VIZIONI

Një ditë pas Bashkimit të Trojeve Shqiptare u çua Skënderbeu prej varri dhe tha: Kush tha se nuk fitohet lufta pa ndeshje armësh? Hamza Beu u ngrit lugat për të kundërshtuar babën e të gjithë shqipëtarëve: „hajt mor, se po të mos ishte intriga ime, që e bëja pas shpinës tënde, nuk do të ishte bërë kurrë Iliria“. 

Madje edhe unë Evig Anti e di që atdheu im duhet bashkuar. As që më intereson për karakterin e mjetit që do të përdoret për të realizuar këtë ideal. Kryesorja është, që unë, me natyrën time prej frikacaku, mos të shkojë në atë luftë. Lufta! Ikë ore, pse të humb jetën për një liri që s`do të mundesha ta përjetojë!

 *

Atdhe. Janar i vitit 2020. Eskili dhe Ismail Kadare kërcejnë Tangon rreth zjarrit ku digjet injoranca historike e njerëzimit. Në majë të Sharrit është ngritur një përmendore kulti pa kokë e Nostradamusit. Jam kthyer nga mërgimi. Nëna është gjallë. I ati është rimartuar me një qenie gjysëm grua e gjysëm pelë. Në Vlorë është krijuar Shoqata e Veteranëve të Mërgimit. Kryetar i saj është zgjedhur një ish-targambledhës i Diasporës. Mateji do që të përsëris udhëtimin e tij nëpër Iliri. Poetët kanë dhënë dorëheqje kolektive nga punët shoqërore. Një grup ish-të burgosurish jopolitikë ka shpallur veten tradhëtarë të kombit, ata nuk duan të shohin atdheun e tyre se si hyjnë në vitin 2020 pa flamur në krahëror. Radio Klika lajmëron se arabët pushtuan Rusinë, kurse Sërbët Arabinë Saudite. Shqipëtarët ia kanë kthyer emrin shtetit të vet: Iliri-Mrekulli. Lopët e fshatit tim kanë fituar lirinë e plotë, ata ecin pa komandarin e tyre – njeriun. Askund nuk vërrehen varre. Pilati ka kërkuar azil në Prizren. Ai është duke pritur ringjalljen e Krishtit, i kanë thënë se do të paraqitet aty për të takuar Muhamed a.s. për të vënë paqe të përjetshme në mes ilirianëve dhe shqipëtarëve. Zbulohet një aferë: Lasgush Poradeci paska patur lidhje dashurie me të shoqen e Faraonit. Xhungël! Bota ish-shqipëtare, iliriane, nuk jeton dot pa afera dhe skandale.

*

Atdhe. Dimër i vitit 2021. Madhëria e tij, Mbreti i të gjithë Ilirëve Fishta XV ka lëshuar urdhër që të ndëshkohet kontradikta. Për këtë duhet të krijohet një ekspeditë e veçantë. Unë jam vullnetari i dytë me radhë, para meje ishte paraqitur poeti Skame Tarallapi nga krahina e Laraskave. Kontradikta rreth vetes ka mbledhur të gjithë ithtarët e mendjemadhësisë. Ata janë të pajisur me armën më të përkryer të vetvrasjes kolektive – gënjeshtrën! Skameja dhe unë s`kemi asgjë në duar përveç dekretit të Mbretit dhe nga një tabletë për të shpëtuar shpirtin po na zunë rob. U ndeshëm, ne të dy dhe Kontradikta. Tarallapi do që të bind ate me fjalë të mëdha e poetike, fjalë të komplikuara që as vetë ai që është duke i folur nuk i kupton. Pikërisht këtu është suksesi. Kontradiktës i vijnë lezet nga fjalët e tij. Ajo është duke u ushqyer me te. Në vend që ne të zëmë atë rob, ajo bëri për vete poetin, ushtarin e Mbretit. Mbeta vetëm. Dimri u bë edhe më i ftohët. Mbreti na kishte shpallur të humbur dhe kishte dalë vetë në gjueti. Kontradikta përkohësisht triumfoi. Në mes të rrugës më takon Mbreti dhe ma merr dekretin: „Ti dhe Tarallapi jeni të mirë për për të rrëmbyer njëri tjetrin. Se vetë përbashkimi në mes teje dhe poetit Tarallapi është një kontradiktë në vete“.  Asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja në këtë të vërtetë. Dy karaktere që përbëjnë një personazh të pazemërt të ndonjë komedie ende të paimagjinuar. Asnjëri i denjë për të qenë ushtar ilirian.

