Metanoja

Është e «natyrshme» që serbet nuk duan të pranojnë se «zemrën» nuk e kanë në Kosovë. Kështu sillen shumica e «humbësve» në kohë shoku. Paradoksale është sjellja e kosovarëve: me gjitha shanset e tyre për të ecur para, ata vazhdojnë të mbeten pengj të miteve dhe «lugetërve» të tyre të gjallë e të vdekur.

Me rënien e bombës së parë të NATO-s mbi kokën e pushtetit serb, në shpirtin dhe frymën e kosovarëve u duk sikur filloi procesi i një metamorfoze radikale karshi historisë dhe fatit të tyre: E nxorën Evropën nga pufi i përjetshëm ku e kishin konzervuar historiografët e mjerë shqiptarë dhe më në fund u bindën sikur ta kenë sqaruar botën se jo ata, pra shqiptarët, por serbët janë me bisht, ata paskëkan ngatërruar shenjat e qytetërimit dhe epokave. Triumfi edhepse nuk përmbante elementet e një revizioni të organizuar elitar, ai sinjalizonte një shpresë, e cila krijoi përshtypjen sikur shqiptarët më në fund të kishin zbuluar instrumentet dhe mënyrën e funksionimit të poltikës jashtë kullave të tyre, dhe se që aty e tutje, çdo gjë do të ecë sipas radarit të tyre.

U mbushen 12 vjet nga rënia e bombës së parë në favor të lirisë së kosovarëve. Ç’bëri Kosova me lirinë e saj? E solli atë po në atë qeli të pufit ku për disa dekada kishte mbajtur robe Evropën dhe gjithë ata që ia ushqenin statusin e martirit  të mallkuar nga Zoti? Pse titulli i këtij eseu «The lost cause of kosovars» (kauza e humbur e…) e jo «The lost cause of serbians», siç do të ishte edhe më logjike, kur kihet parasyshë origjina dhe historia e termit në fjalë?

1. ORIGJINA DHE HISTORIA E KAUZËS SË HUMBUR

Pas humbjes së luftës qytetare amerikane (1861-1865) shtetet jugore u gjendën në një katastrofë jo vetëm politike e ekonomike por edhe psiko-sociale. Për të mbajtur gjallë identitetin e sidomos krenarinë e tyre ata krijuan një memorie kolektive, e cila dështimin, humbjen e arsyetonte me egërsinë, pamoralshmërinë, tradhtinë, kafshërinë e kundërshtarëve të tyre nga veriu. Gjeneralët Lee dhe Jackson prezantoheshin si njerëz me vyrtite dhe «patriotë hyjnorë» – edhe pse luftonin kundër heqjes së skllavërisë – ndërsa kundërshtarët e tyre Sherman dhe Sheridan përshkruheshin si kriminelë ordinerë që fituan luftën, vetëm për shkak se dispnonin me më shumë forca  dhe mjete ushtarake. Ky diskurs dominonte në gjithë aspektet e kulturës: në Letërsi, Histori, Arsim, Politikë e kështu me radhë. I njëjti diskurs madje edhe sot e kësaj dite dallon aty-këtu rezonimin intelektual të jugorit nga veriori.

Të njëjtën kulturë memorie – e cila në historiografi hyri si «the lost cause thoery»- përdorën nazistët për të ngritur monumentet e tyre të primaracës arike. Humbjen gjermane në Luftën e Parë Botërore e propagonin po në stilin e amerikanëve të jugut: Wilhelmi i dytë nuk humbi për shkak se ishte në padrejtësi, porse amerikanët, rusët, francezët dhe e gjithë bota nuk e durronin dot Gjermaninë si fuqi epiqendrore të kontinentit. Gjeneralët Hindenburg dhe Ludendorf (kujtoni Lee dhe Jackson) ishin taktikët dhe strategët më të fuqishëm të LPB, ata personifikonin «njeriun heroik dhe të vyrtitshëm me moral dhe karizmë hynore» (kështu shkruante ideologu nazist Alfred Rosenberg), kundërshtarët fituan se ishin shumë e gjeneralët e tyre janë pjesë e krimit bolshevik që ishte duke përlarë Evropën

