Prindët që prodhojnë analfabetë

Në Zvicër dhe Gjermani ka njerëz-prindër që për shkaqe neveritëse pengojnë shkuarjen e fëmijëve të tyre në shkollë.

Shumëkujt kjo e vërtetë do t`i duket absurde dhe tej absurdit, mirëpo po të bëjë një kërkim në rrethin a lagjen ku jeton do të ndeshet me një rast të tillë. Është një numër jo edhe aq i vogël i sojit të këtyre njerzve që kanë mbyllur fëmijët e tyre nëpër shtëpi dhe i fshehin si nga shkolla e rregullt zvicerane ashtu edhe nga ajo plotësuese shqipe në diasporë.

Në afërsi të „letziparkut“ të Zürich-ut, në këndin e një shtëpie tregtare, ishin mbledhur një grup fëmijësh kokëmbuluar dhe recitonin vargje në një gjuhë që për nga tonacioni dukej orientale. Kur u afruam, konstatuam se ata ishin duke recituar këngë në gjuhën arabe. Pjesë nga Kurani. Në kalim e sipër, njëri prej fëmijëve u shkëput dhe na u afrua duke thënë: ne jemi shqiptarë! Askush nuk u interesua për identitetin e atyre fëmijëve. Kush qe shkaktarë që ajo vajzë, të shkëputet nga grupi, të ndërpresë recitimin dhe të na drejtohet ne duke na bërë me dije se ajo është shqiptare. Çka e shtyu atë në një veprim të tillë; dashuria ndaj identitetit të saj kombëtar apo revolta shpirtërore e një fëmiu të mërzitur nga diçka.

Vajza njëmbëdhjetvjeçare me shami në kokë quhej Lumnije J*. Ajo dhe dy motrat e saja kishin lindur në Zvicër. Një herë në vit, për dy javë shkojnë në vendlindjen e të jatit, në një qytet të Maqedonisë perendimore.  Identifikimin tonë kombëtar, ajo e kishte bërë nëpërmjet gazetës që mbanim në duar. Nga e folmja mund të vërenim se ajo nuk ishte duke ndjekur mësimet në ndonjë shkollë plotësuese. Pa mos qenë ende të sigurtë e pyetëm: „pse nuk shkon në shkollën me mësim plotësues shqip?“. Lumnija varri kokën, u skuq në fytyrë dhe filloi të lëvizte shaminë në kokë nga turpi. Ishte ky një gjest fëmijëror, gjest pafajësie që e bën çdo fëmijë kur është duke kërkuar përgjigjen për ndonjë pyetje të rëndë. Moment dhimbës. „Unë shkojë në mektep“! Lumnija nuk ndjek mësimet në asnjë shkollë legale të Zvicrës. Ajo për çdo mëngjes, bashkë me pesmbëdhjetë fëmijë të tjerë ( sipas saj) të moshës së njejtë shkojnë tek hoxha për të mësuar vargje të reja nga librat e shejntë islamë.

HOXHA SI KËSHILLTAR EDUKATIV

I ati i Lumnijes Vajdin J*. është i „vetëdishëm“ për sjelljen e këtillë me fatin e fëmijëve të tij. Të njejtën gjë, ai e planifikon edhe për dy vajzat e tjera. Më e keqja: ai ndjen veten krenar me këtë mënyrë trajtimi. Duke biseduar me ne, pandërprerë lëviz tespitë me gishta dhe përshpërit ndërmjet fjalëve diçka. Në fillim, disa herë na pyeti mos jemi asetista ( nuk e shqiptonte dot mirë fjalën ateist). Pasiqë patën sukses në manipulim, ai filloi të shpalojë qëndrimet e veta ndaj gjithçkaje tjetër që nuk mbante firmën e fesë. Qëllimi final i tij; t`i bëjë vajzat, që të gjitha „hoxhavica“ (mësuese të fesë). I sqaruam se një gjë e tillë nuk është e mundur. Për t`u bërë vajzat e tij mësuese të fesë duhet të kenë kryer shkollim fillor e të mesëm në mënyrë legale. Vetëm kështu do t`iu mundësohet atyre hyrja në ndonjë fakultet a univerzitet të teologjisë islame. Ndryshe nuk bën. Këmbëngulës në qëndrimet e veta na tha: „Mua më ka thënë hoxha se kështu është më mirë. Po i lëshova nëpër këto shkollat këtu do  prishen, do të bëhen të pavlershme, do t`u hyje „shejtani“ n`bark…“ Për gjuhën amtare, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe … Vajdin J. nuk do të dëgjojë, për këtë ai shprehet kështu : „kryesorja është që ne duhet ta dijmë gjuhën e Zotit“. Dhe, sipas tij, gjuha e zotit është arabishtja.

