Pledoaje për «fuqinë e katërt»

1.

Asnjë skandal, qoftë ai edhe grahmëvrasësi i çdo vetëbesimi nuk e trondit më kosovarin e bërë lesh e li nëpër histori. Jo dhuna, krimi, mashtrimi dhe katastrofat natyrore habisin qenielodhurin e kërrusur bodrumeve sociale larteposhtë gjeografisë shqiptare, por ndonjë lajm adresëgabuar e pozitiv që ka dalë vjedhurazi nga imagjinata e ndonjë redaktori të dehur. Dasmat dhe festat nuk i përjeton ai për tu krenuar apo si demonstrim të vlerës së tij primaracore – siç akuzojnë mosnjohësit tok me dashakeqët e shpirtit shqiptar – por për ta harruar veten qoftë edhe vetëm për ca milisekonda.

Kjo është gjendja. Ajo më e poshtra dhe më e kobshmja e shumë popujve që ende nuk kanë kuptuar se si të ekzekutojnë demonët e tyre të brendshëm.

Në kulmin e kësaj drame vegjetojnë ato shoqëri të cilat kanë humbur çdo milimetër të tokëveprimit të tyre, nuk kanë askund hapësirë shprehjeje dhe u është suprimuar e drejta e alternativave. No space – no choice, thotë gazetarja dhe kritikja sociale kanadeze Naomi Klein (No Logo; 2001).

2.

Do përgjime nga laboratorët e zyrave të hetuesisë së Eulex-it mbytën optimistët e fundit të vetëcjes së demokracisë kosovare dhe vullkanizuan mllefin e pesimistëve të përhershëm. Qeveritarët e përgjuar thonë se audiot janë të falsifikuara dhe paralelisht – siç e kapi mprehtë një miku jonë në facebook – i pohojnë bisedat si origjinale duke thënë se janë të paligjshme. Të habit habia e optimistëve dhe të çorodit morali i mantelit pa astarë i pesimistëve. Të bën të ndihesh infantil loja e Eulex-it që banalizon «vjedhjen e përgjimeve» si akt të ndonjë urithi hajn edhe pse tashmë çdo analist mendjemprehtë ka informata për strategjitë konkurruese ndërmjet SHBA-ve dhe BE rreth çështjes se kush duhet ta qeveris Kosovën pas zgjedhjeve të ardhshme dhe dinë për instrumentalizimin e Eulex-it në këtë parakomplot.

Bisedat e përgjuara janë primitive, konform kapacitetit kalkulues të shtabeve politike të qeverisë kosovare, në përputhje me historinë e deficitit intelektual të të gjitha qeverive shqiptare deri sot.

3.


Kur ta përmbysim paraprakisht çdo vetëpozë, kur t’ia lidhim sqepin papagajit të egos tonë, bëhemi për ca sekonda të sinqertë dhe përjetojmë frymëbllokadën e domosdoshme: a nuk është ky mentaliteti jonë i komunikimit. Pse bëhemi apostuj të një morali të paqenë. Po si përpiqen emigrantët të sigurojnë ndonjë investim të tyre në «atdheun e tyre të dashur»? Duke mos lënë pa kontrolluar asnjë regjistër farefisnor kërkueshëm ta gjejë ndonjë hallë a teze që e lidh me pushtetarë për ta kapur sistemin. Po si funksionojmë ne kur duam ta punësojmë dikë të familjes tonë në punë? Duke besuar në meritat e familjarit që dija gati ia plas qelizat e trurit? Jo. Kjo nuk është praktika jonë shqiptarçe, ballkanase. Le t’i shesim moral ndonjë banori të Australisë ama jo vetes. Qeveritë tona janë qendrat akumuluese të injorancës tonë kolektive.Po pse gjithë kjo habi, nga ku gjithë ky irritim për një akulturë komunikimi e veprimi social e politik që na shoqëron si kancer gjithandej, jo vetëm brenda zyrave të burokracive dhe qeverive shqiptare? Mos tërbimi vjen si çdoherë nga mosdurimi i vetes sonë në pasqyrë? Nëse është kështu atëherë po përjashtojmë botën nga odat tona dhe reflektojmë pak mbi veten.

4.

Si ta ripushtojmë hapësirën, të drejtën tonë për alternativa? Tek partitë ekzistuese kosovarët humbin besimin ditaditës sa më shumë. Qeveritë janë kuadrot e tyre. Koha e daljes në rrugë ka perënduar. Vetëdjegiet nuk zymtësojnë as njërën vetull të politikanëve cipëdalë. Ku të shpresojnë masat e depresionuara kundër shpresësabotuesve të tyre? Çka u bë me mitin e «fuqisë së katër«?

Në mediat sociale lehtë konstatohet se sidomos gazetat mbajnë primatin sa i përket orientimit të diskusioneve, debateve dhe diskurseve publike. Sa fuqi kanë ato realisht?

Çdokush që ka studiuar historinë e mediave e di se faza ndërmjet 1950-1990 konsiderohet si etablimi kualitativ i mediave në pozitën e «fuqisë së katërt» në shoqëritë perëndimore. Deri para kapjes së tyre nga oligarkët ato vërtet luajtën rolin e kritikut dhe kontrolluesit pozitiv të demokracive dhe shoqërive perëndimore. Ato nuk arritën të bëjnë asnjëherë vetëdijen dhe opinionin e masave, mirëpo askush nuk mohon meritat e tyre për shpërndarjen e dijes, për demaskimin apo përforcimin e strategjirave dhe politikave. Kjo është periudha që konsiderohet si më kualitativja në përforcimin e demokracive.

5.

Shqiptarëve ende nuk u kanë rënë nga duart prangat e njëmendësisë. Nuk kanë pas kohë. Mediat në Shqipëri shquhen nga një multimonizëm bulevardesk, ato ende nuk e kanë ndërmend të shkundin librat e profesionalitetit. Në Kosovë, sa i përket profesionalitetit «teknik» qëmoti ka nisur një proces shpresëdhënës, mirëpo shumica e tyre nuk guxojnë të kalojnë vijën përtej doktrinës personale të botuesit (pronarit), financuesit (OJQ-ve, qeverive) ose klanit. Parasëgjithash as ato nuk i ikin dot sistemit përzgjedhës të «hallave, tezeve,» dhe «dajëve dhe praktikantëve» të Grabovcit, kështu duke paravdekur shumësinë e alternativave intelektuale që masat do t’i përkrahnin duke shpërblyer mediumin me statusin e opinionbërësit, kontrolluesit dhe korrektorit të demokracisë së tyre. Vetëm me një «fuqi të katërt» që syhapur ndjek punën e qeverive, ndjek përbërjet, sistemet dhe strategjitë e organizatave supranacionale (OKB, EULEX apo kushdo tjetër) mund të sigurohet ai vox populi i shoqërisë përtej zyrave dhe komploteve.

Hë për hë vazhdojmë me formulën e Kleinit «no space – no choice». Ose jo?

 

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.