Martesa me “kosova-albaner” – in e urryer

Një shqiptar i ri nga Kosova braktis atdheun për shkak të skamjes së madhe. Ai udhëton për në Zvicër. Aty dashurohet në një zvicerane, e cila i ofron martesë.  Prindët protestojnë. Ata nuk duan që vajza e tyre të martohet me një „Kosovo-albaner“. Lind një fëmijë; konflikte rreth emrit. Marrëdhënjet keqësohen. Urrejtja fillon të ndërtojë pushtetin ndër dy njerëz që deri dje përbetoheshin mbi kokën e njëri – tjetrit, por si duket rrejshëm!

Bora e parë sapo ka krijuar pëlhurën e parë mbi qytetin e vjetër të Mitrovicës. Fundnëntor i vitit 1998. Acarri i dhunës së pushtetit serb shoqërohet me atë të ftohtit që ka ngrirë dritaret e shtëpive. Nëpër rrugë enden ca qenë duke u dridhur dhe policë të armatosur rëndë që bëjnë gjuetinë pas hijeve të njerzve që më nuk janë aty. Fëmijët dhe të rinjtë janë mbyllur bashkë me mësuesit dhe profesorët e tyre nëpër bodrume dhe bëjnë leksione. Ata mezi mbajnë lapsin në duar. Fytyrat e skuqura, me hundë dhe vesh të ngrirë, luftojnë me shpirt për të mos shkëputur procesin e edukimit të tyre. Këmbngulësia, vendosshmëria dhe dashuria ndaj arsimit shihet në sakrificën e tyre. Në mesin e shkollarëve të ngrirë të bodrumeve të qytetit gjendet edhe Agron Jashari njëzet e një vjeçar, student. Zëri i profesorit të tij herë pas here ia ndërpret skenën e përjetuar të mëngjesit. Atij vazhdimisht i del përpara fytyra e së ëmës dhe të atit, prej të cilëve është ndarë në mëngjes i përlotur. Kur Agroni çohet në mëngjes për të shkuar në shkollë gjen prindët duke qarë mbi tavolinën e Kuzhinës. Përditshmëri! Fat i thyer i një epoke të pamëshirshme e të rëndë kosovare. I ati i Agronit deri para luftës ka punuar në minierat e Trepçës. Verës ai mundet të dalë në treg e të bëjë ndonjë para për të financuar të birin dhe shoqen e tij, mirëpo dimri është faza e mundësive të ngrira. Dritaret pa xhama dhe koftori pa drunj janë edhe një presion plus i gjithë mizerieve që sjell jeta. Për Agronin sikur nuk ka alternativë. Mu në zemër të leksionit ai vendos; do t`iu dalë në ndihmë prindëve. I riu shqiptar vendos që më kurrë mos të përjetojë mëngjese të tilla. Po si?

MALLI PËR LOTËT E NGRIRË

Nga miq të tij Agroni ka dëgjuar se në perëndim njeriu mund të gjejë mundësi pune e sistemimi. Përveç kësaj ai shpesh sheh vendës që vijnë në pushime me vetura të shtrejnta dhe që kanë rregulluar familjet e tyre si ma mirë. Ndihmat nga shoqata të ndryshme nuk e mbajnë gjallë dot më familjen e tij. Ata janë simbolike dhe nuk mund të mbulojnë kërkesat e një familjeje për një vit. Nëpërmjet një agjencie turistike, me të holla të marra hua, ai niset drejt shpëtimit ekzistencial të tij dhe të familjes-drejt Perëndimit. Njeriu gjithmonë lidhet për një shteti ku mendon se ka njerëz të njohur, të cilët shpreson se do t`i ndihmojnë në njohjen  e jetës atje. Pas një jave udhëtimi nëpër shtegje të ndryshme ilegale Agroni futet në Zvicër kur paraqet kërkesën për Azil. Nga organet zvicerane të Azilit nga Baseli kufitar me Gjermaninë ai dërgohet në një qendër refugjatësh të Lucernit. Që nga ditët e para Agroni merr kontakt me njerëzit që i ka njohur dhe që kanë ditur për gjendjen e familjes së tij për të gjetur punë. Disa prej tyre i kanë ikur takimit e ca të tjerë kanë ofruar punë që nuk janë përshtatur me karakterin dhe formimin e studentit nga Mitrovica.  Përpjekjet vazhdojnë, por në dukje nuk shihet asnjë rreze shpresëdhënëse. Fillon zhgënjimi të përzihet bashkë me mallin për lotët e ngrohta të prindërve në mesin e shtëpisë së acartë të dimrit kosovar. 

