Kundera dhe legjenda e kasapit islandez

Në romanin më të ri të tij “Injoranca” Kundera edhe njëherë më shumë, kësaj rradhe në mënyrë më të koncentruar, i qaset emigrantit, si qenie me identitet të humbur.

Emigrantja çeke Irena është lodhur nga pyetja e çdoditshme e Parisit; “pse je ende këtu?” dhe pas njëzet vjetëve i del përballë sërish Pragës – vendlindjes së saj. Pyetja ndrron formën dhe bëhet edhe më e padurrueshme: “Kush je ti. Çka bën këtu”? Parisi nuk e durron më e Praga s’ka nevojë për shpirtërat e shpërngulur që kanë humbur drejtimin dekada më parë. Pa atdhe. Në udhëkryqin e fatit të saj ajo përpiqet të gjej identitetin e humbur gjatë pranverës së famshme çeke të vitit 1968. Përderisa Irena kërkon kuptimin e mosdurrimit të Parisit ndaj saj Milan Kundera shkëput rrëfimin mbi këtë grua pa identitet dhe fillon të bëjë zbërthimin etimologjik të fjalëve greke “nostos” e “algos” ose të fjalës spanjolle “anoranza”, asaj portugeze “soudade” e kështu me rradhë duke shëtitur gjuhëve të Evropës me qëllim për të treguar se si popuj të ndryshëm e quajnë mallin për atdheun, nostalgjinë për të. Dhe ja “finalja”: rirrëfimi i stërpërsëritur i historisë së luftës së Odiesut për t’u kthyer në Itakën e tij.

“Arti i romanit” të Kunderës
Në romanin më të fundit të tij “Injoranca” (të botuar në gjermanishte nga Carl Hanser Verlag, 2001, München) Kundera edhe njëherë më shumë, kësaj rradhe në mënyrë më të koncentruar i qaset emigrantit, si qenie me identitet të humbur.
Ata që e njohin stilin e këtij autori e dijnë që çdo libër i tij – sidomos nga “Lehtësia e padurrueshme e qenies” (1984) e këndej – është roman dhe ese shkencore përnjëherë. Edhe “Injoranca” duket si botim i dy veprave në një, vepra, të cilave aksidentalisht u janë përzier kapitujt. Për shembull: në të njejtën kohë kur ai rrëfen për emigranten Irena dhe burrin e saj flet për Revolucionin francez dhe Komunizmin ose vërtetësinë shkencore mbi sagën e Odiesut e të ngjajshme.
Ashtu si librat e Kunderës edhe versionet e kritikës i përngjajnë kësaj natyre kombinimi të domosdoshëm: njëra anë thirret në mungesën tempos te Kundera për ta rrëfyer një histori deri në fund artistikisht, pa thirrur në ndihmë teori intelektuale e filozofike mbi temën, ndërsa ana tjetër e konsideron këtë si një formë të re të romanit, e cila nuk bën asgjë më shumë se sa i përshtatet nivelit intelektual të lexuesit të shekullit njëzet e një dhe që është krijuar nga një autor me përmasa paraprirëse në këtë drejtim. Natyrisht se në këtë kontekst aludohet në teorinë e Kunderës të proklamuar nëpërmjet eseut “Arti i romanit” (Paris, 1986).

Dy J -P. Sarter – një Milan Kundera
Ekziston versioni teorik që suksesin e Kunderës e lidhë me traditën e romanit për të integruar sa më gjallë refleksionin filozofik dhe atë duke filluar që nga Cervantesi , Musil, Broch e kështu me rradhë. Me këtë justifikohet edhe “sakrfikimi” i artit të rrëfimit, pra aty ku teksti më nuk i përngjan prozës, domethënë në emër të “hulimtimit filozofik të ekzistencës” autorit i lejohet që nganjëherë edhe të rrëshqasë duke ngatrruar gjinitë letrare me qëllim të shkrimit të një polihistorie – një për lexuesin e zakonshëm, një për intelektualin, një për marinarin etj. Aksion që nuk është negativ sidomos në përpjekjen për të gjetur lexuesin te sa më shumë shtresa që është e mundur.
Në gjithë këtë debat, absurdi bëhet edhe më i padurrueshëm, sepse i iket faktit kryesor se çdo vepër arti përmban në vete një refleksion filozofik dhe se në rastin e Kunderës fjala është për të gjetur kufirin në mes tekstit letrar artsitik dhe tekstit kryekëput shkencor filozofik e jo se deri në cilën masë i lejohet një artisti që të jetë filozof. E, stili i Kunderës, pra metoda e tij për të krijuar romanin nuk ka të bëjë fare me atë të Cervantesit, as Musilit e as Brochut, por më shumë me shkrirjen e dy sartërve në një; pra me përbashkimin e dhunshëm të sartrit filozof me atë të sartrit shkrimtar në Kunderën vetëm shkrimtar! Gjë për të cilën ca thonë se nuk shkon fare e ca thonë se është mjeshtri.
Megjithkëto Kundera mbetet pjesmarrës i listës së autorëve më të lexuar evropianë.

