Gjeniu në gjyqin e Parnasit

„Do ta dënojmë“!- bërtasin anëtarët e Senatit Parnasik që kërkojnë dënim pasvdekës për një gjeni të gjallë. A nuk është vetë akti i vdekjes dënimi më i lartë i një qenie që gjithë forcën e vet ka koncentruar në ruajtjen e të së drejtës për të jetuar jashtë errësirës së shpellave të malit tonë?- pyet njëri nga senatorët, që në mekanizmin e turbulluar të ndjenjave pushtetore ka arritur të shpëtojë njërën nga fijet e anatomisë ndiesore. Eshtë senatori famëmadh – i cili gjatë jetës në hapësirën solare të planetit (pra atë pjesë që e kap dielli) ka qenë një filozof i respektuar dhe shumë i mençur. Atëkohë atë e kanë thirrur Lukian. Ndërsa tani atë e qujanë Senatori nr. 34, përfaqësues i zonës së bardhë shpirtërore. Ashtu siç është Helena, senatorja nr. 62, përfaqësuese e zonës së shpirtit të shtrigëruar. 

Me qëllim që të mos radhisim para kohe, të gjithë senatorët dhe funksionet e tyre të mërzitshme në Senatin e Parnasit,që kryesohet, fatkeqësisht, edhe për këtë shekull nga mohuesi i pamëshirshëm i vlerave të dyshimta njerzore Niçe, do të përshkruajmë rrjedhën konkrete të ngjarjes. Selia e kryes së pushtetit parnasik ka vendosur që Poetit Evig Anti t`i merret e drejta e qëndrimit të mëtejmë në hapësirën solare të planetit dhe të deportohet në zonën e errët të mbretërisë së nëntokës duke iu dhënë posti i portirit në gjeneralshtabin e policisë për klasifikimin të vlerave letrare. Mirëpo si çdo vendim tjetër edhe ky mund të aprovohet nga Kuvendi i Perëndive vetëm atëherë kur senati miraton e miraton atë. As zotat nuk kanë të drejtë të keqpërdorin pozitën e tyre dhe sa herë që të bëhen nervozë ndërmjet tyre të marrin vendime që mund të shkaktojnë çrregullime në Mbretërinë Superiore të Planetit. Evig Anti – thuhet në arsyetimin e kryezotëve- është duke keqpërdorur lejen e qëndrimit atje lartë. Në vend të edukimit shpirtëror të masës, mision që i është paracaktuar nga Zeusi vetë, ende pa dalur komplet nga stomaku i nënës së tij bujare dhe të bekuar nga selia e Parnasit, ai konsumon alkool, vjedh dardha nga pemët që janë të dedikuara për të bërë molla, merret me politikë, kur vdes dikush ai qesh e qanë kur e gjithë bota e gjallë gjendet në pikën më të ëmbël të gjumit dhe nuk ka fije respekti për emisarët e Senatores Helena që janë të detyruar të ndjekin punën e tij.
Këto arsyetime nuk ia mbushin fare mendjen një pjese të senatit që gjeniu Evig Anti t`i thehet dëshira për të jetuar edhe për ca kohë në mesin e botës së të vdekshmive dhe të transferohet me dhunë në oboret e pallateve mbretërore. Më e keqja; aty, ai duhet t`iu shërbejë asaj species hundëthyer, e cila ka ndjekur poetin tërrë jetën. Gjeneralshtabi i policisë për klasifikim të vlerave letrare nuk ka asnjë të drejtë që të ketë një njeri aq të madh, një gjeni në shërbim të tyre. Absurd! Tërbohet Senatori kokëlartë Gëte, i cili ka marrë pjesë në shpërndarjen e detyrës së gjeniut Evig Anti. Pas tij çohet edhe një varg senatorësh tjerë që kanë po të njejtin mendim. Ndër ta gjenden emra që i sjellin kokëçarje kuvendit të zotave si; Homeri, Dante, Bokaço, Shell, njëfarë anglezi me emrin Shekspir, një tjetër fytyrëfemre që quhet Shiler, Bajroni, Kaneti e deri te senatori më i heshtur dhe më i butë i sallës Montanji.

Kur senati kupton se ka rënë në hall atëherë përpiqet që të kërkojë një kompromis duke ftuar në një seancë speciale përfaqësuesin e Kuvendit të Zotave, vetë Gjeniun, Evig Anti dhe të gjithë anëtarët e Senatit. Në rolin mbrojtës të Senatit vëhen të lartëpërmendurit, prokuror bëhet Gjeneralshtabi i Policisë së Klasifikimit të Vlerave të…Ndërsa gjykatës vetë Zeusi.

