Elitat dhe Bërrylokracia

Vaji për ata që ikin prej nesh në këtë sezone vdekjesh është i natyrshëm. E panatyrshme dhe morbide është sjellja e pushteteve shqiptare ndaj atyre që i kanë varrosur për së gjalli. Një lloj historie mbi elitën shqiptare.

Bernë, gusht, 2012– Fjalimi i Hashim Thaçit në Akademinë Përkujtimore të organizuar me rastin e vdekjes së filozofit dhe politikë bërësit Arbën Xhaferit i përngjante atij homazhit filmik «The Last of the Mohicans»  (SHBA, 1992) që regjisori Michael Mann i bëri romanit të shkrimtarit amerikan James Fenimore Cooper.

Padyshim se Arbën Xhaferi meriton edhe më shumë nderim se sa që jemi në gjendje t’ia bëjmë. Ashtu siç meritonin Tekiu, Aliu dhe ca të tjerë që u bënë viktima të kësaj sezone ikjesh të dhimbshme. Vaji që manifeston përuljen dhe nderimin tonë të merituar ndaj personaliteteve të tilla përmban në vete edhe një dramë tjetër: dramën e të gjallëve!

Në këto raste doli edhe njëherë më shumë aporia kolektive në të cilën vihen shqiptarët saherë që prej tyre të ikë një njeri me peshë publike.

I. VAJI PËR ELITARËT

Në analizë e sipër të fjalimit të kryeministrit kosovar më shumë se sa me nderim e përulje përballemi me alarm dhe panik: «Na iku i fundit mendimtar», ose «e humbëm edhe të fundit poet të madh», janë mesazhet kapitale që prodhojnë këto fjalime, homazhe dhe situata, qofshin ato edhe të inskenuara për nevoja të përditshme politike.

Sado pikëlluese e frymëzënëse të jenë këto përkujtime e homazhe, më gjithë ritualitetin e ndershëm apo instrumentalizues që e mbajnë si stampë në ballë, nga substanca e tyre prodhojnë një konglomerat pyetjesh që kanë të bëjnë me gjendjen e shoqërive shqiptare: Vdiq vërtet mendimtari më i madh që e patën shqiptarët? Po poetët, dramaturgët , aktorët? Gjithë vdiqën? S’ka më elitë të gjallë që do të na lehtësonte realitetin me optimizëm e instruksione? Apo gjithë këto ceremoni komemorative kanë synimin ta poshtërojnë të gjallin, pjesëtarët e asaj pjese të elitës, që ende nuk kanë pasur fatin të shpëtojnë, të vdesin? Është kjo pra një hakmarrje e masës dhe shtetit ndaj gjithë atyre që konsiderojnë veten si elitarë?

Jo? Vërtet shkoi përtej njëherë e përgjithmonë elita shqiptare. Vdiq. Mbaroi?  

Para së gjithash: kush janë (apo ishin e shkuan) elitat shqiptare?

II. HISTORIA E NJË POLEMIKE

Sqaruar brutalisht – siç bëjnë fjalorët enciklopedikë – nocionin elitë, fitojmë këtë definim: Është grupi i përzgjedhur (electus) i personave të kualifikuar që prijnë segmentet kryesore të një shoqërie. Historia e terminologjisë (në kontekstin e temës sonë) dhe praktikimit fillimor të tij nuk janë aspak të komplikuara: Në kohën e revolucionit francez  (1789 -1799) me élite nënkuptohej divizioni i atyre intelektualëve – për dallim nga kleri dhe aristokracia – që pozitën e tyre autoritative në shoqëri e kishin fituar në saj të meritave personale intelektuale. Iluministët si Didero, Alambert (themeluesit e Enciklopedisë), Voltaire, Kanti e shumë të tjerë të këtij kalibri, trajtoheshin si të tillë. Që nga emrat kuptojmë se për çfarë formati intelektualësh bëhet fjalë. Të atillë pra që me programet e tyre intelektuale ndikonin drejtpërsëdrejti në rrjedhat e shoqërisë – e në rastin e të lartpërmendurve edhe në formësimin e mendësisë së epokës.

