Odiseu nuk kthehet më!

Greqia, respektivisht letërsia greke, kur ishte e ftuara speciale e Panairit e librit në Frankfurt (2001), Shtëpitë Botuese perëndimore, si zakonisht, iu përveshen organizimit të (ri)prodhimit industrial të veprave të vendit të promovuar si mysafir të panairit.

As kontributi grek, në këtë drejtim, për të prezantuar letërsinë e vetë sa më dinjitetshëm, nuk mungonte. Siç u shpreh edhe vetë shkrimtari Vassilis Vassilikos (i cili mori famën me romanin dhe filmin e njohur “Z”), gjatë një konference shtypi, në njërin nga sallonet e Panairit; “Po duket se vendasit e mi më me kënaqësi sjellin në jetë libra se sa fëmijë”. Dhe ai ka të drejtë në këtë konstatim, kur kihet parasysh se në Greqi, vetëm brenda vitit të kaluar, u prodhuan më se 8 mijë libra, një tendencë kontinuitative që nuk është patjetër drejtpërdrejtë e lidhur me pjesëmarrjen greke në panairin gjerman të letrave. Ka vite që në terrenin grek vërehet një “boom” në industrinë dhe tregun e librit.

Përkundër faktit se autorët grekë kanë arritur të aktivizojnë sensin, dëshirën dhe gatishmërinë e qytetarit të vetë për të lexuar, me një fjalë kanë gjetur metodën se si të ngacmojnë interesin e grekut të sotëm ndaj librit, ata nuk kanë arritur – përveç në planin turistik – të shpërthejnë muret e izolimit të letërsisë së tyre për të dalë jashtë stadiumit të tyre nacional. Pas romanit të heraklitasit Nikos Kazantzakis “Alexis Sorbas” që u bë i njohur falë Holliwoud -it dhe Antoni Quinn-it (1946) dhe çmimit Nobel që iu dha poetit Odysseas Elytis nuk ka pasur ndonjë “rast” tjetër që do të kishte shkaktuar interes jashtë vendit. Megjithëkëtë me pjesëmarrjen dhe prezantimin e letërsisë së tyre krijuesit grekë arritën që të mobilizojnë opinionin kritik mondan që ai të ballafaqohet me letërsinë e tyre aktuale, kështu duke nxitur një debat të ri në lidhje me identitetin, rolin dhe vlerat e letërsisë greke në gjirin e asaj botërores, gjë që në njëfarë mënyre, pjesërisht edhe ia arritën, nëse jo si letërsi e tërë, pra si kolektiv, atëherë nëpërmjet individëve – krijuesve të veçantë që sjellin vërtet një frymë të veçantë në letërsinë artistike, madje sipas një studiuesi të letërsisë greke; “kjo është mirë edhe për vetë letrarët grekë, është njëlloj peshimi vlerash, tash ata shohin se ku qëndrojnë”.

2.Tek dashnorët ose më saktë kritikët evropianë me një nostalgji të theksuar homerike debati po udhëhiqet nga një eufori referencash antike. Një numër i konsiderueshëm kritikësh, që tubohen rreth disa mediumeve prominente euro-amerikane, të cilët shoqëruan panairin me komente e refleksione pandërprerë, që nga lajmi për pjesëmarrjen greke e deri në ditën e fundit, “harruan” të merren me letërsinë e sotme greke, ose iu qasën asaj vetëm në formë sipërfaqësore sa për të justifikuar paraqitjen, duke u zhytur sërish në stërinterpretimin e Mitologjisë Homerike, rëndësinë e antikës së lavdishme greke për majat e kulturës së sotme perëndimore e të ngjashme.
Në anën tjetër po aq e zjarrshme është edhe kritika që “ka alergji ndaj lavdisë greke”. Janë kritikët që zanafillat e lindjes së kreativitetit shpirtëror e mendor human nuk i shohin patjetër vetëm në epokën e Homerit, Eskilit, Euripidit, Sofokliut, por edhe në botën paraantike, orientale, duke u kapur për dokumenteve të para, shenjave të para të interesit human për artin. Ca ashpërsojnë polemikën e tyre duke ftuar në ndihmë faktet në lidhje me plagjiaturën që grekët kanë bërë në Antikë duke vjedhur mitet dhe legjendat e kulturave të përmbysura e të djegura nga vetë ata. Fakte kokëforta që injorohen nga “kori i elozhistëve, për të cilët bota nis dhe mbaron me Homerin”, siç shprehet një kritik amerikan.
Ndërsa, të rrallë janë ata që me një dozë të matur përfolën kontributin grek në zhvillimin e intelektit human – i cili assesi nuk duhet përjashtuar – dhe me një përqendrim profesional, kritik e shkencor përpiqen të përballojnë euforinë që shkakton Greqia me emrin e saj të lavdishëm historik, duke u përpjekur të japin një vlerësim korrekt në lidhje me letërsinë e sotme greke ose mbi letërsinë e re greke – nëse bazohemi në pretendimin grek!
Pa mohuar argumentacionin e që të tri fronteve të kritikës rreth rolit grek në zhvillimin human, pa u bërë varrës i njërës apo tjetrës teori si dhe pa hulumtuar rrethanat dhe origjinën e vërtetë të një lulëzimi të tillë intelektual grekët janë krijuesit e “Poetikës”, filozofisë, dhe shumë drejtimeve tjera të shkencave humane. Duke filluar që nga parasokratikët e deri në shkollat e fundit platonike nëpër trojet evropiane përulemi përballë faktit rreth kontributit të një populli në përhapjen e filozofisë për mendimin dhe shpirtin e lirë, i cili më vonë do të inspirojë të gjitha etapat e zhvillimit të mendjes humane nëpër shekuj.

