Ai flen nëpër kabina telefonike dhe dashuron një femër të droguar

Prindët akuzojnë fëmijët e tyre për rebelizëm dhe padëgjueshmëri. Fëmijët e rritur në Evropë nuk pranojnë të jetojnë sipas konditave zakonore të prindërve të tyre. Dy gjenerata në konflikt që si pasojë kanë shthurrjen familjare, kriza të ndryshme psiqike dhe shëndetësore etj. Nga gjithë kjo humbës dalin të dyja palët: prindër humbin pjesën më të dashur të jetës së tyre- fëmijët. Ndërsa të rinjtë rrezikojnë jetën dhe ardhmërinë e tyre strehëve të metropoleve evropiane. Mirëpo thellë në shpirtin e tyre zbulohet dashuria për njëri tjetrin, gjë që jep shpresë për menjanim të këtij konflikti. Tani kërkohet vetëm ndihma dhe ndërmjetësimi.

Kujt do t`ia kishte marrë mendja se nëpër qendra për fëmijë të braktisur do të gjejmë edhe shqiptarë të rinj. Të përzënë dhe lënë në rrugë nga prindërit e tyre. Ca prej këtyre fëmijëve kanë pranuar realitetien e hidhur  dhe kërkojnë symbyllur ardhmërinë nëpër metropolet e qyteteve të mëdha, shpeshherë duke kaluar natën nëpër kabina telefonike, lokale nate apo qoshe të maskuara të stacioneve hekurudhore. Pjesa dërmuese e tyre ende nuk mund të kuptojë mënyrën e jetës me të cilën padrejtësisht është konfrontuar. Ky është njëri ndër fenomenet më të çuditshme dhe rrëqethëse që nuk përkon në asnjë mënyrë me njohuritë tona të deritanishme mbi zakonet dhe mentalitetin e shqipëtarëve. Për të mos u bërë pre i paragjykimeve të padrejta ndaj njërës apo tjetrës palë duhet kërkuar arsyet dhe shkaqet që mundësojnë ekzistimin e një problemi të tillë. Po si? Prindërit e këtyre fëmijëve të pafatë refuzojnë çdo kontakt me njerëzit që duan të gjurmojnë në këtë plagë të tyre. Ndërsa akuzat e fëmijëve janë të rënda. Aq të rënda sa që çdo njeriu normal i krijohet menjëherë përshtypja se ka të bëjë me një soj prindërish që pavërejtshëm janë futur në stadin e pikëpamjeve sadiste dhe perverze ndaj fëmijëve që vetë i kanë lindur. Në anën tjetër, në shpirtin dhe sjelljet e këtyre fëmijëve vërehet një rebelizëm gërryes, i cili mund të sjell jetën e tyre në njërën nga humnerat e shumta të „modës postmoderne“ si droga dhe shumë sëmundje të tjera shkatërruese.

 FIZIONOMIA E NJË GJENERATE NË HUMBJE?

Shefi i një strehimorje për të rinj në Cyrih, qendër kjo që i takon organizatës humanitare krishtere „Heilsarmee“, na bën me dije për agresivitetin dhe mllefin që mund të shprehet nga ana e këtyre të rinjve porsa të kuptojnë qëllimin tonë. Ora është 20.50. Të drejtë për të qëndruar jashtë, ata kanë deri më ora nëntë. Ky është momenti i fundit kur duhet të kthehen të gjithë ata që duan të flejnë në këtë strehimore. Një minut pas orës nëntë të mbrëmjes mbyllen dyert me dry. Kushtet, në këtë qendër janë modeste. Cdo banori të kësaj qendre i takon një shtrat, dollap teshash dhe pesë franka para xhepi në ditë. Ashtu siç tha shefi i qendrës: në minutën e fundit filluan të ngjiten shkallëve; fëmijë, të rinj e të reja me fytyrat e tyre të dëshpruara. Pa asnjë shenjë gëzimi të zakonshëm fëminor a rinor. Në këtë çerdhe rebelësh të porsalindur apo viktimash të zakoneve dhe shpirtëngushtësisë prindore njeriut i zhduket mundësia instiktive për të përcaktuar përkatësinë nacionale, ngjyrën e racën e tyre. Ata duken gjithë të njejtë, të veshur me atë mantelin konfliktuoz të modernitetit ekstravagant. Që të gjithë janë viktimë e botës që nuk bie në ujdi me parimet e gurrëta të prindërve të tyre.