Ky perceptim i formuluar në revolucionin francez do të demolohet nga revolucioni rus (1905). Bolshevikët e përdorën termin sipas versionit napoleonik (elitat ushtarake) dhe e hapën atë për të gjithë ata që do të rekrutoheshin si kuadro partiake, pavarësisht shkallës intelektuale apo kualifikimit profesional. Nisur nga ky stad reflektuan më vonë ekzistencialistët e majtë (Sartre) dhe përpiluesit e «Teorisë kritike» (Adorno, Marcuse). Ky version dominoi deri në fillim të viteve të tetëdhjeta, deri atëherë kur neoliberalët e ushqyer konform frymës së Talcot Parson- it me kompani, ia arritën që ceremonialisht ta pozicionojnë meritokracinë e strukturalizmit funksional si teorinë më të përshtatshme për përshkrimin e kategorive sociale. Me këtë nuk iu bë ndonjë sabotim esencial versionit të majtë mbi elitat, për u soll një filtër që zëvendësoi servilitetin me djersën. Jo gjithë ata që shquhen si servil të ideologjisë duhet të jenë pjesë e elitës, por ata që me meritat personale (ashtu siç thonin edhe francezët) mbërrijnë në pozitën e primusit. Sipas kësaj logjike më shumë se trashëgimtarët e Didero-së, Zola-s, Voltaire-it elitën e përbëjnë multimilionerët, topmanaxherët, kryespekulantët e kështu me radhë. Ndoshta Talcot Parson nuk ka dashur kështu. Ndoshta ai ka menduar ndryshe. Mirëpo kështu sugjeron njëri ndër filozofët kryesor e në modë në Evropën e sotme Peter Sloderdijk – dhe jo vetëm ky  (në veprat e tij «në thellësinë e botës së kapitalit» dhe «ndrysho jetën mbi antropoteknikën») – se pikërisht këtë ka rezultuar rezonimi meritokratik. E Sloterdijk nuk është i majtë. Sidomos që nga fillimi i krizës globale është ringjallur debati rreth dilemës se çka duhet të nënkuptojmë me elitë?

Në Evropë e SHBA – sidomos në qarqet akademike dhe mediat kryesore – debati vazhdon.

Shoqëritë shqiptare as që kanë nevojë për një debat të tillë!

III. KU T’I KËRKOJMË ELITAT

Po mbyllim librin e Historisë, atë të teorisë e flakim si ashtu ndër kanapé dhe ndezim televizorin. Në ekran ndeshemi me kryen e madhe të ndonjë ministri që flet para gazetarëve. Bëhemi dëshmitar aksidental i një komunikimi që shoqërohet me abortime të përgjakshme estetike. Ndërron kanalin: një milioner, fytyra e të cilit i përngjan një fushëbeteje elementesh kozmetike, jep instruksione mbi «metodat» e express-pasurimit të vendit. Ndërron edhe njëherë kanalin: në sofër përballë gazetarit rinë shtangur ca burra, të cilët përsërisin brengat e tyre në formërefreni duke u pozuar si ata «baballarët arkaik të kombit», ndërkaq ne skenën përdhunshëm e përjetojmë si bashkëbisedim subjektesh pseudoaltruiste që veçse nuk eksplodojnë nga hipernarcizmi. Telekomanduesin e shporrim sa më larg që është e mundur dhe hapim gazetën: një drejtor i porsazgjedhur teatri flet për veten, për teatrin s’ka çka thotë. Kurrë në jetë nuk e ka bërë një dramë, nuk e ka luajtur një rol, asnjë studim a reflektim mbi teatrin prej tij nuk njihet. Pse atëherë drejtor teatri? Zgjedhësit kanë vepruar në afekt? Jo. Drejtori përvesh bërrylat e tij të gurta. Ku t’i gjejmë elitat? Moderatori humb përqendrimin dhe rras gishtin në hundë, ne humbim durimin dhe dorëzohemi.