*

Atdhe. 28 nëntor 2022. Të gjitha parashikimet e statusë pa kokë të Nostradamusit dolën si të vërteta. Universi ilirian u krijua. U përmbys Amerika. Sllavët dhe Arabët u vranë në mes veti. Japonia u dërmua nga tërmeti. Rruzullit tokësor iu trashë pëlhura e Ozonit, nuk ka më rrezik nga rrezet ultraviolete të diellit. Greqia, i është kthyer pozitës së mëhershme të saj – Lavdisë së Plagjiatorëve. Ajo ka mbetur përsëri jashtë murreve të imperatorisë. Fis barbar – Ciganë modernë që mund të jetojnë të qetë vetëm nën shatorë – thotë një ultranacionalist i papërmirsueshëm. Iliria është bërë sa një kontinent. Parlamenti i Mbretërisë është duke debatuar për Flamurin Kombëtar. Një pjesë është për të ia hequr ngjyrën e kuqe. Një tjetër për të zezën. Grupi i pavarur intelektual kërkon që në vend të shqipes të vëhet Dielli me një pikë në mes. E pse pika?!? Le të dihet se edhe atje kemi territorin tonë. Pasdite është festë. Dita e Pavarësisë. Askush nuk përgatit asgjë. Pse?!?

Ish-komunistët janë kërcënuar me harakiri. Ende janë gjallë kuqalashët? Jo. Varret e tyre, jashtë Ilirisë, diku në karpate janë para eksplodimit. Në to ka më shumë se një milion tonë mina. E kush ua futi… minat në varr?! Askush tjetër përveç përbindëshit që nxjerr zjarr nga goja dhe djeg çdo dogmë jetëshkurtër- koha! Koha, pra! Dita e pavarësisë do të festohet me apo pa harikirinë e tyre. S`japim pesë pare për ta. E as për Skame Tarallapin që u vllazërua me kontradiktën. Rroftë Iliria. Po flamuri? Parlamenti nuk ka vendosur ende se si do të duket ai. O Zot! Iliria pa flamur? Nuk bën! Po ia vëmë shqipes një diell me pikë në mes krerëve dhe u bë. Rroftë toleranca – poshtë injoranca! Filloi festa. Mungon Mbreti. Unë jam aty, kjo është më rëndësi. Për të tjerët: Zoti iu dhashtë …atë që duhet.

*

Atdhe. 1 janar 2023. Skame Tarallapi ka bërë vetvrasje. Ilirisë i kërcënohet Deti Adriatik për konsumim të tepërt të bretkocave. Mbreti Fishta XV ka shkuar të marrë pjesë në dasmën e Euripidit dhe Homerit, që të dy martohen me një grua: Helenën. Statunë e Nostradamusit e kanë kthyer me këmbë përpjetë. Fisi i evropianëve është zënë duke vjedhur kripë në Indi dhe është dënuar me skllavëri të përjetshme.  Përsëri rreziqe. Ngadalë përgatis plaçkat për të ikur. Do të rikërkojë azil në…ku? Ndoshta diku ka mbetur një copë Shqipëri. Iliria kaq e pati. Deti u tërrbua. Bretkocat invaduan tokën. U çua flamuri i gjelbërt me një bretkocë gojëhapur. Përfundoi ëndrra ime Iliriane.

 Bern, shkurt 1993.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.