Shefi i qendrës Martin I. bashkë me një vajzë të re është nisur në drejtim të sallës së ndejes ku ne ishim duke pritur: „Me ketë vajzë do të bisedoni më së miri për këtë problem. Kjo është më e urta dhe mbi të gjitha më e sinqerta nga të tjerët“. Tha ai duke na siguruar se pastaj do të mundemi të vazhdojmë bisedën edhe mëtej me të. Pas disa përjekjeve për të mbetur anonime, Kujtime L. na tradhëtoi emrin e saj të vërtetë dhe filloi të flasë pa asnjë rezervë. Kujtime L nuk i kishte hiç më tepër se sa pesmbëdhjetë vjet. Në këtë qendër është ardhur para tre muajsh. Ajo ka ikur nga shtëpia e prindërve. Aryseja: i ati i saj e ka fejuar në moshën trembëdjetvjeçare me një të panjohur nga vendlindja. „Në fillim nuk e kuptoja situatën time, mendoja se një gjë e tillë është normale. Nuk flitsha me asnjë njeri për këtë gjë. Dikur më vonë fillova të mendojë për këtë veprim të prindërve të mi…“ rrëfen kokëvarrur Kujtimja. Qysh në momentin e parë, kur Kujtimes fillojnë t`i sillen nëpër kokë këto mendime ajo vendos të bisedojë me prindërit dhe të shprehë pakënaqësinë e saj. Sipas Kujtimes e ëma e saj e ka kuptuar. Mirëpo asaj i ka munguar guximi dha gatishmëria që një gjë të tillë t`ia shpreh burrit të saj Beqirit. Beqir L. në Zvicër ka ardhur gjatë viteve të gjastëdhjeta. Para do vitesh ka tërhequr edhe familjen në këtë vend. Kujtimja, motra dhe vëllau i saj janë shkolluar dhe ritur këtu.

Kur Kujtimeja vërren se e ëma e saj nuk guxon të shtrojë këtë problem në tryezën e shtëpisë atëherë vendos që vetë të flasë me të jatin: „Ishte mbrëmje. Ai sapo kishte ardhur,i lodhur nga puna. U shtrrngova mirë dhe i thashë: unë nuk dua të martohem atje (mendohet në Podujevë), më së paku me një njeri që fare nuk e njeh. Unë jam ende fëmijë“. Kujtimja është e vetëdijshme se është fëmijë, ndërkaq për të jatin e saj nuk mund të mendohet një gjë e tillë. Kur i ati i Kujtimes dëgjon këtë gjë sulmon fizikisht Kujtimen dhe të shoqen, duke bërtitur: „Në këtë shtëpi do të punohet sipas kanunit tim“. Kujtimja mbaron në spital. Pas daljes nga spitali ajo nuk ktehet më në shtëpi. Një kohë qëndron nëpër farë e fis e më në fund i dorëzohet entit për ndihmë të të rinjve në Cyrih, të cilët pastaj e ia rekomandojnë këtë vajzë organizatës së përmendur më lartë.  Sidoqoftë, për të mos mbetur vetëm me verzionin e një të vërtete lutëm Beqirin që të na pranojë në bisedë.

