Për pare, fé e atdhe

Demokracia nuk po ecë. Idenë e tregut të lirë e tjetërsuam në treg të zi. Religjione të caktuara kërkojnë rend shoqëror, i cili qysh në mesjetë shihej si i prapambetur. Nga ky dezorientim përfitojnë radikalët e çdo sekti e tabori të mundshëm.

Bernë, gusht 2012 – Saherë që subjektet ndihen në krizë ekzistenciale, ideologjitë, religjionet dhe utopitë bëjnë gati instrumentet për dasmën e tyre të radhës. Predikuesit e doktrinave dhe féve e dinë se aty ku është skamja, dezorientimi shoqëror, politik e social aty i kanë pacientët, klientët e tyre të sigurt.

Që nga shpërthimi i krizës globale financiare zëri i transcendentëve është bërë veshplasës. Motoja e tyre – asgjë e re – është: nuk ka shpëtim nga sistemet që i ka prodhuar mendja e njeriut! Perënditë e tyre po na kthehen marshueshëm dhe puthin çdo dhi të përhumbur ndërurave të metropoleve europiane. Edhepse profetët kësaj radhe kanë veshur jeans-a, enden lartë poshtë me iphon-ë ata nuk ofrojnë ndonjë mendësi ndryshe nga ajo që qytetërimi e njeh qe mijëra vjet. Përkundër kësaj ata festojnë «ditën» e tyre dhe masat, njerëzit u ngarendin pas si kopé lopësh që kanë mbetur asht e lëkurë.

Profesori i London School of Economics John Gray, njëri nga filozofët më të rëndësishëm sapo hulumtoi tendencën bërtiti me sa zë që kishte: «Ju kanë lënë mendtë? Nuk keni mësuar asgjë nga historia? Larg duart nga politika apokaliptike e religjioneve dhe doktrinave» («Politika apokaliptike», München, 2009/2012). Pak e dëgjuan e shumica e «diskualifikuan» si ateist të radhës. Sot, disa vite më vonë, edhe ata që e stampuan si panikbërës e kanë bërë atë referencën kryesore për t’i ngritur teoritë e veta rreth rreziqeve të «reja», dhe më e rëndësishmja; kritikët u dorëzuan dhe pranuan se John Gray s’ka të bëj me ateizmin, por me terrenin, ai nuk ideoligjizon por përshkruan me përpikëri problemet aktuale.

EKSKURSI I PARË

Në mediat shqiptare tashmë kanë rënë kambanat e para të alarmit. Fundamentalistë mjekroshë, të ardhur apo të shkolluar nga përtej urës së Bosforit radikalizojnë, respektivisht instrumentalizojnë shoqëritë shqiptare deri në atë shkallë saqë përmbyskan tolerancën aq të lavdëruar ndërfetare. Psika shqiptare sërish në rrezik! Kësaj radhe ajo nuk qenka në rrezik vetëm nga serbët që këmbeduar luftojnë kundër mëngjesit për të mos dalë nga ëndrrat, por edhe nga ish-komunistët e tjetërsuar në imamë, nga nacionalistët e shndërruar në turbokapitalistë dhe nga patriarkët e egërsuar në kauboj. Turmën më të madhe megjithatë e përbëkan ata që ende nuk kanë vendosur nga t’ia mësyjnë.

II. KOMUNIZMI VDIQ – RROFTË KARL MARKSI

Terry Eagleton tha: «Komunizmi vdiq, kapitalizmi është i sëmurë – rroftë Karl Marksi» («Pse Marksi ka të drejtë», Berlin 2012). Historiani  Manfred Hildermeier («Historia e Bashkimit Sovjetik 1917 – 1991», München 1998), i cili një jetë ia ka kushtuar studimit të anatomisë së sistemeve socrealiste shtrëngon kryet me duar dhe nuk e kupton botën. Emeritusi oksfordian Archie Brown («Ngritja dhe rënia e komunizmit», London 2009) qesh prej zori.

