«Më mirë në burg se sa në shtëpinë e prindërve»

Tinejxheret shqiptare para shtëpisë së prindërve zgjedhin azilet për femra. Pse? Përplasje gjeneratash me botëkuptime të kundërta apo «trillime tinejxherësh» për t’i ikur kontrollit të prindërve.

Weissenburg, 7 gusht – «Kur e mora vesh se babi më ka fejuar, ika prej shtëpie», thotë Arta Misini (17). Qe një vit ajo banon në strehimoren për femra «Tanne» të Weissenburgut të Bernës. Numri i vajzave të reja shqiptare nëpër strehimoret zvicerane si duket nuk është i vogël. «Ne kemi shumë shqiptare nëpër azilet tona», thotë shefi i qendrës «Tanne» Hansueli Birenstihl. «Fejesat e dhunshme janë njëri nga motivet që i shtien tinejxherët të ikin nga shtëpia, por ka raste edhe më tragjike», dinë Birenstihl.

«Babai dhe nëna ime më dhanë për një djalë nga Mitrovica, të cilin asnjëherë nuk e kisha e parë », nis rrëfimin Arta, e cila as që e ka pasur ndërmend të krijojë ndonjë lidhje para se të mbarojë shkollimin. «Ajo erdhi te unë dhe kërkoi ndihmë. Qante. Mezi që gjetëm një rrugëdalje me entin për të rinj», kujtohet Patrik Feuz psikologu i shkollës, ku Arta ka qenë nxënëse dhe i cili i ka ndihmuar asaj të marrë rrugën e azileve.

«Trillim përtej trillimit», na bërtet i ati i Artës Ahmet Misini (43). «Këta – duke aluduar në organet zvicerane – u besojnë gjithçka tinejxherëve, pa e vënë gishtin në mend se ata edhe dinë të aktrojnë kur kanë fiksuar diçka në kokë», thotë Ahmeti dhe mohon të ketë fejuar Artën pa e pyetur atë. Ka ikur kot ajo nga shtëpia? «Kot, pra. Ka ikur për të mos qenë nën kontroll nga unë. Kur ka qenë tek unë nuk ka mundur të endet gjithandej», na siguron ai. Paradoksi: Arta në strehimoren «Tanne» mund të bëj gjithçka, ama të endet jo. «Te ne mbizotëron një regjim i ashpër sa i përket strukturës së ditës. Dihet kur është mësimi, kur është koha e lirë e kurë gjumi», na tregon Birenstihl dhe na nxjerr përpara programin e ditës për banuesit e qendrës «Tanne». Edhe po të deshi Arta të endet e ka pothuaj të pamundur. Qendra gjendet në një vend malor. Për të mbërritur në fshatin e parë i duhet asaj të ecë më se një orë.

 

Për ekspertin Manuel Eisner nga Universiteti i Cyrihut që i ka shkruar disa libra për emigrantët e gjeneratës së dytë problemi është i qartë «pasojë e konfliktit ndërmjet dy gjeneratave që s’kanë as të tashme e as perspektivë të përbashkët. Prindërit me mentalitetin dhe rendin e tyre që e kanë sjellë nga vendi prej nga vijnë dhe të rinjtë që janë lindur e rritur në një shoqëri e kulturë me vlera e rend krejtësisht tjetër. Problemi si ky i fejesës ose ndonjë tjetër është vetëm maja ku dy botë gjejnë arsyen për t’u ndarë, ndërsa konflikti themelor ndërmjet tyre qëndron tek botëkuptimet rreth lirisë dhe jetës», shpjegon Eisner.

Arta e konfirmon «teorinë» e specialistit. «Prindërit e mi janë primitivë. Ata jetojnë këtu dhe mendojnë si në Kosovë». Kur e pyesim se a e di ajo se si mendohet në Kosovë? Ajo rrudhë krahët, mendohet pak dhe «atje femrat s’kanë asnjë liri. Burrat vendosin se si duhet të jetosh», na thotë Arta, e cila qe prej se ka lindur vetëm njëherë ka qenë në Kosovë.

«Unë kam gabuar shumë», thotë Lejla (20) me origjinë nga Gjilani, që e shoqëroi Artën gjatë gjithë bisedës me ne. Kjo më herët se Arta, para tre viteve ka ardhur në strehimore «para se të vendosja të vij këtu duhej të mendoja në alternativa të tjera. Duhej të bisedoj njëherë mirë me prindër». Ka kohë që Lejla përpiqet të hyjë në kontakt me prindërit e saj, por pa sukses. Edhe Ahmet Misini nuk reagon ndryshe nga prindërit e Lejlës kur i propozojmë të bisedojë me vajzën e vetë «sytë nuk dua më t’ia shohë. Ajo nuk është vajza ime», përmblidhet ai. Edhe Arta nuk mendon më ndryshe «para kisha shkuar në burg se sa të kthehem në shtëpi».

Beatrice Rüffenachtit nga Enti për të Rinjtë i Bernës i kujtohet mirë rasti i Artës «Ne e kemi studiuar lëndën mirë, para se të merrnim vendimin. Edhe ne e dimë se ka tinejxherë që i hyjnë kësaj udhë vetëm në shenjë revolte ndaj prindërve, mirëpo te Arta situata ishte e qartë. Prindërit vërtet e kishin fejuar dhe donin ta martonin me një të panjohur. Nuk e di se si është kjo punë atje në Ballkan, mirëpo, këtu, tek ne një gjë e tillë është e ndaluar. Ne i ndihmuam Artës që ajo ta vazhdojë jetën e saj  pa prindërit».

Megjithatë – sipas Rüffenacht – rastet si ky i Artës janë të rrallë. Shumica e dosjeve që ajo trajton, kur janë në pyetje shqiptarët, kanë të bëjnë me përdorimin e dhunës në familje. «Ka drama edhe më të tmerrshme që shtyjnë vajzat e reja të shkojnë nëpër azile, mirëpo ju lutem…», na tërheq ajo vërejtjen në fund të bisedës «ky nuk është «specialitet shqiptar», fejesa të tilla ndodhin më së shumti tek komunitetet që vijnë nga orienti dhe dhuna përdoret shumë edhe në familjet zvicerane».

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.