KANUNI SI MASKË E NJË SHPIRTI TË KEQ

„Nuk më nevojitet këshilli për pajtim. Ajo është fëmiu im“. I treguam se ne kemi biseduar me Kujtimen dhe se deklaratën e saj do ta paraqesim në gazetë bashkë me emrin e plotë të tij. Atëherë, si duket Beqir L. u detyrua për të thënë të vërtetën e vet. Pasi na pranoi në banesë, filloi menjëherë të flasë, si zakonisht, në fazën e parë për patriotizmin, temë të cilën dalë ngadalë e lidhi me lashtësinë si dhe traditat e zakonet kombëtare shqiptare që duhet patjetër ruajtur e përcjellë tek gjeneratat e ardhshme. Nga kjo shihej se Beqir L. kishte përgaditur mirë arsyetimin që duhej me ngulm të na servojë neve në  bisedë e sipër, natyrisht për të justifikuar veprimet e tij. Pas një diskutimi pak a shumë joserioz mbi aktualitetin e kanunit në shoqërinë moderne shqiptare, përfundimisht u ndeshëm me emrin dhe rastin e Kujtimes. Beqiri nuk pranon se ka rrahur vajzën dhe shoqen e tij, por vetëm se është këmbëngulës në realizimin e fjalës dhe besës së dhënë mikut. „Ajo duhet të respektojë vullnetin tim. Unë e kam lindur dhe unë do të vendos për fatin e saj, përndryshe nuk do të mund të shkelë kundër në praguin e shtëpisë sime“- thotë ai duke u thirrur përsëri në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Pas bisedës më se tre orëshe me të u bindëm se ky njeri kurrë nuk kishte lexuar ndonjëherë Kanunin në fjalë, por duke mbrojtur botën e vet autiste karshi zhvillimit qytetërues të fëmijës së tij, për të „mbrojtur ftyrën“ siç thoshte pandërprerë, ka vendosur të eliminojë çdo ëndër dhe shpresë të Kujtimes për një ardhmëri të lumtur dhe të pavarur ashtu siç është logjika normale e këtij shekulli. Tentimet tona për të bindur këtë njeri të mbetur me mendje dhe shpirt disa shekuj pas të sotmes, mbetën vetëm si një gjurmë e padëshiruar në vetëdijen dhe ndërgjegjen tonë të cunguar, nga del edhe pyetja krejt e natyrshme: sa të rinj dhe të reja janë viktimë e zakoneve manjake gjoja tradicionale të prindërve me një karakter të tillë, si ky i Beqir Latifit.

KRIZA E NJË FAMILJEJE

Pas preokupimit me rastin e Kujtime Latifit u ndeshëm edhe me shumë probleme të tjera të këtij karakteri. Megjithatë, nuk do të ishte e drejtë nëse „fytyrën e djallit“ e lëmë vetëm tek njëra palë e involvuar në këtë fenomen negativ që përshkon mërgatën tonë. Nuk janë vetëm prindërit fajtor të çorientimeve dhe dezintegrimeve të këtilla. Në këtë stadium negativisht manovrojnë edhe vetë të rinjtë. Të rinj që kanë keqkuptuar lirinë individuale të dhënë nga prindërit. Të rinjë që mendojnë se mosha e tyre u lejon të zhyten në lloj-lloj aventurash duke provuar rrugë të ndryshme huliganeske. Të cilët më në fund thellohen në ndonjë mes ku konsumohet droga, alkooli etj. apo bashkohen me ndonjë shoqëri që praktikon „marifete“ të ndryshme kriminele për të finansuar aventuarat ardinere të tyre. Prindër- viktima të tilla ka plotë. Sidomos në qytetet e mëdha të Zvicrës. një ndër këto viktima është edhe Hydajet Pajaziti nga Kosova, i ardhur në Zvicër para njëzet e katër viteve. I stacionuar me punë në Gjenevë. Hydajeti ka tash pesë muaj që është duke kërkuar të birin e tij Lulzimin. „Më thuan që shpesh e shohin me ata që konsumojnë drogën. Nga frika menjëherë filloi të endem nëpër qytet si i çmendur për ta gjetur. Askund asnjë gjurmë prej tij. Në jetë kam provuar humbje të ndryshme dhe i kam mbijetuar disi, mirëpo ky problem është duke më varrosur të gjallë…“ tregon i përlotur Hydajeti pesdhjetë vjeçar. Gjithçka që ka dashur në jetë ky njeri i thinjur, është sigurimi i një jete komode familjes së tij, e cila ka muaj që nuk flenë e qetë.

