Kolera, pasuli dhe krijuesit

Autorët dhe piktorët shqiptarë në Zvicër ankohen se nuk i përfill kush. «Integristët» përheshtin ekzistencën e tyre, sepse  artistët nuk i fusin dot në kategoritë e tyre asociale, të paintegrueshme, analfabete, për çka edhe paguhen. Autoportreti i thyer i një komuniteti.

«Debat për letërsinë në kohën e kolerës», kështu titulli i një teksti në një websit që mirëmbahet nga shqiptarë të Zvicrës. E favorizova faqen. Tekste të tilla duhet lexuar patjetër. Sidomos kur ato janë shqip. Ndërkohë më vërdallej nëpër imagjinatë ai i shkreti Florintino Ariza i Markezit që «dënoi» veten duke pritur që t’i vdes burri Fermina Daza-s për ta pushtuar sërish atë, madje edhe të thinjur e të kërrusur siç mund të ishte një grua në moshë. Fillova t’i kërkoj do lapsa të mundshëm të diasporës shqiptare në Zvicër, që do të ksihin mundur të shkruajnë ndonjë ese për romanin themelor të realizmit magjik. Ende pa e gjetur adekuatin iu ktheva laptopit dhe të parin klikim ia bëra faqes së favorizuar…

Teksti nuk bënte fjalë për Markezin. Në vend të Gabriel García Márquez-it, Florentinos dhe Ferminës u ndesha aty me Fatmir Salihun, Muharrem Blakajn dhe me piktorin, mikun tim Gani Bytyçi. Sidomos kur e identifikova këtë të fundit gati sa ia fala raportuesit mashtrimin që ma bëri, duke më përplasur nga Kartagena në Gjilan, respektivisht në «këndin e sallës së një klubi tetovarësh» – në këtë kontekst raportuesi fatkeqësisht kishte harruar të na përshkruajë detajisht edhe ata tetovarët duke ngrënë groshë me mish (pasul, fasul…)

Po ç’u bë me kolerën se?

Kanë qenë ata autorët, piktorët e «dashamirët e artit» aty të infektuar me bakterien vibrio cholerae saqë tërë kohën në vend se të debatojnë për «cilësinë e diskutueshme artisitike të krijuesve shqiptarë në Zvicër» kanë bllokuar toaletin e tetovarëve (poashtu në zor për shkak te pasulit) duke vjellur e dh… gjithandej? Nëse vërtet ka qenë kështu, nëse vërtet pjesëmarrësit aty kanë qenë në gjendje kolere, atëherë kuptoj prej nga ajo «pakënaqësia e përjetshme  e krijuesve me trajtimin e punës së tyre». Përndryshe ku t’ia gjejmë vendin simbolikës «në kohë kolere»? Është jeta në Zvicër epidemike për autorët shqiptarë?

Po çka ishte aty surreale?

Ishin apo nuk ishin aty Salihu, Neziri, Bytyçi, Blakaj, Osmani e të tjerët? Apo kemi të bëjmë me një ëndër, një iluzion shopenhauresk: mendojmë se shohim sende, të cilat në realitet nuk ekzistojnë fare. Pra njerëz që duken si të tillë ama nuk janë, autorë, piktorë që sillen si të tillë ama që s’janë të tillë? Ka menduar ndoshta autori në ato çaste në «Gjoksin e Tiresias» të Apollinerit që si nëntitull ka «një dramë surrealiste» apo ka ftuar në asistencë etërit e lëvizjes surrealiste në art Max Ernst dhe André Breton. Një rryme postdadaike që në luftën e saj antiborgjeze  kërkonte potencimin e botës së ëndrrës, nënvetëdijes dhe joreales (joracionales). Jo? Ani pse atëherë? Një pamje është surreale atëherë kur objektet a subjektet që kemi përshtypjen se i shohim nuk ekzistojnë ose atëherë nëse pjesëmarrësit kanë apeluar që Zvicra të merret më shumë me receptimin e ëndrrave, ndjenjave dhe gjithë atyre elementeve metafizikë që rrezatojnë autorët shqiptarë me qëllim që t’i përfill më shumë ata. Ia qëlluam? Kanë bërë autorët shqiptarë në atë mbledhje një apel të tillë; që shoqëria këtu t’i shohë nëpërmjet vlerave të tyre të padukshme. Është ky mesazhi i gazetarit? Lidhje nuk kam. Shpresoj që të mos ketë ditur se çka shkruan dhe ia ka fut ashtu kot, siç është e zakonshme në mediat e plisëbartësve. E kundërta na flet për një raportues megaloman që veçse nuk plas nga tallja perverse me «mjerimin» e artistëve shqiptarë në Helveci.

