Spiunët, patriotët dhe partitë

PDSH dhe BDI bëjnë luftë. Përlahen në lidhje me ca dosje që paskan ardhur nga Beogradi. Gojëhapur dhe të shokuar kanë mbetur edhe detektivët më të dobët. BDI e arrestoi Hysen Musliun me dy kompjuterët e tij që nuk di ti përdorë. Dy partitë tallen me elektoratet e tyre. Masë votuese që duhet tani të veprojë duke ua hequr besimin njëherë e përgjithmonë.

I.

Shërbimi sekret serb paska vendosur që të riorganizojë arkivet e tij. Të gjitha dosjet që nuk i duhen më, i bartë me kamionë në Maqedoni dhe i le para shtëpive të shqiptarëve të përafërt me PDSH-në, nëpër zyra gazetarësh e madje edhe nëpër trena e autobusë. Kështu të krijohet përshtypja, kur iu hedh një sy debateve, artikujve e polemikave të zhvilluara kohëve të fundit atje.

Çka ndodhë në të vërtetë?

Jo, më mirë t’a nisim ma ca pyetje?

1. Pse Serbia i hedh dosjet e saja mbi Ali Ahmetin, Dajën dhe tezet e tij, pikërisht tash e jo në kohën kur ky bashkë me Fazli Veliun udhëhiqnin LPRK- në nga Zvicra; kur mbushnin autobusët me djem të ri në drejtim të luftës në Kosovë. Kur vërtet i bënin dëm dominimit serb në Kosovë.

2. Pse të gjitha dosjet i gjen PDSH ose njerëz të përafërt me të.

3. Kush humb e kush fiton nga gjithë kjo tragjikomedi?

II.

Në gjithë këtë teatër, të sinqertë dhe transparentë dalin ish funksionarët e shërbimeve «sekrete» të Jugosllavisë. Pas akuzave të BDI-së, se Hisen Musliu dhe i biri i tij (në agjencinë maqedone të zbulimit – molla nuk bie nën dardhë) qenkan përpiluesit (kupto: falsifikuesit) e atyre dosjeve, doli ish inspektori i shërbimeve dhe këshilltari i Jankullovskës dhe tha se Talati i BDI-së gënjen dhe se ka qenë informant i shërbimit të këtij të fundit gjatë luftës në Maqedoni. Menjëherë pas kësaj u arrestua Hisen Musliu bashkë me dy kompjuterët e tij që nuk di ti përdorë.

Hysen Musliu nuk arrestua se kishte bërë sajimin e dosjeve. (Nëse e ka bërë diçka të tillë le të dënohet). Por për arsye se BDI është në pushtet. Për arsye se Talat Xhaferi gjendet në anën e Tigrave e ky i fundit në anën e PDSH-së e cila ecë edhe nëpër kufoma për t’u kthyer në pushtet. Hisen Musliu doli para mediave dhe tregoi se tërrë jetën e ka kaluar si inspektor shërbimesh jugosllave. Haptas. Talat Xhaferi as që ka nevojë të sjellë argumente publike sepse e ka mik koalicioni Gruevskin. Kryeministrtin aktual të FYROM-it.

III.

Hisen Muslin e njohë personalisht. Pas arrestimit tim për demonstratat e Tetovës, në një qeli të «Shutkës» më morri në pyetje. Pyetja e parë që ma bëri ishte: « A e ke lënë ndonjë pa e përzier në deklaratat e tua«? E kishte fjalën për gjithë ato emra që unë i jepja SDB-së gjoja se punojnë kundër ish- Jugosllavisë. Qëllimi i ne ilegalëve atëbotë ishte që të ecim pas motos «burgjet plotë, liri e …». Sa më shumë mësues, profesorë, antarë familjesh të mëdha nëpër burgje aq më jetëshkurtër Jugosllavia. Kështu kalkulonim ne atëherë.

Hisen Musliu i kishte hall njërzit e listave të mia sepse i njihte dhe nuk donte t’i marrë në qafë. Ose ishte i sgurtë se ishin besnik të sistemit që prezantonte ai.  Kështu që SDB nuk i arrestoi ata njerëz që doja unë, por të tjerë, pjesën dërrmuese të të cilëve nuk e kisha parë a dëgjuar kurrë në jetë. Hisen Musliu dhe Stolet e Dapçet e tjerë të shërbimeve montonin procese politike për të shpëtuar sistemin politik, të cilit verëbërisht i besonin. Ashtu siç i besonim ne të tjerët një sistemi tjetër politik, atij të xhaxhit Enver.

