Rreth flamurit të bashkuar – në Sllupçan

Tokat shqiptare i ka përlarë tërmeti. Për të mirë. Sali Berisha do ta bëjë Tiranën e Shekullit. Hashim Thaçi shpejtë do ta fusë Kosovën në BE dhe NATO edhe poqëse Blerim Shala përfundon në psikiatri. Gazmet Aga Myslimani po si Isa Boletini ka dalë në mbrjojtje të grave që don ti mbysë në ujë SVP. Partitë shqiptare në Maqedoni kanë vendosur, duke ekzekutuar himnin «Rreth flamurit të bashkuar – në Sllupçan»  ta demostrojnë unitet.

Sali Berisha donë ta bëj Tiranën e shekullit. Si ta kuptojmë këtë synim fisnik të presidentit shqiptar. Do të ia falë kryeqytetin gazetës «Shekulli»? Më mirë le të ia japë asaj «Tema» të Mero Bazes. Nuk besojmë. Gjendet Tirana në mesjetë e ky donë ta deplacojë atë në shekullin njëzet e një? Pyetja e fundit po duket më me vend. Këtë do ta ketë menduar presidenti shqiptar. Dikush, ditëve kur statusë së shokut Enver iu bënë hundët përshesh, e paska lëvizur akrepin e kalendarit shqiptar nga viti 1990 në vitin 1430. Nëse Tirana është kështu si është – domethënë sipas Sali Berishës jo në shekullin që duhet – dhe nëse Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më i prapambetur i rajonit dhe nëse dikush mund të fajësohet si fajtori kryesor për këtë gjendje, atëherë ai është Sali Berisha, dora vetë.

Megjithatë, pranimi i gabimit – thonë – është gjysma e rrugës për në përmirësim. Nëse Sali Berisha e ka parë këtë mëkat të tij dhe don që ta çojë Shipërinë para, atëherë, i lumtë. Nëse ai donë ta bëjë Shqipërinë shekull (çfarë thënie fenomenale!) për inat të Edi Ramës, atëherë do ta bëjë jo 1430 por paleolit.

Hapi i parë që ai duhet ta bëjë për të realizuar shekullin e tij është që t’i ndalë plehrat në det, para se ato të hyjnë edhe në godinën qeveritare të Zagrebit. Një ide: le ta lëshojë Albanën se ajo i tmerron plehrat dhe ato kthehen ekspres sërish në Durrës.

DIASPORË

Shefi i myslimanëve të Shqipërisë Efendi Hafëz Gazmet Aga Tërnakopi u bëni një notë proteste gjitha përfaqësive diplomatike në Tiranë që ta sulmojnë Partinë Popullore Zvicerane (SVP) dhe ta detyrojnë atë që t’i nxjerë nga liqeni ato gratë me shamija (e vërtetë lexoni gazetën «Shekulli») para se të mbyten. Vetëm atë me bikini të kuqe mund ta lëre brenda. Qeveria zvicerane dridhet nga protesta e Gazmet Agës, i cili po si Isa Boletini me shtatë revole në brez është bërë tmerri i gjeneralshtabit të armatës zvicerane. Nga e mori Gazmeti mandatin për të folur në emër të atyre grave? E di Gazmeti se shqiptarët në Zvicër i kanë dhjetra dyqane integrimi, institute e celula të ndryshme sociale e shkencore e që merren me punët e brendshme e të jashtme të diasporës shqiptare. Fotografia ka dalë në Zvicër.  Ata i kanë si rrallë kush –bashkë me Koretë –  dy amabsada e konsulata, të cilat po deshën mund të protestojnë, padisin ose madje edhe të bëhen anëtarë nderi të SVP-së. Ama këto të gjitha nuk kanë kohë të ngatërrohen me Adobe Photoshopin e as me ksenofobët  alpikë, as atëherë kur këta helevetikë të krisur ofendojnë edhe më keq në adresë të diasporës shqiptare.