Che Guevara i shkencave të historisë Eric Hobsbawm del pro teorisë së Terry-t («Si ta ndryshojmë botën – mbi Marksin dhe marksizmin», München 2012) dhe elegantshëm degradon habinë dhe shokun e të tjerëve si mosdije. Ata – kështu Hobsbawm – historianë që mendojnë se ka perënduar koha e Marksit, duhet të gjejnë rrugë për të dalë jashtë arkivave të tyre dhe të ballafaqohen me botën dhe kohën e sotme. «Asnjëherë më parë, si tash, Karl Marks nuk ka pasur sukses» i thotë ai magazinës gjermane «Philosophie» (Nr.05/2012). Epoka e njëmendtë marksiste tash ka filluar, siguron Hobsbawm. Edhe ky mendon se zhdukja e shteteve socialiste jep mundësi që Marksin ta kuptojmë ndryshe, drejtë, ashtu siç është.

Nuk ka dyshim se as Hobsbawm dhe Eagleton një kohë të gjatë nuk e paskan shkundur pluhurin e arkivave nga vetja. Ta kesh Kinën, Korenë, Kubën përballë dhe të konstatosh se ka vdekur mosrealizimi, është më shumë se të jetosh në mjegull. Socializmi real i këtyre vendeve ende pretendon komunizmin si finale. Pra komunizmi në formën që ishte, është ende, ai nuk ka vdekur.

Filozofi Slavoj Žižek ka gjetur formulën se si të shpëtoj dy të lartë cituarit nga paradoksi i tyre: «Komunizmi është idé e përjetshme. Ai në situata të reja duhet të zbulohet prej fillimi» shkruan marksisti slloven  në librin e tij «Shpirtrat e këqij të sferës qiellore – Lufta e majtë për shekullin 21» dhe sipas tij – siç thotë edhe Hobsbawm – tash është një kohë e tillë. Mungon vetëm thirrja proletarëve dhe një internacionale e re. Kënga How We Do (Party) e Rita Orës do të ishte një propozim fantastik. Sidomos refreni i parë i këngës: «And party and bullsh-it / And party and bullsh-it (…) do ta detyronte edhe vetë Stalinin të braktis varrin.

EKSKURSI I DYTË

Kur nisi moderna 99 përqind e shqiptarëve ishin analfabetë. Ende pa marrë vesh se në cilën epokë gjenden ata u bënë pjesë e sferës së skuqur të kontinentit. Marksin dhe Leninin e njohën nga radiot dhe pamfletet e parakomunistëve, shumica e të cilëve as vetë nuk dinin të lexojnë.  Kur ia nisën të lexojnë, Marksi kishte kohë që ishte kthyer muzeve, në vend të doktrinës së tij shqiptarët «kënaqeshin» me direktivat faraonike të despotëve të tyre e të huaj. Përveç floskave dhe parullave bajate të shkëputura nga «manifesti komunist», si masë ata as sot duket se nuk dinë gjë më shumë. (Po të dinin se Marksi dhe Engelsi dikur kërkonin «shlyerjen e barbarëve sllavë nga faqja e dheut»  («Neuen Rheinischen Zeitung», Nr. 149 vom 13. Januar 1849) ndoshta ende nuk do të kishin hequr statujat e tyre nga odat dhe zyrat. Ndoshta?)

Disa qindra të shkolluar në sistemin e vjetër që pjesën ideologjike të marksizmit e kishin mësuar përmendsh qëmoti janë konvertuar në patriotë apo ekstrafetarë. Shumë pak kanë mbetur ata që do të merrnin guximin me zë të reflektojnë mbi marksizmin si rrugë të mundshme shpëtimi.

Nga diktatorët e tyre mirëpo – masat- me sukses kanë përvetësuar mënyrën e funksionimit në shoqëri. Po u bëmë një analizë partive, shoqatave dhe organizmave tjera shoqërore lehtë do të vërejmë se procesi funksional demokratik është vetëm fasada e hollë e një sistemi të vjetër: atij totalitar, me elemente të mbijetuara të patriarkalizmit feudal. Apelet për konfrontim me të kaluarën komuniste, siç bëri këto ditë e shoqja e Diogardit Shirley, mund të dalin vetëm nga njerëz që shqiptarët i njohin vetëm nga perspektiva e réve. Enverizmi nuk ishte komunizëm. Ashtu edhe titizmi. Komunizmi si ide as që i ka mbërri ndonjëherë tokat shqiptare. Socializmi nuk ishte sistem por maskë e krimit të organizuar politik.

Analiza përplotë shpresa e marksistëve Hobsbawm, Eagleton dhe Žižek mund të ndez në Venezuelë apa diku tjetër, tek shqiptarët ajo as gjasën më të vogël nuk e ka. Fat apo tragjedi? S’ka lidhje. Ky është realiteti.