Cili është dallimi ndërmjet meje dhe Hisen Musliut. Unë gënjeja shërbimet sekrete duke u përpjekur të marrë në qafë njerëz që ta arrijë qëllimin tim, pavarësisht asaj se çdo do të ndodhte me të arrestuarit. Kështu e ka revolucioni na thonin instruktorët tanë. Pa vrarë ndërgjegjen për faktin se njerëzit e torturuar nga shërbimet sekrete mund të mbeteshin gjithmonë me defekte ose të vdisnin qelive të burgjeve jugosllave. Hisen Musliu i urdhëruar nga Beogradi  sajonte procese të montuara politike kundër shqiptarëve për të luftuar «Kundërrevolucionin». Aktiviteti i të dy ne, sado paradoksale që të duket, çoi në shkatërrimin e Jugosllavisë. Cili është dallimi në mes nesh? Se unë kam qenë në anën e «popullit» e ai në anën e diktaturës?

IV.

A ekziston mundësia që Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu të kenë informantë të shërbimeve sekrete serbe? A ekziston mundësia që Talat Xhaferi të ketë qenë informant i shërbimeve sekrete paralelisht me të qenurit në UÇK. Po. Gjithçka është e mundshme.

E vërteta nuk do të dalë kurrë në shesh. Prandaj spekulimet nuk do të kenë të ndalur kurrë. Dhe kjo nuk është detyrë e gazetarëve seriozë, që të bien pré e këtyre intrigave ndërpartiake. Me rëndësi është që ne të bëhemi transparentë me vetevten dhe të demaskojmë lojërat e strategëve partiakë me masat e mjera. Të dalim në anën atyre që përtallen, nënçmohen dhe denigrohen nga partitë në fjalë.

V.

Ata që besonin në Titon kanë gabuar se ndiqnin shqiptarë. Ata që besonin në Enver Hoxhën kanë gabuar se përkrahnin një diktator që vriste shqiptarë. Ilegalët merrnin në qafë njerëz se u duhej «mish për revolucion». „Legalët“ merrnin në qafë njerëz se u nuk donin ta humbnin pushtetin dhe shtetin. Arbër Xhaferi mbronte pushtetin e atëhershëm duke censuruar filma në RTP me qëllim të moslëkundjes së kosovarëve nga ideologjia jugosllave. Menduh Thaçi kalonte kohën duke ua zënë rrugën vajzave që shkonin në shkollën e mesme të medicinës në Tetovë dhe duke përlarë qentë në çarshi. Ali Ahmeti mblidhte pare në diasporë dhe derdhte lotë për Enver Hoxhën. Njëjtë Fazli Veliu e të tjerë. Të gjithë në një mënyrë apo tjetër jemi fajtorë apo kontribues pozitivë për gjendjen në të cilën  gjenden shqiptarët sot. Kosova është bërë shtet. Në Maqedoni ekziston Marrëveshja e Ohrit dhe të ngjashme. Hakmarrjet ndaj pensionerëve (Hisen Musliu nuk njihet si torturues dhe se ka bërë krime personalisht ndaj shqiptarëve të sanksionuar) dhe grindjet ndërshqiptare që i nxisin partitë e përmendura janë krimi më i ri politik.Autorët e këtyre proceseve nuk na shesin nesër dot lakra se paskan qenë të irrituar nga kjo apo ideologji e se paskan pasë „qëllimin e mirë“, thjeshtë për arsye se me vetëdije sajojnë krime në dezinteres të gjithkujt që nuk gjendet në taborrin e tyre.

VI

Përkundër të gjitha aspekteve negative, kjo aferë ka diçka pozitive, sidomos në apektin psikologjik. A nuk është momenti vendimtar për shumëkë në Maqedoni që të kuptojë se si partinë në pushtet ashtu edhe atë në opozitë (brendashqiptare) nuk duhet marrë më seriozisht. Kush i ka zgjedhur ata bylbyla në politik që të merren me veten, me intriga e sajime? Ata tallen me popullatën shqiptare në Maqedoni. Kemi të bëjmë me politikanë, të cilët nuk kursejnë asgjë – as njerëz, as çështje politike apo diçka tjetër – për të ardhur në pushtet ose për ta mbrojtur atë. Le të na thonë Talat e Arbër Xhaferi, Menduh Thaçi e Dajë Zajazi se çka na jep ne arsye që të mos besojmë se ata të gjithë kanë qenë e janë spiunë? Të përballur me këto sjellje gati mafioze, nuk kemi as vullnetin më të vogël që të besojmë, se ata nuk janë të tillë. Se ata nuk janë të gatshëm madje të bëjnë  të këqija  edhe më të mëdha se sa vetëm pastrimin e biografive të tyre nga njollat e zeza.

VII

I vetmi shpëtim: Leni dosjet. Lironi ata që së paku janë më transparent se ju. Përpiquni t’i realizoni të drejtat e garantuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe në fund ikni nga skena politike.  Ikni para se t’ua nisin dosjet ata që sot i keni pranë e nesër ju bëhen biografë. Ata dinë edhe më shumë gjëra se sa që mund të shpif Beogradi, zyrat e fshehta të partive apo ndonjë ish-inspketor i shërbimeve sekrete.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.