Simonetta dhe Evelina në Paris te Napoleoni

ETHNOCIRCUS: Familjarët e Dedë Gecajt demonstrojnë. Për çka? Le t’i lënë qetë eshtrat e të vetëvrarit të tyre që të pushojnë qetë, se askush nuk beson në versionin e tyre. Simonetta nga Köniz-u don ta bind BE-në se jo qytetarët e tyre do të dëbohen, por vetëm ata ballkanasit, ata si unë. Mjekrrat e duhanizuara nga Bieli duan ta keqpërdorin demokracinë zvicerane për t’i ngritur minaretë e tyre si raketa. Një sekt zviceran vret fëmijë dhe nuk ia del që të dal në frontin e asnjë gazete.

1.

Simonetta Sommaruga do të shkojë në zyrat e Bashkimit Evropian për tu sqaruar atyre se pse nuk duhet të mërziten me votimin pro iniciativës për «dëbimin e kriminelëve». Çfarë argumentesh do të përdorë gjysmësocialdemokratja në Bruksel. Kemi informacione se si do të duket protokolli i saj. Justifikimi i saj përbëhet prej dy pikave kryesore:

  1. Iniciativa do modifikohet në atë mënyrë në ligj sa që ajo të mbetet konfrom marrëveshjeve të bëra bilaterale me Unionin.
  2. Kur në Zvicër flitet për dëbime, nuk mendohet në emigrantët nga Gjermania, Franca, Austria e shtetet tjera perëndimore, por kryesisht për emigrantë nga vendet e Ballkanit.

 

Natyrisht. Paramedojeni sikur Zvicra ta dëbonte një francez për ndonjë delikt, sikur është keqpërdorimi i enteve sociale. Në stilin e tij napeolonik do të bënte Sarkozy Simeonettën dhe Evelinën lesh. Ndërkaq kush më mbron mua ballkanasin e shkretë? Gruevski dhe Ali Ahmeti as që ka të drejtë të çojë zërin për mua, sepse e kam braktisur Maqedoninë pas disa kohe burg për shkak se doja pavarësinë e Kosovës në fillim të viteve të 80-ta. Qeveria e Kosovës as që guxon ta lëviz një qime, sidomos kur bëhet fjalë për Zvicrën e shejntë, e cila e para njohu shtetin e ri. Sali Berisha as që don të mi shohë sytë, prej se këtu në Perëndim bëra një tollovi kur ai masakroi gazetën «Tema» dhe rrahu brutalisht pronarin e saj Mero baze.  Më mbetet vetëm gjykata e Strazburgut nëse ndonjë polic i zgjuar keq, anëtar i SVP-së, do të më merrte në sy të keq.

2.

Islamistët dhe SVP, dy faktorët që në fekundim e sipër përbëjnë atomin kompakt të shpifjes e nxitjes, paralajmëruan se së shpejti do të lansojnë iniciativa të reja. Islamistët do të kërkojnë që të anulohet ligji për ndalimin e ndërtimit të minareve, ndërsa Ulrich Schlüer – ish anëtar i organizatave neonaziste, sot deputet i SVP-së do të nxisë një iniciativë të re për t’i kundërshtuar apelit të Secondove që të gjithë ata emigrantë që kanë të drejtë për shtetësi ta bëjnë një gjë të tillë. Schlüer kërkon dhënie shtetësie në provë. Domethënë emigranti që merr shtetësinë duhet 15 a 20 vjet të mos jetë i mbrojtur nga shtetësia e tij, deri sa të dëshmojë në vepër se është më patriot se sa Schlüeri vetë.

Islamistët – të cilët për nga bindjet vërtet janë kriminelë (gurrëzimi deri në vdekje i grave që ia bëjnë me sy ose flirtojnë me ndonjë bukurosh që nuk e kanë burrë) dhe që duhet dëbuar – do kërkojnë që të hiqet neni për ndalimin e minareve. Dy mjekrrat e acarruara Qazimi dhe Nikolasi dolën parea mediave dhe na shpifën edhe njëherë më shumë religjionin e tyre të çmendur. Zvicra po çmendet vërtet. Gjersa mejkrra dhe ish militantë të organizatave neonaziste diktojnë agjendën ditore të politikës zvicerane, Helvetia ka nevojë për psikiatrët më të mirë të globit.

3.

