Triumfi lumor i harmonisë

(ESE MBI ARTIN E PIKTORIT SHQIPTARO – ZVICERAN ALI SINANI)

I pazbërthyeshëm është arti i Ali Sinanit për ata recipientë, të cilët nuk kërkojnë të Bukurën, por përpiqen që brenda veprës të identifikojnë shenja të njohura komunikimi, identike me ato që kanë në repertorin e vetë kulturor, asisoj kodesh që drejtojnë receptorët e perceptimit të tyre personal. Recipienti i përballur, për shembull, me pikturën «Gjurmët I» (2009), nëse donë të zhytet suksesshëm në botën e kësaj vepre të Ali Sinanit duhet pra paraprakisht ta zhveshë habitusin e tij. Veç pas këtij akti atij do t’i mundësohet përjetimi kualitativ dhe shpirtëror i pikturës. Madje edhe më tepër: ai do të mundet që të ndiejë e dëgjojë brenda damarëve të tij shushuritjet e rrjedhshme të ngjyrave, aortën qendrore, gjallëruese të botës së brendshme të pikturës së Ali Sinanit. Në këtë mënyrë shpirti i higjienizuar i recipientit do ta zbulojë frymën e vetë të panjollosur, të çiltër, sikur të lindte, rilindte, po atë çast gjersa qëndron para artit të Sinanit.

GJURMËVE TË NJË BIOGRAFIE

Për kritikun e sinqertë më së miri do të ishte që të merret vetëm me punime të paemërta, pa tituj. Jo për hir të synimit të tij që të disponojë me një pushtet të pakufizueshëm  interpretimi, porse titujt, në të shumtën e rasteve shkaktojnë vërdallje të panevojshme brenda një fenomeni të kufizuar filozofik. Pra, titujt shpesh reduktojnë shtrirjen dhe dimensionet reale estetike të veprave të artit.

Një konsekuencë tjetër negative që rezulton nga emërtimet është edhe humbja e autonomisë së pikturave  si vepra të veçanta brenda tërësisë së veprës. Nga njëra anë për shkak të faktit se shumica e kritikëve nuk pëlqejnë interpretimin apart (për secilën vepër veç e veç, madje edhe atëherë kur një trajtim i tillë është i paevitueshëm) dhe nga ana tjetër, për arsye se mënyra e përshkrimit induktiv iu lehtëson studiuesve të artit që krijuesit  ti stampojnë si pjesëtarë shkollash, stilesh, temash e muzesh.

Edhe Ali Sinani ka titulluar punimet e tij. Dhe atë në një rend tematik dhe procesual: Gjurmët, Tradita, Nostalgjia, Ndarja, Sekretet, Enigma, Shpresa, Ndjenjë lumturie, Lulëzim lulesh. Janë stacionet e biografisë së tij. Lehtë të dekodueshme dhe të përdorshme për përshkrimin e biografisë së çdo krijuesi të suksesshëm.

Ali Sinani vetëdijesohet (e vetëdijësojnë) për gjurmët e talentit që ka. Gjatë kërkimit të idoleve zbulon ekzistuesen, atë kapital të konservuar në traditë dhe e studion atë. I shtyrë nga një nostalgji për epokat e shkuara, përpiqet që deri në maksimum të imitojë mjeshtrit e tij. Ia del me sukses. I pakënaqur ndahet nga idolët e tij dhe vazhdon të gjurmojë brenda vetes forma të tjera. Ndeshet me një kufij të zjarrtë, prej ku nis territori i një labirinti sekret dhe enigmatik. Përtej atij kufiri qenka rruga e artit të tij. Në labirint ia kap syri një dritë, e cila i nxit shpresën, përfundimisht të ketë gjetur kuptimin e rolit të tij në art. I përlarë nga ndjenja e lumturisë përplaset lartë poshtë labirintit dhe hidhet jashtë, atje, përtej unit të shkolluar akademik dhe përjeton se si gjurmët e tij metamorfozohen në lule që sapo lulëzojnë.

Dakord? Është kjo vepra e Ali Sinanit? Përpiqet ai, që nëpërmjet brushës dhe ngjyrave të na estetizojë biografinë personale? Jo?

ANALIZA

Përkundër rezistencës sonë, që artin e Ali Sinanit ta studiojmë pa ndikimin e formimit tonë, d.m.th. të çliruar nga çdo model teorie e historie, për shkaqe krahasimi na imponohen dy paraardhës të tij: Pranë kemi piktorin dhe profesorin gjerman Willi Baumeister (1889-1955) dhe piktorin katalanez, autorin e «pëlhurave të djegura», Joan Miró (1893-1983).

«Është një forcë pozitive, e cila  përkundër të gjithave, triumfon me heshtjen e saj të gjallë», tha Wassily Kandinsky gjatë një vizite që i bëri ekspozitës së Willi Baumeister më 1935 në Milano. Piktori dhe teoriku rus i arteve patjetër të ketë qëndruar para punimeve të Baumeisterit si «Tenisi» (1933), «Piktori me paletë», (1933), «Vrapuesi» (1934) ose «Kërcyesi» (1934), kur i fascinuar i duhej të konstatoj të ketë një dytësor.

Willi Baumeister vërtet ishte një mjeshtër i pakonkurencë kur bëhet fjalë për procesin e tjetërsimit (dhe emancipimit) të kulturës receptive: ai nga elementi më agresiv ishte në gjendje që të na krijojë diçka krejtësisht të butë, të ndjeshme dhe fine. Bëhet fjalë për atë krijues, i cili teorinë parmenidike e zenonike mbi mosekzistencën e Lëvizjes na shiste edhe atëherë si të vërtetë absolute kur ne gjendeshim para atletëve, të cilët me një shpejtësi marramendëse kërcenin gjithandej.

