Ethnocircus: Albana, Asllani dhe Hyseni

MAQEDONI

Sipas Ivo Kotevskit, ish- nëpunësi i shërbimeve sekrete Hisen Musliu paska pranuar se materialet diskredituese i paska pranuar nga një funksionar i lartë i PDSH-së, të cilin e njohka që nga fillimi i viteve të 70-ta. Këtë e tha Ministria e FYROM-it, respektivisht zëdhënësi i saj Ivo Kotevski. Ta marrim këtë deklaratë (të dyshimtë) si të vërtetë dhe të spekulojmë pakëz. Kë ka mundur ta njohë Hisen Musliu qysh në vitet e 70-ta? Kush mund të jetë ai funskionar i PDSH-së?

Hisen Musliu ka studiuar në Zagreb dhe ka miq një gjeneratë kosovarësh që poashtu atëkohë e më vonë kanë studiuar në Kroaci. Ndër ta disa emra semipublikë, që poashtu e kan mik (e që ne për çështje diskrecioni nuk i përmendim) edhe Arbën Xhaferin. Me gjithë mundin tonë që të zbulojmë edhe ndonjë lidhje konkrete nuk ia arritëm, sepse gjithë emrat e kryesisë së PDSH –së ose janë të një gjenerate më të re ose kanë ngarrendur pas femrave nëpër çarshinë e Tetovës, kur Hiseni ka qenë student në Zagreb.

Tjetra: Ai personi që paska pasë punë me Hisenin që në vitet e 70-ta, e që tani qenka funksionar i PDSH-së, çfarë lidhjeje «miqësore» ka mbajtur me inspektorin e lartë të shërbimeve sekrete jugosllave?

Po shihet sheshazi puna. Ta rekonstruktojmë gjithë intrigën: Një mik i vjetër i Hisen Musliut, ta pagëzojmë me emrin fiktiv Arbën, i drejtohet atij të parit dhe e lutë për ndihmë. Ia jep do materiale të sajuara vetë dhe e lutë të bëjë diçka, çka Hiseni e ka përkryer në sistemin jugosllav: të përpilojë dosje të montuara për spiunë. Hiseni pranon. Si duket, ato momente ai  ka ëndrruar kthimin e privilegjeve që kishte gjatë kohës së Titos: në çdo katund nga një grua, një golf me xhama të errësuar dhe pozitë të lartë qeveritare, mundësisht të natyrës policore. Për tragjedinë e tij, pas ëndrrës ai u zgjua në një qeli të ftohtë të burgjeve maqedone. Atje ku dikur vizitonte kundërrevolucionarët për t’ua sharë Albaninë. Pasi që ne megjithatë kemi mëshirë e nuk jemi xhelatë i dëshirojmë me gjithë zemër që vetmia e tij të marrë fund, duke ia dërguar aty edhe ca miq të vjetër, ata që e kanë mashtruar se periudha e LKJ-së ende nuk ka mbaruar.

KOSOVË

Mediat e huaja e shqiptare e zbuluan skandalin më të ri. Një xhihadist i kërkuar nga FBI jetoka i lirë brenda territorit të shtetit të Kosovës. Emri i tij: Asllan Bajrami. Për nga pamja ai nuk e ka asnjë dallim nga ata afganët që jetojnë shpellave të Hindukushit dhe gjuajnë herë pas nga një raketë në drejtim të konvojeve amerikane e gjermane. Megjithatë vetëm nga pamja e jashtme fizike ne nuk mund ta gjykojmë atë. Përndryshe do të duhej edhe Ervin Hatibin dhe Milazim Krasniqin ti konsiderojmë si soldatë të Osamës. E këta dy nuk janë islamistë, por poetë e akademikë.

Asllani vetë thotë se nuk ka bërë asnjë të keqe dhe se është viktimë e një ndjekjeje të padrejtë nga shërbimet sekrete. Dhe se jeton në mjerim, pasi askush nuk e merr në punë, për shkak se e konsiderojnë si terrorist. Domethënë amerikanët ia fusin kot. Edhe ata që tashmë i ka arrestuar FBI e që flasin se Asllanin e kanë dost, po gënjekan. A e kziston në Kosovë e drejta individuale për të zgjedhur kombin e shtetin? Nëse po, ia kisha dërguar Asllan Bajramit një prospekt. Në Iran apo Liban – me pamjen që ka – sigurisht se do ta kishin bërë oficer.

DIASPORA

Partia Popullore zvicerane na i futi nënat në liqen. Deri në fyt. Atyre iu duken vetëm hundët dhe shamitë anadollake. Më falni se ndër to paska edhe një grua pa shami, me bikini të kuq që shikon bereqetin e saj. Qëllimi i bujqëve zviceranë është racist, sepse ata i urrjenë të huajt. Se sa raciste ama është fotografia, nuk e di? Keni qenë ndonjëherë në Ulqin në pushime?

T’i marrim sendet me humor? Të hakmerremi e t’i fusim edhe ne do plaka kurryzthyera nga Ementali në Shkumbin apo Vardar? Jo deri në atë nivel primitiv nuk kemi rënë ne. Në nivelin psiko-defektuoz  të militantëve të SVP-së. Gjithçka që mund të bëjmë është t’i zëvendësojmë ato nënat e shkreta e me shami me ato kukullat e bukura dhe bombastike të estradës sonë. E sheh pastaj SVP-së ku io mbesin militantët.

SHQIPËRI

Kujdes! Po vjen Albana Vokshi. Deputetja demokratike e Popullit. Hapni rrugë e kufi, hiqni tela e Polici se vjen bija e Vokshit me shoqni. Hajde kafshë, hajde!

Paramendojeni këtë skenë: Një polic i shkolluar nga EULEX-i dridhet në kufi dhe kontrollon pasaporta. Drejt tij turret një bjondinë, me buzë të tarsha e të rrasura në karmin, me gjoks të hapur si ato pancerët e demoluar kinez, shpërndan turmën që pret dhe bërtet: «Jemi politikanë. Mirupafshim». Polici i irrituar i vrapon pas: «Zonjë ndaluni. Me jepni dokumentat!». Ajo «ikë ore pirdhu. Po e di ti kush jam unë ore?». Polici i thotë se nuk e di dhe se ai ka nevojë për dokumentet e saja. Ajo prapë: «Oh, ç’kfashe qenke ti ore. Po do të humbish punën ore. Unë jam…», mbesa e Bije Vokisht që Enveri ia ka shtrrnguar dorën. Policit i kërcen ai damari i njohur prej kosovari dhe përdhoset. Pas gjithë kësaj komedie Salë Berisha i Tropojës dhe Hashimi i Drenicës dalin para mikrofonëve: «Mos u qortoni motra e vllazni se jemi një etni».

Shteti juridik? Ç’është ajo ore? Ikni ore kinezë mos na çani….!

E kuptuam tash se pse Albin Kurti kërkon bashkimin e etnisë shqiptare?

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.