IV. ELITAT SHQIPTARE

Shqiptarët nuk kanë qenë pjesë e diskurseve rreth teorive mbi kategorizimin e shtresave sociale, siç kanë qenë për shembull çekët, hungarezët, sllovenët e polakët edhe pse duke jetuar po si shqiptarët në bllokun e hemisferës komuniste. As pas rënies së sistemit monist, shqiptarët nuk kanë ndërmarrë ndonjë «aksion» intelektual e shoqëror për të hequr kadavrat totalitare nga mentaliteti, historia dhe sjellja e tyre sociale. Gjendje kjo që na shpëton nga burimet e koklavitura shkencore dhe na detyron t’i besojmë analizës sonë spekuluese të perceptimit të elitave nga mediat, institucionet dhe masat. Kë e konsiderojnë shqiptarët si elitë?

Në kushtet shqiptare njihen vetëm dy kategori: elita politike dhe ajo intelektuale. Në këtë të fundit futen të gjithë ata që kanë të bëjnë diçka me shkencat humane. Në të parën gjithë ata që bartin poste politike. Elitë ekonomike, religjioze, ushtarake e kategori të tjera nuk ekzistojnë. Përderisa elita politike pranohet si e tillë vetëm atëherë kur një numër i madh i intelektualëve (sidomos më herët dhe në kushte të krizave nacionale) involvohet aty – përndryshe nocionin elitë e zëvendëson ai i banditizmit dhe tradhtisë –  elita intelektuale (si perceptim) është më permanente. Në këtë kategori futen të gjithë ata që konsiderohen si të «mençur», me shkollë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, historianë, filozofë, sociologë, akademikë, mësues e kështu me radhë.

Si shumica e nocioneve tek shqiptarët edhe ky i elitës është banalizuar deri në atë shkallë saqë ka humbur çdo kuptim e domethënie. Ngjashëm me stilin e proletariatit rus, i cili rekrutonte si elitarë gjithë ata që donin partinë dhe ideologjinë shpallin edhe shqiptarët (si masë) elitarë gjithë ata që «luftojnë» për mëmë, atë, dhé e etni. Pra kemi një perceptim që elitat i fabrikon sipas «meritave» (meritokracia) politike (ideologjike) e jo sipas parimit bazë që vjen nga iluminizmi, e i cili, siç thamë më lartë, e ka fjalën për intelektualë që me programet e tyre intelektuale lëvizin procese shoqërore. Për nga forma pra kemi të bëjmë me një qasje iluministe ndaj elitave (për të mirën e të gjithëve) e në praktikë mbizotëron sjellja kuazimeritokratike (kush i matë meritat, kush i standardizon ato si të tilla?).

Kështu po spekulojmë se perceptohet elita nga masat. Se si reflektojnë vetë ata që besojnë të jenë apo janë pjesë e elitës mund të përshkruhet edhe shumë më lehtë. Ata që vërtetë janë elitarë nuk e dinë të jenë të tillë e ata që nuk janë ditenatë e deri në skizofreni bëjnë çmos që t’i dalin zoti titullit të fituar nga «mileti».

Si është puna tash kemi apo jo elitë, së paku, intelektuale?

V. ARBËN XHAFERI NUK ËSHTË MOHIKANI I FUNDIT

Padyshim. Shqiptarët kanë intelektualë. Arbën Xhaferi ishte vetëm njëri prej tyre – madje edhe atëherë kur dukej se po gabon epokën me hiperbolizimet e tij mbi racën që i takon. Ka edhe të tjerë që për nga potenciali dhe reflektimi mund tu dhuronin shoqërive shqiptare shumë. Ata janë detyruar në një egocentrizëm të egër mbijetimi. Do madje janë bërë edhe pjesë e po atyre lloj pushteteve që gjenden në kundërshtim me çdo parim të tyre etik e intelektual, për çështje mbijetese thonë.