Në Zvicër, në çdo qytet është hapur nga një shtëpi-xhami, ku shqiptarët me besim islam kryejnë ritet e veta fetare. Pranë këtyre xhamive janë siguruar edhe nga një apo dy dhoma për fëmijët e tyre. Imamët e angazhuar për mirëmbajtjen e këtyre xhamive (disa të sjellë enkas këtu nga Bashkësitë Islame të Kosovës dhe Maqedonisë, e disa të angazhuar nga Qendra Islame e Saudisë Arabite në Gjenevë)  disa herë në javë japin leksione në arabisht e „shqip“. Shumica e fëmijëve të pyetur nga ne, dijnë shumë pak për atë që mësojnë. Atyre nuk iu përkthehet ajo që ata e mësojnë përmendsh. Kjo do të thotë që shqipja praktikohet fare pak (përveç në shtëpi ku kryesisht praktikohet dialekti, e në disa bile vetëm turqishtja). Për këtë metodë të imamëve me fëmijët shqiptarë nuk do të deklarohet askush prej kësaj pale, me arsyetimin; për të mos sjellë konfuzitet ndër besimtarë. Për prindërit që pengojnë shkollimin e fëmijëve të tyre nëpër institucione legale të arsimit ata shprehen në këtë mënyrë: „ata njerëz e kanë keqkuptuar Kuranin, fenë islame dhe vetëveten. Bile shkolla për myslimanin është diçka e shejntë…“. Tash mbetet e hapur çeshtja kush është ai apo kush janë ata njerëz që besimtarët e tyre islam i mashtrojnë duke i bindur që të veprojnë si Vajdin J.

ARDHMËRIA E ANALFABETËVE

„E dijmë që ka plotë raste të tilla…“ thotë z. Schibler, nënpunës i Drejtorisë për Edukim. Këta njerëz përfitojnë nga vakuumi në ligjin zviceran për shkollimin e fëmijëve të huaj. Shumica e këtyre prindërve i sjellin fëmijët këtu, u a bëjnë lejen e qëndrimit (si familje ka më shumë prioritet në përkrahjen e sigurimeve dhe asistencave shtetërore) dhe përsëri i „dërgojnë“ zyrtarisht në atdhe për t`u shkolluar. Kjo është e drejtë e tyre. Në realitet ata nuk i dërgojnë fare fëmijët e tyre në atdhe për t`u shkolluar, por i mbjanë fshehurazi nëpër banesa. Dhe kjo natyrisht që është kundër ligjit dhe bie ndesh me kodin penal mbi keqpërdorimin e fëmijëve. „Këta njerëz duhet prononcuar tek organet përkatëse. Fëmijët asesi nuk duhet të mbeten qëllimisht analfabetë, vetëm pse prindërit e tyre janë të tillë“- thotë Schibler.

Askush nuk është kundër që fëmijët të dijnë sa më shumë mbi besimin, të cilit i përkasin. Lumnija pa problem do të kishte mundur një herë në javë të ndjek edhe shkollën fetare, përveç asaj të obliguar. Kështu që, ajo pasi të kryente shkollimin obligativ do të ishte në gjendje vetë të vendos për profesionin e saj të jetës. Në këtë mënyrë ajo mbetet pa kurrgjë në duar. Vetëm me vargjet e mësuara përmendsh nga Imami ku ka qenë e detyruar të mësojë nga prindërit.

Dikur, diku, u tha se do të krijohet një komision i tillë që do të bëjë zbulimin e rasteve të tilla, me qëllim për t`u biseduar me prindërit, për t`i bindur ata që mos veprojnë në këtë mënyre. Edhe kjo gjë mbeti si bisedë për një veprim të  parealizueshëm, si në shumë raste të tjera. Lumnije J. bashkë me shumë mocanikë të tjerë, po që se askush nuk vepron në këtë drejtim, do të vazhdojnë të mbeten viktimë e fiksimeve diskriminuese të prindërve të tyre. Të përjashtuar nga zhvillimi normal i gjeneratës që vjen. Pa identitet kombëtar, pa gjuhë të veten, të humbur në rrugët e pasigurisë për të gjetur veten. Shpresojmë që zëri i saj i dhimbjes, depërton e i bind prindët e tillë, imamët ( që t`u flasin besimtarëve të tyre), për të kuptuar rëndësinë dhe vlerën e shkollës dhe të veprojnë duke lejuar shkollimin normal të fëmijëve tanë.

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.