Ksenofobët helvetikas kanë frikë nga krijimi i një «Mini-Kosove»

Minsitrja e Drejtësisë dhe Policisë zvicerane Ruth Metzler propozon një ligj për integrimin edhe të kosovarëve në shoqërinë zvicerane. Të djathtët kanë frikë nga krijimi i një “kantoni kosovar” në Zvicër, të majtët e kualifikojnë këtë ligj si tepër diskriminues, ndërsa shqiptarët janë indiferent.

Bernë, maj 2003 – Të djathtët nuk duan integrimin e të huajve në Zvicër. Të majtët dhe organizatat humanitare nuk kanë mjete financiare ose nuk duan me gjithë mend t’i përveshen kësaj pune, këtë e dëshmon edhe mosdalja e tyre me ndonjë projekt konkret. Të huajt sillen si spektatorë indiferent, duke mos ndërmarrë pothuaj asgjë për të dëshmuar vullnetin dhe dëshirën për t’u integruar.

Ministrja e drejtësisë dhe policisë zvicerane Ruth Metzler me një ligj të ri mbi të huajt do që t’i japë fund këtij debati më se dhjetë vjeçar. Paradoksalisht, jo vetëm të djathtët që parimisht janë mohues të çdo përpjekje të tillë, por edhe të majtët dhe organizatat pro integrimit e refuzojnë këtë ligj si “diskriminues dhe tepër restriktiv” – siç shprehet Partia Socialiste, e cila si zakonisht është kategorike në krijimin e një ligji efektiv që do të mundësonte integrimin e të huajve.

Ligji

Nëpërmjet këtij ligji, minsitrja Ruth Metzler do që të legalizojë “domosdonë” e integrimit (lexo intervistën) të të huajve në shoqërinë zvicerane. Konkretisht bëhet fjalë për ata të huaj, të cilët përkundër qëndrimit dydekadësh në Zvicër nuk dijnë mjaftueshëm gjuhën e vendit; janë të diskriminuar në tregun e punës; jetojnë në formën e getove, të izoluar dhe pa kontakte të dukshme me kulturën e vendit dhe ajo më e rëndësishmja është integrimi i gjeneratës së dytë, e cila kryesisht është lindur e rritur këtu, por që nuk ka arritur të integrohet aq sa duhet në sistemin e arsimit zviceran.

Ky ligj do t’iu shërbente institucioneve të ndryshme shtetërore e private që të ndihmoheshin financiarisht e ligjerisht nga qeveria, gjatë realizimit të projekteve në këtë drejtim. Projekte që në të kaluarën kanë dështuar ende pa filluar, pikërisht për shkak të mungesës së këtij ligji dhe subvencioneve të nevojshme.

Për ekspertët  e pavarur, ky ligj, edhe pse nuk është ideal është një hap konkret që nis një proces, i cili në shtetet tjera perëndimore tashmë është bërë “histori”. Edhe për autorët e ligjit ky është kompromisi i vetëm që aktualisht mund të kalojë në votime.

Kundërshtarët

Do përmendur se para katër vjetësh është votuar për ligjin e integrimit në parlamentin zviceran. Për shkak të mbivotimit të të djathtëve ai nuk u pranua. Atëbotë njëra nga përkrahëset më masive ishte e majta zvicerane. Sot ajo nuk qëndron pas këtij ligji dhe e konsideron si të dyshimtë dhe diskriminues, sidomos për prembullën e këtij ligji ku si të huaj të pranueshëm në Zvicër mbeten vetëm ata nga shtetet antare të BE-së, përderisa të gjithë të tjerët eliminohen si të padëshiruar. Ata gjithashtu e quajnë si një “lojë qesharake të qeverisë” ligjin në lidhje me financimin e ardhshëm të projekteve mbi integrimin, përkatësisht nenin 53 të këtij ligj ku thuhet: “…Qeveria mundet që të ngrejë fonde për financimin e integrimit të të huajve vetëm kur kantonet dhe komunat e financojnë një gjë të tillë…” Ky edhe është segmenti më i kritikuar i këtij ligji. Moszotimi i qeverisë për ta plasuar çështjen e integrimit si obligim ligjor e jo si një çështje vullneti, duke u lënë fatin e zgjedhjes së problemeve të migracionit në mëshirë të kantoneve dhe komunave.

Ksenofobët

Ky është arsyetimi i refuzimit të të majtëve. Ndërsa të djathtët janë si çdoherë tjetër më senzacionalë.  Edhe pse nga më se një milion të huajt, vetëm dyqind mijë prej tyre janë kosovarë argumentet kryesore për refuzimin e ligjeve dhe projekteve favorizuese në këtë kontekst të djathtët i lidhin vazhdimisht me këtë komunitet. Pse?

