Postmoderna si epokë e Cashkulturës

Ka disa vite që zhvillohet një debat i ashpër ndërmjet neomarksistëve dhe neoliberalëve. Së fundi Terry Eagelton ndezi debatin edhe më shumë kur botoi librin «Pse Marksi kishte të drejtë». Neutralët ende nuk kanë përfunduar diagnozën e së tashmes për të thënë se ç’kërkon e nesërmja. Që të gjitha palët e kanë problem pushtetin vendosës që kanë koncernet globale mbi ekzistencën apo mosekzistencën e shoqërive, shteteve, ideologjive.

Si një bombë u prit libri më i ri i profesorit të Letërsisë Angleze dhe filozofit Terry Eagelton. Vetëm titulli shpjegon shumëçka: «Pse Marksi kishte të drejtë», (Ullstein, Berlin, 2012 [2011]), kështu titulli i librit! Kjo i bie njëjte sikur ndonjë filozof shqiptar të shkruante «Pse Enver Hoxha kishte të drejtë?». Përdorim këtë krahasim jo për të paralelizuar peshën intelektuale të këtyre dyve, por për të përshkruar se ç’infarkti mendor shkakton një titull i tillë tek neoliberali i sotëm evropian, për të cilin Marksi është sinonim i diktaturës, komunizmit, dështimit, çnjerëzores, ashtu siç është edhe opinioni i shumicës së shqiptarëve për diktatorin «e shtëpisë», pra jo racional, por më shumë subjektiv.

Në dhjetë kapituj Eagelton merr mundin t’iu kundërvihet tezave kryesore të antimarksistëve, të cilët sidomos dhjetë viteve të fundit kanë fituar terren në diskurset publike. Akademiku i University of Manchester dhe «katoliku marksist» – siç e quan T.E. veten – hedh benzinë dhe përdhos zjarrin edhe më shumë kur përsërit tezën e famshme të duos Marks – Engels në «Manifestin» e tyre «Komunist», e cila thotë: «armët me të cilat aristokracia rrëzoi për toke feudalizmin, janë drejtuar tani drejt saj». Eagelton e formulon në mënyrë pak më moderne: «Pyetja se kush do ta rrëzoi kapitalizmin është e panevojshme. Kapitalizmi është vetë në gjendje që nëpërmjet kontradiktave që përmban ta shkatërroje veten».

Sikur të ishte çuar vetë Marksi prej varri!

Këtu nisin kritikën, atakun mediat kryesore evropiane kundër Terry Eagelton dhe e denoncojnë si «apologjet të padhëmbë të Marksizmit» (FAZ, 11.03.2012). Madje edhe më keq gazeta franceze «Liberation» zbuloi se Terry Eagelton duke u përpjekur ta përshkruaj marksizmin sa më njerëzor i vizatoi Marksit një portret si ai i Barbie-t që di vetëm të përkëdhel. Një figuracion që implikon banalizimin e mëtejmë të doktrinës marksiste.

Më shumë se sa recensione therrëse kundër një autori të caktuar, trajtesat e tilla janë pjesë e një debati të rindezur ndërmjet neomarksistëve dhe neoliberalëve.

VETANATEMIMI I JOMARKSISTËVE

Kur doli nga shtypi libri «Reappraisals. Reflections on the Forgotten 20th Century» (Penguin Press, 2008) i profesorit dhe historianit tashmë të ndjerë britanik Tony Judt mediat kryesore amerikane, gjermane, angleze e franceze bënë festë. «Më në fund një “histori” ndryshe, një diskurs që na pushon sytë dhe mendjen nga ato historitë e mërzitshme të intelektualëve të majtë (mendoj se është një aludim në «Epoka e ekstremit» të Eric Hobsbawm, 1994), kështu njëri nga recensentët në «New York Times». Të njëjtin opinion e gjejmë në «Neue Zürcher Zeitung», në «Times» apo në «Libération». Entuziazmi kishte këtë arsye: Tony Judt në librin e tij « Shekulli i harruar 20» portretizon intelektualët si Arthur Köstler, Albert Camus, Edward Said, Primo Levi, Henry Kissinger, Hannah Arendt, Raymond Aron dhe korrigjon biografitë e Louis Althusser, Eric Hobsbawm etj. Siç mund të vërehet që nga emrat kemi të bëjmë me dy klube të ndryshme intelektualësh, të cilët Judt i rreshton ballë për ballë për të konstatuar se; intelektualët marksistë kanë sunduar diskurset e shekullit njëzet çka edhe ka rezultuar në një anatemim të padrejtë të (neo) liberalëve si Camu, Köstler, Aron, Jaspers, Maritain e të ngjashëm!

Entuziazmi i mediave e ka një defekt teknik kur ngul këmbë se libri me ese i Tony Judt-it botuar në vitin 2008 i thirri edhe njëherë mendësisë intelektuale se ekziston edhe një orientim tjetër më serioz, përveç atij marksist. Defekti është një çkalkulim për tre vjet. Tony Judt, tre vjet më herët, në librin e tij kryesor «Historia e Evropës – nga viti 1945 e deri sot», njërin nga kapitujt (VII) ia kushton pikërisht kësaj lufte kulturore dhe atë shumë më qartë dhe më në formë më argumentuese se sa në esetë që me vonesë i zbulojnë mediat e mëdha (libri i fundit i Judt konsumohet shumë lehtë se sa ai 1100 faqesh mbi historinë e Evropës).

Këtë korrigjim të domosdoshëm e saboton tash Terry Eagleton me librin e tij poashtu bestseller «Pse Marksi kishte të drejtë» dhe bën nervoz mediat që shpresuan të kenë shpëtuar nga mallkimi i dominancës së diskursit të majtë, ose asaj mendësie që i kërkonte intelektualit «t’i bashkohet asaj organizate e cila ka shkruar në flamurin e saj luftën kundër neoliberalizmit» (Foucault, Michel. Veprat kryesore, Suhrkamp, Frankfurt, 2008)

Shkarko tekstin e plotë si PDF

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.