Prapë thirrja „do ta dënojmë“! Evig Anti ka ardhur i dehur në sallë. Lukiani, i cili tashmë akuzohet si krijues i turbullirave në Senat fshinë hundët me mangën e dollamës së Shekspirit, të cilin gjumi e ka futur në kanalet e mjegullta të tij me qëllim që t`ia bëjë të lehta dhimbjet që i ka nga plagët e pësuara gjatë vizitës së tij në burgun e Parnasit ku gjenden të izoluar mbretërit-sundimtarët e hapësirës solare. Zeusi kërkon nga Evig Anti që të tregojë arsyen e dehjes edhe në momentin kur ai është i vetëdijshëm se me ç`gjyqi ka punë;

Zeusi: Dua një përgjigje të sinqertë“!.
Gjeniu: Besoj se ky gjyq nuk është mbledhur për të gjykuar gjendjen time të tashme fizike, por për të vendosur se a e meritojë edhe më tej të bëjë jetë atje ku dua unë apo jo!
Niçe: Zaratustra ka thënë…
Gëte: …Vera është e shijshme sidomos kur dikush nga pushtetmbajtësit e froneve e ndalojnë atë.

I gjithë Senati qesh. Kjo nuk gëzon Prokurorinë.

Prokurori I-rë: Evig Anti ka shkruajtur vargje lavdëruese për armiqtë e xhelozisë dhe urrjetjes. Me këtë ai ka shkelur Kushtetutën e Mbretërisë sonë. Në kushteutë thuhet se xhelozia dhe urrejtja duhet të jenë dy faktorët më të rëndësishëm që misionarët tanë duhet t`i predikojnë se vetëm kështu pushteti ynë ndaj atij të hapësirës solare është i pathyeshëm. Poeti, Evig Anti e ka bërë me qëllim këtë gjë dhe atë për të rrëzuar pushtetin tonë dhe për të krijuar një pushtet tjetër hyjnor ku do të zgjidhte veten për mbret.

Shtohet zhurma në Senat.

Evig Anti: Nuk e kam ditur se të njetët policë injorantë të klasifikimit të vlerave edhe këtu bëkan drejtësinë…
Shileri me zë të butë: Kjo dëshmon se ne nuk jemi gjë tjetër përveç se produkt i trillimeve që kemi bërë në hapësirën solare.
Niçe: Qen bir qeni
Dante: Këtu është ferri i vërtetë.
Shekspiri: Helena ma shkel këmbën vazhdimisht!
Homeri i drejtohet Helenës: Shtrigë e keqe, nuk është koha e Trojës!
Evig Anti: Asgjë e re në …
Prokurori II-të: Vdekje të trefishtë për Evig Antin!
Zeusi: Qetësi në sallë!

Evig Anti, Gëte, Shileri, Dante dhe Homeri koralisht; le të vijë Adami pa Evën për të ndarë drejtësinë!

Prokurori I-rë: Ka kohë që ai është i verbët.

(Zeusi, përkundër ankesave të zjarrta të Niçes lejon që Adami dhe Eva të japin fjalën e tyre në lidhje me fatin e ardshëm të Evig Antit)

Zeusi: Adam na thuani shkurt dhe qartë a meriton Evig Anti të qëndrojë në jetën që ia kemi dhënë apo jo?

Adami kërkon që gjeniu të flasë. Pasi ai është i vërbër do që nëpërmjet zërit të konstatojë se në ç`gjendje shpirtërore gjendet gjeniu. Dhe atë gjeniu duhet të flasë për për mjeshtrinë e tij se si mundet që të ha dardha nga druri i mollës. Eva është bërë e tëra vesh. Niçe ikë nga salla duke lënë pas fjalinë; që nga zanafilla gjithçka është e rrejshme o Zeus kokëshprazët!

Evig Anti: Do të flasë vetëm atëherë kur Niçe të kthehet në sallë.
Helena: C`të duhet ai bir kurve?
Evig Anti: I urrej kurvat por jo edhe fëmijët e tyre. Viktimat e epsheve të shtrigave të natës janë qenie që më shumë vuajnë se vetë ata që i pjellin.
Helena lëshon sallën duke i thënë Poetit: Ke fat që s`je femër mor pjellë e keqë e rrezes së mbrapshtë diellore.

Niçe kthehet në sallë i kënaqur që Helena ishte rrëzuar nga shkallët drejt në lumin e pisllëkut të parnasit.