2. NË KAMPIN E HUMBËSVE

Në shoqërinë e sotme amerikane përkundër gjitha dallimeve të mundshme në mentalitet dhe me gjithë fërkimet diskursive ndërmjet jugut e veriut nuk mund të flitet më për ekzistencën e një kulture antiveriore në jug. Monumentet e vjetra që kujtonin ndarjen historike figurojnë vetëm si relikte interesante për nxënësit dhe studentët. Të rrallë janë ata amerikanë të sotëm që përulen para ndonjë statuje të sokulluar nga gëlasat e laraskave për tu përbetuar në emrin të kombit jugor amerikan. Në diskurset intelektuale zhvillohet një debat konform historiografisë objektive amerikane, e cila tashmë është bërë lektyra e domsodoshme edhe për universitetet e kontinentit «plakë».

Me gjithë ulurimat e filozofit Peter Sloterdijk se Gjermania ende nuk është në gjendje për një metanojë kolektive (katarsis të sinqertë) dhe referatet skandaloze të shkrimtarit Martin Walser nëpër kisha (Fjalimi i tij famoz në Pauluskirche, 1998), të cilin e kanë lodhur monumentet grandioze mbi holokaustin, Gjermania është vendi, i cili më së pakti mund të akuzohet se praktikon një «the lost cause» kulturë.

Për shumicën e specialistëve të kësaj teme, kontributin madhor për shpëtimin e këtyre shoqërive nga mitet e tyre katastrofale dhe eutanazike e kanë dhënë elitat e tyre, të cilat me sukses dekonstruktuan memorien kolektive me fakte kokëforta, me çka ndihmuan në vetëdijësimin, pse jo shpëtimin, e masave nga hipnoza që ridhte si helm nga goja e miteve të rrejshme të historisë së tyre tragjike. Mite, të cilat veçse fundosnin edhe më shumë perspektivën e këtyre vendeve. Suksesi i elitave ama – kuptuar në këtë kontekst ato nga shkenca e kultura –  nuk do të ekzistonte, nëse politika, pra qeveritë e këtyre vendeve të mos kishin bërë çmos që shoqëritë e tyre të ndërtoheshin mbi shtyllat stabile të demokracisë, shtetit juridik, pluralizmit dhe lirisë kualtitative të qytetarit.

3. KAUZA E HUMBUR SERBE

Gjendja në Serbi nuk dallon aspak nga ajo e viteve të shtatëdhjeta të shekullit 19, në Amerikën jugore. Pas fasadës së ngitur enkas për optikën e BE-së dhe institucioneve tjera ndërkombëtare, mbizotëron kultura e viktimës së poshtëruar nga mbifuqia e antiserbëve (komploti i perëndimit) të paskurpullt, të cilët nuk durronin dot dominimin serb në Ballkan. Kryesisht shqiptarët dhe boshnjakët vazhdojnë të portretohen si etni të padenja për të qeverisur veten. Karaxhiçi dhe Mlladiçi (kujtoni Lee, Jackson, Hindenburg, Ludendorf)  janë patritotët e mirëfilltë dhe të drejtë sepse kanë luftuar për kauzën serbe, gjeneralët e NATO-s (Wesley Clark dhe pasuesit e tij) janë kriminelët, sepse ia morën Serbisë territoret, ato vise të cilat nga kisha dhe politika janë monumentalizuar në nivelin e ndonjë «areali hynor» prej ku Zotit prodhon shpirtin serb, pr prej ku varret qenia apo mosqenia serbe (simbolika e «zemrës serbe»).

