajnë vendësit) që krijohet në Zvicër.

Prezentim i (pa)kompletuar
Si është kjo letërsi e prezentuar në metaphora”? Pjesërisht? E pakompletuar?
Ne dijmë që në Zvicër jetojnë diku rreth 40 autorë shqiptarë. Ndër ta ka krijues të mirë, dhe më pak të mirë, asish që janë të njohur dhe prej atyre që ende nuk kanë dalur nga pardesyja e anonimitetit dhe asisoji që i takojnë të ashtuqujaturës “Minority literatures”, ka edhe iluministë e romantikë të thellë, mirëpo ka edhe të atij soji që vërtet lidhje nuk kanë se ç`është poezia, mirëpo megjithatë posedojnë guximin për të provuar vazhdimisht, pandërprerë e duke mos u lodhur kurrë që të thejnë dyert e botës së artit poetik.
Tash parashtrohet pyetja: A është e drejtë që një pjesë e këtyre autorëve të lëhet anash, dmth. pa u përfillur në një libër me karakter prezentimi? Në asnjë mënyrë! Për këtë arsye do të ishte shumë më e qëlluar që titulli i librit të ishte ndryshe, pra në vend të “Lirikë dhe prozë shqipe nga Zvicra”, “Lirikë dhe prozë e zgjedhur shqipe nga Zvicra”! Sepse për diçka jemi të sigurtë:1. Jo të gjithë – nëse thirremi në emër të vlerave themelore të përcaktimit të një teksti si lirikë – nga poetët e prezentuar në „metaphorà“ janë crém de la créme e letërsisë shqiptare që krijohet nën hijen e alpeve helvetikase dhe 2. Ka edhe poetë tjerë shumë të mirë që nuk i gjejmë në “metaphora”.

Ky mendim pranohet, me një mënyrë konfirmohet, edhe nga vetë sajuesi i antologjisë/Revistës nëpërmjet një shkalle –vlerësimi që u bën autorëve. E kemi fjalën tek numri i poezive të prezentuara. Fillohet me 14 për të përfunduar në 8. Një poet prezentohet me 14 poezi, një tjetër me 13, 11, 9 e kështu me rradhë.

Autorët
Gjak, vetmi, zjarr, errësirë, vdekje, intriga. Xhelati, përsëri xhelati, Atdheu, shpërngulje, nostalgji, Ballkan, Kosovë, Shqipëri, Zvicër, protestë, frikë, pakënaqësi dhe më në fund asgjë! Këto janë temat kryesore që gjenden në përmbajtjen e “metaphora”-s. Bëhet fjalë për një grup autorësh që kanë braktisur vendin e vetë për të shpëtuar kokën. Kemi të bëjmë me një poezi, e cila ka formë lirike por me një ton dhe përmbajtje të theksuar dramatike. Pra bëhet fjalë për një lirikë dramatike me pak sosë ironie.
Është krejt një botë tjetër nga ajo që një zviceran a gjerman e ka njohur nga thash e themet e meidave. Poashtu është krejt tjetër që të përjetosh diçka në lëkurën tënde se sa ta përjetosh atë në ekran. Ndoshta këtu duhet kërkuar motivet e disa keqkuptimeve që ekzistojnë ndërmjet autorëve zviceranë, gjermanë dhe atyre shqiptarë.
Fizikisht këta autorë kanë shpëtuar, po shpirtërisht? Dyshojmë! Ankthi vazhdon edhe më tej. Poezia e tyre është gjithçka tjetër, përveç se paqësore, e frymëzuar nga mendimet që udhëhiqen nga e bukura ose nga motivi për të komunikuar me lexuesin pa mbjellur urrjetjen. Ndoshta ata janë duke kërkuar në drejtim të gabuar qetësinë e tyre shpirtërore apo s’e kërkojnë atë fare, nuk e dijmë. Vizionet poashtu mungojnë. Si mëtutje? Natyrisht se aty-këtu gjen ndonjë poezi për dashurinë, mirëpo as aty nuk mungon gjaku ose “mjegulla e zezë që kujdestaron mbi kokë”.

Përkthimi
Hans-Joachim Lanksch. Çdo njeri i interesuar për poezinë shqipe në hapësirën gjermanofolëse e njeh këtë emër. Ai ka përkthyer gjithë përmbajtjen e antologjisë. Gjermani nga Munihu ka bërë atë që autorët vetë nuk kanë mundësi për ta bërë: të prezentojnë lirikën shqipe në hapësirën gjermanofolëse! Me plotë kompetencë! Jo vetëm nëpërmjet përkthimeve, por edhe nëpërmjet disa eseve që ai ka botuar nëpër media të ndryshme gjermane ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për krijimin e kontakteve të para të gjermanëve e zviceranëve me letërsinë shqipe.
Dy esetë e shkruara nga ai në fund të antologjisë dëshmojnë për shkallën e lartë të njohjes së letërsisë shqipe e sidomos problemeve të saja.

Krujesit zviceranë dhe shqiptarë
Raporti në mes të autorëve shqiptarë dhe atyre zviceranë nuk ekziston fare (përveç ca kontakteve të monopolizuara të disa individëve). Pse?
Të qenurit poet në Kosovë është e lidhur ngushtë me të qenurit i previligjuar. Një numër i konsiderueshëm i posteve publike, sidomos në media, kanë qenë (dhe ende janë) të zëna nga poetë, shkrimtarë, autorë etj. Tash le të parafytyrojmë se si ndjehet një qenie e tillë, e mbivlerësuar në shoqërinë e tij në Zvicër ku fjalën e parë e kanë menaxherët e bankave dhe industrialistët gjysmëanalfabetë.
Zvicranët (si masë) nuk kanë ndonjë respekt të veçantë ndaj artit – kjo gjë është e përbotshme! Kjo është njëra anë. Anën tjetër të kësaj medaljeje të gërvishtur duhet gjetur vetë te autorët shqiptarë. Ata kanë një raport destruktiv ndaj vendit në të cilin jetojnë, sepse Zvicra nuk përbëhet vetëm nga ushqimi për mace që me shumicë e gjen nëpër vetëshërbime; as vetëm nga ksenofobët, nëpunësit e enteve sociale dhe qenve që lehin nëpër trena. Zvicra nuk duhet që patjtër të jetë vetëm sinonim i dhimbjes për të braktisurën, sepse ajo është më së paku fajtore për një gjë të tillë.
Megjithatë një “flërt” ndërmjet këtyre dy poleve ekziston, gjë që jep edhe shpresë, sepse siç ka shkruar njëherë piktori dhe shkrimtari i madh francez Francis Piccabia; “koka jonë është e rrumbullaktë me qëllim që mendimet tona të kenë mundësi që të ndrrojnë kahjen”!

Promovimi

Antologjia “Lirikë dhe prozë shqipe nga Zvicra” u promovua në praninë e autorëve shqiptarë dhe zviceranë në lokalet e “Qendrës shqiptaro-zvicerane” të Bernës me 11. shkurt 2000. Në promovim morri pjesë edhe botuesi i kësaj antologjie Michael von Killischhorn dhe përkthyesi Hans-Joachim Lanksch, të cilët poashtu folën për librin në fjalë dhe letërsinë shqipe në përgjithësi.

 

  • Autorët e prezentuar në “metaphorà”

    Ndue Sinishtaj
    Ymer Shkreli
    Shaip Beqiri
    Mustafë Xhemaili
    Naim Kelmendi
    Vaxhid Xhelili
    Diamant Abrashi
    Valdet N. Berisha
    Bujar Salihu
    Elvira Dones

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.