Si është puna e këtyre iniciativave. E kam një ide. Në Zvicër ka minimalisht rreth 1 milion të huaj që posedojnë shtetësinë zvicerane. Kështu që njëqindmijë nënshkrime i mbledhim sa ora. T’ia fillojmë edhe ne migrantët ta përdorim të njejtin mekanizëm demokratik për të zgjedhur problemet apo mllefet tona. Ju propozoj që të lansojmë iniciativa me këto tema:

 

  1. Ndalimin e mjekrrave në vendet publike
  2. Lejimin e pirjes së duhanit nëpër kafene e «bahnhofe»
  3. Ndalimin e partive ksenofobe
  4. Ndalimin e pordhjes në vende publike
  5. Lejimin e bartjes së armëvë nga migrantët në Lucern, Thurgau dhe St. Gallen
  6. Ndalimi i ndotjes së ambientit me ide raciste nga revista e «Weltwoche»-s
  7. Ndalimi i shikimeve indiskrete
  8. Ndalimi i demokracisë direkte dhe në fund
  9. Pezullimin e së drejtës së iniciativës.

Çka mendoni? Jemi të mençur apo jo. Kjo që duket si një shaka, mund të ndez si strategji. Ta banalizojmë inciativën deri në atë vijë sa që ekstremi i djathtë ta kuptojë se politika nuk është mjet lëndimesh, urrejtjesh e nxitjesh mesjetare, por një mjet për të shpehur kërkesa konstruktive. Nëse ne çdo iniciative primitive të SVP-së ia vëmë krahas një iniciativë tonën  qoftë edhe vicoze, ndoshta e kuptojnë edhe lopët e Emenatlit se SVP është duke u tallur me ndjenjat e tyre.

4.

Një zviceran –me prejardhje britaneze- dhe një zvicerane dolën dje para gjyqit. Ata kanë mbytur vajzën e tyre pesë vjeçare duke u përpjekur ta edukojnë sipas parimeve të dhiatës së vjetër (biblës). Para gjyqit ata thanë se nuk ndihen fajtor sepse vajza e tyre e dinte se çfarë duhej të bëj për Jezu Krishtin. Një tjetër e shoi gjithë familjen poashtu për shkaqe perverse religjioze. Minuta ma vonë na ndolën para mediave dy mjekrrat e Bielit, Qazimi dhe Nikolasi. Të gjitha mediat i nxorën dy primitivat në faqen e parë. Më erdhi keq për pesëvjeçaren. Pse dy mjekrrat e duhanizuara nga orienti na qenkan më të vlefshme se jeta e asaj pesvjeçares. Ç’morali të ndyrë më servojnë mediat? Pse idiotizmi i Qazimit dhe Nikolasit qenkan më mediatikë se krimi i prindërve që terrorizojnë fëmijët e tyre për shkak të një sekti kriminel që kanë.

5.

Demonstrata për Dedë Gecajn. Sipas familjes së tij organet policore të St. Gallenit e paskan mbytur atë. Ai nuk  e ka vrarë veten, sepse është…çka është? Unë e kuptojë dramën e familjes Gecaj për ta shpërlarë personin  e birit të tyre. Çka nuk kuptoj është fakti se pse të pavërtetën duan ta bëjnë si argument të shejntë për shpërlarjen e familjarit të tyre. Përkundër gjithë monstrave që ekszitojnë në Zvicër si Blocherë, Schlüerë e të ngjashme ne që jetojmë këtu nuk besojmë në teorinë tuaj se dikush e ka mbytur vrasësin. Vrasësin e një mësuesi që foli me bijën tuaj dhe kishte përshtypjen sikur ajo të jetë dhunuar nga prindi i saj. Këtë fakt ne nuk e morrëm vesh kurrë detajisht se Dedë Gecaj ikte. Do momente para se të dal para gjyqit ai vrau veten. Ok. Tash le të pushojë qetë dhe ju poashtu duhet të qetësoheni. Një gjë është tashmë e ekspertizuar: Dedë Gecaj vrau veten. Pse? Vetëm vajza e tij mund të japë një përgjigje adekuate. Ajo qëndron në storien e saj. Amin.

6.

Si t’ia bëjmë? Sa herë që votohet ndonjë iniciativë e SVP-së unë e pranojë si një apel të zviceranëve që sa më shpejtë ta braktisë Zvicrën. Këtë ndjenjë sigurisht se e kanë edhe mijëra të tjerë me statusin e të huajit.Ta braktisim Zvicrën?

Jo!

Ne e duam Zvicrën. Natyrisht mundësisht pa blocherë, schlüerë, qazima, nikolasë e dinosaurë tjerë që me ekzistencën e tyre e kanë gabuar shekullin e Sali Bersihës. Mirëpo e keqja dhe e mira kanë ekzistuar gjithmonë pranë njëra tjetrës, kështu që të jemi krenarë që nuk jemi ne taborin e krimit. Atij krimi që Zvicra, në vend të gabuar, donë t’i shporret.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.