Vjen gjithë kjo nga qëndrimi i mësuar prej filozofit francez Jean-François Lyotard. Kur zëdhënësi i qeverisë franceze ftoi intelektualët të debatojnë për të kërkuar rrugën se si të dilet nga lloçi ku ishte zhytur Franca, ky, Lyotard shpalli intelektualin të vdekur («Gurëvarri i intelektualit», Le Monde, 16 korrik 1983) duke thënë se ai  formati i intelektualit të dikurshëm që luante rolin e nxitësit të ndryshimeve me votën dhe besimin e masave, pra intelektuali iluminist, ka cofë, sepse postmoderna është epoka e konkurrencës individuale dhe e specializimeve.

Nuk besojmë se elita shqiptare ka përqafuar këtë botëkuptim. Historia e fundit në hapësirat shqiptare dëshmon krejtësisht diçka tjetër. Si ta kuptojmë atëherë mërdhirjen e tyre? Janë hidhëruar sepse pushtetet shqiptare nuk i lusin në debate të tilla siç bëri qeveria socialiste franceze dikur?

Si më reale imponohet ajo hipoteza e eliminimit nga skena me dhunë. Në një shoqëri ku burokracia (Bërrylokracia) është aq e pamëshirshme si në hapësirat shqiptare elitës nuk i mbetet hiçgjë tjetër përpos të kërkoj azil në izolim.

VI. «ELITAT» NË AKSION

Po shohim se problemi nuk qëndron në atë se kemi keqkuptuar nocionet «elitë», «meritokraci» e të ngjashme apo se shqiptarët nuk kanë personalitete me mendje elitare, porse ata, shqiptarët, elitarët i identifikojmë vetëm kur vdesin, ndërsa gjersa janë gjallë i përdhunojmë skutave duke i injoruar, duke i poshtëruar dhe jorrallë duke i vdekur për së gjalli me vlerësimin tonë bardh e zi o tradhtar o shqiptar. Kur flet ndonjë zë elitar ne nuk e përfillim sepse jemi kureshtar të shohim se çka prodhuar mendja e tij, por për të kontrolluar se mendimet e tij a përputhen me ato stereotipet, mendimet dhe besimet tona. Ora e intelektualëve servilë është.

Shqiptarët nuk i dëgjojnë elitarët e tyre sepse ua prishin sistemin e mbijetesës sociale. Në vend të mendimtarëve, profesionistëve, diplomatëve dhe individëve tjerë meritorë institucionet e shoqërive shqiptare i udhëheqin fiset. Shqiptarët priren nga «akademikë» me disertacione që në FAZ, Times, Le Monde apo NZZ as si raport mesatar nuk do t’i kishin pranuar, sish që nuk kanë marrë postet sepse kanë merita, porse o janë të privilegjuarit e kastës aktuale pushtetare o i kanë bërrylat si të atij drejtorit të teatrit. Bërrylokracia ka primatin në shoqëritë shqiptare e jo meritokracia neoliberale apo neoiluminizmi i zgjuar vonë Ballkanit tragjik. Kjo është gjendja.

VII. ETIKA E LIGJËRATAVE POSTMORTORE

Nuk duhet ta korruptojmë shpirtin deri në atë masë saqë të dyshojmë në sinqeritetin e kryeministrit kosovar kur mbante fjalimin për të ndjerin Arbën Xhaferi. Ashtu siç nuk mund të prostituojmë karakterin tonë duke mbyllur sytë para realitetit që prodhon mënyra e sundimit të tij politik, para këtij realiteti aparatesh pushtetare të mbipopulluara me divizione bërrylokratësh.

Kështu lotët tona gjatë varrimit të «mohikanëve tanë të fundit» shumëkush mund t’i marrë si aktrim kur sheh varrin masiv në të cilët gjenden të gjallit tanë.

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.