Kriminelët jashtë!

Nëpërmjet një neni të ri në Kushtetutën zvicerane, SVP-UDC do të detyrojë kantonet që të dëbojnë automatikisht të gjithë delikeuntët jozviceranë. Kundërshtarët flasin për një iniciativë të parealizueshme dhe ksenofobe, e cila çon në një jurisprudencë të veçantë për migrantët. Ajo nuk mund të vihet në fuqi dhe nuk është kompatibile me të Drejtën evropiane, ndaj së cilës është e obliguar edhe Zvicra nëpërmjet një serie marrëveshjesh bilaterale, thonë ekspertët. Në një bisedë me gazetarin Xhemal Ahmeti, Toni Brunner përpiqet të sqarojë se si qëndrojnë punët nga perspektiva e SVP-së. 

Toni Brunner, çfarë përshtypje keni? Do të pranohet apo do të refuzohet «Iniciativa» juaj e «dëbimit»?

Është rëndë të prognozohet. Kundër iniciativës sonë është Qeveria, të gjitha partitë e tjera dhe mediat. Është e mundshme të zhvillohet një votim kokë më kokë. 

Për ç’kategori kriminelësh e keni menduar iniciativën?

«Iniciativa e dëbimit» ka të bëjë me kriminelë përfundimisht të dënuar nga gjykatat. Për krime si vrasjet, dhunimet dhe delikte të tjera të rënda seksuale, për plaçkitje me dhunë, kontrabandë me njerëz dhe mashtrim të enteve sociale. 

Edhe me Ligjin  ekzistues organet kanë mjaft instrumente për të dëbuar nga Zvicra kriminelë që ushtrojnë vepra kapitale, si vrasje, plaçkitje me dhunë, dhunime, kontrabandë me njerëz a me drogë, e të ngjashme, apo nuk është kështu?

Aktualisht çdonjëri Kanton vendos ndryshe. Qëllimi ynë është që në mbarë Zvicrën të sundojë i njëjti Ligj.  Në ligjin e tashëm thuhet: «I huaji që bie ndesh me ligjin mund të dëbohet…», ne duam ta zëvendësojmë këtë parim me tonin: «Migranti që bie ndesh me ligjin të dëbohet automatikisht…». Dëbimi i kriminelëve të huaj e ka vendin në Kushtetutë. Ndalimi i hyrjes në Zvicër për persona të tillë duhet të rritet deri në 15 vjet, e për përsëritës deri në 20 vjet.

Problematik dhe kontestues nga të gjitha anët është alineja 3 e iniciativës suaj. Aty kërkoni që mashtruesit e enteve sociale të dëbohen njëjtë si vrasësit dhe dhunësit. Një parelelizëm i pamundshëm – sidomos nga aspekti juridik?

Keqpërdorimi i institucioneve tona sociale nuk është delikt kavalierësh! Secili që me qëllim, nëpërmjet keqpërdorimit të asistencave sociale pasurohet e di se e bën këtë në kurriz të invalidëve dhe të të hendikepuarve që janë të varur nga ajo asistencë. Keqpërdorime të tilla duhet luftuar patjetër.  

Në tekstin e iniciativës suaj, nga njëra anë thoni se doni të mbroni migrantët e integruar nga imazhi i keq duke dëbuar kriminelët, e në anën tjetër, jeni kundër propozimit për të kyçur nenin e integrimit në Kushtetutë. Si e shpjegoni këtë paradoks?

Nuk është paradoks.

Po, paradoks është.

Jo, sepse njëra nuk ka lidhje fare me tjetrën. Siç thoni edhe ju, migrantët e integruar janë tashmë të integruar. Ata nuk kanë nevojë për asistencën e shtetit, sepse kanë arritur që me forcat e veta të bëhen pjesë konstruktive e shoqërisë. Ata ia kanë arritur, sepse kanë ditur se për të jetuar mirë në këtë vend duhet përshtatur rregullave të lojës. Përpjekjet për integrim duhet të vijnë nga migrantët vetë, e jo nga diktati i shtetit.

Kundërshtarët e Iniciativës thonë se SVP-së nuki i intereson fare integrimi i migrantëve. Përkundrazi, ata thonë se sugjerimi juaj se nëpërmjet Iniciativës doni të mbroni migrantët nga ndonjë imazh edhe më negativ është vetëm një fjalë boshe për qëllime propagandistike. Kemi të bëjmë me një mveshje që ju bëhet, apo qëndron akuza?

Pa dyshim bëhet fjalë për mveshje. Migrantët e integruar dhe ata që përpiqen të integrohen e kanë mirë në vendin tonë dhe ne nuk kemi asgjë kundër tyre. Në të kundërtën, ata që nuk duan të punojnë dhe bëhen kriminelë nuk duhet të tolerohen dhe të trajtohen butë, por menjëherë të dëbohen. 

Toni Brunner, nga shumica e migrantëve ju konsideroheni si një parti ksenofobe me qëllimin e përhershëm të diskriminoni migrantët. Arsyeja e një konsiderate të këtillë qëndron te politika tradicionale restriktive e partisë suaj. Shkencëtarë të ndryshëm (si Damir Skenderovic në librin e tij «Politizimi me të Huajn») flasin për një politikë ekskluzioniste të SVP-së. Pse partia juaj është gjithmonë kundër migrantëve?

Jo. Ne nuk jemi kundër të huajve. Plot migrantë simpatizojnë SVP-në dhe shumë janë anëtarë tanë. Në suaza të partisë sonë kemi madje edhe grupin «Atdheu i Ri Zvicra» që udhëhiqet nga deputetja me origjinë sllovake, Yvette Estermann. Kush vjen në Zvicër duhet të respektojë ligjet tona, duhet të marrë vetëpërgjegjësi dhe nuk duhet të jetojë në llogari të shtetit e të shoqërisë. Puna, mundi, disiplina dhe vetëpërgjegjësia janë në Zvicër parime kryesore.   

Si qëndron puna me ju personalisht, Toni Brunner? Keni kontakte të drejtpërdrejta me migrantët?

Natyrisht! Shpesh kontaktohem në rrugë nga migrantë të ndryshëm, të cilët me urojnë suksese. Vazhdimisht, nëpër manifestime e tubime të ndryshme, takohem me migrantë dhe berberi im është me origjinë italiane.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.