u3_foto_1RR

Realiteti dhe kërkesat

Se në Zvicër jetojnë ca dhjetra autorë e piktorë shqiptarë nuk ka dilemë, pra skemi të bëjmë me asgjë surreale në këtë kontekst -në asnjërin version të definicionit. Se sa cilësi kanë ata është vërtet çështje që nuk duhet përdorur as rrëshqitazi në një raport të tillë. Hiç më pak vetëm me një fjali, e cila sugjeron kompetencën e një studiuesi të rëndë të arteve të krijuara në diasporë, një babloku kritik që me dhjetra studime më herët na ka dëshmuar se për çka e ka fjalën.

Ta lëmë këtë punë, të ikim nga frazat e raportit dhe të kthehemi tek ato mesazhet e krijuesve shqiptarë në Zvicër.

1.Fatmir Salihu ankohet se krijuesit shqiptarë në Zvicër injorohen nga rrethi ku jetojnë? Poeti kërkon trajtim më të mirë.

2.Gani Bytyçi thotë – nga përvoja personale – se në Francë gjendja e kirjuesve është më e mirë. Ka më shumë respekt.

3.Blakaj ankohet se askush nuk financon projektet e autorëve, ndërsa për folklor dhe biznese tjera derdhen me shumicë mjete.

  1. Osman Osmani kërkon organizim dhe në të njëjtën frymë – ende pa u organizuar – kërkon formalizim, disciplinë, përgjegjësi sikur të ishte në ndonjë defilé rekrutësh të porsardhur.

  2. Dhe siç del nga raporti unisono: Kosova ka vendosur ligje për mërgatën, ama mos pritni gjë prej tyre.

Autorët dje dhe sot

Që nga viti 1993 e deri para shpërthimit të luftës në Kosovë nuk kalonte muaj pa u organuizuar ndonjë mbrëmje letrare apo ndonjë takim karakteri tjetër me autorë shqiptarë. Ndër iniciatorët dhe realizuesit ishin shumë shpesh zviceranë. Puna shkoi deri aty sa që mediat zvicerane me të madhe diskutonin për një letërsi të pestë në Zvicër. Liriku Shaip Beqiri madje përfaqësoi atë «letërsi të pestë» në panairin e Frankfurtit kur Zvicra u ftua si mike e radhës. Në media u zhvillua po ashtu një debat rreth trajtimit jo të denjë të intelektualëve të ekziluar kosovarë. Një listë e prirë nga shkrimtari Adolf Mushg madje replikonte për këtë punë me Qeverinë zvicerane. Nga Gjermania – me kontributin e Hans Joachim Lanksch – krijoheshin «antologji» periodike me krijimtarinë e shkrimtarëve kosovarë në Zvicër.

Fatmir Salihu sigurisht nuk i ka harruar këto se edhe vetë ka qenë aty këtu protagonist.

Për çka flet kjo histori? Kjo dëshmon se interesimi i shoqërisë këtu nuk ka munguar dhe dora ka qenë e zgjatur për shumë vite. Çka ndodhi? Autorët – ose siç quhen vazhdimisht -, krijuesit shqiptarë nuk i ruajtën këto lidhje, nuk bënë diçka të denjë që të mbeten në lojë. Ata u individualizuan gjithaq sa që as si «objekte surrealiste» arti nuk i gjeje dot. Në vend të tyre hyri në lojë një segment tjetër i migracionit shqiptar në Zvicër: Segmenti i puntorëve dhe mediatorëve socialë që kontribojnë në integrimin e kosovarëve në shoqërinë zvicerane.

