Jurisprudencë ksenofobe apo vetëm taktikë elektorale

«Iniciativa e Dëbimit” dhe «Kundërpopozimi»

SVP-ja do që të dëbojë edhe më shumë kriminelë të huaj. Enti Federativ për të Huaj (BFM) llogarit me 1450 persona të dëbuar në vit nëse pranohet Iniciativa. Shefja e re e Departamentit të Drejtësisë dhe Policisë zvicerane, Simonetta Sommaruga dhe drejtori i Entit për Migracion, Alard du Bois-Reymond, garantojnë sukses në këtë drejtim. Kundërshtarët akuzojnë pohuesit e Iniciativës për krijimin e një jurisprudence të veçantë për grupe të caktuara të shoqërisë dhe për ligje ksenofobe. Eskpertët mendojnë: Gjithçka vetëm taktikë elektorale dhe asnjëra prej iniciativave nuk mund të vihet në praktikë!

Vitin e kaluar u dëbuan nga Zvicra më shmë se 750 delikuentë në vendet e tyre të prejardhjes. Për SVP-në (UDC-në) shumë pak. Ajo do edhe më shumë dëbime.

«Iniciativa e SVP-së ka mangësi të shumta», konstaton ministrja Sommaruga. Dy partitë e mesit, leberalët dhe kristdemokratët, thonë të njëjtën: teksti i iniciativës është i pakompletuar, juridikisht i parealizueshëm në praktikë dhe arbitrar. Qeveria e përkrahur nga partitë e mesit dhe eksponentë të ndryshëm të së majtës zvicerane (si atëherë deputetja e kantoneve Simonetta Sommaruga) vendosi për një kundërpropozim. Kundërshtarët e «Iniciativës së dëbimit» dhe «Kundërpropozimit» nuk shohin ndonjë dallim esencial ndërmjet dy iniciativave që do të votohen më 28 nëntor të këtij viti. Ata janë edhe më të ashpër nëpër fushata dhe parulla: «Jo jurisprudencës së veçantë për të huajt», «Drejtësi të njëjtë për të gjithë», thuhet ndër të tjera në websitin me emrin 2Xnein.ch. Platformë në të cilën janë nënshkruar më shumë se shtatëdhjetë organizata qytetare dhe mijëra kundërshtarë të iniciativës. Të Gjelbërit, ashtu-ashtu, nuk mund të pajtohet me aksionet e SVP-së dhe konsortëve dhe konsiderojnë iniciativën dhe kundërpropozimin si produkt të një fushate ksenofobe me përmasa historike. Gjë që, sipas kryetarit të saj, Ueli Leuenberger, lë vend për brengosje. 

E DJATHTA DIRIGJON POLITIKËN PËR TË HUAJ

Pas suksesit që SVP-ja korri me iniciativën e saj «kundër ndërtimit të minaréve», ajo llogarit në pranimin edhe të «Iniciativës së dëbimit» nga votuesit. Ekspertët i dhurojnë asaj edhe më shumë optimizëm, kur sinjalizojnë se edhe në rast të pranimit të «Kundërpropozimit», popullorët dalin fitues. Pse?

Që të dyja versionet e iniciativës çojnë në ashpërsimin e ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat dhe përgjegjësinë e migrantëve. Eksperti Georg Lutz, i cili punon si politolog  në Qendrën Kompetente për Shkenca Sociale (FORS) në Lausanne thotë: «Pas iniciativave të SVP-së gjatë vitit 1999, Qeveria dhe Parlamenti reaguan me një revidim total të së drejtës për azil». Këtë sistem ashpërsimi e identifikon eksperti nga Lozana pas çdo iniciative të popullorëve, pavarësisht faktit në ajo dështon apo fiton në votime. Dy profesorët nga Universitetet e Fribourg-ut  dhe Neuchatel-it, Damir Skenderovic dhe Giani D’Amato, flasin për një «ndikim të drejtpërdrejtë të partive të ekstremit të djathtë në vendimet  qeveritare për politikën e migracionit». Sipas dy profesorëve, politika liberale dhe Qeveria janë vazhdimisht nën presion dhe shpesh detyrohen të modifikojnë e të përvetësojnë qëndrimet dhe politikën e SVP-së, duke braktisur qëndrimet e veta.

«Kundërpropozimi» i lansuar nga Qeveria dhe partitë e mesit tregon se sa e saktë është analiza e dy akademikëve, në librin e tyre «Politizimi me të huajn». 

ÇKA DONË SVP?

Më 15 shkurt të vitit 2008 SVP-ja dorëzoi në kancelarinë e shtetit «Iniciativën e dëbimit». Kancelaria në fjalë nuk tha se teksti është në kundërshtim me të Drejtën e Popujve, e as me marrëveshjet bilaterale me BE-në, siç thonë sot ekspertët dhe shpalli atë të vlefshme. Iniciativa kërkon dëbimin automatik të të gjithë delikuentëve me prejardhje të huaj. Bëhet fjalë për persona që kryejnë krime të rënda, si: vrasjet, plaçkitjet me dhunë, dhunimet e të ngjashme dhe të atillë që kanë mashtruar entet sociale. Përveç këtyre masave, SVP-ja kërkon që të sanksionuarve t’iu ndalohet hyrja në Zvicër për 15 vjet, e përsëritësve deri më 20 vjet. Ligji duhet të instalohet në Kushtetutën zvicerane me qëllim që të detyrohen kantonet për ta praktikuar atë.