Për simptomet e para negative që janë paraqitur tek Lulzimi si vjedhja e gjërave me vlerë nga shtëpia, qëndrimi i vonshëm nëpër lokalet e natës, për të babain e tij Hydajetin kanë qenë sjellje të zakonshme të një të riu në pubertet. Edhe pse gjithmonë i ka diskutuar këto çeshtje me të birin, nuk i ka marrë ati si probleme të cilave duhet dhënë ndonjë ton histerik. „ Kur kuptova se këto sjellje kanë qenë vetëm faza parapërgaditore e humbjes së birit tim, atëherë kuptova se kam bërë një gabim të rëndë, shumë të rëndë“- akuzon veten Hydajeti duke pyetur veten pandalë: përse pikërisht mua o Zot?. As kjo lutje aq e shpeshtë në buzët e këtij njeriu që duket se është dërmuar deri në nervin e fundit të tij, nuk i ndihmon për të kthyer Lulzimin në shtëpi. E ëma e tij Barija nuk nxjerr asnjë fjalë nga goja. Ajo nuk u përgjigjet pyetjeve tona. Hydajeti na përshkruan situatën e saj kështu: „ajo, që nga ikja e Lulzimit qëndron kështu, as fol as qesh as qanë. E kam dërguar disa herë tek psikologu por pa efekt…“. I vetmi „psikolog“ që mund t`i ndihmojë kësaj gruaje është Lulzimi po që se ai vendosë të kthehet përsëri në shtëpi. Po ku është në realitet Lulzimi, ku sillet ai? Shëtitjet toan nëpër gjenevë nuk sollën kurrgjë tjetër përveç informacionit se ai kohëve të fundit sillet në Bernë.

ECJA PAS NJË DASHURIE TË DROGUAR

Një grup zhurmaxhinjsh të rinjsh futen duke kërcyer në Pub-in „Nelson“ të Bernës. Nga fotografia që e siguruam nga Hydajeti njohëm Lulzimin në mesin e këtij grupi. Herë pas here hiqte flokët e gjata nga sytë. Xhinsat e bërë copë enkas për t`iu përshtatur modës së hipikëve shërbenin si formalitet vetëm sa për të mbuluar organet e ndjejshme të trupit. Në krahun e djathtë hiqte zvarë një femër, e cila që nga shikimi i parë dukej se konsumon drogën. Fytyra e saj e fryrë ishte kallëzuesi i një qenie para përfundimit. Lulzimi nuk flet fare shqip, por vetëm frëngjisht. Mënyra se si do t`i afrohemi këtij të riu që ka humbur besimin në vete është e rëndë. Të nesërmen duke ndjekur ate tërrë natën, zbuluam „vendbanimin“ e tij: Reithalle! Kjo shtëpi „kulturore“ ka disa vite që u shërben të droguarve si strehim i lirë dhe i pavarur nga çdo organizatë humanitare. Rreth orës 9.00 i shkuam bashkë me një kolegë të tij, që e njihnim dhe e lutëm që të vijë të bisedojë me ne. Për habinë tonë pranoi. Në fillim mendoi se ne kemi ardhur për ta angazhuar për diçka: „Në qoftë se mendoni të punojë për ju si shpërndarës drogës harrojeni“. U çuditëm nga ky qëndrim i tij, mirëpo kjo na dha mundësi të përkryer për ta nisur bisedën pikërisht në nervin që na digjte neve. „Përse nuk doni të shpërndani drogën, kështu do t`i ndihmonit vetes dhe partneres suaj“- po sa ia thamë këtë gjë ai shpërtheu: „Unë nuk konsumoj drogën. Partnerja ime është viktimë e juaj“. Që në momentin kur filloi të flasë mbi miken,  atij i shpërthyen lotët. Ndërsa ne kuptuam se gjendja nuk është ashtu siç e pandehnim ne. Lulzimi i ishte futur një aventure të tillë për shkak shoqes së tij. Ai nuk është diler e as konsumues i drogës. Partnerja e tij quhet Merita (emri është ndyrshuar) dhe vjen nga Shkupi. Pra është poashtu një shqiptare e viktimëzuar, jo nga prindërit por nga vetë gjendja shpirtërore e saj. Përkundër qëndrimit të gëzueshëm që Lulzimi na e shprehu atë moment për moskonsumim të drogës dhe dashurisë ndaj kësaj vajze të re, që ne na u dukë se kishte kaluar të tridhjetat, mendimi mbi prindërit e tij na bëri që të dëshprohemi: „Cka dijnë ata…nuk më intereson fare se si dhe sa vuajnë…ata duhet të kuptojnë se unë jam i ri dhe kam jetën time…et.etj.“ Bile këtë lloj jete ky djalosh e shikonte nga një prizëm krenaresk duke aluduar në atë konstatimin anarkik dhe qesharat të modës : „edhe ne shqiptarët duhet t`i përshtatemi jetës, modës, mënyrës se si jetohet këtu“.  Për shkak se ai iku dhe nuk deshti të bisedojë më me ne rreth prindërve t¨üe tij ne nuk patëm mundësi t`ia themi këtë: „po që se bota perendimore do të jetonte  në mënyrën që ti e propozon do të kishte vdekur e tërra“.

