Majlinda me unazë në hundë dhe prindët „primitivca“

Majlinda (17) akuzon prindët ta kenë maltretuar fizikisht. Shteti i beson vetëm asaj. Prindët e mohojnë këtë gjë. Konflikti ndërmjet gjeneratave është një konflikt shumë i përhapur ndër shqiptarët e diasporës!

Ajo është e vendosur që të mos kthehet tek prindët. Akuzat e saja ndaj prindërve janë të rënda. Prindët mohojnë çdo keqtrajtim ndaj saj dhe kërkojnë nga Enti për të Rinjtë i qytetit të Gjenevës që t`ua kthejë vajzën e tyre të mitur. Bëhet fjalë për shtatëmbëdhjetvjeçaren e lindur dhe ritur në metropolin zviceran, Majlinda H, e cila lufton me çdo kusht që jetën e saj ta organizojë pa ndërhyrjen e prindërve, të ardhur para njëzet vjetësh nga një fshat malor i rrethit të Podujevës kosovare në Zvicër. Cilat janë shkaqet që shtyjnë një vajzë kaq të re të heq dorë nga prindët e saj? Dëshira për aventurë, apo diçka tjetër?

Secila prej palëve në konflikt ka një verzion të vetin të së vërtetës; Majlinda thotë se prindët e kanë rrahur dhe kanë kërkuar prej saj të lërë shkollën e të fejohet; prindët thonë se Majlinda është viktimë e këshillave të këqija të rrethit ku jeton dhe gjithçka që thotë është e trilluar!

Fejesa me një të panjohur

„Ata janë primitivca“ – thotë Majlinda për prindët e saj. Në kërthizë dhe në hundë ka vënë nga një unazë të metaltë. Herë pas here këput nga një pe nga xhinsat e grisur qëllimisht për të nxjerrë gjunjët jashtë. Jo rrallë ndërpret bisedën me ne për të folur me ndonjë nga koleget e saja që enden lartë poshtë korridorit të azilit për të rinjë. Natyrisht në një frëngjishte të përsosur. Pyetjes; përse prindët e saj janë primitivë i përgjigjet në këtë mënyrë: „Sa herë që kthehesha në shtëpi, babi më qortonte e nganjëherë edhe më rrihte, për teshat, për unazat për gjithçka që kisha në trup. Para se të vijë këtu, një natë erdhi në shtëpi dhe filloi të më marrë me të mirë. E dijsha që është duke zier diçka në kokë. E nxori një fotografi nga xhepi dhe më tregoi se ai tipi që gjendej në foto ka dërguar msit (ndërmjetësues për martesa) dhe më kërkon mua për grua. Ai nuk ishte djal i keq, mirëpo nuk ishte tipi im… e unë nuk e kam mendjen të martohem ende…“ Majlinda e refuzon ofertën – gjithmonë sipas fjalëve të saja – dhe i ati i saj Arsimi (48) i kërcënohet se do ta mbyllë në shtëpi dhe nuk do ta lë më të shkojë në shkollë. Për shkak se ai gjithmonë është kërcënuar në atë mënyrë, Majlinda nuk e merr një gjë të tillë si serioze dhe mbyllet në dhomën e saj, duke vënë njërën nga CD-të e saja të shumta me muzikë techno në stereo. „Ia lëshova zërin deri n`kupë të qiellit“- shprehet ajo me krenari për të vënë në dukje inatin që ka me babain e saj. Arsimi futet në dhomë dhe ia bënë copë stereon bashkë me CD-të. Veç pas disa ditëve kupton Majlinda se i ati i saj kësaj radhe e ka me gjithë mend. Me ditë të tërra ajo nuk mund të shklojë në shkollë. „Atëherë vendosa të ikë…“ -thotë ajo. Kështu edhe ndodhë; Majlinda ikë nga shtëpia dhe kërkon ndihmë nga mësuesit e saj të cilët e drejtojnë për në Entin për të Rinjtë, në azilin e të cilit gjendet tash aji qe disa muaj.

 Celine Dion i bie çiftelisë!?

