Shkodra përmbytet sepse gjendet në Shkodër?!

Jozefina Topalli identifikoi problemin se pse Shkodra përmbytet vazhdimisht: sepse gjendet në Shkodër, tha ajo! Sefedin Haruni do t’i bashkojë dy kaubojët e politikës shqiptare në Maqedoni; Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin me qëllim që ta ridefinojë FYROM-in. Faton Topalli kandidon me «Vetvendosjen» që të na përfaqësojë ne emigrantët në parlamentin e Kosovës – kush nuk e mbështet le të mos vajtojë pastaj se atje poshtë nuk na varrë kush.

1. UNMIKISTAN

Zanier nuk dorrëzohet. As qeveria serbe nuk e ndrron kursin. Ajo i bën apel pakicës serbe në Kosovë që të sabotojë zgjedhjet. Qytetarët kosovarë me prejardhje serbe nuk e pranojnë statusin e shtetit ku jetojnë. Zanieri ka mirëkuptim për këtë. Edhe shefi i tij pa ndonjë funksion konkret në arenën ndërkombëtare politike Ban Ki Moon i kupton aksionet e brendshme e të jashtme të ministrit fluturues Jeremiç. EULEX na del edhe më neutral se Zvicra edhe pse është aty për të vënë në funksion shtetin juridik. «Vetvendosja» ka plotësisht të drejtë kur proteston kundër paradokseve totale që mbizotërojnë në Kosovë (…)

2. FYROM

Ish inspektori i arsimit të shokut Tito, tash kryetar i partisë në shuarje e sipër PPD, Sefedin Haruni e ka një ide: shqiptarët të bashkohen! Të bashkuar të kërkojnë nga qeveria – e korruptuar deri në fyt politikisht e juridikisht e Gruevskit – që ta ridefinojnë shtetin e Maqedonisë. Ideja është e mirë, edhe pse vjen nga një parti, e cila qëmoti e ka humbur zërin.  Si duhet të ndodhë kjo. Sefedin Haruni nuk e di saktësisht se si duhet të duket kjo strategji ama ai është i sigurtë se mund të ndezë. Çka donë të thotë kjo «strategji» prakikisht?

(…)

3. ABSURDISTAN

Sali Berisha i ka shpalë luftë lloçit të Shkodrës. Ka muaj që bërtet: «Ju premtoj se nuk ka përmbytje më në Shkodër». Shkodra përmbytet edhe më tej. Zoti nuk ia varr Berishës. E vetmja politikane shqiptare që kuptoi se pse Shkodra është bërë viktimë katastrofës natyrore është bukroshja – që çmendi turqit me sexipealin e saj – Jozefina Topalli, e cila, pas disa stërmundimeve intelektuale e psikike identifikoi fajtorin: Shkodra vuan sepse gjendet në Shkodër. Kuku, sa gjeniale. Ia kaloi edhe vajzës së Nostradamusit Albana Vokshi që në mënyrë misterioze parapau suspendimin e katër policëve kosovarë.

(…)

4. PA ATDHE

Dr. Hivzi Islami protestoi se diaspora mashtrohet në kuadër të regjistrimit të popullatës. Regjistrimi del në favor të serbëve që nuk jetojnë në Kosovë e në disfavor të emigracionit shqiptar që periodikisht jeton në Kosovë. Mos u bëni nervoz i respektuari dr. Islami. Janë mësuar emigrantët që t’i përdhunojnë herë nga brenda e herë nga jashtë. Në Zvicër, Gjermani e gjetiu veçse nuk na fusin nëpër valixhe e na deportojnë për në kaukaz. Qeveritë tona gjithandej na zgërdhihen nëpër ekrane e tubime vetëm kur iu duhen pare, armë apo t’i mashtrojmë qeveritë e vendeve ku jetojmë, duke iu thënë «po e njohët Kosovës po ikim vetë».

Natyrisht se nuk jemi të kënaqur me këtë sjellje ndaj nesh, prandaj kemi vendosur që tani e tutje të bëhemi partnerë me «Vetvendosjen». Shpejtë ua dërgojmë atje Faton Topallin. Me vetë ia japim ca agregatë që mos ia ndalni rrymën kur del të flasë.

PS: LAJME ME RËNDËSI (INTER) NACIONALE

Bexhet Pacolli donë të bëhet si Shoku Tito ama jo vetëm me një Jovankë.

Sali Berisha dhe Jozefina Topalli i kërkuan zotit që ta heq Shkodrën nga Shkodra dhe ta deplacojë në Azerbejxhan.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.