NË PUF ME KANUN

Askush nuk mund t`ikë faktit se shqiptarët në Evropë, qoftë si viktimë apo «vullnetarisht», janë të involvuar në prostitucion. Në vend të injorimit të problemeve të këtij karakteri, në emër të zakoneve dhe dokeve tash më të stërvjetëruara morale, do të ishte e udhës që fillimisht ta pranojnë realitetin e pastaj po deshtën le të bëjnë diçka.

 Bernë, gusht 2012 – Mjerimi nuk bën kompromis me viktimat e tij. Pamëshirshëm degradon njeriun deri në fundosje. Për t`ikur sundimit të tij, shumica e njerzve, shpëtimin e shohin tek krimi ndaj vetëvetes. Pjesën më të madhe të planetit tonë e përbën shtresa e njerzve me pozitë të dërmuar sociale. Pozitë kjo, që pas veti gjithmonë tërheq edhe pasojat e rënda psikologjike, shëndetësore dhe etike. Lufta e shoqërisë postmoderne për krijimin e baraspeshës sociale është joserioze dhe sipërfaqësore. Dihet se, po këto shoqëri udhëhiqen nga shtresa më e pasur e saj, shtresë kjo që nuk ka interes nga lufta kundër pabarazisë sociale. Përkundrazi ajo luftën e këtij karakteri e konsideron si humbje. Një rezultat pozitiv i kësaj lufte do t`u dëmtonte pozitën e tyre sunduse. Kështu që, ata më shumë janë të interesuar në ekzistencën e varfërisë se sa në menjanimin gradual të saj në masë, ose krijimin e standardit të mesëm në shoqëri.

PËRPJEKJET PËR T`I IKUR REALITETIT

Të gjithë popujt në botë janë të ballafaquar me probleme të ndryshme që janë si pasojë e pabarazisë sociale. Kontrabanda me njerëz, drogë, armë e deri tek prostitucioni rezultojnë si domosdoshmëri e mbijetimit të shtresave të shtypura sociale, të cilat kanë nëpërkëmbur çdo lloj morali dhe discipline njerzore me qëllim për t`u pasuruar. Ëndra shtytëse e pasurimit dhe rradhitjes ndër luksin e modernitetit është shndrruar në pasion të papengueshëm që nuk njeh kufij. Sidomos për popujt e kontinentit të pasur, ku kushtet e zhvillimit të bizneseve të tilla janë të mira. Krijimi i kushteve për parandalimin e këtij degjenerimi shoqëror është një proces më se i domosdoshëm. Mënyra makiaveliste e mbërritjes së këtij qëllimi është duke degjeneruar, pothuaj fizionominë morale të çdo grupi të diskriminuar, pavarësisht nga ajo, se sa ai popull përpiqet t`i mbajë fshehtë të palarat e veta.

Të fshehish probleme të tilla do të thotë të mos merresh me ta, të pranosh qëllimisht zhvillimin dhe rritjen e tyre. Një qëndrim të tillë karshi çështjeve të kësaj natyre kanë edhe shqiptarët. Ata të shtërrnguar nga zakonet dhe doket e tyre krenareske nuk mund të pranojnë realitetin frymëzënës të ekzistencës së këtyre fenomeneve. Logjikë kjo, që pamundëson trajtimin në dobi të izolimit sa më efektiv të dukurive negative.

Në Zvicër prostitucioni është legal. Si vendësit ashtu edhe të huajt (komunitetet) ndihmojnë dukshëm në zhvillimin e këtij «biznesi». Ndër këto të huaj, padyshim se një rol modest luajnë edhe shqiptarët. Shumica e pjestarëve të këtij komuniteti janë të interesuar që të mos flitet fare për probleme të këtij karakteri, pasi, sipas tyre ato janë «shpifje të armikut të shqiptarëve të fesë».  Një pjesë e sheh si të arsyeshme ekzistencën e shfaqjeve të tilla edhe në jetën e shqiptarëve kanunikë. Ndërkaq ka edhe të tillë që prostitucionin e kanë zgjedhur si profesion mbijetimi. A ekziston prostitucioni tek shqiptarët?

JETA E DYFISHTË DHE «AGJENCITË E SHOQËRIMIT»

Meliza J. bën jetë të dyfishtë. Ditën studion në njërin nga Univerzitetet e Zvicrës, ndërsa natën punon për një «agjenci shoqërimi» (kështu quhen zyrat për shitjen e femrave). Çmimi i saj për një orë është katërqind franka zvicerane. Ajo është e pajisur me një telefon dore (natel) dhe veturë opel-kadet. Gjatë një nate ndodh që të ketë deri më pesë vizita. Që do të thotë: ajo fiton dymijë franka për një natë. Njëzet përqind prej të cilave duhet t`ia japë shefit të saj.

Përse erdhi Meliza J. deri në këtë situatë? Para dy vitesh, në Tiranë, Meliza njohton zviceranin Beat Kälin*, pronar të një firme për përpunimin e letrës.

