Sa globalitet duron shqiptari

Ose: Për mikun tim trugropë

Nxitjen për këtë shkrim ma dha një miku jonë që në pikëmengjesi kishte keqkuptuar botën. Ndërsa idenë e mora nga një libër që vajtueshëm ri i mbyllur pranë një turme librash të rinj që s’kam kohë t’i lexoj. Është libri i filozofit gjerman Rüdiger Safranski «Sa globalizimin duron njeriu?». Nuk e di se çka shkruar kësaj radhe Safranski, por po bëhem si ato «haxhuzet[1] e gostivarit» dhe po spekuloj, pasi që ky është libri i vetëm i tij që ende nuk e kam lexuar: Safranski aty sigurisht bëhet advocatus idiotes duke përdorur gjithë arsenalin e historisë së filozofisë në mbrojtje të homonaturalis-it nga injeksionet tjetërsuese, imponuese dhe trushpëlarëse të megaprojektit liberal që me çdo kusht donë vetëm një tip njeriu mbi tokë: hommo globalis-in! Jo, jo nuk besojmë se Safranski ka nostalgji për atë njeriun gjysmëkafshë Enkidu të Gilgameshit, por na merr mendja se ai proteston kundër përpjekjes për të shndrruar botën në një vitrinë njëdimensionale, ku gjitha speciet të njëjtin konstrukt dhe frizurë kanë, ashtu siç donë komunizmi utopik i Slavoj Žižekut me shoqëri. Po a nuk na e trajtoj këtë temë shkëlqyeshëm para dyzet e tetë viteve Herbert Marcuse («Njeriu njëdimensional», 1964), duke shpjeguar përdhosjen e kulturave që kishin nisur shoqëritë postindustriale?

Thamë që njohim Safranskin prandaj nuk mund të supozojmë të ketë humbë kohë për të mbrojtur diçka që nuk ka nevojë. E pamundshme. Safranski sigurisht ka një tjetër shqetësim që nuk donë ta thotë hapur që mos stampohet si nacionalist: nëpërmjet mbrojtjes së «individualitetit» ai sigurisht donë të mbrojë diversitetin e kulturave, gjuhëve, të cilat qëmoti kanë hyrë nën rrotat shpuese të globalizimit të egër.

II.

Frika e Safranskit dhe e jona është e arsyeshme. Imperialiteti i anglishtes së mainstream-it që vjen nga neoliberalizmi i shfaqur në shkencë, www dhe gjithandej nuk duhet të gëlltisë e dobësojë diversitetin kulturor dhe gjuhësor të botës. Edhe në ëndërr na tmerron skena ku nuk kemi pse ta përdorim shqipen tonë (në të gjitha variantet e saja), sepse nuk na kupton kush. As gjermanishten, frëngjishten, italishten tonë të thyer e plotë defekte nuk ia falim ndonjë gjuhe mode që mendon se ka fituar primatin. Jo.

Nëse intelektualët shqiptarë ngulin këmbë që të përjetësohet Transicioni, nëse ata bëjnë çmos që shoqëritë e shtetet tona ta mbërrijnë hapin e globalizmit, nuk donë të thotë paraprakisht se ata kanë diçka kundër identitetit shqiptar (çka do të ishte alogjike), ata e dinë se hë për hë nuk ekzistojnë projekte tjera më të mira që do ta shpëtonin masën që i përkojnë nga mjerimi social, aligjor, izolues dhe nga një e ardhme ekonomikisht të pashpresë. Nuk besojmë se intelektualët shqiptarë kanë mbyllë sytë si prostituta para atij globalizmit të bankave dhe firmave gati kriminele e as përballë modeleve transicionale tjetërsuese që s’durojnë kultura e identitete, por besojmë se ata kanë kuptuar historinë e suksesit të të tjerëve në luftën e tyre kundër vendnumërimit, anarkisë, korrupsionit dhe prapambeturisë dhe të njëjtin sukses ua dëshirojnë gjeneratave të veta.

Nëse intelektualët tanë mund të akuzohen për diçka atëherë për këtë: ata nuk kanë shtrydh trurin për të kërkuar variante asimilimi të demokracisë, tregut të lirë (jo të zi) në kushtet shqiptare. Atyre po duket se u ikë shansi për t’ua dhënë stampën shqiptare këtyre proceseve të globalizmit. Ata janë aty për të mbrojtur integritetin, pavarësinë shqiptare në gjuhë e kulturë. Siç bën Safranski, Bernard Henri Levi e shumë të tjerë që e dinë se identitetet nuk janë maska por kultura të gjalla e kryesisht të bukura, sish që botën nuk e lënë të përmbyset në ferrin e monotonisë.

III.

Nuk e di se a keni vërejtur që në letrat shqipe qëmoti është krijuar një divizion «mendimtarësh», gazetarësh që vazhdimisht shajnë shqiptarët se nuk iu përshtaten normave etike e politike që kërkojnë ndërkombëtarët? Në këtë listë, ai miku jonë patriot (me bateria) kishte futur edhe emrin e autorit të këtij teksti. Arsyeja: po shkruajmë kundër etnonacionalizmit human shqiptar?  

Kush beson se gjithë gjermanët e Goethes, Schilerit dhe Nietzsches kanë qenë racistë ka defekt në tru. Kush e di që Hitleri involvoi masat në racizmin e tij të sëmurë dhe solli Gjermaninë në hale e di se çka donë të thotë iluzioni i epërsisë arike. Kush po me të njëjtin ton mashtron shqiptarin pasmodern mbi «racën ilirike», gjenin dhe gjakun është antipatrioti më i shpifur i së sotmes. Jo kokërruari hitlerian nxori Gjermaninë e bërë tokë nga mizëria, por gjermani racional, i cili brenda një kohë rekorde e bëri vendin e tij sërish faktor në botë. Ky gjerman që madje – edhe pse tashmë pa të drejtë – i vjen turp të thotë se është gjerman. Intelektuali shqiptar që nuk duron stërqitje nacionaliste ka bazë empirike pra për qëndrimin e tij. Historia e fakteve nuk le hapësirë spekulimi: dashuria jokritike ndaj sjelljes kombëtare dhe ekzagjerimi i higjienës racore e kulturore ndaj tjerëve është sëmundje që shkakton luftëra, defekte dhe depresione, është një status shpirtëror që më së pari vret e demolon bartësin se sa të tjerët. Jo italiani i duçes që shkërdhen Italinë është patriot, por italiani i Ecos që e detyron globin të flas për të është patrioti i ditës. U kuptuam?

IV.

Për mikun tonë trugropë: Dosido shqiptarët tashmë kanë shkollë. Intelektualët shqiptarë kur flasin për «etikat» e transportuara e kanë fjalën për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe ligjësinë e jo për shuarjen e identitetit shqiptar. Se një pjesë e tyre mallkojnë etnonacionalizmin tënd nuk është shkak për depresion por për festë. Sa më të vetmuar ta ndiesh veten ti aq ma mirë do ta kenë shqiptarët!


[1] Haxhuze pollogasit i quajnë gratë që përgojojnë, shpifin dhe ngatërrojnë. Paradoksale kjo punë kur kihet parasysh se në praktikë janë meshkujt që shquhen me këto tipare e jo gratë, shumica e të cilave as jashtë nuk guxojnë të dalin e jo më të shpifin. 

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.