Lija

«Ç`dreqin ka dashur të thotë Kandinski me këto vijat, rrethet dhe këndet e radhitura pa kuptim njëri mbi tjetrin» – poeti famëmadh Bendi nuk merrte erë gjithaq nga pikturat. Sidomos kur ato ishin të zverdhura e nxira nga tymi ngulfatës i nikotinës që me shumicë e konsumonin anëtarët e përjtshëm të kafeterisë së kryeqytetit. Përderisa Bendi çante kokën me vijat abstrakte të Kandinskit dhe katrorët kolorit formëmurri të Pikasos, prozatorja e pasuksesshme Dida i bënte lloç me pështymë në fytyrë botuesit që ata t`ia botonin mozaikun e saj më të ri të shkarravinave. 

Kjo grua vërtet përveç gojës së madhe dhe guximit të lartë për të lutur njerëz në çdo kohë nuk posedonte ndonjë virtyt tjetër. Ajo që më së shumti ç`taktizonte atmosferën e klubit të mjeshtërve të arteve të ndryshme ishte macja e saj Lija, e cila si për sherr, pa vërrejtur u futej ndërmjet këmbëve, sidomos poetëve, dhe sapo ata merrnin hovin për t`u çuar përplaseshin me hundë për gotave të zbrazta të konjakut të mëngjesit. Ndërkaq, ajo, Lija ngjitej mbi banak dhe mjaunte si një triumfuese e vërtetë, duke lëpyrë hundën e saj të futur pothuaj ndër sy.
Lija kishte edhe dy tipare të përbashkëta me zonjën e saj: futjen ndër këmbë të njerëzve emërmëdhenj dhe rrëzimin e poetëve të dehur në çdo inicijativë të tyre për të braktisur klubin erëmykët. Frekuentuesit e klubit dhe njohësit e mirë të Didës thonë se lidhja në mes Didës dhe Lijes nuk ka qenë vetëm instiktive siç mund ta kenë dy kafshë të natyrshme, por ajo ka qenë edhe psikike e shpirtërore. Këtë më së mirë di ta përshkruaj Bendi përvojëshumë në këtë drejtim:
Një ditë dimri pasi që i bën një të shame tej e përtej Kandinskit për kotësinë e tablove të tij dhe një lavdërim ditiramb bukurisë së trupit të kamarieres së klubit Binta (emër i çuditshëm, poetët thonë se ajo është me origjinë nga një vend i përmbytur nga erërat e lindjes dhe se është shumë humane me artistët e pamartuar) fillon të bindë një botues të pasur materialisht që mos t`ia botojë asaj romanin më të ri që ia ka kushtuar maces së saj ngatrresatare Lijes. Bendi i sjell atij mijëra fakte në minutë për; mëshirën ndaj letrës, humbjen materiale, komprometimin e emrit të botuesit, etj. etj. Lija gjatë gjithë kësaj kohe ka qëndruar në mes të këmbëve formë kompasi të Bendit me fytyrën drejt këpucëve të botuesit ku ka shikuar veten si në pasqyrë. Kur Bendi përfundon llafet dhe pret mendimin e botuesit moshëvirgjër, ja se ç`ndodhë; Lija hypë mbi bufe dhe me një kërcim ngjitet për llusterit të rëndë klasik të klubit – Llampa i është dhuruar këtij klubi nga një poet i pasur persik, të cilit i ka ardhur rëndë që kolegët e tij në mes të Evropës mos të kenë dritë kur këmbëjnë mendime mbi artet. Ai nuk ka ditur fare se në këtë klub nuk qarkullojnë mendime mbi artin por vetëm komplote kundër njëri tjetrit.
Lija ia fillon punës duke kërcëlluar dhëmbët mbi telin e rrymës. Fati i saj i madh është se kjo pjesë e zhytur e planetit nuk është e regjistruar në relievet e globit të rrubmullakët e si pasojë e kësaj, klubi më shumë është pa rrymë se sa me të. Dikur ajo arrinë qëllimin: Llampa e rëndë këputet, ajo kërcen në qosh të lokalit.
Pas disa britmave Binta bën listën e pasojave; botuesi dërgohet në spital me kokë të çarë në mes, Bendit i ka hyrë një tel i fortë nëpër hundë dhe ia ka nxjerë njërin sy, i cili ende lëviz në dysheme dhe piktura e Kandinskit është përplasur e bërë copë para këmbëve të Didës së shtangur. Ndërsa Lija, mund ta paramendoni, ajo sërish, si gjithmonë lëpynë hundët mbi bufe në shenjë triumfimi. Vetëm ajo e di arsyen e gjithë atij shkatrrimi.
Botuesi mbetet përjetësisht i vrarë në kokë, i paaftë për t`u marrë me punë të publikimit të librave. Bendi e sheh botën prej aty momenti vetëm me një sy dhe ka lënë të sharat e mëngjesit për shkak të ikjes së përhershme të Kandinskit nga ai klub. Dida ka ribotuar katër herë romanin «Lija – macja më e mençur se njeriu» dhe është bërë shkrimtare e famshme. Lija nuk u del dot zot vizitorëve të shumtë që vijnë për të parë macjen më të famshme, nga të gjtha anët e botës. Kështu mallkimi i maces bën famën e një shkrimtareje , së cilës tani i qëndrojnë rend botuesit që ajo të shkruajë diç të re.
Vetëm Dida dhe Lija e dijnë formulën e këtij suksesi të madh. Versionin e Bendit mbi të vërtetën nuk e dëgjon më askush; së fundi kush ka qejf të ulet e të besojë një poet me një sy, që ka aftësinë të shohë botën vetëm përgjysmë. 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.