(Auto)biografia e një ekzekutimi publik

Shkrimtari dhe filozofi i njohur francez Bernard-Henri Levy në romanin e tij të fundit «Kush e vrau Daniel Pearl»-in ka bërë rikonstruimin e vrasjes së gazetarit të «Wall Street Journal» në Karaçi. Përveç kësaj ai pretendon të ketë zhvilluar teorinë mbi «dimensionin antikulturor të xhihadizmit».

«Kush e vrau Daniel Pearlin?» («Qui a tué Daniel Pearl» Grasset, Paris 2003) quhet romani hulumtues i filozofit dhe shkrimtarit francez me famë ndërkombëtare Bernard-Henri Levy. Libër, i cili si shumica e veprave pararendëse të këtij autori paralelisht u përkthye dhe botua edhe në shumë gjuhë të tjera perëndimore.

Bernard-Henri Levy

Daniel Pearl, korrespondenti i gazetës «Wall Street Journal» për Azinë Juglindore, ekzekutohet në mënyrë brutale me 23 janar të vitit 2002 nga rrëmbyesit e tij: terroristë të organizatës Al – Qaida! Dhe atë para kamerave. Video që tronditën botën dhe arrin efektin që donin vrasësit: futjen e frikës tek «armiqtë e allahut»! Frikë që nuk funksionoi tek Levy, i cili hiç më vonë se pas një muaji braktis Parisin në drejtim të Pakistanit për të hulumtuar rastin në vendin e ngjarjes (ku qëndron një vit), pothuaj me të njejtin tip vendimi kokëfortë siç kishte vendosur ta bëjë monografinë monumentale për Sartrin («Shekulli i Sartrit», Grasset 2000 Paris): «Do të ecë pas gjurmëve të njeriut që naivisht u zhyt në errësirë, do të ecë nga Islamabadi deri në Karaçi, do t’i bëj hapat e njejtë si ai, do të vëzhgojë si ai, mundësisht do të mendoj dhe ndjejë si ai – deri në fundin e hidhur, deri në çastin e vdekjes». Këtë vendim nuk ia luhat as arrestimi i Omar Sheikh, organizatorit të rrëmbimit të gazetarit amerikan Daniel Pearl, ky i fundit kishte udhëtuar atje për të hulumtuar origjinën e njeriut të pagëzuar nga mesmediat perëndimore si «këpucëbomba» e si duket kishte depërtuar në qarqet e rrezikshme të Al- Qaidës.
Levy mbrrin në Kandahar. Prej këtu nis rikonstruimi i stories. Kandahari ka qenë stacioni i parë e Daniel Pearl prej ku ka nisur lëvizjet e tij hulumtuese. Si e bën Levy këtë?

MUXHAHEDINËT SI «GOLDEN BOYS»
Rrugëve të qyteteve pakistaneze, lagjeve plotë pluhur dhe baltë Levy kërkon njerëzit që kanë pasur kontakte me gazetarin Pearl: policë lokalë, informantë që çdo fjali e lënë përgjysmë duke mbajtur dorën zgjatur, ushtarakë të lartë, agjentë të policisë sekrete, avokatë dhe pjestarë të organizatave të ndryshme islamike. Takimet me ta shndrrohen në skena ekzotike, të frikshme, imazhe të një kohe që me qindra vjet s’lëviz fare.
Bernard- Henri Levy merr një dhomë pikërisht në hotelin ku ka filluar e gjithë tragjedia – hotel i cili në librin «Kush e vrau Daniel Pearl?» del si një qendër e komandosëve të organizatave islame. Ne jemi pranë tij kur ai fillon t’i ndajë me kujdes një nga një fijet e marrimangës: ta shkapërderdh mitin e rrezikshëm të terrorizmit islam. Pikërisht në këtë «çerdhe» autori përpilon teorinë mbi «golden boys» e xhihadit dhe izmës së tij.
Levy është mjeshtër i orientimit në xhungël: maqineria vrasëse e xhihadizmit nuk është vetëm një «bindje totale», përkulshmëri fanatike ndaj besimit, fésë, porse ajo është edhe një industri, një biznes me profite miliardëshe në xhepin e sheikëve dhe shërbimeve të ndryshme sekrete – kështu njëri nga konstatimet e Levyt. Ky paska qenë edhe shkaku i ekzekutimit ritual të Daniel Pearl. Ai ka depërtuar më shumë se sa duhet në aparatin e Al-Qaedës dhe është ballafaquar me ato fakte që s’duhej: bashkëpunimin dhe mbështetjen e Pakistanit zyrtar që gëzojnë organizatat e ndryshme fanatike e terroriste islame.
Pakistani? Njëri nga aleatët besnikë të SHBA-ve në këtë luftë kaotike qenka njëri nga kandidatët më potentë të atij «boshtit të së keqes» që presidenti amerikan nuk e heq nga goja? Ky është apeli qëndror – shikuar nga aspekti politik – që Levy e bën nëpërmjet librit «Kush e vrau Daniel Pearl»?
Levy faktet për këtë i gjen në arkivat e pluhurosura të shërbimit sekret ind.