Në pjesën e dendur të Gjenevës e që ndanë atë nga Franca të quajtur Meyrin jeton familja treantarëshë e Arsim H. Sapo hapet dera në korridor depërton një muzikë e përzier; herë dëgjohen të rrënat e e një çiftelie para se t`i këputen telat e herë zëri histerik i Celine Dion-it. Kur u futëm në brendinë e banesës arritëm të shpjegojmë këtë komponim të çuditshëm; në anën e majtë gjendej dhoma e të birit të Arsimit, Arbenit (21) i cili dëgjonte Dionin e në të djathtë i ati dëgjonte një muzikë tjetër, një rapsod shiptar „për të lehtësuar dhimbjet në dhé të huaj“ – siç na tha ai plotë nostalgji. Dy lloje muzikash. Dy epoka të ndryshme që në kombinim e sipër krijonin veç zhurmë dhe kurgjë tjetër.

„Ma morrën fmijnë prej shpije, burra. Ky asht turpi ma i madh qi mund t`i ndodh shqiptarit“ – Kështu starton rrëfimin e tij Arsimi duke përzier çajin plot nervozë. Arsimi thotë se vajza e tij është çapkane dhe shumë e aftë për të sajuar historira nga më të pabesueshmet. Ky është përpjekur që prej saj të bëjë „një vajzë me dinjitet e me kulturë“, mirëpo në këtë proces të edukatës i ka penguar shoqëria, shkolla, shteti. „Këta mendojnë se çdogjë që thonë fëmijët është e vërtetë vetëm për arsye se ne vijmë prej një vendi tjetër, që sipas këtyre këtu na qenka i parapambetur në çështjen e familjes“ – Arsimi në Kosovë ka të mbaruar Shkollën e Lartë të Mësuesisë. Ai pranon t`i ketë folur shpesh Majlindës për mënyrën ekstravagante të veshjes, për vonesat e tepruara natën dhe për shumë gjëra tjera. Fjalor dhe sjellje që nuk dallon nga prindët zviceranë që janë të brengosur për fëmijët e tyre. Ndërkaq sa i përket maltretimeve fizike, për të cilat na foli Majlinda ai në vend të përgjigjes, përbetohet në gjithçka që është e shejntë për një kosovar. „Këta të Entit nuk më besojnë mua, as shoqes sime e as djalit tim që unë kurrë nuk e kam prekur me dorë Majlindën, por vetëm asaj“. Përderisa Arsimi i thoshte këto fjalë, e ëma e Majlindës Bedrija (45) tundte vazhdimisht kokën. Mënyra se si ajo lëvizte kokën ishte e paqartë, nuk arritëm të kuptojmë në ajo donte të përgënjeshtrojë apo konfirmojë fjalët e të shoqit.

As ofertën e fejesës nuk e mohoi Arsimi. Ndërsa sa i përket mbylljës në dhomë e të ngjajshme sipas tij, janë pjellë e fantazisë së Majlindës.

Vetëm Majlinda ka të drejtë?!

Zonja Madelene I. e Entit për të Rinj, e cila ishte e ngarkuar me dosjen e Majlindës, që në fillim demostroi vendosshmërinë e saj në anën e „viktimës“. „Një vit para se ne të vendosim që t`i ndihmojmë Majlindës ajo është ankuar të mësuesit e saj për sjelljet e të jatit dhe ne duhej patjetër të ndërmerrnim diçka, kjo është detyrë e jona“ – thotë ajo duke u habitur me interesimin për herë të mediave shqiptare për këtë fenomen, i cili sipas saj; “ rëndon tepër jetën dhe marrëdhëniet ndërmjet gjeneratës së parë dhe kësaj të dytës të komunitetit shqiptar në Zvicër“. As Madelene I. nuk pati mundësinë që të na ofrojë më shumë dëshmi për të konstatuar të vërtetën në këtë ngatrresë, përveç deklaratës së Majlindës ashtu siç kishin ne atë të Arsimit. Cila është e vërteta?

Është e vërtetë që prindët shqiptarë në Zvicër nuk mund t`i përshtaten jetës në këtë vend dhe dënojnë fëmijët e tyre? Apo fëmijët e tyre (keq)përdorin paragjykimin e shtetit ndaj prindërve të tyre „primitivca“ për të realizuar fantazitë e tyre adoleshente deri në një shkallë dramatike! Në gjithë këtë histori një gjë arritëm ta dëshmojmë: Organet kompetente sillen ndaj këtyre fenomeneve në mënyrë tejet sipërfaqësore, naive dhe tejet të anueshme. Përderisa askush nuk kërkon e provon dëshmitë, e vërteta do të mbetet larg dhe konflikti do të vazhdojë, kështu që më në fund që të gjithë do të dalin humbës!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.