(Anti)nacionalizmi shqiptar

HISTORIA E NJË DEBATI. Dy modele nacionaliste iu imponohen shqiptarëve: I pari kërkon prej tyre ta përqafojnë etnonacionalizimin, ndërsa i dyti apelon për një patriotizëm kushtetutar. Shkencëtaret kërkojnë diçka të tretë. Se çka duan masat nuk di kush gjë. Historia e një debati të kamufluar.

Njëra palë e paraqet etnonacionalizmin shqiptar si lugat moroz që mezi pret natën për t’i tmerruar gjithë ata që tërbueshëm ngarendin që së paku kësaj radhe ta zënë epokën me kohë. Tjetra palë mundohet me laps, simbole, me djersë e ulëritje dridhëse ta bind opinionin se etnonacionalizmi shqiptar nuk është si tjerët, por Gabrieli vetë, ai engjëlli kryesor i Zotit që ushqen humanitetin me vizione paqësore. Kundërshtarët e etnonacionalizmit kanë mobilizuar tonelata citatesh nga diskurset kontroverse intelektuale të perëndimit për të denoncuar teorikisht dhampirin që sipas tyre ka mbetur i gjallë bodrumeve të Prizrenit e Vlorës që nga koha e osmanlinjve. Etnonacionalistët, sidomos tash, në këtë sezone kuqezi të flamujve, miteve dhe simboleve kanë ndezur turbogjeneratorët e tyre, kanë hapur librat e historisë shqiptare dhe tentojnë të dëshmojnë se pse nacionalizmi me tirqe është i domosdoshëm, i shenjte dhe model për gjithë botën.

ilustrim

Po të bastisim gazetat e disa mujave do të vërejmë se kjo temë jo vetëm tash gjatë festave të 100 vjetorit të pavarësisë së Vlorës është aktuale, por ajo është njëra nga më permanentet në mediat shqiptare. Polemika është rrallë frontale e shpesh e shpërndarë dhe pa adresatë konkretë. Qëndrimet janë të qarta: shqiptarët janë nacionalistë (dhe atë specialë) dhe shqiptarëve nuk ju duhet etnonacionalizmi (çka donë të thotë se ka) por vetëm patriotizmi. Në thelb të dyja palët pohojnë të njëjtën gjë konform asaj thënies «shumë rrugë çojnë në Romë». Pse? Sa janë të drejta konstatimet se shqiptarët sot qenkan etnonacionalistë, patriotë, nacionalistë? Parasëgjithash shfaqen patjetër pyetjet se cili është motivi, natyra, legjitimiteti dhe synimi i këtij debati?

2. PARAKUSHTET E NJË DEBATI

Përtej gardhit shqiptar kështu hapen debatet për çështje si «nacionalizmi», «patriotizmi», «demokracia», «ksenofobia» etj. ndonjë institut shkencor apo ndonjë shkencëtar i afirmuar hulumton disa vite rreth temës, ta zëmë «Masmediat dhe demagogët». Ai bën anketa me përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë, grumbullon statistikat, vlerëson, krahason ato me të mëparshmet dhe në fund jep konstatimet, rezultatet para opinionit. Si zakonisht shkencëtarët e vjetër u dalin rezultateve të tyre në mbrojtje dhe publicistët, kritikët kërkojnë dobësitë e studimit. Hapet debati. Nis polemika pro et contra.

Si hapen debatet te shqiptarët? Ato shfaqen si ide dhe diskutohen publikisht herë në formë polemikë e kryesisht në formën e predikimeve apelativë morale. Bazë empirike nuk kanë. Apo na ka shpëtuar diçka?!

3. ARGUMENTET E ETNONACIONALISTËVE

Fondi argumentativ i këtij grupi janë librat e historisë, këngët, simbolet, mitet dhe festat, të cilat i marrin si dëshmi dhe manifestime nacionaliste të masave. Sipas këtij botëkuptimi shqiptarët janë një nga racat dhe kulturat themeltare dhe më civilizatoret e kontinentit. Shkaqet për «vonesat» epokale në konstituimin politik të kombit, formulimin e alfabetit dhe në krijimin e shumë faktorëve tjerë identitarë e shpjegojnë me krimin e vazhdueshëm të barbarëve përreth, të cilët i kanë penguar qëllimisht ta kapin me kohë rrotën historike. Edhe pse gjithmonë në gjendje të luftës për ekzistencë, mbijetimit, shqiptarët kanë traditat, kulturën dhe shumëçka tjetër që i karakterizon si njërin nga kombet më të shquara.

