“Gastarbajter”-ët e Hivzi Islamit

1.

Pushteteve shqiptare mund t’iu falet shumëçka, mirëpo jo edhe tendenca për të futur nën kontroll total institucionet e dijes, akademitë, universitetet e kështu me radhë. Shqetësimi i parë se diç e tillë po ndodh na erdhi nëpërmjet një teksti të Naser Aliut «Injoranca dinamike», ku autori protestonte ndaj ndërhyrjes së qeverisë Thaçi në emërtimin e Universitetit publik. Informata indikative që qeveritë po manovrojnë me strategji të tilla të ulëta morëm edhe gjatë emërimit të rektorit, i cili edhe pse ka mbaruar fakultet nuk është as afër një curriculumi dinjitoz për t’u instaluar në postin që ka pranuar.

Kjo është vetëm njëra anë që na përdhunon nervat tona si ashtu të stërholluara. Tjetri shqetësim, madje edhe më katastrofal vjen nga goja e të parit të ASHAK-ut. Hivzi Islami në një intervistë me të përditshmen kosovare «Express» lëshon një seri akuzash ndaj një deputeti me emrin Ramë Vataj, i cili si duket qenka koordinatori i realizimit të kapjes mafioze të ASHAK-ut nga ana e PDK-së, respektivisht pushtetit. Hivzi Islami bën mirë që flet. Ai bën shumë keq se si flet. Ai flet si një funksionar ordiner që nuk duhet ta mbajë ngrohtë karrigen që ia kanë besuar. Sidomos për insinuatat që ka ndaj emigrantëve. Ja çfarë fjalori përdor kryeakademiku:

Foto by Express

[box style=“quote“]«Ramë Vatajn, të këtij laborantit të kimisë, të gastarbajterit, i cili në kohët më kritike e braktisi Kosovën dhe Universitetin, dhe që as sot e gjithë ditën nuk jeton me jetën e Kosovës. E hëngri bukën e mandatit të dytë të F. Miteranit, të dy mandateve të Zh. Shirakut, të një mandati të N. Sarkozysë dhe tash po e hanë bukën edhe të F. Olandit, meqenëse tërë familjen e ka në Francë; edhe vetë i gëzon të gjitha të drejtat e azilantit mashtrues. Mashalla, i ”syrgjynosuri”, i kthyer triumfalisht si “shkencëtar”, por edhe si “atdhetar”, duke dhënë nasihate politike-partiake, po na bënë edhe Ligjin për Akademinë.»[/box]

2.

Nuk e njohim Vatajn. Objekt analize i kemi kualifikimet sugjestionuese të akademikut. Vataj qenka azilant mashtrues se paska lëshuar Kosovën në kohën më kritike (cila është ajo?). Sepse Miterani, Sarkozi dhe Olandi i kanë dhënë bukë familjes së tij. Sepse qenka kthyer triumfalisht si «shkencëtar» dhe «atdhetar», pra një «gastarbajter» që nuk e ka vendin aty ku është.

Siç potencuam nuk na intereson Vataj si person por truri i akademikut se si e koncepton emigrantin: Gjithë ne që hamë bukën e shteteve perëndimore qenkemi parazitë, azilantë mashtrues që s’mund të jemi as shkencëtarë e as atdhetarë. Ashtu a?

3.

E lëmë atë se çka ka bërë diaspora deri dje për të mbajtur Kosovën ekzistencialisht gjallë. Flasim për sot. Shumica e tyre që kanë ikur kanë arsyet e veta (përndryshe nuk i kishin lënë këndej) ashtu siç kanë arsyet e tyre ata që kanë mbetur në vend (përndryshe nuk kish qëndruar atje). Ndër emigracionin shqiptar natyrisht se ka edhe azilkërkues (as simbolikisht aktualisht) që janë të detyruar të jetojnë nga asistenca shtetërore. Pjesa dërrmuese mirëpo punon çdo ditë për të siguruar mjete financiare për vete dhe për familjen në Kosovë.

Universitetet gjithandej Zvicrës, Gjermanisë, Francës e gjetiu janë përplot asistentë, doktorë, studiues me origjinë kosovare, të cilët dita ditës po bëjnë emër nëpër fusha të ndryshme të shkencave. Shkrimtarë dhe gazetarë tash kanë bërë emër lartë poshtë Perëndimit. E kështu me radhë. Stereotipet e Hivzi Islamit nuk kanë të bëjnë me realitetin strukturor të diasporës shqiptare, por janë një vrer i çuditshëm që jorrallë e marrim si mesazh nga vendet tona të origjinës.

Një lloj apeli për moskthim. Një shtresë e njerëzve në vendet tona i ka problem emigrantët që kthehen me diploma, që lënë infrastrukturën dhe kushtet e leverdishme evropiane dhe ia mësyjnë Kosovës. Ky apel dhe ky racizëm social bëhet edhe më i dhimbshëm kur del nga goja e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës. Pra një institucioni ku kemi besuar të kemi kokat e zgjedhura të inteligjencies kosovare.

4.

Ne kuptojmë mllefin e Hivzi Islamit ndaj deputetit që qenka në aksion e sipër të infiltrojë ASHAK-un politikisht. Por edhe ai duhet të na kuptojë ne se pse mendojmë se ai nuk ka më dinjitetin e nevojshëm për të mbetur në atë funksion. Pensioni shpesh shërben edhe si terapi.

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.