«Që në takimin e parë u dashuruam. Ju nuk do të besoni, por ishte vërtet një dashuri pa prapavijë», përpiqet të na bindë Meliza. Edhe pse ne nuk treguam asnjë shenjë dyshimi. Pas dy ditëve, nga njohtimi i parë i tyre, dy të porsadashuruarit kurorizohen në konsullatën zvicerane në Tiranë.

«Pas mbërritjes sime në Zvicër, qëllimi kryesor ishte që të regjistrohem në njërin nga universitetet e këtij vendi» thotë Meliza, duke larguar flokët e derdhura nga sytë. Në Tiranë, ajo ka të mbaruar një vit të fakultetit ekonomik. Edhe këtu vazhdon po të njejtin fakultet. Nuk kalojnë as tetë muaj, kur Meliza tash më ka mbaruar semestrin e parë, fillojnë problemet bashkëshortore: «Ai kishte pasur për qëllim që unë t`i shërbejë si skllave. Gjithmonë tentonte të më bind se ne të „Lindjes“ nuk mund të kryejmë shkollë në Zvicër. Jemi të paaftë për një gjë të tillë…».

Ky mendim mbizotëron tek shumica e zviceranëve që kanë kryer nga një zanat apo shkollë të mesme profesionale. Pas një viti e gjysmë bashkëshortësie, Meliza J. ndahet me gjyq nga burri dhe fillon jetën e saj të pavarur. Ajo ka pasur fat që gjyqi ka lejuar qëndrimin e saj këtu. E pavarur po, por prej nga të ardhurat për të finansuar shkollimin dhe për të siguruar ekzistencën?! Për të arsyetuar punën e tanishme, Meliza nevrikoset: «Tërë kohën kam kërkuar punë pa sukses. Lusja njerëz që i njihja nëpër … për të më ndihmuar. Ata iknin. Disa prej tyre, bëheshin zemërgjërë dhe më ofronin ndihmë. Mirëpo, ndihma e tyre shtrohej me një kusht: si këmbim t`ua falë trupin sa herë që t`u kujtohet…». Këto «disa»,  Meliza thotë se janë të gjithë shqiptarë, që më herët i kanë mbajtur ligjerata se si një shqiptare nuk mund të jetojë me një të huaj etj. etj.

«Tipike! Për të shkatërruar, shqiptarët e zënë vendin e parë, ndërsa për të ndihmuar diçka atëherë, atëherë të kërkojnë….!» thotë ajo. Kur Meliza J. konstaton se s`ka asnjë ndihmë, atëherë vendos që të kthehet në vendlindjen e saj. «Për fat një shoqe e kursit nga Rusia më njohtoi për punën që ajo bën për të finansuar shkollimin. Ajo më ndihmoi që të dalë nga kriza..». Rusët u kanë dalë në «ndihmë»  shqiptarëve në shumë kriza apo jo..?

Gjetjen e agjencisë «Escort service», kjo shqiptare e re e quan fat! Sot, kur ajo bisedon me ne, nuk skuqet fare për «aktivitetin e saj të natës». Familja e saj në Shqipëri, mendon se vajza e tyre është e martuar në Zvicër dhe duke studiuar atje. «Vetëm vëllau im i madh di për punën që bëj. Ai jeton këtu në Zvicër. Është i martuar me një plakë të qelbur për arsye të letrave». Flet me krenari Meliza për familjen e saj, e cila gjendet në rrugë të ekspres-pasurimit. Melizës i duhen edhe gjashtë muaj të merret me këtë «profesion» dhe pastaj nuk do të punojë më për agjencinë në fjalë. Së paku kështu ajo deklaron. Ndërkaq ne dijmë se fakulteti , të cilin ka filluar ajo zgjatë plotë pesë vite!

Dhe sot shumë vitë pas takimit të parë me të ajo ende merret me të njejtin profesion dhe me fakultet ende të pambaruar.

SHPIFJET SI MJET MBROJTJEJE

Për të kompletuar sa më shumë të dhëna rreth fatit të Melizës kërkojmë një takim me ish-burrin e saj Beat Kälin*. Tridhjet vjeçari ka ngulur kokën në njërën nga maqinat e tij dhe na lutë që të presim pakë. «Po të doja unë, ajo nuk do të qëndronte asnjëherë këtu. Një gjë e tillë u bë me marrëveshje. Mirëpo pas marrëveshjes ajo u xhindos dhe filloi të shpifë. Ka shkuar aq larg saqë edhe në rrethin e miqeve tanë të përbashkët trillon historira nga më të ndryshmet». Beat K. duket si djalë i sinqertë. Në pyetjen tonë, për përpjekjen e tij për të ndaluar Melizën në shkollim e sipër ai deklaron: «Unë e regjistrova në fakultet. Po të mos doja ajo nuk do të kishte mundësi të paguante regjistrimin, shkollën e gjuhës dhe asgjë tjetër…tani ajo ka të drejtë të flasë çka të dojë». Beati nuk dinte gjë për profesionin e ish-shoqes së tij. Në dalje na luti që të përshëndesim Melizën po e takuam.

Sot pas shumë viteve (12 gusht 2012) pranon atëherë të ketë gënjyer rreth ish burrit të saj.