Etnonacionalistët kërkojnë nga çdo individ që t’i mbetet besnik prioritetit të kombit. Me një fjalë: Kombi mbi gjithçka! Se vetëm kështu shqiptarëve nuk do t’iu përsëritet historia dhe do të hyjnë me dinjitet në sallonet ku primatët e kombeve të shumta vendosin për fatet e planetit. Çdokush që vë në pikëpyetje këtë të «vërtetë» nuk është shqiptar i denjë, tradhtar pra!

4. ARGUMENTET E PATRIOTËVE

Doktrinën patriotike që shpërndajnë në praktike qeveritë shqiptare mund ta përmbledhim në këtë citat të kancelares gjermane Angela Merkel: «Patriotizëm është të pohosh historinë e kombit me të gjitha majat dhe dështimet e tij, ta përqafosh kulturën, gjuhën, këngët, të duash rajonet dhe natyrën e vendit, të respektosh njerëzit sipas të arriturave të tyre dhe përveç kësaj të bësh gjithçka edhe për të tjerët  në shoqëri me qëllim që Gjermania në sytë e botës të dalë model i suksesshëm[…]» (Die Welt, 9.11.2004). Kjo retorikë nxjerr në pak një nacionalizëm inkluziv, që do të thotë se parakushti për të qenë gjerman, respektivisht është të bësh për vete (të asimilohesh, shkrihesh) kulturën «homogjene» të kombit shtetformues.

Në gjuhën e teorive ky koncept quhet nacionalizëm inkluziv, sepse për dallim nga ai etnonacional që është përjashtues i dyti «nuk e diskriminon» askënd që pranon kombin kosovar, shqiptar. Së paku kështu deklarativisht.

5. Ç’THOTË SHKENCA?

Çka thonë për këto dy modele ata që kanë edhe përgjigjet empirike rreth nacionalizmave, patriotizmave dhe ideologjive tjera identifikative?

Sociologu i njohur gjerman Thomas Blank ndau – po si në debatin shqiptar – atdhetarët në dy kategori: në patriotë konstruktiv, të cilët duan atdheun e tyre pa urryer të tjerët dhe angazhohen në jetën sociale dhe në nacionalistë, të cilët janë shovenë dhe bazohen jo në sistemet e sigurisë qytetare si të parët por hiperbolizojnë vlerat etnike, hegjemonitetin kulturor, dominancën dhe janë ksenofobë. Këtë teori e demanton Prof. Wilhelm Heitmeyer i Universitetit të Bielefeldit, i cili udhëheq një hulumtim terreni që ka nisur në vitin 2001 në kuadër të Institutit për hulumtime interdisiplinare të konflikteve dhe dhunës (botohet çdo vit një vëllim me statistika dhe rezultate shkencore nën titullin «deutsche Zustände») i cili thotë: «Ndarja e njerëzve në nacionalistë dhe patriotë nuk ka bazë empirike, por është e motivuar politikisht». Njëri nga psikologët më në zë që poashtu me vite ka hulumtuar në këtë drejtim është edhe prof. Christopher Cohrs (Oxford University Press, 2012) e ky nuk sheh asnjë dallim ndërmjet etnonacionalistëve dhe patriotëve konstitucionalë: «Qytetarët, të cilët prioritet kanë kombin, pra identifikohen me të shumë shpejtë shndrrohen në intolerantë dhe ksenofobë. Njerëzit me ndjenja patriotike nuk refuzojnë nacionalizmin dhe nëse e bëjnë është e natyrës kozmetike». Këtë e mbështesin edhe studimet e psikologut Seymour Feshbach, i cili për vite me radhë ka eksperimentuar në këtë drejtim. Gjatë provimeve Seymour ka dhënë si detyrë tema që kanë të bëjnë me atdheun, patriotizmin dhe herë ka lëshuar këngë patriotike e herë jo, kështu për të analizuar transformimin e ndjenjës. Rezultati; «Provimet nën muzikë gati sa nuk të tmerrojnë për nga shovinizmi. Ato pa muzikë janë “patriotike”, ama të kthjellëta». Prandaj Seymour është i bindur se ndërmjet patriotizmit dhe nacionalizmit nuk ka asnjë dallim, thjeshtë sepse bëhet fjalë për ndjenja. Aty ku ndizet ndjenja e grupit, përkatësisë e hanë detyrueshëm Tjetri, sepse «njerëzit sa herë që ti pyesësh se çka mendojnë për atdheun e tyre, ata automatikisht bëjnë krahasimin e tij me tjerët». Këtu edhe qëndron sipas tij rrënja e çdo patriotizmi dhe nacionalizmi. Të njëjtën gjë e konfirmojnë edhe rezultatet e Institut të Heitmeyer-it.