Integristët

Një «shoqëri» (mendohet në institucionet e shtetit) e pranon atë grup – folur nga perspektiva e migracionit – që arrin të etablohet si prezentues i dikujt. Atë segment brenda komunitetit që sillet të jetë kompetent për «fisin» të cilit i përkon. Kësaj radhe janë në formë integristët, ata që bëjnë projekte dhe kërkojnë forma të ndryshme komunkimi ndërmjet vendësve dhe kosovarëve që janë duke kërkuar rrugët e socializimit. Këta integristët si duket nuk kanë interes që në projektet e tyre të përfshijnë edhe kapacitetin letrar e artistik si urë lidhjeje. Pse? Sepse nuk e njohin atë? Apo ndoshta se do të ishte diçka kundërthënëse me preambullat e shumicës së projekteve të tyre, të cilat flasin mbi komunitetin e tyre sikur të kishim të bëjmë me ndonjë kopé kafshësh nga Zululandi, ku shkrimtarët as si «dromcë surrealiste e nënvetëdijes» nuk ekzistojnë? Mos keni lexuar intervista, portrete apo krijimtari  shkrimtarësh shqiptarë, mos keni gjetur kampanja prezenatimi në gjithë ato projekte që merren me integrimin. Jo. Nuk kanë vend, sepse na ata djersiten për të na treguar se në ç’situata mbetet femra shtatzënë; se sa e shëndetshme është larja e dhëmbëve pasi të ham çokolata; se si nuk duhet t’i rrahim gratë sa herë që të na duket se laknuri nuk është pjekur si duhet…Çfarë profiterësh injorantë!

Ja ky është portreti dhe të tillë kërkojnë zviceranët sot e jo asysh si ata të tubuarit në atë «pasulhanen e tetovarëve»  me klientelë të ratsësishme gjilanase.

Paaftësia e prezantimit

Nga ana tjetër, për gjendjen në të cilën janë 50 krijuesit shqiptarë në Zvicër i bartin me shumicë fajet edhe vetë ankuesit. Përveç diskriminimit që iu bëhet nga integristët, ata as vetë nuk lëvizin dot nga kanapétë për të dëshmuar ekzistencën e tyre në shoqëri. Çka e ka penguar Muharrem Blakajn deri sot të nis një iniciativë për krijimin e një portali – në gjuhët e vendit – ku do të postoheshin krijime autorësh të asaj «letërsisë së pestë»? Financimi? Vetëm me nga pesdhjetë franga në muaj për autor do të kishte mundur të hapë dy tre vende pune në Kosovë për mirëmbajtjen e platformës dhe përkthimin e teksteve? Ky vetëm si shembull ilustrues, një hap prezantimi, të ngritjes së zërit: hallo edhe ne jemi këtu!

Megjithatë çështja kapitale mbetet: ku qëndron problemi i mosorganizimit? Kush ka hy në barikadë për të parandaluar autorët dhe artistët shqiptarë që të takohen, të debatojnë e diskutojnë se si ta organizojnë veten me qëllim që të përfillen nga rrethi ku jetojnë dhe ta kenë një zë për kolegët e tyre në atdhe, të cilët hiç më ndryshe se nuk sillen se «rrethi» tjetër.

Ligjet për mërgatën nuk do ta ndryshojnë gjendjen. Përveç botimit gratis të këtij apo atij autori ato nuk do të ndikojnë më shumë. Nuk duhet të ndikojnë më shumë, sepse ma merr mendja, se shkrimtari, piktori, artisti në përgjithësi më mirë e ka vetminë se sa instrumentalizimin.

Pra asgjë surrealiste, por ekzistenciale. Keq ama realizëm pur e as magjik.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.