Mjerimi i lapsave

Gazetarët bastisin e shkundin çdo fjalor për t’i qëndisur shkrimet me sa më shumë nocione e definicione që as vetë nuk i kuptojnë: do mbrojnë, do shajnë, do s’dinë çka bëjnë e ca të tjerë kanë lënë gazetarinë për qeverinë.

Të njëjtën gjë e bëjnë edhe «ekspertët» kur flasin për problemet sociale e politike; këta madje belbëzojnë aq turbullt dhe irritueshëm saqë të bëjnë t’i mallkosh gjithë ato shkolla ku kanë rrëmbyer diplomat. Imamët, priftërinjtë, gurutë dhe ateistët deklamojnë zhurmshëm dhe pandalë diagnozat mbi vetveten. Krejt qortojnë shtetin, «miletin», mafinë politike, atë kulturore, kërcënojnë ditën dhe natën dhe të gjithë së bashku i pinë do litra birrë që t’i zë gjumi. Gjithë këto «kasta» janë protagonistë të gjallë të dramës shqiptare, të luftës së saj për ekzistencë. Me gjithë të këqijat dhe të mirat që grupet e lartëradhitura kanë, një gjë nuk ua mohon dot: atë bëjnë diçka, ata janë të gjallë. Veprojnë sipas botës së tyre.

By the extraordinary French street artist and illustrator Dran

Vetëm një racë heshttë. Ose flet me vetveten. Ajo e shkrimtarëve, artistëve. Përveç karikaturave të Jeton Mikullovcit nuk ka vepra arti, ekspozita që do të manifestonin përuljen apo demonstrimin ndaj realitetit. Nuk ka vepra tematike letrare që do të lavdëronin ose karikonin primatët e politikës, kulturës, ekonomisë e kështu me radhë. Nuk ka as protesta formë deklaratash grupore intelektuale që do t’ia fusnin me çekan kokës mjerimit social, padrejtësive të shumta; nuk ka as mbështetje publike për të diskriminuarit e shoqërisë, për viktimat e padrejtësive. Nuk ka hiçgjë në këtë drejtim.
Ç ‘kualifikimi t’iu bëjmë elitave letrare e artistike të këtij soji? Si t’i përshkruajmë? T’ia nisim me figurën e romanit të John Le Carré «spioni që erdhi nga ftohti». Po si kryepersonazhi i Cornwellit Alec Leamas i sheh shkrimtarët dhe artistët tanë të futen dridhshëm dhe me pardesy kancelarive ku kërkojnë honorarët, ku lypin ndonjë shërbim apo sponsorizim për librin që donë ta botojë, për ekspozitën që donë ta mbajë, për vajzën që veç se nuk i plasin trutë nga gjenialiteti, për të birin që ka parë ëndërr të jetë ministër i ushtrisë, për gruan që ka shtat diplomateje e kështu deri në delirium.
Jo, jo nuk kërkojmë që krijuesit të veprojnë si vv-istat që donin me dhunë të futen institucioneve e që xhandarët me plisa i stupcuan deri në alivanosje. Jo. Ne na mungon vox-i i kësaj kategorie intelektuale, krijuesish dhe vetëm pyesim; cili është mesazhi i tyre për mënyrën se si ecë demokracia në Kosovë? Janë të pakënaqur? U kënaqën nga lezeti dhe shëndeti? Në cilën ekspozitë kolektive shprehën piktorët sytë e tyre se si i gjykojnë zhvillimet në shoqëri. Në cilin libër artistik gjetët të portretizuar femrën krahëkëputur që mezi e mbajnë këmbët duke qëndruar gatitu për të mbushur gotat me çaj dhe mezi marrin frymë nga tymi që prodhojnë pa shkëputje musteqoshët tanë? Në cilën deklaratë publike patë të grumbulluar dhjetëra lapsa që protestojnë për kapjen e mediave? Sa intelektualë u çuan peshë gjithandej tokave shqiptare për ta qortuar qeverinë shqiptare kur i digjeshin viktimat e djeshme e të sotme?
Nuk do e kërkonim këtë përgjegjësi nga mjeshtërit e lapsave tanë të thyer nëse opusin e shumicës së tyre ta përbënin sagat science-fiction, si atë të Star Trek e të ngjashme ua fusim me grusht trurit sepse shumica e veprave të tyre veçse nuk vjellin nga patriotizmi, atdhedashuria, folklorizmi. Është ky atdhe që e deshët ju, këto shoqëri shqiptare që lëngojnë djers e gjak nga mallkimi dhe mjerimi? Është kjo liria juaj që vetëdigjet me benzinë, janë këto shtetet dhe pavarësitë që aq këngë e aq piktura iu dhuruat e që sot përdhunohen nga politkriminelët më të shpifur të Ballkanit. Jo? Pse heshtni? Nuk doni ta prishini dasmën e Pavarësive, të cilat kurrë nuk qemë të zot t’i bëjmë vetë as me laps e as me pushkë.
Apo duke ua futur pavarësive kolektive të shumta keni fituar tuajën, pavarësimin nga vetvetja!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.