Serbia nuk e akcepton «katastrofën» e saj. Për fat të keq, ajo është larg gatishmërisë për ndonjë katarsis eventual. Ajo nuk krahasohet dot me rastin e amerikanëve jugorë, as me gjermanët e madje as me francezët që rëndë po ndahen nga aversioni i tyre historik ndaj fqinjëve të tyre gjermanë. Diskurset «intelektuale» serbe shkojnë (me përjashtime të izoluara) në favor të një kulture monumentalizimi të çdogjëje që ka të bëjë me idenë e «luftës së shejntë të racës hynore, të shkelur padrejtësisht nga të fortit e tokës», gjë që indirekt implikon atë lojën e «e djajve apokaliptikë» kundër «profetëve të evangjelizmit ortodoks».

Politika serbe sillet salloneve diplomatike po si ata ithtarët e Naçertanjes dhe varrësit  e hutuar të idesë pansallviste pas LPB, të cilët ngarrendnin nëpër konferencat e Londrës, Berlinit dhe Vjenës për të bindur botën për shkeljen e sllavëve të Ballkanit (me të drejtë) nga hordhitë aziatiko-osmane. Gati për çdo javë diku në ndonjë cep të Serbisë celebrohen momente heroike, shpalohen përmendore heronjshë të vrarë nga NATO, nga kroatët, nga boshnjakët dhe shqiptarët. Librat shkollorë e universitarë serbë janë identikë me ato të Sirisë – mesazhi i tyre qendror: asgjësimi tjetrit, ekzistenca e të cilëve rezikuaka lumturimin e botës me kulturën apo besimin serb apo sirian. «Zemrën» e anektuar padrejtësisht duhet rikthyer në «djepin e saj». Përmblethas: Urrejtja është zgjedhur si centrifugë mbijetimi. Nga aty absorbojnë serbët sot fuqinë e tyre për të shtypur çdo sinjal të ndërgjegjes që mund t’i detyronte para pasqyrës. Frika nga akti i ndjesës; droja nga tmerri se një ditë grupi i atyre që janë zgjuar nga hipnoza e miteve të rrejshme do të bëhet shumicë dhe do t’iu kërkojë llogari qeverive të tyre për «punët e tokës», për problemet sociale, politike e ekonomike që sot është mjerimi i shtetasve serb, kanë shndrruar Jeremiçin dhe gjithë atë divizion politikanësh rreth tyre në robë agresivë të «katastrofës serbe», e cila po u varr prej këtyre të fundit, «përjetësisht» do të shkatrrojë ardhmërinë e serbit të përdhunuar nga «lugetërit» e historisë së tij.

4. KAUZA E HUMBUR KOSOVARE

Po aq lugetër të gjallë e të vdekur sa serbët kanë edhe shqiptarët. Kosovarët shtiren sikur ta kenë shporur urrejtjen nga fryma e tyre. Edhe ata japin maksimumin për t’u dukur edhe më të vyeshëm për paqen e kontinentit se sa vetë bartësit tradicionalë të kësaj ideje brenda e BE-së. Edhe pas dymbëdhjetë viteve numri i atyre intelektualëve progresivë që shpartalluan atëherë idenë e metamorfozës kosovare ka mbetur i njejtë. Në gishta mund të numërohen ata që ende nuk i janë dorëzuar luftës me lugetërit.