III. POSTDEMOKRACIA

Me vdekjen e Tony Judt neoliberalët humbën avokatin e tyre kryesor. Për të kompensuar këtë vakum një ringjallje ceremoniale përjeton antimarksisti Sir Karl Raimund Popper 1902-1994). Eseja i tij kundër marksizmit «Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj» botohet në të gjitha variantet dhe gjuhët e mundshme. Shumica e intelektualëve me zë që deri dje mbronin neoliberalizmin kanë ndërruar frontin. Nuk janë bërë marksist, por as neoliberalizmit nuk i besojnë. Do prej tyre madje po si shqiptarët nuk e dinë se ç’ kompasi do t’i shpëtonte nga hutia.

«Valës globale të demokracisë liberale», që shpërtheu me rënien e murrit të Berlinit, i është zënë pra fryma në gjysmë. Diagnostikët e sistemeve politike kërkojnë terme të reja për të përshkruar situatën më të re. Politologu Colin Crouch i Universitetit të Warwick-ut ka dhjetë vite që e mban një në xhep: Postdemokracia (Post-democracy, Polity, Cambridge 2005)! Kështu duhet pagëzuar epoka e shekullit 21! Dhe në librin e dytë « Mbijetesa defektuoze e neoliberalizmit» (Cambridge 2005) lavdërohet se qysh në librin e parë kishte të drejtë kur thoshte se «Demokracia nuk është në rrezik nga religjionet dhe marksizmi, por nga koncernet transnacionale që sabotojnë tregun e lirë dhe akumulojnë pushtetin dhe financat vetëm në disa qendra të caktuara». Kërkesa e tij prandaj është që njerëzit ta qëndisin sa më shpejtë një doktrinë të re, atë të konsumatorëve. Konsumatorët duhet të ilumunihon deri në atë masë që mos të lejojnë përqendrimin e kapitalit siç bëhet tani.

Edhe një utopi më shumë? Madje po aq paradoksale si ajo e Euromarksistëve të Hobsbawm-it. Baza e neoliberalizmit është tregu i lirë.  Nëse presim që humaniteti dikur të heq dorë nga kompjuterët për t’ia minimuar kapitalin Bill Gates-it, atëherë gjatë e deri në kapitullim do të pres bota.

EKSKURSI I TRETË

Edhe në këtë rrafsh shqiptarët të vonuar. Ata ende pa e mësuar demokracinë qoftë edhe në letër bota flet për postdemokraci. Është thënë pra disa herë se Transicioni (instalimi i demokracisë dhe tregut të lirë) edhe në shoqëritë shqiptare nuk ka pasur sukses. Po si në shumë vende tjera të botës së «tretë» ashtu edhe në hapësirën shqiptare para tregut të lirë u preferua tregu i zi. Këtu nuk janë fajtorë vetëm partitë dhe politikanët që janë të detyruar të sigurojnë elektorat, por madje edhe më shumë ai tip mentaliteti që korruptohet për ta pasur inkuadrimin në sektin e parakapitalistëve dhe atë të kastës së parë shoqërore sa më lehtë që është e mundur. Pasurimi pa djersë është metoda më e përhapur ndër shqiptarë. Edhe po u çuan nga varri Marksi dhe Adam Smith vetë për tu sqaruar shqiptarëve se ç’ është drejtësia shoqërore ata nuk do ta zgjedhin problemin e tyre, sepse origjina e problemeve të tyre më shumë sesa nga ideologjitë e transportuara është e shtëpisë. E konfrontimin me vetveten – si shumica e popujve të Ballkanit – shqiptarët e urrejnë më shumti.

IV. POLITIKA APOKALIPTIKE

Qenie në kushte të rënda sociale, të rinjtë që nuk dinë se si do të duket e nesërmja e tyre, të shkolluar të zhgënjyer që nuk i përfill kush, njerëz me përjetime të rënda e të lënë anash nga shoqëria, pleq që fëmijët e tyre i kanë hedhur në bodrum, injorantë që për shkak të kompleksit të tyre të inferioritetit karshi të tjerëve janë në gjendje të shndërrohen në bombë dhe njerëz që nuk funksionojnë pa ideologji  dhe konvertojnë nga një ekstrem në tjetër, janë vetëm disa nga kategoritë sociale që gjenden rrugës për të gjetur «shpëtimin». Janë gjenerata disa herë e shumëfish të zhgënjyera me sisteme politike (realsocializmi, demokracia, etnokratia) dhe kanë humbur çdo besim në to. Në vendet me një krizë permanente ky proces edhe pse kontradiktor (kanë nevojë për bukë e pajtohen me ideologji që u premton komoditet veç pas vdekjes) historikisht është i natyrshëm. Kjo gjendje i bën religjionet atraktive. Ato tashmë e disa vite kanë nisur harikirinë e tyre gjithandej.