Gazmet Aga nuk ka të drejtë t’i japë karakter fetar fotografisë, sepse parasëgjithash ajo është simbol i një racizmi kulturor e jo kundër fetarëve myslimanë shqiptarë. Pse? Sepse në fotografi siç e përmendëm disa herë gjendet edhe një grua e shpaluar në bikini; sepse në fotografi nuk ka asnjë xhami të zhytur në liqen; sepse njëra prej grave është duhanxhie; sepse në ujë nuk ka asnjë  muezin, imam apo ndonjë që e ka mjekrrën si Asllani i Mitrovicës, Ervini i Tiranës apo Milazimi i Prishtinës.

Me gjithë defektet që kanë Shqipëria e Kosova si shtete, megjithatë nuk kanë rënë nivel saqë punët e jashtme t’ua bëjë Efendi Hafëz Gazmet Aga Protestuesi.

KOSOVË

Hashim Thaçi tha se Kosova shpejtë do të jetë anëtare e BE-së, NATO-s, OKB-së, FK-së e kështu me ardhë. Në kuptimin e politikës elektorale «shpejtë» donë të thotë dhjetë, njëqind, njëmijë vjet. Një zot e di. Prandaj gazetari i dikurshëm dhe milioneri i sotëm, nënkryetari i Ramush Haradinajt Blerim Shala – ky bashkë me Bardh Hamzën e pronësuan Shtëpinë Botuese «Zëri» gjatë hallakamës kur Kosova ishte pa zot shtëpie, për ta shitur atë pastaj për shumë pare – doli menjëherë në shtyp dhe tha se Thaçi nuk e thotë të vërtetën (dmth. gënjen). Sipas tij synimi i Kosovës për të hyrë në gjithë ato organizmat e lartëpërdorura nuk mund të jetë realiste. Pse nuk është realiste? Sepse, sipas tij «hyrja nëpër këto instanca është proces i komplikuar». Blerim Shala më i mençur se Hashim Thaçi. Drenicasi nuk po e dika se «çështja qenka proces i komplikuar» dhe Blerimi i kallëzon atij duke e lutur që të mos ëndërrojë.

Analiza e fjalisë e së parë: «Kosova së shpejti do të bëhet antare e BE-së, NATO-s».

Analiza e fjalisë së dytë: «Hyrja në këto instanca është proces i komplikuar».

Përfundimi: Politikanët kosovarë e zbuluan Realpolitikën: Kosova do të bëhet antare e BE-së dhe NATO-s pas një procesi të komplikuar kandidimi. Bravo! Na keni ftohë. Sa shpejtë e kuptuat.

MAQEDONI

Reth flamurit të përbashkuar – në Sllupçan! Hysni Shaqiri u bëni thirrje të gjitha partive politike shqiptare që festën e 28 Nëntorit ta festojnë në Sllupçan. Në një fshat afër Kumanovës. Pse pikërisht aty? Shaqiri thotë se gjatë vitit 2001 gjithë shqiptarët i kanë pasë trutë aty, pra në Sllupçan.

Partitë tjera ende nuk kanë thënë se do shkojnë aty. Ideja është e mirë. Aty do të detyroheshin Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Hisen Musliu dhe gjithë politikanët tjerë ta këndojnë himnin e flamurit «Të bashkuar rreth flamurit  – në Sllupçan» dhe sapo të mbaronte kënga shpejtë do të ndaheshin do në Sllupçan e do në Likovë për të sajuar dosje spiunazhi si në ato romanet e John le Carré-së.

Senzacioni tjetër i kësaj feste është edhe rendi i ditës: 1. Regjistrimi i popullsisë dhe 2. Integrimi i vendit në BE dhe NATO. Cilit vend? Kosovës, që premtoi Hashim Thaçi, FYROM-it të Gruveskit apo integrimin e Tiranës së Shekullit?

Të bashkuar rreth flamurit – në Sllupçan pra!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.