AUTORI NË KONKURRENCË ME PERSONAZHËT
Rrëfimi sipërfaqësisht rikonstruohet në bazë të dy biografive themelore: në atë të gazetarit «martir» Daniel Pearl – i cili duke kërkuar origjinën dhe bazën e njeriut të mbiquajtur «këpucëbomba» zhytet në strukturat «mafioze» të Al – Qaeda-s dhe vritet para videokamerës – dhe vrasësit të tij Omar Sheikh, të dënuar me vdekje si organizator i vrasjes të të parit. Një terroristi që dikur ka pasur namin e kosmpolitit dhe absolventit brilant të School of Economics të Londrës e i cili pas kthimit në Kashmir dhe udhëtimit për në Bosnjë, Afganistan, Pakistan (dimensioni ndërkombëtar i xhihadizmit) shndrrohet në një njeri brutal, në konto të cilit shkojnë dhjetra vrasje dhe rrëmbime. «Edhe ky armik i perëndimit është shkolluar në perëndim», thotë Levy plot mllef.
Ndërsa biografia themelore që mban litarët në dorë, ngritet vetvetiu mbi dy të parat duke rrëfyer e përplotësuar historinë me hipoteza dhe konstatime të letrarizuara e sidomos duke ecur nëpër kujtimet personale është ajo e vetë autorit Bernard-Henri Levy. Pra përtej të së mirës (Pearl) dhe së keqes (Sheikh) ekziston një zonë që qëndron mbi ta, ajo zonë e Unit suprem të Autorit Levy. Ai rrëfen për veten më me përkushtim, për odisejadat e tij në Pakistan 1971: si perkrahës i flaktë i Z.A. Bhuttos, i cili bënte luftë për të marrë pushtetin. Bangladesh 1973: si luftëtar i një njësie rezistence të një fisi në afërsi të Afganistanit. Bosnjë 1992-93: si judë përkrah muslimanëve të Sarajevës që përpiqen t’i rezistojnë okupimit serb (pikërisht në kohën kur mendohet që edhe Omar Sheikh të ketë qenë atje), pastaj pasojnë Ankara dhe Dubai (1994) e më në fund Israeli (2002).
Në këtë mënyrë shkrimtari, që në vitin 1970 debutoi me librin e tij të suksesshëm «Indes Rouge», nuk i del zot asaj që premton në fillim të librit, pra nuk sjell një rrëfim empatik («do të vëzhgojë si ai… do të mendoj dhe ndjejë si ai…») por një «roman» që duket më shumë autobiografik për nga aspekti letrar e përmbajtësor i tij e që dy biografitë tjera (po të spekulojmë) i përdor si ilustrim për ngritjen e një botëkuptimi filozofik personal mbi «dimensionin gjeografik e filozofik të xhihadizmit». Bota dhe gjithë tragjedia që plasohet në vepër nuk shihet me sytë e Daniel Pearl, por me syzat e Bernard-Henri Levyt.
Pra, përpjekja për të ndërtuar rrëfimin nisur nga duktusi multiperspektivësh kolidon me kryepesonazhin «hijerënde»: vetë autorin!