MUNGOJNË PROJEKTET DHE VULLNETI PËR NDIHMË

Në strehimoren për fëmijë të ikur nga familjet e tyre, aty ku takuam Kujtimen biseduam me udhëheqësin e kësaj qendre Martin I. më gjërësisht në lidhje me sjelljen e të rinjve shqiptarë. Për sjelljest, kushtet, mundësitë e shkollimit, e mbi të gjitha për integrimin e tyre në shoqërinë e këtushme. Nga ai kuptuam se nëpër qendra të tilla ka një numër të konsiderushëm shqiptarësh e shqiptarësh, pa llogaritur këtu ata të rinjë që nuk kanë vend qëndrimi të regjistruar nëpër qendra të tilla. „Këta të rinjë që ne mbikqyrim janë viktima të konfliktit në mes gjeneratave dhe mentaliteteve. Ata janë të ritur dhe shkolluar në Zvicër, sipas standardit dhe mentalitetit të këtushëm. Për shumë prindër të huaj, pranimi i një reliteti të tillë është absurd dhe ata reagojnë ashpër, gjë që sjell probleme në familje dhe deri tek humbja apo përzënia e fëmijëve nga shtëpitë e tyre…“. Sa për integrimin dhe rregullimin e tyre shoqëror z. Martin I. u shpreh në këtë mënyrë: „Ne shërbejmë si qendër për ndihmë të rinjve pa strehë dhe pa asistencë financiare, të cilëve u sigurojmë ushqim dhe mundësi për të kërkuar fatin e vet. Për shkollim dhe gjëra të tjera kjo qendër nuk është kompetente…“. Kush është kompetentë për ardhmërinë e këtyre fëmijëve? Kush duhet t`iu sigurojë apo ndihmojë për të gjetur fatin, për të siguruar një jetë solide dhe normale?

Në Entin për çështje të të rinjve dhe në atë për të huaj ballafaqohemi me të njejtin qëndrim: „Dikush duhet të përpilojë projekte dhe t`ia dorëzojë Entit përkatës federativ për financim. Ai projekt duhet të përmabjë shifra dhe fakte si dhe të udhëhiqet nga një grup profesional që do të ketë besimin tek financuesit“. Këtë gjë mund ta bëjë çdo organizatë humanitare dhe çdo grup që do të merrej me këtë çështje. Zakonisht si formacionet më të preferuara në këtë drejtim, janë organizatat rinore ose ato që merren me problemet e integrimit të të rinjve në shoqëri.

Parashtrohet pyetja: Sa mund të ndihmojnë vetë shqiptarët në evitimin e fenomeneve të këtilla? Përveç mundësive të shumta për të ardhur deri tek një projekt i tillë, dhe se në Zvicër janë komuniteti i dytë më i madh për nga numri ata posedojnë një numër të madh institucionesh publike si: shtypin, shoqata humanitare, etj. të cilat ka dëshmuar deri në një masë aktivitetin e saj në këtë drejtim) etj. Mungon vetëm vullneti për të krijuar një projekt dhe puna konkrete në këtë drejtim. Një gjë është e qartë: pa angazhimin konkret të vetë shqiptarëve në këtë drejtim ky fenomen në ritje do të vazhdojë kërdinë e vetë. A do të kishte çast më të lumtur se momenti kur dikush do të mund të bashkonte Kujtimen me familjen e saj pa pretendimet primitive të babait të saj, a do të kishte moment më fisnik sikur të mundeshim të kthejmë Lulzimin në gjirin e familjes së tij? Sigurisht se jo! Nga ky hulumtim mësuam diçka të pakontestueshme: përkundër konfliktit në mes të këtyre palëve, thellë në shpirtin e tyre gërryen dhimbja dhe nevoja për njëra tjetrën. Ata kanë nevojë vetëm për ndërmjetësim, për qartësimin e domethënien së dashurisë që ata edhe në këto çaste tragjike e kultivojnë dukshëm ndërmjet tyre!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.