3.Ekziston një vakum gati dymijë vjeçar në mes të letërsisë antike greke dhe rishfaqjes së saj në shekullin XIX. Letërsia e re greke, konkretisht, dokumentet e para postantike letrare – duke përjashtuar veprat e Andreas Kalvos Ioannidis, të shkruara në frëngjisht – datojnë me shkrimet e Dionysios Solomos, sidomos me veprën e tij “Kretasi” ku bëhet fjalë për ikjen e një ushtari grek nga thonjtë e soldnerëve të Ali Pashës. Poeti dhe rrëfyesi historik Solomos përpiqet që të shfrytëzojë “trashëgiminë” e poetëve të lashtë grekë, mirëpo i ndikuar tejmase nga letërsia e filozofia anglo – saksonike, gjermanë e në veçanti nga Gëte, Kant dhe Hegel nuk ia del të dëshmojë për një stil tradicional grek që do të lidhej me klasikët e antikës.
Megjithatë Solomo është sinonimi i kthimit të letërsisë greke si dhe udhërrëfyesi i romantizmit grek, i cili, ashtu si tek popujt tjerë bëhet epoka e një shpërthimi shpirtëror. Me krijimin e shtetit të ri grek (1830), të frymëzuar nga Solomos (duke ndjekur stilin dhe formën e tij të krijimit) në skenë paraqitet një gardë krijuesish (Papadiamantis, Xanthopoulos, Martelaos, Danelakis, Gouzelis etj.), të cilët me të drejtë konsiderohen si prestarët e parë të Letërsisë Kombëtare greke. Një letërsi me barrën e pretendimit në shpinë për të konsistuar me historinë e Odiseut, pra për të arritur statusin e trashëgimisë së Homerit në letërsi. Pa sukses.

Palamas dhe Kavafis

Edhepse Kostis Palamas me veprën e tij “Këngët e atdheut tim” bëri një jehonë të efektshme jo vetëm në Greqi nga pjesa dërrmuese e teoricienëve që merren me Letërsinë e Re greke nuk e konsiderojnë atë si krijuesin e lirikës moderne greke, por Konstatin Kavafisin e lindur katër vjet pas tij. Me plotë të drejtë. Palamas nuk arrin të çajë rrethin e krijuar stilistik, gjuhësor e përmbajtjesor të romantikut Solomos.
Ndërsa Konstantinos Kavafis (1863-1933) në poezinë e tij arrin në mënyrë mjeshtërore, me një finesë origjinale; t’i përshtatet ndërtimit modern të poezisë në aspektin stilistik; të shfrytëzojë (deri sot asnjë krijues grek nuk ik dot këtij segmenti) Mitologjinë greke aq të preferueshme nga mendësia evropiane me një perfiditet të lehtë; duke i dhënë letërsisë greke një ngjyrë krejt tjetër nga ajo antike, pra një pamje reale, domethënë një imazh bizantin e ortodoks. Kjo nuk do të thotë me çdo kusht që Kavafis nuk ka rënë (dhe atë në fillim e në fund të jetës së tij bindshëm) në grackë të lirikës historike e romantike, sidomos në përmbledhjen “Gota e ngjyrosur” vërehet një kurs labil në këtë kontekst, mirëpo ato poezi nuk i dhanë atij famën e një poeti të përmasave universale, por vjershat mbi dashurinë, vjershat homoerotike që hapën një horizont të ri në lirikën greke dhe i thanë fund sundimit të vetëm e absolut të tragjikes, dramatikes mbi jetën e një letërsie në krizë identiteti. Vizioni për t’iu afruar të së Bukurës pa i vënë asaj parakushte dramatike shpëtuan jo vetëm Kavafisin, por edhe mbarë letërsinë që s’kapërcente dot kufijtë e një epoke mijëra vjet të perënduar e që s’imitohej dot.