“Nuk duam një mini-Kosovë në Zvicër” – përsërit Partia Popullore zvicerane (SVP) sa herë që të bëhet publike çështja e integrimit të të huajve. Demokratët zviceranë (SD) të prirur nga lideri i të djathtës ekstreme Bernard Hess janë edhe më konkret në këtë drejtim; ai madje do edhe klasë speciale për të huajt nëpër shkolla, sepse sipas tij “ata ndikojnë në rënien e kualitetit mësimor tek fëmijët tanë” – siç u citua javën e kaluar në mediat kryesore të përditshme zvicerane.

Sa herë që të plasohet ndonjë projekt në këtë drejtim vendet publike “lulëzojnë” nga pllakatat e këtyre partive politike, të cilat përmbajnë fytyra të egra që simbolizojnë të huajin me një thikë, sëpatë apo diç tjetër në duar duke i rënë përmes flamurit zviceran.

Materialin për të përgojuar shqiptarët si “elementë të paaftë për integrim në shoqërinë zvicerane” këto grupe politike e marrin nga mediat bulevardeske, ku jo rrallë raportohet për veprime kriminale të kryera nga pjestarë të këtij komuniteti. Media që edhe kur bëhet fjalë për ndonjë aksident trafiku mjafton të jetë i involvuar aty një kosovar, ata krijojnë skandal për në front-faqet e gazetave të tyre.

Me këtë bëhet e qartë se ekziston vetëm një anë e medaljes sa i përket imazhit të shqiptarëve në Zvicër. Ana tjetër nuk ekziston fare. E në horizont nuk shihet asnjë shenjë se dikush është duke bërë diç qoftë edhe minimale për të dëshmuar se një komunitet prej dyqindmijë personave atakohet publikisht duke përdorur si shkak dy tre qind persona të dënuar për delikte kriminale. Ndërkaq, është e vërtetë se qindra shqiptarë gjenden burgjeve zvicerane për vepra kriminele.

Komuniteti shqiptar

Si instanca më e lartë dhe kompetente që është përgjegjëse për krijimin e projekteve për integrim është EKA (Komisioni Federal për Çështje të të Huajve). Sa për ironi ajo paradokohësh u vu nën komandën e policisë, më qartë, nën urdhërat e ish policisë për të huajt, e cila nuk gëzon edhe gjithaq nam pozitiv sa i përket sjelljes ndaj të huajve. Si protestë ndaj kësaj atë e braktisën punën, bashkë me sekretarin gjeneral, gjithë antarët e shtabit, të cilët pastaj formuan Forumin për Integrimin e të Hujave (FIM). Si në komisionin e lartëpërmendur ashtu edhe në këtë forum shqiptarët nuk marrin pjesë fare si komunitet ose ky Forum për të përfshirë shqiptarët (ashtu si edhe komisioni) – si komuniteti më i rëndësishëm në këtë drejtim- i kanë “peshkuar” dy zonja të panjohura, të cilat si duket janë prezentuar si përfaqësuese të këtij komiteti e që ky i fundit s’di madje as emrat e tyre. Përgjegjësit e këtij forumi në pyetjen e “Kohës ditore” se pse është kështu i përgjigjen: “Ne u kemi thirrje të gjithë komuniteteve që të kontaktojnë me ne. Ata kanë thirrur shoqatat e veta dhe pas konsultimeve kandër dërguar njerëzit e tyre. Ndërsa shqiptarët nuk e bëjnë një gjë të tillë asnjëherë edhe pse për ta në këtë forum është i rezervuar një numër shumë më i madh në krahasim me të tjerët”. Shefi i këtij forumi Gulielmo Grossi thotë se për shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia janë të rezervuara 21 vende nëpër strukturat organizative të këtij instituti. Tash mbetet pa përgjegje vetëm pyetja: Ku janë shqiptarët? S’ janë të interesuar për integrim apo…?

Prognoza

Duke pasur parasyshë qëndrimin negativ të tre partive më të mëdha në Zvicër, atë pozitiv të partisë së ministres Metzler, e cila është me e vogla nga katër partitë kryesore si dhe “gjumin dimëror” të komuniteteve që kanë nevojë për integrim ky ligj është i paradënuar me dështim. Qeveria do të përpiqet pas disa viteve prapë me ndonjë ligj të ri, të majtët e të djathtët do të vazhdojnë luftën e tyre duke përfituar nga sjelljet asociale të të hujave të dështuar, ndërsa policia do të punojë sa më shumë duke sanksionuar kosovarët me përjashtim, pasi nuk u janë përgjigjur letrave të tyre për të vazhduar vizën, për të paguar tatimin apo diç tjetër të kësaj natyre, sepse thejshtë nuk i kanë kuptuar ato.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.