Letër nga Antoni

Oh sa mall kam për ju! 

Edhe pse në ditën e ndarjes, në ato çaste kur diçka të thatë shushuritnit mbi kokën time u zemërova tejmase me ju, prapëseprapë më mungoni.


Aha, sigurisht doni të dini se çka më ka tërbuar atëditë. Më tërboi ajo gropa e vogël që nuk i përshtatej madhësisë sime. E gjitha jeta ime me ju nuk ka qenë më e tmershme se sa ato orë pritjeje të delegatëve të Parnasit për të më shpëtuar nga ajo gjendje me gjunjtë para hundëve.
Trupi më dhimbte nga mundimi për të thyer eshtrat e mi të vjetër. Jo nuk mallkoja për shkak të dhimbjes që shkaktonin majat e skeletit tim të gërryer, por për arsye të dilemës që si me një shpatë të ndryshkur mesjete ma shponte zemrën: kaq pak paskam merituar unë me jetën time prej shkrimtari saqë edhe varrin ma kanë hapur duke kursyer çdo milimetër të tokës?
Megjithatë po më mungoni.
Sigurisht jeni të interesuar se si duket jeta këtu, në Parnas.
Fillimisht tejet interesante. Së pari më dërguan në Delfi, i cili ë gjendet në anën lindore të Selisë. Atje më dezinfektuan nga sëmundjet eventuale që mund t’i bartja nga jeta me ju dhe më morën masën e trupit për teshat që mi qepën më vonë; një fustan të bardhë që në anën e zemrës mban dy shkronjat ngjyrë ari AP, vonë kuptova se janë inicialet e emrit dhe mbiemrit tim. Pastaj ai promovimi i mërzitshëm i veprave të mia, të cilin e moderuan Lasgushi dhe Joyce. Edhe Konica i tha ca fjalë, mirëpo pikërisht atë çast kur ai fliste, Oscari (Wild) me trgonte një album me fotografi të djemve që ka njohur rrugëve e rrugicave të Londrës dhe Parisit.
Gjatë muajve të parë një shoqëri të mirë e kam pasur edhe me Homerin, të cilin pas ardhjes së Niçes e kanë izoluar në një barakë të veçantë, një formë arresti shtëpiak nën akuzën për plagjiaturë dhe nacionalizëm. Ka vite që është duke pritur gjykimin, por deri tani asnjë thirrje të vetme nga hetuesi Eliot nuk i ka ardhur. Në bazë të spekulimeve që qarkullojnë nëpër tavolinat e kafebareve të Parnasit pretendohet t’i mveshet akuza sikur të ketë bërë Ilijadën dhe Odiseun duke kopjuar zoetërat e Epit të Gligameshit dhe sagave kineze, thjeshtë duke i greqizuar emrat për qëllime patriotike, për t’ia lënë madhështine atdheut të tij Greqisë, në kurriz të të tjerëve. Unë as që e kam pyetur për një gjë të tillë. Bisedat tona sillen rreth temës së Ilirisë. Jam duke mbajtur shënime. Gjëra interesante që nuk nuk zbulohen dot jashtë këtij mali, sepse këtu gjenden gjitha kohët, gjitha mendjet, një lloj internati ku mbahen të gjalla epokat e qytetërimit.
Ka tre muaj që më kanë ngarkuar me një detyrë. Qëllojani se çka? Vetë kryetari aktual departamentit poetik të Parnasit Ezra Pound më ka angazhuar që të kujdesem për listën e shqipshkronjësve që duhet të pranohen në mbretërinë tonë, pra që duhet të fitojnë statusin e amshimit. Jam i gëzuar për një mision të tillë. Nuk ua merr mendja se sa prej tyre që ne i kemi konsideruar si krijues të mëdhenj – madje edhe ata vetë e kanë menduar ashtu – s’janë fare këtu. E vetmja gjë që s’më pëlqen në këtë detyrë është puna e mundimshme e përpilimit të monografive për ta, sepse sipas Poundit (nuk e dij a ka të drejtë) po si bëmë ne këtu ata do të mbesin pa to. A mund ta shpjegoni ju këtë punë? Unë ende nuk kam kuptuar përse ky burrë po e ka këtë mendim për krijuesit e kritikët shqiptarë. Ne mund të jemi kopracë kur bëhet fjalë për copat e dheut që duhet t’ia falim një të vdekuri ose mund të jemi edhe të paaftë për të njohur ashtu siç duhet kandidatët potencial për në Parnas, por aq egoistë saqë të mos ua pranojmë meritat të tjerëve, të gjallëve e të vdekurve, për vlerat artistike që kanë nuk jemi apo…?
Të dashur miq të mi, sa për jetën e qetë në këtë majë të lartë ku yjet mund të preken me dorë, ku mbizotëron vetëm një stinë; pa mjegulla; ku era frynë vetëm sa për të mbajtur nën kontroll freskinë dhe gjithçka është gratis, madje edhe eskurzionet përtej kohës, nëpër epoka e ngjarje të mbamendjes njerzore, do të ju shkruaj një herë tjetër ose do t’iu flas nëse fati do që të takohemi, shkaku pse ua shkruaj këtë letër është diçka krejt tjetër, tepër serioze dhe sekrete.
Siç u shkruajta më lartë jeta është këtu ashtu siç mund ta ëndrrojë çdokush prej jush. Parajsë e vërtetë! E dij që ju të gjithë e keni pasion për të ardhur këtu, mirëpo unë jam duke u tretur nga monotonia e kësaj jete pa stinë, më mungoni ju, më mungon ndeja dhe kuvendimi me ju. Ecja trotuarve plot gjallëri të qytetit. Prandaj kam vendosur të ikë, të emigrojë prej këtu e të kërkoj sërish azil atje ku gjendeni ju, në jetën jashtë kësaj Selie.
S’ka gjë për xhelozitë, intrigat, ndërskamcat, budallallëqet, shpifjet e gjithçka tjetër, të gjitha do t’i pranoj mbi shpatulla, vetëm mos më leni këtu. Kam nevojë që të jem në mesin tuaj, i gjallë, s’më duhet kjo jeta e amshueshme, më mjafton kur dikush prej jush më kap për krahu e më heq zvarrë në kafenenë më të afërt, në sallën ku lexohen poezi a tregime, më shpëtoni nga kjo jetë ku askush në rrugë nuk therrët: O Anton Pashku!
Kjo është lutja ime: a keni mundësi, a njihni ndonjë formulë për të më kthyer sërish në mesin tuaj!
Po pres me padurrim përgjigjen tuaj.
I juaji përgjithmonë Antoni

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.