Fëmijët rebelojnë, prindët heshtin, mësuesit në krizë…

Një mësues zviceran e kërcënon një nxënës shqiptar me thikë në dorë. Alarmohet opinioni, mësuesi suspendohet. Ngjarja ka ndezur një debat, i cili rrezikon të përfundoj me facitin e njohur: fajin e kanë fëmijët «agresivë» shqiptarë nga Kosova! 

Roland Isenschmied nga Thunsstetteni i Bernës është bërë Robin Hudi i mësuesve zviceranë. Mediat vendëse janë duke e «festuar» aktin e Isenschmied-it po në të njejtën mënyrë si mësuesit; si hero që shpaloi gjendjen e rëndë të mësuesve zviceranë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve gjenden para kolapsit nervor. Ndër fajtorët kryesorë – siç është bërë zakon kohëve të fundit – natyrisht duhet të jenë nxënësit «me mentalitet agresiv» nga Ballkani. Të parët në listë: shqiptarët, kosovarët!

Para do muajsh, në klasën e mësuesit të shkollës reale, Roland Isenschmied, hyjnë një nxënës i përgjakur në fytyrë. Pedagogu i ri e pyet nxënësin se kush e ke rrahur? Florimi* i thotë ai. Isenschmied hovshëm, braktis klasën, del në oborr dhe i drejtohet grupit të «albaner»-ëve dhe i urdhëron ata që ta ndjekin për në klasë. Fillon t’iu bërtasë dhe t’i akuzojë për problemet që i shkaktojnë shkollës. Kërkon nga klika që t’i heqin kapuçët dhe të ulen si duhet. Florimi 13 vjeçar çohet në këmbë dhe e provokon mësuesin «prekëm po pate guxim…ti je frikacak»! Kjo mjafton që Roland Isenschmied të humbë kontrollin. Ai e heq një thikë nga xhepi dhe e kërcënon nxënësin se do t’ia pres fytyrën. Këtu përfundon maçoizmi i tinajxherit shqiptar: «unë jam fëmijë…», dorrëzohet ai i përlotur.

Rasti depërton në media. Fillimisht mediat bëjnë presion dhe dënojnë sjelljen e mësuesit me thikë në dorë, kampanjë që çon në suspendimin e Roland Isenschmied-it nga detyra. Pas suspendimit storia merr kahje tjetër. Në favor të «pedagogut kauboj».  Isenschmied fiton përkrahjen e qytetarëve, mësuesve dhe një pjese të madhe të mediave, madje edhe të televizionit shtetëror, i cili transmetoi debate e emisione të ndryshme ku Isenschmied dhe mësuesit vazhdimisht prezentohen si viktima të «rebelëve të vegjël» që vijnë nga vende e kultura «problematike».

Burrimi i konfliktit: ksenofobia!?

Në vendin e ngjarjes: bashkëshkollarja e Florimit, Manuela, tregon se si Florimi me ato «Scheissalbaner»-ët (shqiptarë m…) tjerë, dy ditë para se të ndodhë rasti e kanë kërcënuar në obor duke i thënë se kur të niset për në shtëpi do «ta dhunojnë». «Ata sillen si maço, shajnë. Unë kam gjithmonë frikë të shkoj vetë në shtëpi», thotë ajo. Në qoshin e shkollës së Thunstetten-it Florimi dhe pesë djelmosha tjerë që të lënë përshtypjen se çdo çast do t’iu bien pantollonat nga trupi, mbështetur për murri se ç’përshpërisin diçka në drejtim të nxënësve tjerë. Veç kur afrohemi vërejmë se grupin e tij  nuk e përbëjnë vetëm «albaner»-ët, por edhe dy zviceranë të të njejtit vendbanim. Njëri prej atyre, Thomas-i, përpiqet t’i mbrojë shokët «Andrea vazhdimisht e ka fyer Florimin, duke i thënë “Scheissjugo” (jugo i m…), ai u urren të huajt si prindët e tij të SVP-së». Andrea është ai nxënësi, i cili shkakton gjithë këtë rrëmujë, pra ai që hundëpërgjakur futet në klasën e Isenschmied-it.

Prindët qenkan burrimi i gjithë kësaj hasmërie që ka përlarë shkollat zvcierane e që më në fund e pësojnë mësuesit?

Mësuesit akuzojnë prindët dhe anasjelltas

«Në shumicën e rasteve nuk janë fëmijët vetë burrimi i problemeve, por prindët», thotë eksperti i kësaj lëmie, psikologu Urs Gfeller, i cili këshillon mësuesit që vuajnë nga depresionet për shkak gjendjes mbizotëruese dhe vazhdon «në këtë kontekst nuk mendoj vetëm tek fëmijët e familjeve të migrantëve, por edhe në ato vendase. Sidomos prindët që punojnë nga njëqind përqind lënë varrur obligimin e tyre dhe nuk dijnë fare se si sillen fëmijët e tyre nëpër shkolla. E ky fenomen nuk haset vetëm në një shtresë të caktuar, por te të gjitha, që nga familjet me punë të thjeshta e deri tek ato akademike».