HYRJE NË STADIN E ÇMENDURISË

Se cila histori është e vërtetë shihet qartë. Një gjë është tash definitive, e vërtetuar : Meliza J. është prostitute!  Kësaj jete rebeluese, kjo vajzë e re i ka hyrë me qëllim për t`u pasuruar. Mënyra se si ajo do që të pasurohet është tepër e vështirë. Nga gjestet që ajo bën duke biseduar, kuptojmë se është futur në botën e krizave psiqike. Përveç gjithë kësaj, ajo është duke konsumuar hashish. «Kjo më lehtëson pak për të pranuar në shtrat, edhe njerëz me konstrukte të çuditshme, që janë krejt kundër shijes sime, pleq të moshuar edhe dy herë më shumë se sa prindërit e mi». Meliza para se të fillojë të shes qenien e saj, përkundër faktit që dihet, se ata që merren me një gjë të tillë, janë skllave të epshit të atij që paguan, sigurisht ka menduar se do të mund t`i zgjedh meshkujt. Pasuria e Melizës sot sillet (sipas saj) rreth njëqeindmijë mijë frankave. A do t`i dalin këto të holla asaj në qoftë se pas ndonjë muaji do të duhet të shtrohet në ndonjërën nga klinikat psikiatrike të Zvicrës? Po jeta, atë jetë, për të cilën ajo ka aq nostalgji, duke u endur me shoqe e prindër bulevardit Tiranës, a do t’i kthehet ajo jetë asaj ndonjëherë. Jemi skeptikë.

FENOMENI

Falë zemërgjërësisë se Meliza J. dhe koleges së saj ruse Sllavenka Malinov na u mundësua që të organizojmë një takim me shefen e tyre Verena Rohr*. Kuptohet edhe ky takim, krejt profesional kushtonte katërqind franka në orë. Ajo na tregoi listën prej tetëdhjetë emrash që punonin për këtë zyrë. Trembëdhjetë ndër të cilat me përkatësi shqiptare. «Shqiptaret janë korrekte dhe shumë të kërkuara, sidomos nga bashkëkombasit e tyre…». Nuk u habitëm fare me këtë konstatim të Verenës. Kurreshtjes sonë për të ditur se a ka probleme gjatë këtyre takimeve «ndërshqiptare» iu përgjigj Meliza: «Fare pak. Herë pas here ka ndonjë psikopat, që pasi kryen punën fillon të na mbajë ligjerata mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, çështjen kombëtare, etj. etj. gjëra këto që nuk na hyjnë fare në punë!». Tipike! Pas lezetit shqiptarët e këtij lloji gjithmonë kanë apetit ligjërimi politik, moral e ku ta dijsh çka tjetër.

PAMUNDËSITË E POLICISË PËR VEPRIM

Inspektori i policisë kundër krimit (kripo) Andrea F., i angazhuar në komisionin kundër prostitucionit në Bernë, ka të dhëna më precize rreth pjesmarrjes së shqiptarëve e shqiptareve në këtë lloj «tregtimi»: «Ju keni patur mundësi të merrni informata vetëm nga një burrim, për arsye se studimi dhe zbulimi i rasteve të tilla, për shkak të natyrës që kanë, është shumë i rëndë. Në mbarrë territorin zviceran këtë «zeje» ushtrojnë më se treqind femra. Pa llogaritur këtu edhe meshkujt – homoseksuelë si dhe organizatorët shqiptarë që jetojnë nga përfitimet që i nxjerrin nga furnizimi i «agjencive ilegale të shoqërimit». Pa ndihmën e vetë komunitetit në denoncimin e rasteve të tilla ne nuk do të kemi shumë sukses. Për të parandaluar dikë që mos merret me prostitucion, ne duhet të kemi prova. Siç e dini edhe ju, vetëm marrja me prostitucion për burokracinë tonë nuk është vepër kriminele. Ne na duhet demaskimi i njerzve që qëndrojnë në prapavijë». Mendimi i këtij ispektori është se shumica e shqiptareve që kryejnë këtë punë janë viktimë e bandave të organizuara në perendim. Pak ka nga ato, që këtë punë e bëjnë për arsye të tronditjeve psikike, nga pozita sociale apo nga ndonjë arsye tjetër. Lufta e policisë kundër këtij tregtimi seksual, në të shumtën e rasteve edhe dështon, për arsye, se viktima që posedon fakte për të dëshmuar para organeve të ndjekjes, ka frikë nga shumë faktorë: nga organizatori i shitjes së saj, publikimi i punës që kryen etj. «Sidomos tek shqiptaret një vetëdenoncim i tillë është pothuajse vrasës për personen apo personin në fjalë. Në bazë të përvojës sime kam zbuluar diçka: fshehurazi shqiptarët janë seksualist anarkik, ndërkaq në jetën e përditshme shiten si moralistët më të fortë të Evropës», shton inspektori. Asnjë mendimtar shqiptar nuk do të kishte mundur të formulojë kaq bukur këtë konstatim. Ka mundësi që jeta e dyfishtë e Melizës ka të bëjë edhe me mënyrën e jetës morale të shqiptarëve si tërrësi??

 *Emrat janë ndryshuar
NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.