Enveristët dhe titistët e ditëve tona

Lëvizjet antijugosllave ishin të gjitha enveriste. Ato që nuk ishin të tilla degjeneruan duke u marrë me veten. 68 dhe 81 janë vepra të tyre. UÇK është vepër e tyre. Kontratat me CIA-në, MI6 dhe shërbime tjera e sidomos me Perëndimin në përgjithësi në lidhje me pavarësimin e Kosovës janë vepër e tyre. Gjithë ata që nuk ishin me ta besonin në Titon ose ripajtimin me Serbinë. Tash mos shesim lakra se nuk na i blen askush. Mirënjohja dhe respekti nuk implikojnë servilizimin ndaj ndonjë ideologjie.

1.

Në Zvicër u përkujtuan ngjarjet e 1981-ës. Dikush u shqetësua keq. Jo nga akti i përkujtimit vetë, por nga përmbjatja e tij. Do zyra zvicerane ishin alarmuar me faktin se ambasadori i Kosovës Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë kishin marrë pjesë në manifestim. Informantët e mjerë të këtyre zyrave e kishin bërë mizën elefant dhe në mënyrë të padiferencueshme kishin raportuar duke krijuar përshtypjen sikur ambasadorët të vajtojnë ditë e natë nga nostalgjia për kohët e diktaturës shqiptare. Po të ishte kështu, ndër të parët që do t’i kishin akuzuar do të ishte autori i këtij teksti, i cili asnjëherë nuk e fsheh aversionin sidomos ndaj arrogancës së ambasadorit kosovar.

Amabasadorët kanë bërë mirë që kanë qenë aty. Ata përfaqësojnë të gjithë mërgimtarët e shteteve të tyre, pavarësisht bindjeve të tyre. Nga ana tjetër askush nuk ka të drejtë – për shkaqe të njohura – të kërkojë nga ambasadori i Shqipërisë Mehmet Elezi të merrte pjesë aty. Thjeshtë edhe për respekt njerëzor, sepse të skadosh parulla për Enever Hoxhën në prezencën e tij, do të ishte sjellja më e ulët që mund ta bënte dikush, kur dihet biografia e tij humane dhe intelektuale.

Pra gjithçka ka ecur në rregull.

Interpretimi i manifestimit mbi bazat e thelbit: u tha se Enver Hoxha ka qenë presidenti më i mirë i gjitha kohëve dhe se  aty ishin ambasadorët kosovarë e maqedonas nuk është vetëm arrogancë, injorancë dhe synim i keq i dikujt për të prish punë, por dëshmon se informantët dhe raportuesit e një stili të tillë kanë probleme me të kaluarën e tyre ose të prindërve të tyre. Janë ajo «racë» që në periudhën e 81-ës veçse nuk janë shkrirë nga karizma fuqiplotë e shokut Tito dhe pavdekshmërisë së Jugosllavisë tashmë të ndjerë. Dhe tash intepretojnë sipas po asaj logjike.

2.

Sa i keq apo sa i mirë ka qenë Enver Hoxha është çështje e historiografisë shqiptare. Se ka ende njerëz që mendojnë se diktatura e Enver Hoxhës ishte periudha e lavdishme e historisë shqiptare nuk është ndonjë fenomen i ri. Gjithë diktatorët jetojnë përjetësisht. Ose si kriminel ose si idolë. Kjo nga arsyeja e natyrshme se çdo sundim ka të mirat dhe të këqijat e veta. Askush nuk mund të bind kur bëhet ithtarë i njërës apo tjetrës teori: domethënë nëse dikush thotë Enver Hoxha vetëm krime ka bërë ose vetëm mrrekullira ka prodhuar. Të dyja versionet nuk qëndrojnë. Çka qëndron është kjo:

Askush nuk mund të mohojë se Enver Hoxha ka bërë krime ndaj mijëra shqiptarëve të Shqipërisë. Askush nuk mund të mohojë se Enver Hoxha ka qenë promotori dhe frymëzuesi i qindra shqiptarëve jashtë kufirit londinez që të çohen në luftë kundër sistemit poashtu kriminel të ish-Jugosllavisë. Deri para rënies së dikaturave komuniste sistemi enverist i Tiranës ka qenë mbështetësi kryesor logjistik, frymëzues dhe operativ i të gjitha lëvizjeve ilegale shqiptare në ish-RSFJ që luftonin për pavarësinë e Kosovës (kuptuar në kufinjtë më të gjërë së aktualisht). Alternativa tjetër ka qenë e parëndësishme. Do grupe pa ndikim sa ato të Ballit Kombëtar me në krye me Abaz Ermenjin kontrovers nëpër Paris, Detroit e gjetiu e pjesë tjera të SHBA-ve nuk kanë ndikuar as për një milimetër në krijimin e cezurave 68-81-89 të shqiptarëve jashtë Shqipërisë zyrtare. Veç pas 1989 mbinë teori sikur lëvizje të tilla të kishin qenë shkaktare të destabilizimit të themeleve jugosllave, çka nuk qëndron në asnjë segment të mundshëm të historisë.

Kjo punë u pa edhe në etapën më të re të historisë së shqiptarëve: ishin ballistët ata që organizuan diasporën dhe rezistencën në Kosovë e Maqedoni? Përkundrazi. Grupet politike në diasporë e vendet përkatëse, të cilat besonin në Enver Hoxhën organizuan gjithçka. 68, 81, LPRK, UÇK-në e organizuan këta njerëz. Tash të sillesh sikur ata të ishin defektet e historisë së sukseseve shqiptare është më shumë se iluzion, traumë, krim. Thjeshtë sepse ata janë zanafilla e suksesit shqiptar për të bërë dy shtete dhe për t’u shndrruar në faktor në vendet tjera ku nuk janë shumicë. Kjo është historia. Jo ajo që po përpiqen ta rrëfejnë ata që janë zgjuar nga gjumi veç pas viteve të nëntëdhjeta dhe përpiqen të na bëhen më «katolikë se papa» duke sajuar historira të paqena. Me historira të tilla nuk rehabilitohen gjenerata. Përkundrazi me aksione të tilla veçse bëhet e gjallë një histori e mjerë e servilëve, të irrituarve dhe egoistëve të kohëve të shkuara.

Është po ky divizion me ndërgjegje të vrarë që përpiqet të baltosë gjithçka me përpjekjen për të shpëtuar biografinë personale apo prindërore, duke u kapur vetëm me sekuenca brohoritëse «parti enver jemi gati kurdoherë» e qëllimisht duke përheshtur rëndësinë e 81-ës në historinë e Kosovës, duke përheshtur fuqinë e saj (dhe të 68) kontribuese në rrugën e shtetësimit të Kosovës. Ne mund të kemi aversione ndaj Fazli Veliut (i vetmi njeri që karkaterin nuk e ka prej gome brenda ish enveristëve), mirëpo nëse nuk e kuptojmë deklaratëne tij nuk do ta kuptojmë as mungesën legjitime të Mehmet Elezit nga manifestimi.

Megjithatë historitë dhe biografitë nuk duhet të jenë shkak që kosovarët të mohojnë historinë e tyre, sidomos cezurat që kanë pasur madje edhe karakter global, siç është ajo e 81-ës. Festa është shumë pak për një akt të tillë historik. Respekti nuk vret as atëherë kur dhemb!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.