VALLJA E PARË E NJË ROMANCE

Natë e Vitit të Ri 1998. Qendra për Refugjatë bashkë me një komunitet fetar të Lucernit organizojnë festë. Qytetarë zviceranë kanë sjellë në lokalet ku mbahet festa gjithçka që i duhet një atmosfere të tillë. Ndër ta ka të rinj dhe të reja. Në kulmin e festës Agronit i afrohet një femër e re bjonde dhe e bukur, e cila e lutë për vallëzim. Agroni skuqet jo se nuk di të flasë në gjuhën e saj për t`i dhënë përgjigje, por ai as të vallëzojë nuk di. Nëpër mendje fillon të bluajë mendimin: „sikur të kishim kohë për të mësuar vallëzimin…“. Sonja B. njëzetvjeçare dhe presioni i shokëve e detyron atë që të vallëzojë duke u penguar kohë pas kohë me këmbët e partneres së vallëzimit. Pasi që mbaron muzika Agroni i falenderohet zonjës së sjellshme në anglishte. Sonja e habitur me gjuhën e rrjedhshme të tij anglisht i futet komunikimit me të sikur ta kishte njohur qe disa vite. Edhe pse Agroni nuk ka menduar në asgjë tjetër përveç se si të angazhohet për të fituar diçka për familjen, Sonja nuk e ka pasur këtë hall. Ajo ia kërkon numrin e telefonit atij dhe kërkon që në të ardhmen të takohen.

Dhe kështu takim pas takimi fillon një kontakt që në prapaskenë ka pasur lindjen e një romance ndërmjet dy njerzve që kanë një distancë prej disa mijë kilometrave. Nuk thonë kotë; dashuria nuk njeh kufinj!

KSENOFOBIA E TË MOSHUARVE

Pranvera ka dhënë shenjat e para. Tashmë janë bërë disa muaj që Agroni dhe Sonja njihen si miq. Agroni ka gjetur një vend pune, mirëpo fillimin ia pengon Policia për të Huaj. Atje i kanë thënë se papunësia është e madhe dhe ai nuk i plotëson kushtet aq sa duhet nga aspekti i dokumentave për t`u punësuar. Në anën tjetër shpresat për fitimin e statusit të refugjatit kanë qenë pothuaj inekzistente. Një student që ka dalur për shkak të skamjes pa dokumenta konkrete ndjekjeje nuk ka aq shumë gjasa në Zvicër.

Dielli ende jonxehës rrëndon mbi sytë e dy të rinjve që janë ulur në parkun e liqenit të qytetit. Që të dy heshtin. Sonja nuk duron më; „unë jam e dashuruar në ty“! Fillimisht Agroni nuk kupton këtë gjë dhe e pyet se ç`tha. Ajo edhe njëherë ia thotë të njejtat fjalë dhe e shtrrngon fortë duke e përqafuar. Veç atëherë i riu pa sherr nga Kosova kupton situatën në të cilën gjendet. „Një muaj të tërrë nuk rinim dot pa njëri-tjetrin. Mendova se kjo është dashuria e vërtetë e jetës sime“- thotë sot pas tre viteve e gjysmë Agroni. Pas një muaji Sonja kërkon nga Agroni që të martohen sepse për atë nuk ka perspektive tjetër se si mund të ndihmojë familjen e lënë në atdhe.

Kësaj ndërmarrjeje i kundërvihen ashpër prindët e Sonjës! Ashpërsia e tyre bile ka qenë aq therrëse kur vazhdimisht kanë përgojuar imixhin e keq të „kosovo – albanerëve“ dhe marifetet e tyre „kriminele“ dhe gjithçka tjetër që mund të thuhet për të huajt në fjalorin e ksenofobëve. Pa sukses Sonja ndahet nga prindët merr banesën e saj dhe martohet me Agronin. Njëzet ditë pas martesës Agroni punësohet dhe gjithçka fillon nga e mbara.

KONFLIKTET E PARA

Sonja ka qenë e tërbuar për të pasur një fëmijë. Ky është konflikti i parë që ka lindur në mes të dy të rinjve. Agroni nuk e ka dashur një gjë të tillë. Arsyetimi i tij ka qenë se ende është herët. Pas gjithë zënkave ai pranon që t`i hyje një kompromisi që më vonë do të lindë pasoja të mëdha. Pas nëntë muajve ata e lindin një djalë të bukur. Siç thuan: kur nisin problemet duhet t`ua hapësh derën! Pagëzimi krijon edhe një kaos ndërmjet bashkëshortëve. Më në fund bëhet prapë siç thotë Sonja kokëfortë. Agroni thehet shpirtërisht. Dashuria ndaj fëmijës i jep shpirt atij për të kërkuar rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me të shoqen. Femra nga Lucerni nuk ka të ndalur me provokimet e saja; ajo nuk do që Agroni të kontaktojë me shqiptarë, e nënçmon para miqve të saj dhe i thotë vazhdimisht se e ka martuar për të pasur një fëmije si dhe se ka pasur mëshirë për një refugjatë pa shpresë në Zvicër. Gjithçka e gëlltitë ky njeri duke pritur në vetëdijësimin e saj.