Tematika
Jo vetëm në “Injoranca” Kundera e trajton “ekzistencën” e njeriut pa atdhe. Kjo temë autorin e preokupon që nga vepra “Valsi i ndarjes” (1976) e që intensifikohet në veprat e mëvonshme, prej kur i merret shtetësia nga atdheu i tij (1979). Pa përjashtuar historinë e bukur të muzikantit Arnold Schönberg, që është është dromcë e bukur e instaluar në “Injoranca” për të përshkruar jetën e emigrantit, ajo që më së miri e vulos teorinë e Kundërës në këtë libër, sa i përket fatit të njeriut paatdhe mbetet rirrëfimi i historisë së poetit romantik islandez Jonas Hallgrimsson, i cili ka jetuar dhe shkruar në Kopenhagë, përderisa atdheu i tij ka qenë koloni e Danimarkës.
Patrioti dhe alkooliku Hallgrimsson vdes gjatë vitit 1845 pa pasur fatin të përjetoj pavarrësimin e vendit të tij, gjë që ka qenë edhe e pamundur, kur kihet parasyshë fakti se një gjë e tillë ndodhë tek në vitin 1944. Dy vjet më vonë një industrialist i njohur islandez sheh ëndërr poetin dhe merr kërkesën e tij për t’ia kthyer eshtrat nga Kopenhaga në atdhe, në një rrafshnaltë ku ka qenë i lindur poeti. Kapitalisti islandez i del zot këtij premtimi dhe arrinë të kthejë skeletin e poetit në atdhe, mirëpo pa suksesin për ta varrosur në vendlindjen e poetit, kjo për arsye se Parlamenti i Islandës ia ka grabitur skeletin nga duart për ta varrosur në varrezat e njerzve të mëdhenj të Islandës, në panteonin pranë parlamentit ku prehej vetëm një poet tjetër i madh deri atëherë.
E gjithë kjo histori e kthimit të eshtrave të Hallgrmissonit e ka një anë tjetër të medaljes. Në varrezat ku ka qenë i varrosur poeti nuk ka ekzistuar asnjë pllakë mbishkrimi që do të identifikonte kufomën e poetit, kështu që kapitalisti zgjedh ato që i janë dukur më të “forta” duke mbajtur fshehur faktin se ai nuk e ka ditur në ato eshtra janë të poetit apo jo. Një viti më vonë merret vesh se eshtrat nuk janë të poetit, por të një kasapi islandez që atë kohë ka jetuar në Kopenhagë.
(Këtë fragment Kundera e ka huazuar nga një roman i nobelistit Halldor Laxness (1902) i cili u bë botërisht i njohur me romanet e tij “Koncerti i peshqve” dhe “Stacioni atomik”)

Ky është opinioni i Kunderës që e pëcjell nëpërmjet romanit “Injoranca” mbi njeriun e paatdhe: Ai as si kufomë më nuk e ka të sigurtë kthimin e ndonjëhershëm në vendin e tij!
Të gjitha historitë, fragmentet, shëtitjet e Kunderës për të shkruar “Injorancën” janë të njohura. Ashtu edhe stili i tij i kontestuar. Ajo që mbetet e panjohur, pothuaj anonime është Irena, të cilën Kundera e shpall si kryepersonazh e rrëfim kryesor, mirëpo e cila përballë Odiseut, Schönbergut, Hallgrimssonit duket si një personazh e papeshë që aksidentalisht gjendet në lojë.

Shënime biografike
Milan Kundera është lindur më 1 prill 1929 në Brünn të Çekosllovakisë. Në moshën 18 vjeçare bëhet antar i Partisë komuniste çeke. Librin e parë e boton në moshën 24 vjeçare dhe atë, përmbledhjen me poezi; “Njeriu është edhe një kopsht tjetër”. Ka shkruar dhjetra romane, ese, pjesë teatrale etj. Ndër dhjetë çmimeve më të rëndësishme për letërsi që ka marë është “Common Wealth Award” që i është dhënë për mbarë veprën jetësore. Kundera që nga viti 1975 jeton në Paris ku ka edhe shtetësinë. Një numër i konsiderueshëm i veprave të tij janë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.