6. ATDHEU DHE SHQIPTARËT

Të gjitha studimet e përmendura lartë janë bërë me masat e jo me ideologët. Do të ishte interesante sikur ndonjë institut a shkencëtar shqiptar vite me radhë do ta hulumtonte masën (subaltern studies) se çka mendon për modelet e sipër përfolura: Të pyeste ish-ushtarët e UÇK-së që mërdhijnë nëpër odat e tyre me xhama të thyer se si e ndjen veten të jetë qytetar i Kosovës së lirë; të pyeten të rinjtë që mezi presin ndonjë arsye apo rast që të ikin sa më shpejtë diku për arsye se nuk shohin perspektivë; të pyeten pensionerët që me të ardhurat që marrin as bukën nuk e sigurojnë gjatë gjithë muajit; të pyeten emigrantët se pse nuk kthehen nga dashuria në vendet e tyre të origjinës; të pyeten të papunët, intelektualët, gazetarët, shkrimtarët, publicistët, akademikët, bujqit, mësuesit se pse çdo mëngjes kur zgjohen e para që u bie ndërmend është ai Ligji i  Murphy’t («gjithçka që është për të dështuar do dështojë»)? Çfarë përgjigjesh do të dilnin?

Nëse shikojmë nga kjo perspektivë, nga kjo gjendje reale e shoqërive shqiptare padyshim dhe me plotë bindje mund të themi se jo teoria e Angela Merkel, ajo etnonacionalistëve do të na dilte si definicion, por ajo e Max Horkheimer-it që tha: «Patriotizmi në Gjermani është aq i tmerrshëm, sepse ai është aq i pabazë» (1959). Do të përballeshim me rezultate që – ashtu siç është e gjithë historia e shqiptarëve – të cilat do të na bënin të krenohemi para botës si njerëzit më pak nacionalistë të kontinentit, sepse për dallim nga gjermanët, francezët, gjermanët, zviceranët që megjithatë jetojnë në standarde ekonomike, politike e sociale shumë të mira, shqiptarët janë qytetarë shtetesh në krizë permanente ekonomike, sociale e politike. Kjo keq për qeveritë e partitë të cilat si duket s’iu pjell truri gjë më të mençme se sa vetëm nxitje e ndezje turbopatriotike, nacionaliste, por ndoshta i del mirës ardhmërisë së Kosovës.

7. KOHA E DEMOKRATËVE?

E thamë: Debati nuk ka asnjë bazë empirike. Askush nuk e di saktë çka donë shqiptari i sotëm. Grupimet me simbole nëpër festa kanë karakter temporal dhe nuk mund të merren si indikatorë identifikues të një mase. Ajo çka mbetet është polemika. Ajo vazhdon si kacafytje idesh opinionistësh që krijojnë korrelacione iluzore duke lidhur fenomene që nuk shkojnë asnjëherë bashkë. U pa se modelet në thelb kanë vetëm një dallim dhe atë kozmetik: njëri shfaqet si nacionalizëm inkluziv e tjetri si ekskluziv. Shkencëtaret thonë se dallimi real ndërmjet të dyve nuk ekziston.

Motivi i bartësve të dy modeleve lartë shihet se është imponues. Ata duan që shqiptarët të zgjedhin ndërmjet dy modeleve. Po çka nëse shqiptarët vënë prioritetin diku tjetër, në variantin e tretë? Atë që e proklamonin Jürgen Habermas dhe Dolf Sternberger e që sot përkrahet zëshëm edhe nga elitat shkencore gjithandej si psikologët dhe sociologët Daniel Bar-Tal (Izrael), Wilhelm Heitmeyer (Gjermani), Christopher Cohr (Britani), Seymour Feshbach (SHBA), pra çka nëse para të gjitha religjioneve politike, fetare, mbi të gjitha para historive dhe legjendave, gjuhës, fisit dhe gjakut shqiptarët pranojnë demokracinë dhe lirinë e fjalës si kriteret qendrore identitare? «Jo patriotët, por demokratët janë qytetarët ideal të shtetit. Ai që respekton demokracinë ka qasje krejt të kthjellët, të shëndoshë dhe kritike ndaj kulturës së vetë etnike», thotë Daniel Bar-Tal. Pse jo? Ndoshta kësaj radhe shqiptarët vërtet kanë zënë kohën dhe kanë filluar të prijnë në diçka. 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.