KRITIKA
Në Amerikë romani nuk u përfill fare. Në botën gjermanofone u kritikua ashpër. Në Francë u ngrit në piedestal. Edhe rreth përcaktimit të zhanrit ka mospajtime: është roman, libër publicistik e gazetaresk apo një pamflet propolitik i ngjajshëm me ato librat e gjermanit Handke?
Libri është një formë e përzier rrëfimi që në Francë ka arritur sukses: një lloj kollazhi letraro-gazetaresk që ndez sidomos në fushën e thrillerëve, romaneve historiko-dokumentarë dhe krimiromaneve. Një lloj «romani» që jashtë Francës ende nuk gjen përkrahës në fushën e shkencave të letërsisë. «Kush e vrau Daniel Pearl» është një kollazh i tillë: përderisa në njërin kapitull flitet me gjuhën e ftohtë të fakteve dhe gazetarisë hulumtuese në tjetrin kapitull del në pah mjeshtëria letrare, artistike e Levyt kur përshkruan, rrëfen, mediton për çështje të komplikuara filozofike si natyra e krimit, gjendja e njeriut rrugës për «në amshim» etj.
Lexuesi me lehtësi ndjek hapat e autorit rrugicave labirinth të Madrassa-s (atij qyteti në qytet ku është e ndaluar hyrja e të huajve), sikur të ishte vetë aty. Çdo detaj, qoftë edhe ai më i parëndësishmi, në gjuhën e Levyt, shndrrohet në një element peisazhi që ngulitet e mbetet në memorien e lexuesit si stampë. Natyra e rrëfimit a la Sherlock Holmes tërheq, intensifikon kurreshtjen e recipientit dhe ia merr atij të drejtën e kalkulimit, baraspeshimit apo formimit të një pikëpamjeje personale mbi definimet që shtron Levy në libër. Autori di si ta «burgos» lexuesin (sidomos atë naiv, të padjallëzuar) brenda murreve të rrëfimit të tij deri në atë masë sa që ky i fundit që në faqet e para e humb aftësinë e dallimit në mes fiksionit dhe realitetit.
Ajo që pakashumë degradon nivelin artsitik të veprës është fjalori i rëndë që Levy kultivon në libër: Bastardët, barbarët, errësira islame, demonët të ngjajshme dhe atë jo vetëm kur bëhet fjalë për terroristët, por ato shpërthejnë në shumë situata e çaste ku s’duhej të ishin.

NË MUNGESË TË PËRGJIGJES FINALE
Levy di t’iu përgjigjet shumë pyetjeve në kontekstin islam-perëndim. Është një analizë e kompletuar letraro-politike me një strukturë dhe apel të qartë në aspekte të shumta morale, kulturore e filozofike. Kuptohet nga prizmi i «kufizuar» i autorit. Mirëpo është e qartë se: «Kush e vrau Daniel Pearl» është një libër që më shumë se çdo kanal tjetër, i mundshëm, të lehtëson udhëtimin në zemrën e organizatës aq të përfolur terroriste Al-Qaeda dhe jo vetëm kaq e mbitëgjitha: ai është një homazh për një gazetar që mizorisht u ekzekutua para kamerave vetëm pse donte të zbulojë një të vërtetë, pikërisht atë të vërtetë që s’duhej ta shpalonte dhe bëri që të merret vendimi për likuidimin e tij – nëse e kuptojmë drejt nëntekstin e Levy-t – dhe atë jo vetëm nga Al-Qaeda. Për këtë arsye, përkundër dënimit me vdekje të Omar Sheikh-ut, Levy edhe më tej pyetet: kush e vrau Daniel Pearl-in?

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.