«Jo, kosovarët i nuk pranojmë në punë»

Sipas një studimi të Fondit Nacional zviceran 59% shqiptarëve diskriminohen në tregun e punës për shkak të përkatësisë nacionale të tyre, pra për arsye se janë kosovarë. Qeveria nuk është pasive, ajo madje edhe i «fryn zjarrit».

Laura dhe Teuta përpiqen të «shporin» mbiemrin e tyre Berisha. Afrimit «i ka ardhur në majë të hundës Zvicra» dhe thurr plane për ta braktisur këtë vend njëherë e përgjithmonë. 17 – 19 vjeçarët janë të shtyrë nga i njejti hall: ata nuk mund të realizojnë ëndrrat e tyre në shkollim e profesion sepse janë shqiptarë nga Kosova.

Sipas disa studimeve, të financuara në Fondi Nacional (SNF), në Zvicër ekziston një diskriminim i rëndë ndaj të huajve me origjinë ballkanase e veçanarisht ndaj atyre nga Kosova.

«Nëse nuk e ndrroj mbiemrin s’do të gjej vend praktike kurrë dhe do ta kalojë jetën si pjatalarëse», thotë Teuta Berisha* nga Baseli, e cila u ka shkruar 127 firmave në Zvicër dhe ende nuk ka siguruar një vend pune ku do ta bënte praktikën. Arsyeja? «Shumica edhe ma thonë hapur: sipas biografisë, notave, shprehjes do të kishim pranuar menjëherë, mirëpo…», rrëfen ajo e zhgënjyer dhe na tregon vendimin e Gjykatës Federale, e cila ka refuzuar kërkesën e saj për ndryshim të emrit edhe pse nëna e saj zvicerane qe dhjetë vite nuk jeton më me kosovarin nga i cili dy vajzat kanë trashëguar mbiemrin.

Parimi me erë racizmi

Christoph T. është shef i personelit në njërën nga bankat më të mëdha të Baselit. Ky është njëri prej atyre që Teutës i ka thënë se po të mos «ishte nga Kosova, menjëherë do ta kishte pranuar në punë». E pyesim: Pse? «A për këtë punë doni të bisedoni me mua? Ne si firmë kemi të drejtë të pranojmë a refuzojmë kë të duam», thotë ai dhe kthen shpinën për t’u larguar. I ngjitemi pas, dikur pranon të flas «ca sekonda». «Shikoni, kosovarët janë problemi numër një i Zvicrës. Ju jeni gazetarë, lexoni gazetat. Personalisht nuk kam ndonjë përvojë të keqe me ta, ama ata janë problematikë. Ne e kemi bërë parim të mos pranojmë kosovarë në punë».

Pjesa dërrmuese e përgjegjësve të firmave që pyetëm e thonë të njejtën gjë. Prej nga ky imazh kaq i keq i shqiptarëve në Zvicër?

Shqiptarët nuk janë të pafajshëm

Sipas një studimi të bërë nga Etienne Piguet, profesor në Univerzietetin e Neuchatel-it dhe Rosita Fibbi nga Forumi për studime mbi migracionin dhe popullatën, arsyet se nga buron diskriminimi ndaj komunitetit shqiptar dalin të qarta: «1. Qe dhjetë vite partitë e djathta bëjnë propagandë nëpërmjet mediave e pllakateve kundër kosovarëve si kriminelë, të paintegrueshëm, muslimanë, etj. 2. Shqiptarët për nga numri janë grupi më i madh i të burgosurve për delikte 3. Komuniteti shqiptar është ndër më pasivët sa i përket pjesmarrjes në proceset shoqërore, pra s’kanë lobi si italianët, turqit dhe 4. Ata nuk i mbron askush zyrtarisht (pra në nivel shteti)». Sa qëndrojnë këto konkluzione?

Për drejtorin e Entit Federativ për Çështje të të Huajve Eduard Gnesa, arsyeja e parë dhe ajo e fundit si duket nuk janë relevante, ai përqëndrohet vetëm në atë të tretën dhe të katërtën, pra tek ato ku shqiptarin e «kanë fajin vetë për situatën». Gnesa është fare i qartë «Kështu është pra, ata njerëz nuk integrohen lehtë. Ata kanë probleme me shtetin, me autoritetet…Kush i respekton rregullat tona mund të rijë këtu, të tjerët nuk i duam». Gnesa e ka fjalën sigurisht për ato një apo dy mijë vetat me origjinë shqiptare që gjenden nëpër burgjet e Zvicrës e jo për ato 200 mijë tjerët që nuk bien ndesh me ligjin. «Mirëpo, fatkeqësisht ai flet vazhdimisht dhe vetëm për ata dy mijë vetat e jo edhe për atë shumicën që po diskriminohet», thonë në Entin Federativ kundër Racizmit.

«Shqiptarët janë të diskriminuar edhe nga institucionet shtetërore që duhej të mbronin ata», thotë aktivistja B.G. (e cila na lut që t’i përdoren vetëm inicialet sepse ka frikë që të mos i refuzohet subvencionimi i një projekti nga të njejtat institucione) dhe vazhdon «Shihni Komisionin Federativ për Çështje të të Huajve, ku janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet e mëdha; a keni ndonjë shqiptar? Jo. Në forumet e ndryshme që paguhen nga ata; poashtu jo. Si zvicerane e dij se të gjitha këto institucione përpiqen të mos kenë shqiptarë në rradhët e veta. Kjo është tragjike, por fakt». E vërtetë: në listat e të deleguarve të institucionit kryesor EKA (www.eka-cfe.ch) nuk figuronte asnjë shqiptar, përkundër faktit se ai është komuniteti i dytë me rradhë për nga numri.

Edhe një fakt tjetër tregon se shqiptarët janë «markë» e pambrojtur: Presidenti i Komsionit kundër Racizmit Georg Kreis thotë se «99 % e padive për racizëm ndaj komuniteteve dhe etnive (që përbëjnë 24 përqind të akuzave) janë refuzuar nga Gjykatat Federale».

 

Afrimi dhe «mafia shqiptare»

Afrim Krasniqi i ka humbur shpresat. Teuta dhe Laura nuk heqin dorë nga kërkesa për të tjetërsuar identitetin. Megjithatë Afrimi ka të drejtë kur pyet «çka kam të bëjë unë me ato pllakatat “mafia shqiptare”, “kosovarët jashtë” etj.». Instituti për hulumtimin e Opinionit në Bernë e thotë të kundërtën pas një ankete të bërë enkas për këtë punë. Ai është i mendimit si diskriminimi vjen pikërisht nga kjo propagandë.

«Në Zvicrën frankofone 24 përqind e kosovarëve diskrimonohen në vend të punës, ndërsa në atë gjermanofone numri i të diksriminuarve është 59 përqind, pikërisht për shkak të kësaj propagande», thotë Rosita Fibbi. Kjo statistikë vlen për ata të rinj që janë lindur, rritur dhe shkolluar në Zvicër, p.sh. si Afrimi, Teuta dhe Laura, po si duket puna me shtresat e tjera të komunitetit shqiptar «gjendja e tyre është shumë më e rëndë», është e sigurtë Fibbi.

*Emri i ndryshuar nga redaksia

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.