Fëmija i paradënuar si jetim

Pas konflikteve të njëpasnjëshme epilogu është i rëndë. Sonja ikë pa paralajmërim në shtëpinë e prindëve të saj. Ajo paraqet kërkesë për ndarje. Akuzat janë gjithashtu të rënda. Policia deporton shqiptarin nga Zvicra. Ai kthehet prapë. Nis gjykimi, me të edhe lufta për pronësimin e fëmijës.

Shtator i vitit 2001. Agroni kthehet nga puna. Në banesë nuk ka njeri. Së pari ai mendon se Sonja ka shkuar tek prindët e saj dhe telefonon atje. Prindët e Sonjës ia mbyllin disa herë me rradhë telefonin. Në këtë gjendje ai kupton se diçka nuk është në rregull dhe shkon deri te lagjeja tjetër ku kanë qenë duke jetuar prindët e saj. Para i del i ati i Sonjës (65, puntor gjykate) dhe i thotë se në mes tij dhe Sonjës ka mbaruar gjithçka. Natyrisht se çdo njeri tjetër në rrethana të tilla edhe Agroni tërrbohet dhe fillon të bëjë kërcënime nga më të ndryshmet. Ai mbyllet në banesë dhe; „ka qarë tërë natën. Unë kur nuk kam çuar dorë kundër saj. As që i kam bërë presion ndonjëherë për diçka. Nuk më vijnte keq për atë por për Astritin (siç e quan vetë ai djalin e tij, ndërsa zyrtarisht ai quhet Johannes)…“-thotë Agroni me fytyrë të dërrmuar. Pas kësaj Agroni kupton se Sonja ka bërë kërkesë për ndarje në Gjykatën e Lucernit.

DEPORTIMI PA PARALAJMËRIM

Ditët e para të muajit tetor. E hënë. Agroni del nga dera e shtëpisë i përgatitur për punë. Në derë janë katër policë të uniformuar dhe dy civilë. Pa bërë një a dy ata ia vënë prangat në duar Agron Jasharit dhe pas disa orëve ai gjendet në një qeli të policisë së aeroportit të Cyrihut. Gjithçka që i është thënë atij ka qenë; “ ju duhet ta lëshoni Zvicrën sepse jeni ilegalë. Nuk keni leje qëndrimi“. Po gjyqi? S`ka përgjigje. Po fëmija? As për këtë nuk ka interes policia që të japë përgjigje. Dita e nesërme e gjen Agronin në Prishtinë. Të hollat i kanë mbetur në njërën nga bankat e Zvicrës. Avokati i tij s`dijnë asgjë; „me javë të tërra kam pritur se do të më lajmërohet. Asnjë shenjë e gjallë. veç kur kam shkuar në polici për të kërkuar atë mos i ka ndodhur diçka më kanë lajmëruar se personi nuk ekziston më në Zvicër dhe atë; më gënjyen duke thënë se ai vetë e ka lëshuar vendin. Çfarë idiotie! Fatmirësia ime ishte se unë njihja një njeri të tij, i cili më krijoi kontakt me të dhe arrita që ta sjellë sërish këtu. Viteve të fundit jemi mësuar të përjetojmë gjithçka sidomos kur bëhet fjalë për të huajt“- thotë Avokati i Agronin z. Gillman. Ndërkaq në polici nuk duan të japin asnjë koment për këtë rast. Sikur të ishte i paqenë. Agroni jeton me frikë se në çdo moment mund të vijë policia dhe ta hudhë përsëri jashtë në mënyrë klandestine si herën e parë. Lënda e ndarjes gjendet në duar të gjykatës. Akuza: „ndahem për shkak të dhunës fizike që ai ka ushtruar mbi mua pas lindjes së fëmijës“- akuzë tipike, e njohur dhe e stërpërsëritur në çdonjërin kënd të Zvicrës kur bëhet fjalë për shqiptarët. Agroni e mohon këtë. Avokati thotë, Sonja përkundër kërkesës së bërë nga gjykata për të sjellë çertifikata mjekësore ajo s`ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Përveç kësaj nuk ka asnjë lajmërim apo ankesë në polici që mund të dëshmohet një gjë e tillë.