Me këtë iniciativë organet zvicerane do të kishin mundësi që të dëbojnë – sidomos ato organe të zëna nga njerëz të partisë në fjalë – çdo të huaj. Në këtë kontekst nuk ka rëndësi nëse një i huaj do të kishte mashtruar ndonjë ent social për 500 franga apo do të kishte dhunuar ndonjë femër. Të gjithë të njëjtë para ligjit, pra!

KUNDËRPROPOZIMI 

Qeveria reagoi me një Kundërpropozim, i cili për habinë e shumëkujt përkrahet edhe nga eksponentë të caktuar të Partisë Socialdemokrate, e  cila ka vendosur të refuzojë të dyja versionet e Iniciativës. Ashtu siç e kërkon tradita integrative zvicerane, bëhet fjalë për një modifikim, respektivisht «përkryerje» juridike të tekstit burimor të popullorëve.

Megjithatë, «Kundërpropozimi» sjell edhe ca elemente të reja, të cilat SVP-ja nuk i ka paraparë, ose nuk i ka precizuar sa duhet, për të mos rënë ndesh me të gjitha konventat e nënshkruara nga vendi. Risi në «Kundërpropozim» janë: a) çdo i huaj që në Zvicër – pavarësisht deliktit – është dënuar me 18 muaj do të dëbohet automatikisht dhe b) ligji nuk vlen për migrantët që vijnë nga hapësira e Bashkimit Evropian». Që do të thotë se ajo nuk vlen për rumunët, bullgarët, por për shqiptarët, afrikanët, aziatikët e kështu me rradhë. Kundërpropozimi thekson rëndësinë  e dallimit të rasteve individuale, ai mbron çështjen e vlerësimit të rrethanave individuale. Kështu që mund të thuhet se kundërprojekti nuk kërkon dëbim  automatik ashtu siç e parasheh iniciativa, si dhe përmban masa në favor të integrimit.

«INICIATIVA E DËBIMIT» NË PRAKTIKË

«Unë dyshoj që iniciative mund të vihet në praktikë», thotë profesor Alberto Achermann nga Qendra për Studime të së Drejtës së Migracionit në Universitetin e Bernës. «Çdo migrant që do t’i drejtohet Gjykatës së Strazburgut ka të drejtën në anën e tij», është ai i sigurt. Profesori nuk mund të kuptojë se për ç’arsye edhe Qeveria, pra «Kundërpropozimi» kërkon automatizmin në dëbimin e të huajve. «Automatizmi nuk mund të praktikohet asnjëherë», garanton ai. «Paramendoni: Një secondo  i lindur e i rritur këtu në Zvicër dhe që është dënuar për ndonjë vepër jokapitale me 18 muaj burgim. Edhe ai hyn në kategorinë e potencialëve për dëbim. E pamundëshme. E pamëshirshme», sqaron Achermann.

Përveç të majtëve, të gjelbërve dhe organizatave të ndryshme të migrantëve, protestës i janë bashkangjitur edhe disa instanca e institucione shtetërore. Kështu edhe Konferenca mbikantonale për Ndihmë Sociale, SKOS. «Përpiluesit e iniciativës kanë pasur nevojë për një fantazi të madhë kur kanë vendosur që mashtrimin e enteve sociale ta vënë krahas dhunimeve dhe vrasjeve», tha kryetari i Konferencës për Ndihmë Sociale, Walter Schmid, gjatë një konference për shtyp në Bernë.

Iniciativa duhet të refuzohet, sepse sipas saj, «ne duhet të dëbojmë edhe njerëz që kanë mashtruar entet tona vetëm me 200 franga», nënvizon Schmid. Ai është i sigurt se Kantonet nuk do ta praktikojnë kurrë një ligj të tillë.

«Disa nga shtetet evropiane njohin tashme një automatizën të tillë, mirëpo sa di unë, asnjëherë nuk është përdorur ai», thotë profesor Alberto Achermann dhe siguron se: «Në krahasim me ligjet e vendeve të tjera evropiane, Zvicra disponon tashmë me një Ligj tepër të ashpër. Ligji ekzistues mundëson dëbimin e të gjithë atyre që kanë kryer vepra kapitale». Në të kundërtën, organet nuk do të mund të dëbojnë 750 delikunetë të huaj.

TË GJELBËRIT: «JO LIGJEVE DISKRIMINUESE»!

Në një pikë janë të gjithë dakord. Si kundërshtarët, ashtu edhe iniciatorët. Migrantët dhe kundërpropozuesit duan që kriminelët të sanksionohen ashpër dhe të dëbohen. Sipas praktikës së deritanishme, ata as që janë duke u lëmuar. Çka irriton është fakti se «iniciatorët synojnë që të dëbojnë çdo të huaj që bie ndesh me ligjin. Pra, edhe nipin e ndonjë ndërtimtari, të cilin ne e kemi sjellë këtu për të punuar gjatë viteve të gjashtëdhjeta. Nëse ne duhet të ndryshojmë ligjet, ok, mirëpo jo në këtë mënyrë diskriminuese», thotë kryetari i të Gjelbërve, Ueli Leuenberger.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.