Piktura e tij, «Vertikalet lëvizëse në të kaltër» (1953), na shërben në këtë kontekst për të dëshmuar kalimet e rrjedhshme dhe kontinuitative ndërmjet krijuesve të gjeneratave të ndryshme: Elemente natyrore si drunjtë pagjethe, sëpata nga guri, shtylla elektrike dhe forma të tjera në të zezë lëvizin kërcënueshëm në drejtime konfrontuese, sikur të bënin luftë, sikur të kishin për synim asgjësimin reciprok. Mbizotëruesja, sunduesja në prapaskenë, e kaltërta duket të jetë në kulmin e qetësisë së saj. Asaj nuk i bënë fare përshtypje fluturimi i «copëzave» të gjelbërta, të kuqe e të zeza nëpër etér, ajo mbetet e paprekshme dhe ruan skajshmërisht dominancën e saj. Në «Kaltërsia II» (1961) të Joan Mirós përfundon lufta brutale e elementeve e nisur në «Vertikalet lëvizëse në të kaltër». Një vertikale e përgjaktë dhe disa gjurmë të zeza, në minimizim e sipër, përpiqen t’i ikin, t’i shpëtojnë pushteti të kaltërsisë. E kaltërta zbardhet një çikë dhe farkon edhe më shumë sovranitetin e saj. (Këtu Miró si duket ka hequr dorë nga synimi për të vrarë artin dhe ia dorëzon atë zbrazëtisë). Nga gjurmët në zi, nga zemra e kaltërsisë, gjallëron, ndez Ali Sinani ngjyrat sërish dhe i përzien ato në një kompozicion të pademolueshëm: dy gërvishtje vertikale në pikturën «Ndarja» (2008) të Ali Sinanit  edhe pse janë referencë për luftën e mëhershme – atë luftë të tmerrshme e plotë urrejtje – ato më shumë janë simbole respekti ndaj një epoke, e cila përkundër të gjithave, ishte qiejrrënues, ashtu sepse ndihmoi krijues si Baumeister dhe Miró që të triumfojnë shpirtlirë mbi ligësinë.

E zeza baumeisteriane fragmentohet deri në atë masë saqë kapitullon, detyrohet t’iu nënshtrohet ngjyrave të ndritshme. Të njëjtin fat ka edhe e kuqja e Mirós, e cila zbehet nga drita deri në atë shkallë saqë i duhet të shkrihet brenda nuancave të ngjyrave të tjera. Atje ku e kuqja dhe e zeza mbijetojnë nisin rrugëtimin përbashkues me grinë, me të gjelbërtës, dhe marrin në punimin «Ndarja» funksionin e dy samaritëve kontrastues, pa ndihmën e të cilëve zor se mund të lindte ajo pikturë e shkëlqyer, e cila del të jetë kurora e një harmonie dhe paqësimit total. E kaltërta arrin optimumin dhe përvetëson pushtetin absolut. Ajo sundon te Willi Baumeister dhe Joan Miró dhe përkryen veten te Ali Sinani.

Panta rhei e Ali Sinanit

Kalimi nga njëra tek tjetra pikturë mbizotërohet nga një muzikalitet i përjetueshëm. Ngjyrat dhe figurat ndërrojnë pozitat, emancipojnë intensitetin nga epoka në epokë dhe bashkojnë tre piktorët në një lumë shushuritës, i cili rrjedh, pafundësisht rrjedh.

Ekskursioni nëpër botët e tre piktorëve çon në një univers elektrizues, të gjallë e megjithatë qetësues, paqësues dhe harmonik. Sinani vertikalizon përforcueshëm intensitetin e figurave të Baumesiterit, rigjallëron zbrazëtirën e Miros me një distancë të butë dhe më harmonike, kështu duke funksionalizuar një botë ngjyrash, e cila ia heq kompozicionit çdo përhumbje optike, përjashton çdo njollëzim dhe paqartësi dhe paravdes çdo dilemë të mundshme receptive.

Katalanasi, gjermani dhe shqiptari kanë edhe diçka tjetër të rëndësishme të përbashkët: ata kanë të njëjtë fuqinë e frymës, shpirtit për t’ia sjellë artit, të bukurës triumfin edhe në pakohë, edhe në kushte sistemesh të egra politike.

Ali Sinani sjell një art thellësisht të pastër, një art që kritikut ia bën të rëndë klasifikimin e tij në njërin nga –izmat, shkollat, stilet, drejtimet e muzetë e artit. Në disa aspekte – sidomos në rastin kur kërkohet një imperativ estetik për kohën – arti i Ali Sinanit madje mund të ishte ajo udha e drejtpërdrejtë që sjell në portat gati të palëvizshme të harmonisë totale. Ajo udhë për të cilën sot aq shumë vuan qenia e dënuar me vetëndjekjen permanente, një shpëtim për atë qenie humane, të digjitalizuar deri në asht, e cila më shumë se kurrë ka nevojë për një art të këtillë, për artin e Ali Sinanit.

 

Shënime biografike

Shqiptaro – zvicerani Ali Sinani ka lindur më 1977 në Dobërdoll të Maqedonisë perëndimore. Gjatë vitit 2009 ai mori titullin e magjistrit të shkencave të artit në Akademinë Universitare të Arteve në Shkup. Është anëtar i asociacioneve të ndryshme të artistëve zvicerane dhe të Maqedonisë. Deri tani ka realizuar mbi njëzet ekspozita personale e kolektive në Maqedoni, Zvicër dhe së fundi në Gjermani. Jeton dhe punon në Sankt Gallen të Zvicrës, ku edhe jep kurse në studion e tij «Arte».

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.