VDEKJA E IMAGJINUAR

Pas disa përpjekjeve për të kontaktuar me Sonjën dhe familjen e saj arritëm ta takojmë atë. Ajo do që të jetë vetëm me prindërit pa Agronin. I sqaruam se nuk jemi këshill i pajtimit dhe se më shumë se sa Agroni na intereson e vërteta, pasi një konflikt i tillë për shqiptarët tani më është bërë fenomen në Zvicër. Sonja B. nuk do që ne ta përdorim inçizuesin: „shqiptarëve nuk iu besohet, ju mund të keqpërdorni diçka në interes të bashkëkombësit tuaj“- tha bukuroshja sherrmadhe. E pyetëm se a është e vërtetë që ka martuar nga dëshira e madhe për të pasur një fëmijë dhe nga mëshira Agronin. Pas një shikimi në sy të prindërve që qëndronin aty si të ngurtë duke shikuar plotë urrejtje anembanë e pohoi një gjë të tillë. Ajo vazhdon edhe më tej të rrëfejë për maltretimet që i ka bërë burri i saj. E pyetëm: “ a e dini se në Zvicër njeriu mund të  ndahet nga bashkëshorti pa krijuar historira të paqena, por thjeshtë duke paraqitur vullnetin për të mos jetuar me të më pasi nuk e dashuroni?“. „Po vetëm atëherë ai ma merr fëmijën mua“-tha ajo ngutazi dhe e nevrikosur. Kjo shkaktoi huti tek prindët e saj, të cilët kërkuan që të largohen menjëherë. Në dalje e sipër arritëm ta pyesnim edhe diçka; „Si do t`ia arsyetoni Johannesit apo Astriti mungesën e të jatit kur të rritet“.“Do t`i them se ka vdekur në aksident“. Kjo ishte fjala e fundit para se të na përplaset dera pas hundëve.

SIKUR TË FLISTE FËMIJA…

Janar 2002. Salla e gjykatës ku mbahet seanca e parë në procesin e ndarjes në mes të Agron Jasharit dhe Sonja B. është mbushur me pak njerëz: trupi gjykues, dy palët në konflikt, dy avokatët, prokurori dhe familja e Sonjës duke mbajtur në duar fëmijën që fare nuk di gjë se i gjithë ai teatër është krijuar për shkak të luftës mbi pronësimin e tij nga njëri prej prindëve. Ai shikon me ata sytë e tij të mëdhenj me fytyrë tipike shqiptare njëherë në drejtim të së ëmës e një herë në drejtim të të jatit. A thua ky fëmijë do ta harrojë këtë skenë, përkundër insistimeve që gjatë tërë jetës do t`ia bëjë Sonja për ta bindur me vrasjen e të atit të tij në aksident. Sonja shpalon historinë e vetë. Edhe Agroni e tha të veten. Dy avokatët poashtu ligjuaruan mbi fajësinë dhe pafajësinë e klientëve të tyre. Kryesuesi i trupit gjykues, pas një pauze shtyu procesin për në fillim të muajit mars. Një nga trupi gjykues për këtë shtyerje na tha se; „është lëndë shumë e koklavitur si gjithë të tjerat kur në lojë janë edhe fëmijët. Njeriu duhet të ketë shumë kujdes në kësisoj rastesh. Se kush ka të drejtë e kush jo nuk mund të themi kurrgjë tani për tani. Një gjë është e sigurtë Agroni do të mbetet në Zvicër deri sa të mbarojë procesi. Policia ka gabuar që krye në vete e ka nxjerrë atë jashtë Zvicrës pa vendimin tonë“.

FËMIJA- PADREJTËSISHT VIKTIMË

Kush është viktima më e madhe në këtë histori? Ja, le të jetë që Agroni ka faj dhe e ka maltretuar Sonjën, le të jetë edhe versioni tjetër që Sonja e ka martuar këtë njeri për ta përdorur si mjet për të plotësuar dëshirën e saj të madhe – fëmijën, mirëpo asnjëri version prej këtyre dyve nuk përbën ndonjë arsyetim për vogëlushin se pse do të mbesë pa njërin prind. Ç`faj ka ai se të rriturit janë të djallëzuar deri në atë masë sa që të përdorin njëri tjetrin për epshet apo interesat e tyre pa llogaritur e patur kujdes në të drejtën shpirtërore e njerzore të të tjetrit. Po a janë kënaqur tani prindët e Sonjës që ajo ka shporur nga jeta e saj „Kosovo-albanerin“ e urryer?

Rasti i Agronit dhe i Sonjës nuk është i vetmi, të tillë ka sa të duash. Tash mbetet që të lutemi që të fitojë e vërteta, pavarësisht se në anën e kujt do të jetë ajo. Më e mira është që dy të acaruarit të bashkohen prapë, së paku për hir të foshnjës që të dy e duan aq shumë. Përndryshe nuk do ta bënin gjithë këtë luftë!

 

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.