Njerëzit kanë humbur kuptimin e jetës. Dhe kurrë nuk e gjejnë atë në tokë e kërkojnë në qiell, mendon John Grey me të drejtë. Sado absurd e kontradiktor që të jetë ky fakt terreni na bind se religjionet apokaliptike, ato ekskluzioniste (vetëm Zoti im ekziston), ato që rekrutimin e realizojnë ndërmjet frikës dhe kërcënimit sistematik (po nuk erdhe me ne mbaron në ferr) janë rrezik për funksionimin dhe zhvillimin e shoqërive në krizë. Sidomos aty ku dhuna legjitimohet si mjet i domosdoshëm. Aktualisht në këtë drejtim islamizmi (jo Islami), si doktrine politike me synime ekspansioni (shpëtimit të botës!?) mban flamurin.

EKSKURSI I FUNDIT

Shoqëritë shqiptare aktualisht nuk janë të ndeshura me marksistët e përdhosur, kryqëzatat e as me budizmin, por me turbokapitalizmin e egër dhe islamizmin radikal që ka filluar të përlajë pjesë të shoqërive të tyre. Mediat dhe gazetarët nuk mund të shpikin fenomene që nuk janë. Ata përshkruajnë terrenin dhe tendencat. Mund të diskutojmë për karakterin e Islamit si histori e si religjion, ashtu siç mund të debatojmë edhe për fétë tjera. Çka mbetet i padiskutueshëm është fakti  se liderë dhe organizata islame indoktrinojnë masat me mekanizmin e dhunës. Ata marrin në mbrojtje terroristë. Difamojnë rendin e synuar shoqëror si antizot dhe preferojnë Sharia-n. Nënçmojnë dhe shajnë personalitete të historisë shqiptare për arsye se janë të besimit tjetër. Fusin atmosferën e frikës ndër skamnorët dhe shtresat e viktimëzuara nga shteti. Nxisin dhe përçajnë. Tjetërsojnë identitetin historik e aktual të shqiptarëve dhe rrezikojnë të jenë destabilizuesi i çdo përparimi.

Alarmi për të ndërmarrë – siç bëhet gjithandej – diçka kundër tendencave të tilla nuk rezulton nga urrejtja  ndaj besimtarëve islamë që kanë kuptuar se nuk gjendemi në shekullin 15 por në atë 21, por ndaj të sëmurëve brenda tyre. Shoqëritë shqiptare kanë probleme të mëdha edhe një më shumë do të fundoste ato në kaos, dhunë dhe krim.

V. IDE PËR DISKURS

Urtia vjen nga India. Nobelisti dhe profesori i Oksfordit Amartya Sen pranon se demokracia si sistem nuk është i përkryer, mirëpo mendon se ato vende që ia kanë dalë që Kartën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ta praktikojnë me përpikëri brenda ligjësisë dhe sistemit të tyre politik rezultojnë shumë më shumë barazi shoqërore dhe racionalitet se sa gjithë të tjerat («Ideja e barazisë», München, 2012).

Shqiptarët po duket se nuk e duan marksizmin, neoliberalizmi nuk e di as vetë çka donë, demokracia e dëshiruar sabotohet nga mentaliteti dhe probleme tjera specifike interne, religjionet po na kërcënohen me rende që edhe në mesjetë kishin probleme legjitimimi. Një shoqëri të këtillë pa sistem dhe pa orientim nuk e donë kush. Mendojnë shteti, akademitë dhe «elitat» për këtë punë apo të pranojmë studimin e profesoreshës së etnologjisë kognitive pranë Universitetit të Göttingen-it Julia Fisher («Shoqëria e majmunëve», Berlin 2012) si sistem të mundshëm shoqëror. Më mirë se kështu!

(Botuar në KOHA Ditore, INA dhe Voalonline.ch)

 

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.