Perderisa specialisti mendon kështu, mësuesit, ato të bazës, problemin si në tenor e gjejnë tek nxënësit me origjinë të huaj. «Prindët emigrantë nuk tregojnë as kujdesin minimal ndaj problemeve që ne kemi në shkollë. Veçanarisht shqiptarët janë të padurrueshëm në këtë drejtim», thotë një mësues nga Aargau që do të mbetet anonim, për arsye se; «po të flas me emër nesër menjëherë vulosem si racist».

«Ne jemi tashmë në atë stad ku askush prej nesh s’kishte dëshirë të rrëzohet. Ngadalë, por sigurtë ne jemi duke u shndrruar në ksenofobë, racistë. Jemi bërë njejtë si ato të Partisë Popullore Zvicerane (SVP). Sa herë që jemi ndër veti shpërthejmë plotë mllef dhe përdorim ofendime si “Scheissjugos”, “Albanische Sauhunde” (“qent e ndotur shqiptar”) e të ngjajshme», thotë Hendrik Remund, mësues i shkollave profesionale në Burgdorf dhe Langenthal.

Prindët e të dyja palëve ua hedhin fajin mësuesve «të privilegjuar». «Ata janë mësuar të marrin rroga të mira, të kenë pushime dyfishtë më shumë se gjithë të tjerët dhe në çdo krizë e hudhin shaminë dhe paraqiten si invalidë. Ky s’është ndonjë fenomen i ri e s’ka të bëjë as me të huajt e as me fëmijët vendës», thotë një prind nga Thunstetten-i. Ndërkaq, një prind tjetër i huaj, del edhe më i qartë: ai s’di kurrgjë se ç’bëhet në shkollë! Djali i tij nuk ka asnjë faj. «Krejt fajet ne i kemi vetëm pse jemi të huaj…hajt bre burrë…», shprehet ai duke lënë përshtypjen sikur heshtazi na thotë: «mos ma çani kokën se kam halle tjera…»!

Kërkohet angazhimi i prindëve dhe komunitetit shqiptar

Se ky problem nuk është vërtet për ta injoruar tregojnë edhe statistikat e publikuara në sigurimet e ndryshme zvicerane. Numri më i madh i personave që pensionohen para afatit ose i atyre që invaldizohen nga depresionet apo që përfundojnë nëpër klinika për të çmendurit janë mësuesit. Në Bernë për çdo vit invalidizohen rreth 200 mësues me po të njejtën diagnozë. Shifrat nuk kanë ndonjë dallim të madh as në kantonet tjera.

Veçanarisht rastet e shumta që depërtojnë në opinionin mbi sjelljen e nxënësve shqiptarë nëpër shkolla janë alarmante dhe kërkojnë një senzibilizim më të madh të prindëve shqiptarë. Ato kërkojnë edhe aktivizimin e institucioneve, shoqatave dhe mekanizmave tjera me të cilat disponon diaspora shqiptare në Zvicër.

Në rradhë të parë LAPSH që është në kontakt të drejtëpërdrejtë me këtë problem.

«Nuk do të ishte keq që një ndihmë të vijnte nga këto institucione që njohin kulturën, mentalitetin e bashkatdhetarëve të vetë. Po të dilnin ato me ndonjë projekt ose ndonjë shërbim profesional që do t’iu bënte krahë mësuesve në situata krize, do të ishte një hap shumë i madh në drejtim të zbutjes së këtij problemi», thotë njëri nga ekspertët.

«Së fundi gjithë kjo gjendje dëmton kulaitetin e mësimit dhe zhvillimin normal të nxënësve», thotë Gfeller. Me të drejtë. Shumë pak nxënës shqiptarë arrijnë të dalin nga shkolla reale për në gjimnaz ose mëtutje. Ata përfundojnë si shumica e prindëve të tyre nëpër punishte ndërtimtarie, restorante e të ngajshme, pa diplomë dhe pa perspektive të garantuar.

Si të kapërcehet kjo gjendje?

Florimi nuk pranon të jetë sjellë keq me bashkëshkollarin që ia ka thyer hundët. Prindët nëse jo më shumë shpresojmë të kenë filluar të mendojnë për këtë problem. E mësuesit e kanë kuptuar se me thikë e ofendime nuk do të arrijnë asgjë. Së paku Isenschmied më shumë se çdokush tjetër e di këtë punë: «unë kërkoj falje. Jam sjellur gabimisht. Kjo, s’dëshiroj t’i ndodhë askujt tjetër», thotë ai sot kokulur.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.