Evig Anti: O Adam i verbët nuk më intereson se a jemi apo jo të gjithë ne këtu produkti i gabimeve tua apo i ndonjë gabimi tjetër. Kryesorja është që e vërteta qëndron në faktin se si në hapësirën solare edhe këtu të gjithë qeniet janë të gatshme të hanë njeri tjetrin, ky është gabimi qenësor që duhet diskutuar. Urrejtja dhe Xhelozia janë shtyllat që na ruakan sovranitetin e kësaj mbretërie ku jeni edhe ju duke jetuar? Po me të njejtat kushte edhe mbretëritë e shumta sundimtare në pjesën e epërme të planetit përpiqen të ruajnë sovranitetin e tyre. E dijni pse ndodhë këshu? Po ju tregoj: kur keni qenë ju atje lartë, ku tani gjendem unë, që të gjithë keni vazhduar të hani mollën e ndaluar, prandaj në vend që mësimet e juaja të pjellin të mirën kanë predikuar të kundërtën. Efektin e kundërt nga ajo që ndoshta keni menduar ta arrini. Për ty thuan se je gabimtari më i madh i zanafillës për arsye se kë ngrënë mollën e ndaluar. Unë deshta vetëm që të ndryshojë drejtimin e këtij trashëgimi duke ligjëruar të mirën, prandaj në vend të mollës hëngra dardhën…

Zeusi: Ku e di ti që dardha nuk është e ndaluar?
Adami: Heshtë ti pjellë e imja e mprapshtë!
Evig Anti: E kush i tha Adamit që molla që ka ngrënë na paska qenë e ndaluar?

Zeusi mbetet ngërç, poashtu edhe Niçe me kompani. Ata nuk njohin zot më të lartë se Zeusi. Djersët e kanë mbuluar fytyrën formëstatuje të kryezotit të Parnasit. Lukiani ia ngulë sytë Zeusit sikur ai të ishte fajtori më i madh i gjithë shekujve të tragjedisë humane.

Adami: Unë i kam thënë vetë vetvetes se kam bërë gabim!
Homeri: Askush askujt nuk i ka thënë asgjë, si duket unë jam i vetmi fajtor që gjithçka ka shkuar së prapthi.

Gilgameshi dhe dhjetra autorë të filozofivë fetare i afrohen Homerit.
Gilgameshi ia ngjet përkrahu Zeusit: Nuk je i vetmi o i dashur as unë nuk kam më pak faj. Pastaj ai i drejtohet senatit: „Po Ju o koka të pabindshme përse na ndjekët kaq verbërisht duke na imituar dhe bërë ashtu siç kemi bërë ne, përse nuk nuk na mohuat? Përse nuk e ndërtuat jetën duke kërkuar zanafilla tjera të reja më të bindshme nga ata që ju ofruam ne…

Prokurori i I-rë: Ne nuk kemi nxjerrë veten në gjyq por Evig Antin, i cili duhet dënuar patjetër!
Evig Anti: Shikojeni fytyrën e produktit Tuaj o ligjëvënës të parimeve të vetëdijes njerzore. Shikojeni se ç`surati dhe ç vija ka fizionomia e qenies që e kani ushtruar që të dijë vetëm të ndjekë vlerat që bëjmë ne artistët….
Zeusi: Mjaftë më! Ti Evig Anti do të vazhdosh jetën edhe për disa shekuj atje lartë. Misioni yt është që të përmirësosh mëkatet tona në atë mënyrë sa që mos mbetet asnjë gjurmë nga krimet tona. Dhe do të bësh gati ndërgjegjen e qenieve të hapësirës solare që një ditë të bashkohet me ne dhe të mos ketë më dy botë të ndara, por një të vetme si për të vdekurit ashtu edhe për të gjallët. A je i gatshëm për këtë mision?

Evig Anti: Do të përpiqem që t`ia bëjë asaj bote të qartë se ne që të gjithë jemi produkt i njëri tjetrit, por që fatkeqësisht, për shkak pamundësisë së moskoordinimit të shpirtërave tonë në vend të së Mirës ka dalë e Keqja dhe se prej tash e tutje më nuk ka polici klasifkimi të vlerave (ndërkohë prokurorëve u bie të fikët) dhe se nga veprat e juaj duhet të merret vetëm ajo që e meriton.
Zeusi; të gjithë jemi të gabueshëm, shko Evig Anti, dil, shkronjat e tua le të jenë të amshueshme, shko e bëne jetën atje ku do ti, këtë e ke merituar.
Platoni: Jo s`jemi të gjithë të gabuar, unë jam më ideal se peoti, se gjeniu Evig Anti.
Niçe: Hesht ti homoseksual i ndyrë!

Evig Anti ngutet për të arrirë në hapësirën solare që ta shkruajë në letër triumfin e tij mbi tragjikët, shtrigat dhe sidomos fitoren mbi Gjeneralët e Ushtrisë për Sanksionimin e Poezisë. Fyti i është tharrë nga mungesa e ujit në mbretërinë e Parnasit.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.