Kauza e humbur kosovare është paradoksale, kur kihet parasyshë fakti se ajo ishte fituesja e jo humbësja e luftës së fundit: Diskurset (përveç në do media të pavarura) «intelektuale» vazhdojnë me po të njëjtin ton të viktimës (njëjtë si në kohën para intervenimit të NATO-s) që ka mbijetuar falë pathyeshmërisë së racës së lashtë ilirike. Po si nëpër Shumadi edhe nëpër Kosovë risitë më dominante arkitekturale (në shumë vende edhe të vetmet) janë përmendoret, varret dhe momentet që monumentalizojnë dhe hiperbolizojnë deri në aversion heroizimin dhe krenarinë, madje edhe të atyre personave që tragjikisht kanë eksploduar veten për shkak të mosdijes së përdoriomit të armëve. E keqja e gjithë kësaj industrie onanizmi pseudopatriotik nuk qëndron në atë se përkrahet kultura e kujtesës historike (çka është e natyrshme gjithandej), porse shtabi i fabrikimit është Qeveria vetë. «Elita» pushtetore – si në Serbi – për shkak të varfërisë në resurse intelektuale që do të kishte kuptuar atë «procesin e domosdoshëm të metamorfozës», jep e merr për të legjitimuar veten duke (keq)përdorur varret, viktimat, heronjtë, tradhtarët, lugetërit dhe gjeneralët, të cilët – për nga volumi i krimit as që mund të krahasohen me kolegët e tyre serbë – po bastisëm fjalorët e militarizmit, kryesisht as gradën e «desetarëve» nuk do ta kishin merituar.

Pranë kësaj politike qeveritare defilojnë komandantët arkaikë të historiografisë shqiptare. Ata burra e ato gra, akrepi shkencor i të cilëve është bllokuar në kohën ndërmjet luftës së parë dhe asaj të dytë botërore. As pas 12 viteve nuk doli asnjë tekst, asnjë libër që do të trajtonte në mënyrë sadopak objektive luftën mbrojtëse të kosovarëve gjatë gjenocidit të planifikuar e pjesërisht të realizuar serb në Kosovë. Literatura zyrtare nëpër shkolla e institute të arsimit vazhdon të mbetet ajo e prodhuara në formë klandestine dhe pa fije përgjegjësie, nga 1989 e këtej.

5. FORMULA «THE LOST CAUSE» SI PROGRAM QEVERITAR

Michael Geyer, bazuar në studimet e profesorit dhe historianit William Davis dokumentoi bindshëm se si elita politike nacionalsocialiste nga «kauza e humbur» (në kuptimin e teorisë së «the lost cause») i shtroi qilimin Gjermanisë për të përfunduar në një katastrofë edhe më të madhe, në atë të Luftës së Dytë Botërore. Përgjigja e tij – edhe pse e përmasave metafizike – është thjeshtë: çdo elitë nacionale që edhe në kushte paqeje programin e saj politik, shtetëror e kulturor e ndërton mbi bazat e katastrofës, humbjes, urrejtjes, pra mbi bazat e një historie jokritike e të padiferencuar monumentalizon krimin – pavarrësisht burimit të tij. Konkretisht: Çdo qeveri që nëpërmjet monumenatlizimit të tragjedive, dramave përpiqet të legjitimojë pushtetin e saj përfundon detyrimisht në kastrofën e radhës.

Gjendet Kosova në rrugëtim drejt edhe një katastrofe tjetër? Jo në kuptimin klasik të fjalës. Kosovës nuk do t’i merret pavarësia. Kosova – po spekulojmë- nuk do të ketë më luftë fizike. Katastrofa e saj vazhdon sepse ajo injoroi shansin e saj historik dhe në vend të «metamorfozës progresive» vazhdimisht zgjedhë elitat e saja arkaike e të korruptuara (si shumica e vendeve ballkanike) të cilat operojnë duke u ushqyer nga formula e «kauzës së humbur». Pra e kanë bërë atë program politik. Katastrofa, si gjithmonë nuk do të manifestohet në famën apo xhepat e klasës politike, por me të do të jetojnë ato shtresa që janë të detyruara të shtrihen e të çohen nga shtrati me urrejtjen që ua kanë implantuar në tru e shpirt lugetërit e tyre të gjallë e të vdekur. Tezën se kosovarët kuptuan më shpejtë se fqinjët e tyre se si funksionon bota jashtë gardhit të tyre mitologjik mund lirisht ta deponojmë në selinë e alternativës kosovare në modë, në zyrat luftarake të «Vetëvendosjes». Lëvizje që ta kujton Hashim Thaçin në pubertet ose Behxhet Pacollin si president.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.