Testamenti i fundit i Oscar Wilde

Ditari (fiktiv) që tronditi skenën letrare angleze ose shkrimtari që edhe 99 vjet pas vdekjes nuk e le të qetë ndërgjegjen angleze.

Për shkrimtarin, frika ndaj vdekjes është shumë më e vogël se sa frika e ndarjes nga bota pa thënë gjithçka që qarkullon në shpirtin e tij të paqetë. Një frikë absurde kur kihet parasyshë se shkrimtari kurrë nuk ndalet së torrturuari shpirtin dhe mendjen e kohëve, madje as pas vdekjes së tij.

Ai ngjallet sërish në trupin e dikujt tjetër për të vazhduar shkrimin e tij të pafundtë për universin e artit. Një dëshmi për këtë teori është “Ditari i Oscar Wilde” që botohet 99 vjet pas vdekjes së tij.

HIOBI I LETËRSISË

Oscar Wilde
Oscar Wilde

Paris 9 gusht 1900. I kërrusur mbi një tavolinë antike që mezi po e mbajnë këmbët, në njërën nga dhomat më të lira të hotelit d’Alasce fillon Oscar Wilde ditarin e tij. “Unë nuk kam të kaluar. Triumfet e mia të dikurshme nuk kanë asnjë rëndësi. Vepra ime është e harruar…Unë jam Salomoni dhe Hiobi, më fatlumi në mesin e të vdekshmive të pafatë”. Njeriu që deri paradokohësh ecte si një dandi nëpër salonet e prominencës londineze dhe mendonte se me veprat e tij do të pushtojë botën, do të ndryshojë kahjen e mendimit mondan dhe do të bëhet ikona e përjetshme e teatrit botëror tashmë është një njeri i thyer, larg atdheut, hiçgjë më shumë se sa një poet i djegur dhe i harruar. Dhe ky njeri nuk është askush tjetër përveçse se autori i “The picture of Dorian Gray” (Piktura e Dorian Greit), i “Tragjedisë florentinase”, i “Vera ose nihilistët”, “Salomé”-së e të ngjajshme. Pra Oscar Wilde i njohur sa për famën e tij si poet, prozator, eseist e dramtaurg aq famoz edhe për jetën e tij të çuditshme dhe jashtë konditave etike të kohës në të cilën jetonte (1864 – 1900).

DITËT E FUNDIT TË JETËS
Në kulmin e famës së tij Wilde dënohet me burg për shkak të homoseksualizmit të tij, respektivisht lidhjes intime me një djalosh me merin Bosie, siç e quan ai në letrën e dërguar nga burgu (H.M.Prison) që mban titullin “De profundis” dhe që kosniderohet si njëra nga esete më të bukura biografike të letërsisë angleze. Që nga ai moment të gjitha teatrot e Londrës heqin nga skena veprat e tij, librarët i fshehin veprat e tij për të mos u kompremetuar para klientëve, ndërkaq kolegët e tij festojnë nëpër salone për eleminimin e dandit, manifestim që më shumë ka demostruar lehtësimin e tyre nga asgjësimi i një konkurrence, së cilës nuk i dilej përpara, se sa diçka tjetër. Dhe vërtet atmosfera e asaj kohe ka qenë e tillë, saqë bashkëkohanikët e tij kanë menduar se Oscar Wilde njëherë e përgjithmonë shporet nga kronikat e të gjitha kohëve. I nënçmuar, përbuzur e i harruar për gjithmonë, i dënuar për të mos shkruar më kurrë ai lëshon Anglinë dhe pas burgut emigron në Paris, drejt në dhomën e hotelit d’ Alasce për të kaluar ditët e fundit të jetës së tij.

RINGJALLJA
99 vjet pas vdekjes së tij botohet ditari “The last Testament of Oscar Wilde”. Riaktualizohet rëndësia dhe roli i gjeniut Wilde në botën e artit letrar e skenik, i cili bashkë me Bernad Shaw (që del si i inspiruari i parë nga Wilde1864-1950) thejnë monotonine e krijimit sipas rregullave të kodit të salloneve angleze, kod, të cilit madje edhe vetë Shekspiri i është përulur padenjësisht (historia e veprës mbi Johanën nga Orleansi). Jo, ditari i Wilde nuk ka qenë dokument i fshehur që 99 vjetë më vonë është zbuluar nga studiusit e tij, ai nuk është as një dokument fatkeq e i drynosur në kacafortat e Scotland Yardit për shkak të thënieve fyese të irlandezit Wild ndaj Anglizë dinjitoze, por vërtet është “shkruar nga Wilde i inkarnuar” që sot në botën letrare mban emrin Peter Acroyd*. Çdokush që njeh veprën e Oscar Wilde, që njeh gjuhën, stilin, ironinë, shpotinë dhe jetën e tij gjatë leximit të ditarit të shkruar nga Acroyd ndeshet me Wilden e ringjallur.
Acroyd duket se e ka shkruar atë që Wilde ka menduar ta thotë para se të vdes: jetën e tij me gjithë ngritjet dhe përplasjet, si shkrimtar me famë dhe si një qenie e pënrdjekur madje edhe rrugëve të Parisit nga kolegët e tij.
Acroyd ia plotëson një dëshirë Wilde-t që e ka shprehur në telegramin e dërguar me 18. tetor 1900, dyzet e dy ditë para se të vdesë; “Qe disa ditë nuk kam shkruar më asgjë. Nuk mundëm më as të flej e as të mendoj. Thuhet që brenda katër ditëve duhet të operohem. E kam një abces në vesh, i cili është tepër i rrezikshëm për trurin tim. Për këtë e kam njoftuar Robbie nëpërmjet një telegrami. Jam shumë i frikësuar. Dua të jetoj. Kam ende shumë për të thënë. Maurice do të ma sjell supër, shpresoj që mos ta ketë zier vetë…”
Wilde ka pasur frikë të vdes sepse ka pasur ende të thotë diçka, atë që Acroyd e thotë në veprën “Testamenti i fundit i Oscar Wilde” në emër të tij. Me sukses!

*Shënime biografike
Peter Acroyd është i lindur më 1949 në Londër. Ka studiuar Shkencat e Letërsisë në Cambridge dhe Yale dhe ka qenë për shumë vite redaktor i revistës angleze “Spectator” dhe kritik letrar i gazetës “Times”. Për biografitë dhe dhe romanet e tij Acroyd është shpërblyer shumë herë me çmime të rëndësishme, ndër to ai ka marë edhe çmimin e njohur për letërsi “Somerset Maugham Award” për veprën “Testamenti i fundit i Oscar Wilde”. 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.