Shkrimtar interneti?

«Shkrimtar interneti», «shkrimtar letre», ja se ç’na polli më në fund koka e ndryshkur ballkanike. Sipas logjikës së kësaj terminologjie del se interneti, respektivisht letra e ka pjellë shkrimtarin e jo se ai i përdor ato si mjete për tu shprehur. Domethënë letra ose interneti i shpikur nga animali dykëmbësor është rebeluar, përsosur dhe ia ka marrë pushtetin krijuesit dhe tash komandon me të. Ja, po i hyjmë një eksperimenti. E lëmë anash arsyeshmërinë, logjikën intelektuale. Po përpiqemi të hyjmë nën lëkurën e shpikësve të këtyre formulimeve.

Hyjmë për ca sekonda në lëkurën e zbuluesve të këtij kualifikimi.

Parafytyrojeni një letër të madhe, e cila ngritet, lëviz, hap gojën e saj gjigante dhe urdhëron «o kafshë shkruaj në mua. Po të diktoj…nëse nuk bën si të them unë do të të mbështjell dhe do të ta marr frymën». Shkrimtari e pyet: «e po çka të shkruaj?» Letra: një poezi! Ai i shkreti: «po ç’poezie?» Ajo: psh. «Krishti ka thanë se nuk don me u ringjall ma». Ai: «po pse ka thënë Krishti ashtu»? Ajo: «sepse duke na lexuar ne internetit është bindur se s’ka shpëtim më për njerëzimin. Dhe mos pyet më por shkruaj siç të them, përndryshe të cofë!». Kështu do të dukej përafërsisht pozita e shkrimtarit të letrës.

Ndërsa kur e kemi fjalën për atë të internetit parafytyrimi bëhet më i kapshëm. 

Kompjuteri me zërin e tij metalik, të trashë e pak si të gërvishtur e thirrë rob(ot)in e tij: «çohu, pozicionoj gishtat mbi tastaturë dhe fillo: na ishte një herë një dhi që jetonte e lumtur mbi shkëmbenjtë e një vendi ballkanik. Ajo ishte aq e zhvilluar saqë dinte të lexojë dhe shkruajë me pështymë mbi gurrë. Një ditë i erdhi tragjedia mbi kokë: Pranë detit ajo kishte gjetur një televizor bardh e zi. E ngriti atë në majën e një mali dhe filloji t’i përkulet sikur të ishte Zot. Era e lëvizi teleivizorin e ai iu rrëzua dhisë mbi kokë. Dhia cofi. Përralla në shkallë, shëndeti në ballë». «Fascinante apo»? – e pyet me zë në dridhje e përplotë onani Mr. Kompjuteri robin prej mishi e gjaku që i ri gatitu përballë. Ai pohon me kokë dhe rrotullon sytë kur sheh se Mr. Virusi i afrohet pas shpinë.

Paaaffff. Fiuuuu. I shuhet drita Mr. Kompjuterit. Mr. Virusi zgërdhihet me dhëmbët e tij të nxirë dhe me brinjtë e tij të vegjël mbi kokë. I drejtohet shkrimtarit të kërrusur ballkanik.« Edhe njëherë më s’të shpëtoj, morre vesh o debil». Ai i hutuar: «po ku të shkruaj unë tani, s’kam as letër e as kompjuter». Virusi i tmerruar nga injoranca e debilit: «ti s’je as për letër as për kompjuter, o derr, çdo gjë të keqpërdor e të bën rob. Po të dhashë dërrasë edhe ajo të bie mbi kokë». Injoranti nuk lëshon pè: «ama unë dua të shkruaj»! Edhe virusi pëlcet. Ai nuk njeh asnjë materie që nuk do të shndrrohej në tiran (si letra dhe kompjuteri) sa po t’ia niste debili të shkarravis. 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.