Ritsos dhe Odysseas Elytis

Jani Ritsos (1909 – 1990), njëri nga poetët, të cilit, për dallim nga Kavafis, nuk mund t’i mëveshët asnjë grimë historiciteti, keqpërdorim të namit antik grek për të depërtuar në botën e letërsisë u bë viktimë e ideologjisë së tij. Ritsos në jetën politike, krahas asaj letrare, ishte një militant i majtë që në njërin blok ngrihej në kulm e në anën tjetër mallkohej si diletant. Një “diletant” letrar, poet e prozator, artit të të cilit nuk i ndalej dot fuqia ndikimit në gjeneratat e reja, segment që vërehet dukshëm tek krijuesit e rinj. Kundërshtarët e tij – në skenën letrare greke – nuk e mohojnë dot faktin se nga poetët e pasluftës Ritsos mbetet më i lexuari. Ritsos dallohet kryesisht për nga rebelizmi për një çlirim politik dhe të një krijimi, një gjuhe krejt apolitike. Paradoks që në krijimtarinë e Ritsos e humb domethënien themelore të kuptimit.
Odysseas Elytis (1911-1996) është bartësi i vetëm i çmimit prestigjioz Nobel për letërsi (1979). Elegjisti Elytis me veprën e tij “Oxópetra – në perëndim të pikëllimit”, poetikë që konsiderohet si “dialogu mistik me vdekjen”, është letrari i parë grek (deri më tani edhe i fundit) që u njoh se i takon gjenit homerik, përkundër përdorimit të terminologjisë mitologjike greke – tashmë të banalizuar – në një masë të tepruar, ai dialogun e vetë e bën me kohën e tashme, ose më mirë thënë ai bashkëbisedimin e bën (me plotë dashuri) me vdekjen e pakohë.

Letërsia e sotme greke

Elytiss, në vitet e nëntëdhjeta, ende para vdekjes së tij nuk është më prezent në skenën letrare greke. Jo vetëm fizikisht, por edhe si ndikim. Në jetën letrare greke paraqitet faza e katërt (pas epokës së romantizmit, Kavafisit dhe Palamas ose letërsisë së viteve të tridhjeta dhe Ritsos e Elytisit të viteve të shtatëdhjeta), një fazë në kërkim të identitetit dhe që nuk i drejtohet më Homerit për ndihmë, nuk do që të identifikohet me vitet e humbura të Odiseut te Kalypsoja, nuk kërkon shpëtim nga mangësia e fjalorit në mitologjinë greke, por që i përshtatet dhe ec baras me kohën dhe problemet e saja. Thjeshtë një “dorëzim” demonstrativ nga pritja për kthimin e Odieseut në letërsinë greke. Autorë që edhe ishin prezantues të letërsisë së sotme greke, shkrimtarë deri ato ditë të panjohur por me perspektivë.
Jo vetëm në Evropë – në hapësirën gjermanofone, fraknfone, spanjolle, italiane – Shtëpitë Botuese më me renome u futën në një garë për të përkthyer si letërsinë e traditës ashtu edhe më se tridhjetë autorë të sotëm grekë, por edhe grekët vetë nuk qëndruan duarkryq; ata bën antologji të përkthyera në gjuhët e sipërpërmendura dhe qysh para panairit ftuan gazetarët e redaktorët e mediumeve në zë në Athinë për të lidhur kontaktet e duhura me qëllim që “ndërmarrja e prezantimit” të bëhej sa më dinjitoze. Suksesi nuk mungoi. Debati u zhvillua dhe po zhvillohet dhe librat e shkrimtarëve grekë janë në trend.

4.Po për çfarë letërsie bëhet fjalë? Njëri nga kritikët dhe gazetarët më promenintë të kulturës në Greqi, Vangelis Chatsivassilou (Eleftherothypia) shprehet kështu; “Proza e sotme greke është një hartë tepër ekzakte politiko-gjeofizike e rajoneve greke”. Konstatim më të saktë nuk besoj se ka!
Igumenica, Heraklioni, fshati Kri-Kri me dhitë e tij në kodrat e gurta të Kretës, hujet e njerëzve të Peloponezit, hallet e njerëzve nëpër vendet më të thella të Greqisë së sotme dalin në shesh nëpërmjet letërsisë etj. – janë të përshkruar në formën më të përimtësuar që ekziston. Kjo është ajo forma e re e letërsisë greke, që për botën e huaj duke ekzotike e që ka zgjuar një interes të mjaftueshëm, nëse jo artistik, ani atëherë zbavitës. Element që u jep letrarëve grekë mundësinë e depërtimit dhe askush nuk mund të mohojë se nëpërmjet kësaj letërsie “zbavitëse” nuk depërtojnë edhe letrarët e njëmendtë si dramaturgu, romansieri dhe moderatori i ri kretas Petros Tatsopulos (i cili tashmë është i kontraktuar me shtëpi botuese perëndimore e që deri tani nuk e ka pasur asnjë fjalë të përkthyer në gjuhë të huaj) ose autorja e romanit “Gratë e jetës së tyre” Lena Divani që poashtu ka zgjuar një interes të bujshëm.
Kështu Panairi i Frankfurtit, nga grekët u shfrytëzua si shans për të kërcyer muret e izolimit nacional në letërsi e art.
Aksion i menduar djallëzisht bukur!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.